Një ditë më pare, Bilushi i Metës bëri një parashikim i cili në tërësinë e tij u realizua, përveçse një pasaktësie të vogël në rezultat.
Bilushi parashikoi që Luli do të fitonte 81,37 për qind, ndërsa ai fitoi 81 për qind.
Diferenca me 0,37 për qind, edhe pse është shumë e vogël dhe e pranueshme për çdo sondazh, e ka mërzitur Bilushin e Metës, dhe sot vendosi të kërkojë ndjesë nga ka ardhur kjo parregullsi:
“Të dashur miq!
Siç e keni pare, unë dje parashikova që Luli do të fitonte 81,37 për qind, ndërsa ai mori rreth 81 për qind të votave.
Megjithëse diferenca është shumë e vogël, përsëri më duhet të shpjegojë pse ka ndodhur kjo.
Mendoj se arsyeja kryesore është se Jemini ka lexuar Antenën dhe ka hequr 0,37, vetëm që të mos dilte kokë më kokë.
Jam i bindur që e ka bërë këtë, pasi ai është njeri që bën surpriza dhe nuk ka qejf të kalojë ndonjë deklaratë e tij pa vëmendje.
Kjo u vu re dhe nga fakti se ai nuk ngjiti as çamçakëz poshtë tavolinës, nuk krehu as flokët para kamerave, por vetëm rregulloi syzet.
Këto detaje tregojnë se ai e deformoi qëllimisht rezultatin.
Nga ana tjetër, rënia e madhe e pjesëmarrësve në votime krijoi problemin e saj.
PD ka thënë që ka 110 mijë votues..
Luli i shkurtoi rreth 40 mijë si tradhtarë, mbetën 70 mijë.
Nga këta, në votime shkuan vetëm 40 mijë, nga të cilët për Lulin votuan rreth 32 mijë.
Pra i bie që rreth 78 mijë demokratë janë kundër Lulit dhe 32 mijë pro tij, nëse i quajmë të gjithë ata që nuk votuan si abstenues.
Në këto kushte, Luli duhet të shpallej humbës, por unë e kisha llogaritur që Luli do të ruante rezultatin e 2013 dhe 2017, pra 81 për qind, dhe për këtë i duhej të ulte trupën votuese.
Po të merrte 81 për qind të 110 mijë votuesve, i duheshin 90 mijë vota.
E pa që nuk i kishte dhe i çoi 40 mijë votuesit, që të merrte 32 mijë dhe të ruante rezultatin 81 për qind.
Me këtë trend, në zgjidhjet e radhës Luli do të ta çojë listën 20 mijë dhe do marrë vetë 16 mijë vota.
Pastaj në Kongresin e e radhës do ta bëjë listën 10 mijë dhe do të marrë 8100 vota.
Kështu përqindja ruhet duke ulur gjithnjë e më shumë numrin e votuesve. Por kjo nuk ka rëndësi.
Ajo që dëgjojnë njerëzit është përqindja. Atë Luli e ka marrë”.