Kush bën turizëm në Shqipëri, është hero. Si në Sarandë dhe kudo

28 Qershor 2021, 19:30Blog TEMA

Nga Alba Malltezi

Në një vend që lëngoi për 30 vite pa Shtet, kush bën turizëm dhe ofron shërbime në Shqipëri, është hero. Në gjiret më të bukura, mes informalitetit, mungesës së infrastrukturës, shqiptarë “sipërmarrës” bëjnë çudira dhe mrekullira duke ofruar pjata të shijshme e të pastra për të huajt që po vijnë nga çdo anë. Janë një armatë e madhe që ka ulur kokën dhe punon: të rinj, burra gra, nuk kanë kohë as të grinden, as të bërtasin, as të ankohen në rrjete sociale, por shërbejnë, me buzëqeshje dhe përlulje, me sakrifica dhe kushte ende të vështira pune në vendin tonë. Po bëjnë të pamundurën.

Kudo që shkova në Ksamil e Sarandë, nga Limani në qendër, te Harmony që shërben plot fantazi e pasion (ndërsa rezorte e ndërtimet nuk pushojnë duke krijuar zhurmë e “kala dibrançe”), te Pasqyrat, Shtëpia e Midhjeve, te sufllaqet në Bulevard, te Eleniko në qytet, tek Tre ishujt shembullorë, apo në plazhin publik, e kam zemrën plot jo vetëm për shërbimet mëse dinjitoze dhe çmimet më të ulëta në rajon, por edhe për cilësinë e ushqimeve.

Afërsia me Italinë është për Shqipërinë një shanc i madh: Greqia, Kroacia, Mali i Zi mund të jenë të bukur e të pasur, por ushqimi tek ne është përfundimisht kampion. Mattarello në Sarandë, poshtë apartamenteve të pastra e të bukura Aquamarinë ku qëndroj, është një kënd plot shije nga Andria puljeze për të ngrënë pica dhe panceroti të cilësisë së parë. Sot në mëngjes, ndërsa shijoja një briosh e kapuçino, Stela, e zonja e Mattarellos—u largua për të marrë një qese me rukola fantastike. Një fshatar sarandiot ia sjell posaçërisht: “Eshtë një mrekulli, thotë, – rukola bio që ka një aroma fantastike”.

Shqiptarët i janë përveshur punës dhe kjo është një ëndërr që po bëhet realitet dhe Shteti, në këtë punë të vështirë duhet  t’i ndihmojë, t’ua lehtësojë ekzistencën, të jetë një shoqërues dinjitoz dhe serioz i gjithë kësaj armate të madhe bashkëatdhetarësh që shërbejnë. Shumë kushte janë krijuar, por ende shumë, shumë punë është për t’u bërë: Nuk duhet të konsiderohen si zhvatës, pushtues, përfitues njerëzit që shërbejnë në bregdet e kudo: Janë thjeshtë disa më të guximshëm, që aty ku hapsirat ligjore nuk ekzistonin, aty ku shteti nuk ishte dhe nuk veproi, ata punuan, krijuan. 

Pastaj, nëse një ditë do të kemi vërtetë Shtetin që duam dhe ëndërrojmë, të fortë, efikas, shërbyes, autoritar, të drejtë e të barabartë, mund të vendosen pikat mbi “I” me kompensime, legalizime, përmirësime apo korrigjime aty ku privatët kanë dëmtuar e përfituar pa të drejtë. Por e gjitha kjo kërkon kujdes dhe zgjuarsi, elegancë dhe vendosmëri për të mos quajtuar njëri-tjetrin hasëm, armik apo kushedi çfarë,

Flasim për minishengenin e të ardhmes, ndërkohë që qershori në Sarandë është një hartë shumëngjyrëshe ballkanike: Vendin e parë e mbajnë serbët. Familje të tëra kanë mbërritur me makinat e tyre me targa serbe, pastaj maqedonas, kosovarë, malazezë. Të gjithë pushojnë, zhyten në detin Jon të mrekullueshëm dhe kontribuojnë në ekonominë shqiptare pa e vrarë mendjen për nacionalizma dhe urrejtje. Ata nuk kanë kohë, ata shijojnë dhe shplodhen si të ishin në një vend kampion të turizmit. Shqipërinë e bukur dua ta shoh me sytë e kënaqur të tyre. Këtë vit është akoma më mirë se vjet.

* Te gjitha bizneset e permendura jane per shkak kronike, fakti dhe jo reklame

7 komente në “Kush bën turizëm në Shqipëri, është hero. Si në Sarandë dhe kudo”

  1. Asd says:

    Shkrim i mire dhe i vertete. Ka shume njerez qe i kane vene shpatullat punes. Shpresojme qe kjo te prevaloje.

  2. Ilegali says:

    Edhe ndonje plumb u kalon rikoshete ndonjehere Alba ..

  3. Motra says:

    Motra ka lezet te lexosh dike qe thote nje fjale te mire. Na mbyten kellirat

  4. Boss says:

    Po ik moj mo sa ja fut kot tani çfarë na bëne reklamë apo servilizmin ndaj shtetit. Për çfarë plazhi flet në Sarande e per çfarë restorantesh që të presin kokën me çmime të kripura apo për atë mbrëmje që shëtisin turista me ato varka karakatina që bëjnë xhiro dhe helmuan dynjanë me naftë duke prishur gjithë ajrin e detit. Vetëm sot në darkë me qindra qytetarë dhe turista që ishin ulur për të ngrënë ikën me vrap nga kjo anije që helmoi vendin. Aka Saranda kryetare bashkisë a ka rend a ka polici financiare për këto biznese shkatërruese që qelbin detin me naftë dhe helmojnë shëtitoren. Le për çmime një kafe pihet njësoj si në Itali peshku me shtrenjte pa le ta hash në restorant të vjen mendia vërdallë. Kështu këta me këto çmime po I largojnë vetë turista. Vjen tjetri një herë dhe skthehet me. Plazhe të pista që spastrohen dhe nuk është hedhur të paktën në makinë me rërë. Mjafton të shikosh shëtitoren me mbeturina që spastrohen e qelbur nga kakat e qeneve me ditë të tëra. Kështu do bëjnë turizëm këta të shtrihet robi si derr në mes të pisllëqeve. Spunohet dhe smeren masa fare kemi folur dy tre herë më drejtorët që drejtojnë punimet që skane mbaruar po pò thonë dhe lesh. Kushtu do ta bëjnë këta turizmin drejtë shkatrimit dhe jo rregullimit.

    1. Ad says:

      Zonje,
      I kam pas miratuar shkrimet tuaja.
      Por te perligjesh hapesirat ligjore qellimisht te mangera do te thote te perligjesh mjerimin e shqiptareve shkaktuar nga nomenklatura e kuqe me ne krye Berishen

  5. Ad says:

    Zonje,
    I kam pas miratuar shkrimet tuaja.
    Por te perligjesh hapesirat ligjore qellimisht te mangera do te thote te perligjesh mjerimin e shqiptareve shkaktuar nga nomenklatura e kuqe me ne krye Berishen

  6. Qyterar i zakonshem says:

    “Sherbejne me perulesi ” epo….mbase ..mbase.! Perulesia qofte edhe ne dukje, formale, nuk eshte e karakterit tone . Punojne dhe mesojne si i sherbehet lekut kjo do ishte me e pranueshme . Megjithate ka pozitivitet ne shkrimin e mesiperm. Po te maresh anen pozitive te problemit qe po levizin njerezit sherbimet qarkullon leku mir , quhet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje