Ardi Veliu ka dorëzuar sot detyrën si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Në fjalën e tij të lamtumirës në ceremoninë e prezantimit të drejtorit të ri, Gledis Nano, Veliu tha ndër të tjera se Policia e Shtetit është sot më mirë se dje.
Veliu falenderoi tre ministrat e Brendshëm me të cilët punoi, kryeministrin Rama për mbështetjen si dhe të gjithë punonjësit e policisë.
“Ka qenë një detyrë shumë e rëndësishme dhe jam përpjekur të bëjë më të mirën. Në 35 vitet e mia, jam brumosur dhe edukuar t’i shërbejë vendit tim.
Çdo ditë të detyrës time, jam mbështetur në tre shtylla kryesore që kanë qenë çdo ditë në vlerësimin tim si ndershmëria, përkushtimi dhe humanizmi.
Falë kësaj pune të cilën juve të nderuar kolegë së bashku përballuan sfidat e tërmetit, ishit të parët që dhanë ndihmën e parë, shpëtuam jetën e qytetarëve.
Kam një vlerësim dhe mirënjohje për të gjithë ju. Së bashku arritëm të menaxhonim qindra tubime. Jeni ju të nderuar kolegë që për muaj dhe vite me radhë arritëm të menaxhonim të gjithë situatën e pandemisë.
Jam krenar që sot e dorëzoj detyrën e drejtorit të Përgjithshëm. Dua të falenderoj kryeministrin që më ka mbështetur. Falenderoj të tre ish- ministrat e Brendshëm.
Falenderimi kryesor është për ju të nderuar kolegë. Policia e shtetit sot është shumë herë më i mirë se dje.
Policia e Shtetit është shumë herë më e mirë se dje, pavarësisht se të verbuarit nga 20-fishimi i cmimit të kanabisit apo të shurdhuar nga kapja e 20 ton kokainë kërkojnë të hedhin baltë mbi djersën tuaj.
Policia nuk fillon dhe mbaron me mua. Ju falenderoj pa masë për ndihëm që më keni dhënë. Dua të falenderoj familjen time dhe ju uroj të gjithëve juve suksese dhe drejto Gledisit shumë fat,” u shpreh Veliu.