Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë edhe një herë thirrje për vettingun në politikë. Në një postim në rrjetet sociale, Basha thotë se duhet t’i japim fund pandëshkueshmërisë në mënyrë që të pastrohet politika nga ata që kanë abuzuar me qytetarët shqiptarë.
“Shqipëria është vendi më i varfër në Europë, sepse është vendi më i korruptuar i Europës. Një mijë e një hallet e njerëzve që rropaten për një jetë më të mirë, e sipërmarrësve që luftojnë për të mbijetuar në një ekonomi jo konkurruese, e të moshuarve të ndrydhur nga pensioni i pamjaftueshëm, i të rinjve që ëndrrat i kanë çdo ditë e më shumë larg Shqipërisë, janë një thirrje për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, për ta pastruar politikën nga të gjithë ata që kanë abuzuar me besimin e qytetarëve, duke pasuruar veten dhe një grusht të vogël njerëzish”, shkruan Basha në Twitter.
Partia Demokratike ka propozuar në parlament disa ndryshime kushtetuese, ndër to edhe vettingu në politikë.