Të ardhura pasanikësh, statistikat e pabesueshme të komunizmit dhe lufta kundër mjekëve privatë në vitet ’60

20 Nëntor 2021, 11:40Politika TEMA

Nga Hasan Bello

Megjithëse regjimi komunist u përpoq të ndërtonte një sistem shëndetësor dhe ta shtrinte rrjetin e këtij shërbimi në të gjitha qytetet, fshatrat dhe zonat e thella malore, përsëri ai nuk arriti të përballonte nevojat e popullsisë.

Kjo vinte për shumë arsye, ku në radhë të parë ishte mungesa e theksuar e personelit të kualifikuar. Për këtë shkak, edhe pas vitit 1944 një numër i konsiderueshëm mjekësh do ta ushtrojnë profesionin e tyre privatisht. Kjo pasi ligji e lejonte diçka të tillë. Por në mënyrë të kufizuar.

Sipas një relacioni të ministrit të Shëndetësisë Dr.Ciril Pistoli drejtuar kryeministrisë më 4 nëntor 1963, shtimi i rrjetit të institucioneve shëndetësore, i kuadrove dhe i specialistëve të kualifikuar kishte ardhur duke u zgjeruar. Kështu, në rast se në vitin 1960 kishte patur 444 mjekë ose një mjek për 3660 banorë, në vitin 1963 kishte 699 mjekë ose një mjek për 2500 banorë. Kjo shifër vinte duke u përmirësuar nga viti në vit.

Ndihma mjekësore ambulatore nëpër qytete jepej nëpërmjet poliklinikave. Këto institucione çdo vit plotësoheshin me kuadrot e nevojshëm dhe të specialiteteve të ndryshme. Kjo sidomos në qytetet kryesore, ku numri i popullsisë ishte më i madh se në qendrat e tjera urbane dhe nevoja e tyre ndjehej akoma më shumë.

Megjithatë problematikat e shfaqura në sistemin shëndetësor ishin serioze. Prandaj, në vitin 1958 ministria lëshoi udhëzimin për bashkimin e spitaleve me poliklinikat. Në bazë të këtij udhëzimi, mjekët e spitaleve punonin edhe në poliklinikë. Në këtë mënyrë, cilësia e këtyre përmirësohej. Kjo, sepse, supozohej që mjekët e spitaleve ishin më të përgatitur.

Në poliklinikat e kohës, puna fillonte në orën 7:00 të mëngjesit dhe përfundonte në orën 22:00 – 24:00 të mbrëmjes. Në disa poliklinika, siç ishte ajo e Tiranës dhe Elbasanit, kishte shërbim 24 orë.

Ndërsa në ato qytete ku nuk kishte mjek roje nëpër poliklinika gjatë natës, shërbimi mjekësor ofrohej nëpër spitale në çdo orë. Për hir të së vërtetës, një nga ato pak aspekte pozitive që kishte regjimi komunist, ishte shtrirja e shërbimit shëndetësor. Pastaj sesa cilësor ishte ky shërbim është një çështje tjetër.

Por një shqetësim i madh për Ministrinë e Shëndetësisë në këtë periudhë ishte fakti se, krahas shërbimit shtetëror që bëhej në poliklinika, në disa qytete nga ana e mjekëve bëhej edhe punë private.

Nga të dhënat e mbledhura nga Ministria e Shëndetësisë, puna private nga janari deri në shtator të vitit 1962 paraqitej sipas të dhënave të kësaj tabele:

Sipas këtyre të dhënave nga 699 mjekë që kishte gjithsej vendi ynë të paktën 88 prej tyre e ushtronin profesionin në mënyrë private në poliklinikat shtetërore.

Kjo ndodhte kryesisht në qytetet kryesore, ku përqindja e vizitave private, në krahasim me atë të poliklinikave, ishte mesatarisht 10%.

E shprehur në shifra, diferenca ishte kjo: nga 1.200.000 vizita të bëra në poliklinika, vetëm 118.000 ishin bërë privatisht. Por sipas statistikave edhe këto vizita ishin të përqendruara në një numër të vogël mjekësh.

Kështu, nga 118.000 vizita që ishin bërë gjatë nëntë muajve të vitit 1962, 92.000 vizita ishin kryer vetëm nga 49 mjekë, ndërsa 39 mjekë të tjerë kishin kryer 25.400 vizita.

Nga kjo llogaritje del se 49 mjekët që kishin kryer 79% të vizitave ishin përqendruar në tetë qytete: në Korçë 6 mjekë kishin bërë 11.963 vizita, në Lushnje 2 mjekë 5.370, në Vlorë 8 mjekë 12.141, në Fier 7 mjekë 7.727, në Berat 4 mjekë 10.710, në Elbasan 7 mjekë 13.424, në Tiranë 12 mjekë 24.958, në Shkodër 4 mjekë 5.804.

Nga mjekët që kishin bërë më tepër vizita private ishin: në Tiranë Kristo Kristidhi 4.163 vizita, Jorgji Jorgoni 3.682, Besim Zyma 2.660, Isuf Dashi 2.495, Jani Theodhosi 2.293; në Elbasan, Stilian Nosi 3.948, Reshat Kapshtica 2.515; në Berat, Ymer Dishnica 3.566; në Fier, Jani Melo 1.995, Aleko Noçka 3.188; në Vlorë, Fiqiret Babani 1.760, Kostandin Kauri 1.783, Mihal Angjeli 1.724; në Korçë, Ilia Papakozmaj 2.266, Vasil Tomça 2.361, Sotir Polena 2.636; në Lushnje, Ihsan Çabej 3.290, Vasil Kuli 2.080.

Këto shifra përbënin një shqetësim për Ministrinë e Shëndetësisë, për shkak të dispropocionit të madh që krijohej në aspektin ekonomik mes mjekëve që punonin privatisht dhe atyre që ishin pjesë e poliklinikave dhe spitaleve shtetërore.

Por në vend që ky institucion të shtronte pyetjen përse ndodhte kjo, çështja shihej nga një këndvështrim tjetër. Sipas ministrisë, një gjë e tillë jo vetëm që prishte ndërgjegjen e njerëzve që punonin në këtë mënyrë, por influenconte në mënyrë negative edhe tek mjekët e tjerë të cilët, duke u nisur nga të ardhurat e shokëve të tyre, ishin të prirur të shkonin drejt asaj rruge.

Kjo, sipas raportit kishte krijuar pakënaqësi dhe mosmarrëveshje mes mjekëve dhe seicili prej tyre, përpiqej për të fituar sa më shumë klientelë për të rritur të ardhurat.

Kështu, kujdesi në spital për të sëmurët privatisht ishte më i mirë sesa për ata që shtroheshin nëpërmjet poliklinikave.

Në raste të tilla mjeku ishte më i angazhuar për shkak të pagesës që do të merrte. Për ministrinë ky ishte një shqetësim serioz për shkak se shërbimi shëndetësor në spitalet e shtetit bëhej i diferencuar. Kjo dëmtonte rëndë imazhin e propagandës komuniste dhe “arritjet” e saj në fushën e shëndetësisë.

Një problem tjetër mbetej fakti se me përjashtim të kryeqytetit ku këta mjekë vizitonin pacientë brenda specialitetit përkatës, në qytetet e tjera të Shqipërisë ata merrnin përsipër të gjitha specialitetet pa qenë të kualifikuar.

Përveç kësaj, aktiviteti i mjekëve privatë kishte sjellë mjaft anomali në poliklinikat shtetërore për këto arsye:

Këto pika ishin pjesërisht të vërteta. Ministria thekson se nga studimi që i kishte bërë këtij problemi ishte e mendimit se kishte ardhur koha për ta ndaluar ushtrimin e profesionit të mjekut në mënyrë private, sepse përveç të tjerave, ky profesion humanitar, kthehej në një profesion tregtie, ku seicili mundohej të siguronte sa më shumë të ardhura nga njerëzit që vuanin nga sëmundje të ndryshme.

Kjo masë do të sillte përmirësimin dhe forcimin e sistemit shëndetësor; kuadrot mjekësor do të bënin përpjekje për rritjen e aftësive profesionale dhe do të rregullonin marrëdhëniet ndërmjet tyre që për momentin linin për të dëshiruar.

Ndalimi i ushtrimit të profesionit të mjekëve në mënyrë private sipas ministrisë nuk do të kishte asnjë efekt për shërbimin e popullsisë. Kjo sepse nevojat e saj mund të plotësoheshin me kapacitetin e mjekëve të poliklinikave shtetërore. Por, nga ana tjetër, ndalimi i ushtrimit të këtij profesioni privatisht do ta detyronte këtë kategori mjekësh të punësoheshin në spitalet shtetërore.

Më 9 gusht 1963 ky raport i Ministrisë së Shëndetësisë iu dërgua Komitetit Qendror të PPSH. Ky i fundit e miratoi kërkesën dhe e udhëzoi atë t`i drejtohej kryeministrisë që të përgatiste një projektligj.

Por këshilltarët e kryeministrit parashtruan disa rezerva. Sipas tyre: si do të përballohej puna në lokalitetet e vogla ku kishte një ose dy mjekë? A do të shkonin këta mjekë në raste urgjencash, natën ose ditën, nëpër fshatra kur të kishte nevojë pa pagesë?

Në qytete kishte njerëz që u ishte mbushur mendja të vizitoheshin në X mjek, sepse tek ai kishin besim, pavarësisht pagesës.

Ministria e Shëndetësisë duhej të bënte një studim krahasues sesi kishte qenë ngarkesa e mjekëve privatë gjatë viteve 1960-1963. Kjo do të tregonte nëse me shtimin e numrit të mjekëve në spitalet shtetërore puna e tyre ishte rritur apo ishte pakësuar.

Nga ana tjetër duhej parë edhe sasia e lejeve që Ministria e Shëndetësisë kishte dhënë për ushtrimin e këtij profesioni privatisht. Sepse gjatë viteve të fundit disa mjekë të njohur si dr.Kadri Kërçiku dhe dr.Hiqmet Dibra kishin dhënë dorëheqje nga puna private.

Sipas këshilltarëve të kryeministrit, mjekëve nuk ia prishnin ndërgjegjen vetëm lekët dhe puna private, por edhe orët e natës dhe ato suplementare në poliklinikë.

Kishte raste kur disa mjekë më shumë të ardhura siguronin duke punuar në shtet. Kështu, Dr.Taqi Skendi në Korçë për 6 muaj kishte marrë nga sanatoriumi 83.542 lek për rojet që bënte dhe 25.000 lek nga poliklinika.

Kjo shumë në total shkonte 108.542 lek në 6 muaj përveç rrogës. A nuk ishte kjo një anomali?-pyesnin këshilltarët e kryeministrit.

Në fakt kjo nuk ishte aspak anomali, sepse mjekët përfitonin nga intensiteti i punës së tyre.

Një rast tjetër ishte ai dr.Fadil Spahiut i cili për 9 muaj nga orët suplementare në poliklinikë dhe si mjek roje në spital kishte marrë 91.249 lek përveç rrogës mujore.

Por ndërsa ministria përpiqej me të gjitha mënyrat për të mbyllur shtegun e ushtrimit të profesionit të mjekut në mënyrë private, në shtet kishte lulëzuar një fenomen tjetër negativ.

Drejtorët e spitaleve dhe poliklinikave punonin me orë suplementare, për të rritur të ardhurat e tyre mujore.

Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Shëndetësisë puna private e kryer nga mjekët mbulonte vetëm 10% të vizitave që kryeheshin nëpër poliklinika. Me ndalimin e këtij profesioni, miliona lek që harxhoheshin për orët suplementare në institucionet shtetërore do të shtoheshin akoma dhe më shumë me rritjen e numrit të mjekëve.

Një çështje tjetër ishte edhe kualiteti i mjekëve në poliklinika. Kjo i detyronte shpesh pacientët, të pakënaqur, t`i drejtoheshin mjekëve privatë.

Vetëm për të marë një numër, për tu vizituar tek mjeku, atyre i duhej të sorollateshin një deri në dy ditë. Ndërsa në privat ata mbaronin punë për një gjysëm ore.

Prandaj, Ministria e Shëndetësisë sipas këtij raporti duhej të merrte masa për riorganizimin, disiplinimin dhe rritjen e nivelit të shërbimit në poliklinika dhe spitalet shtetërore, e më pas të kërkonte ndalimin e ushtrimit të profesionit të mjekut në mënyrë private. Nga ky këndvështrim, për momentin mjekët privatë ishin një element i rëndësishëm që plotësonte boshllëqet e shtetit.

Për luftuar punën private kishte dy rrugë:

1-të punësoheshin në poliklinika mjekët më të mirë dhe të rritej cilësia e shërbimit;

2-sipas ministrisë kishte 80 mjekë që e ushtronin këtë profesion privatisht. Këta duheshin ndarë në tre kategori, në grupin e parë prej 25-30 mjekësh, që ishin dhe më të aftët, tu jepej nga një infermier ose ndihmës mjek që jo vetëm t`i ndihmonin, por dhe të mbanin evidencat e sakta me kartelat dhe regjistra mjekësorë duke rritur kualitetin.

Në grupin e dytë mund të ishin po kaq mjekë që e ushtronin profesionin e tyre për tregti dhe që konsideroheshin matrapazë.

Këta duheshin goditur me tatim fitime aq keq sa që të mos i interesonte fare ushtrimi i këtij profesioni privatisht dhe të tërhiqeshin vetë. Në kategorinë e tretë mund të bënin pjesë 30-40 vetë, të cilët ishin produkt i regjimit komunist. Këta duhet të thirreshin nga sekretarët e partive, kryetarët e komiteteve etj., dhe t`u shpjegohej se ushtrimi i këtij profesioni privatisht, nuk ishte në interes të shoqërisë.

Prandaj sugjerohej që Ministria e Shëndetësisë kërkesat e saj për të ndalura ushtrimin e profesionit të mjekut privatisht t`i rishikonte dhe një herë, duke i vlerësuar në raport me nevojat dhe rrethanat e kohës.

Në mesin e viteve 60-të hapësira e mjekëve privatë do të ngushtohet aq shumë sa që askujt nuk do t`i interesonte më të punonte jashtë spitaleve dhe poliklinikave shtetërore. /abcnews.al

6 komente në “Të ardhura pasanikësh, statistikat e pabesueshme të komunizmit dhe lufta kundër mjekëve privatë në vitet ’60”

  1. specialisti says:

    Zotni Hasan
    Te dhenat jane reale sepse jane marre nga statistikat e Ministrisese Shendetesise, per vitin 1962.
    Por dicka duhet saktesuar.
    Leket qe shenoni ju jane leke te vjetra, sepse paraja eshte ndrruar ne vitin 1964.
    Respekte

  2. Parruca says:

    Pra edhe ne kohen e komunizmit mjeket shqiptare ishin njelloj te korruptuar. I shkoje ne poliklinike dhe te merrnin ne privat pastaj. Korrupsioni ne gjak.

  3. Genti says:

    Deri ne vitet 67 Rregjimi i asaj kohe ishte i detyruar te mbyllte njerin sy pasi mungonin mjeket e afte dhe numri i tyre ishte mjaft i ulet pasi vendi kishte pak me shume se 20 vjete qe kishte dale nga lufta. Me tu shtuar rradhet e mjekeve dhe infermiereve sherbimi shendetesor dhe sidomos ai ambulator u shtri ne gjith e vendin. Sistemi spitalor per kohen ishte i paisur dhe furnizuar me gjithe paisjet e nevojshme dhe me specialistet perkates. Shteti socialist gjithsesi arrit tu siguronte qutatareve banesat,sherbimin shendetesor dhe ate arsimor falas dhe kjo u reflektua me rritjen e ndjeshme te popullsise me me teper se trefishin e saj ne 19985-en. Shqiperia vinta nga nje histori varferie ekstreme te cilen e shtuan edhe me teper luftrat dhe komunizmi arriti ta nxjerre nga kjo situate por gjithsesi vendi mbeti serisht me i varferi ne Evrope. Sidoqofte per disa gjera thelbesore por pa harruar qe Shqiperia me Kushtetute ishte Diktature e Proletariatit i duhet hequr kapelja pasi vendi ngriti industri te rende dhe te lehte,ushtri te forte, punesim per te gjithe,shendetesi dhe arsim falas,cmime te ulta dhe te paluhatura nga konjukturat dhe nje barazi ne varferi per te gjithe. Nese duam te flasim qiqra ne hell dhe te hedhim gjithcka poshte mjafton te shohim fotografite ose ato pak filmime te viteve te para dhe fill pas luftes dhe te kuptojme se sa i mjere ka qene ky popull. Qytetet ishin pak me teper se fshatra dhe mungonte edhe ifrastuktura me elementare.Ne 1947 e ngrit hekurrudha e pare ne 1957 Universiteti dhe u shtruan e u zgjerua rruge te asfaltuar nderkohe qe bota kishte me qindra vjet qe i kishte. Socializmi arriti ate qe mundi edhe pse mbetem te varfer por sot pas 30 vjetesh ne nuk e dime ku jemi dhe kemi mbetyr ne vend numero ose edhe me keq pasi industria dhe bujqesia pothuaj nuk egzistojne. Shqiperia ka 30 vjet qe mbahet nga remitancat e mbi 1.5 milione shqiptareve ne emigracion dhe ndihmat bujare te vendeve Evropiane dhe vendeve se perndryshe ketu do ishte nje katastrofe e vertete.

    1. ben says:

      Genti-une jam i biri i njerit prej atyre 400 mjekeve, per te cilet flitet ne kete artikull, qe ishin ne Shqiperi deri ne 1960-ten. Im ate, si nje nga kirurget me te mire te vendit, punonte nga mengjezi ne darke. Paga qe merrte ishte relativisht e larte ne krahasim me nje punonjes te zakonshem, por aspak e mjaftueshme per kohen qe ai harxhonte cdo dite ne spital dhe sidomos ngarkesen e punes qe kishte. Me sa mbaj mend, ne vitet 70-80, ai paguhej diku tek 10.000 leke te vjetra, perfshi ketu edhe oret e rojes se nates ne spital, por stresi dhe pergjegjesia, qe ai dhe koleget e tij kishin, nuk ishte aspak e barabarte me ate qe paguheshin.
      Provo ndonjeri nga komentuesit te punoje 12-16 ore ne dite, nga e hena ne te hene, pa bere fare pushim per vite te tera; shto ketu edhe instrumentet e sallat e operacioneve qe kishin ne dispozicion, te cilat ishin ne nivelet e mesjetes dhe do te kuptoni se ne cfare kushtesh punonin mjeket tane te asaj kohe.
      Kishte nje ndryshim shume te madh midis mjekeve te kohes se komunizmit dhe ketyre te sotem. Brezi i mjekeve te babait tim kishin zemer dhe u dhimbseshin pacientet, sikur ti kishin miq e shoke. Keta te sotmit jane tregetare, qe bejne pazar me jeten e njerezve.
      Mjeket e asaj kohe e dashuronin profesionin e tyre dhe shume prej tyre studjonin per ngritjen e tyre profesionale. Kurre nuk e mbaj mend tim ate, qe te rrinte ulur ne shtepi pa nje liber mjekesie ne dore.
      Pata restin qe te bej nje bisede telefonike me nje mjek spitali kur vjehrri im u rrezua si rezultat i nje hemoragjie cerebrale. Duke qene jasht shtetit u detyrova qe ti telefonoj spitalit dhe te pyes mjekun se cfare kishte pacienti. Me tha se nuk kishte ndonje problem te madh; vetem se nga renia kishte thyer gallganen, por me 2 mije euro mundet te rregullohet. Duke e njohur vjehrrin tim per me shume se 35 vjet, e dija se ai nuk ishte nga ato qe rrezoheshin pa shkak, prandaj insistova qe ti benin analizat e plota.
      Mos ki merak, – vazhdonte te me thoshte mjeku ne telefon. Po deshe i bejme nje konsulte per te pare shkallen e demtimit te gallganes dhe te them me me saktesi se sa do kushtoje operacioni.
      Me ne fund, nuk mu durua dhe i them-ore zoti doktorr, une e njoh mire ate burre dhe e di se nuk rrezohet kot pa shkak, por shikoni mos ka pesuar ndonje gje ne tru apo zemer, prandaj ju lutem i beni analizat e plota.
      Po, jo mor burre i dheut-me thote mjeku, – eshte vetem pune kockash, por po deshe kam nje kolegun tim, qe ta ben operacionin me lire.
      Me hypi gjaku ne koke nga ky matrapaz me bluze te bardhe dhe i bertita ne telefon- po cfare jeni juve more djale, tregetar apo mjek?
      Bejini analizat se nuk me plas per para, por po te them se, me siguri pacienti ka dicka tjeter.
      Mbas kesaj, u bind dhe i bene analizat e nevojshme, nga ku doli qe pacienti kishte nje hemoragji te forte cerebrale. Fakt eshte se ai vdiq 7 dite pasi u rrezua, duke mbetur vazhdimisht ne koma.
      Keshtu i dashur Genti, keta jane mjeket e sotem, qe ne krahasim me ata te brezit te tim eti jane, ne me te shumten, zero si njerez. Them “ne me te shumten”, pasi besoj se ka edhe sot mjeke si im ate dhe koleget e tij te kohes se komunizmit.
      Te jesh mjek, eshte nje profesion sa i bukur, po aq edhe i veshtire. Profesioni i mjekut kerkon sakrifica, per te cilat ai ose ajo merr si shperblim respektit te komunitetit, jo vetem kur ai eshte gjalle e aktiv ne profesion, por edhe pas vdekjes.
      Im ate ka 40 vjet qe ka vdekur, por kujtohet me shume respekt nga populli edhe sot e kesaj dite ne qytetin ku punoi deri ne fund te jetes se tij. Ne shenje respekti per punen e pa lodhur, qe im ate ka bere ne sherbim te qytetareve, ai eshte shpallur “qytetar nderi”, nje rruge e atij qyteti si dhe spitali ku punoi tere jeten mbajne emrin e tij.

  4. Nje mergimtar says:

    Keto shifra qe na paraqet z.Hasan jane shifra te vitit 1962.Jemi 18-vjet pas vendosjes se diktatures,vetem 5-vjet pas hapjes te universitetit,ku infermieret me arsim profesional gati nuk egzistonin dhe bazen e mjeksise e perbenin mjeket qe kishin studjuar jashte vendit e sidomos para 1944-res.Duhet te kuptojme se perpara sistemit shendetesor kishte shume probleme.Ne rradhe te pare kultura mjeksore ishte shume e ulet. Njerezit vazhdonin te kuroheshin me “nuskat” e hoxhes e te priftit.Lindjet ne shtepi lindjesh me asistence mjeksore,sidomos ne zonat rurale,nuk mendoheshin e te tjera.Ne Shqiperine e atyre viteve infrastruktura ishte shume keq,baza materjale mjaft e paket.Mjeket e para 1944-res kishin nje baze materjale te trasheguar.E ne keto kushte detyrimisht qe do te lejoheshin edhe vizitat private.Ne mendimin tim,ne ato vite ishte nga drejtimet qe pati me shume sukses,sidomos pas ketyre viteve.U arrit qe ne zona te kishte spitale rajonal,cdo fshat te kishte sherbim ambulator me ifermier te arsimuar (ndihmes mjeke),dhe me dite te caktuara beheshin vizita te rregullta.Gadishmeria e mjekeve ishte ne shkallen siperore dhe sherbimi pa rushfet plotesonte me se miri nevojat e domosdoshme.Natyrisht kishte edhe mangesi,sidomos ne baze materjale,per sherbime te kualifikuara.Numri i mjekeve me specializim sipas profilit ishte i paket,me gjithe permiresimet e medha.Arritja me e madhe e atij sistemi ne shendetesi ishte kultura shendetesore.Ai sistem ne nje kohe relativisht te shkurter arriti qe ta marre njeriun qe “sherohej” tek hoxha e prifti ta sheroj tek mjeku.Gruaja ne pergjithesi kryente lindjet ne shtepi (si kafshe) ,i krijoi mundesin dhe e detyroj te lindete me asistenc mjeksore edhe ne zonat me te thella ku sherbente nje punonjese e specializuar.Nuk mund te ndodhte ne ate kohe qe pa marre parat mjeku nuk te sherbente sic ndodh sot.Mjekete para 1990-tes e zbatonin me rreptesi “Betimin e Hipokratit”.Sot humanizmi eshte fjale e huaj dhe mjeket ne mase dermuese zbatojne “Betimin e Hipokritit”Ne fund po bej nje pyetje .A ka sot ndonje mjek qe punojne privatisht te deklaroj:”nje dite ne jave,nje ore ne jave,apo x -vizita do ti bej falas,sic benini shume mjek privat te asaj kohe e sic vepronte mjeku i Vlores te asaj kohe Ali Mihali,ku per te vobeket paguante edhe ilacet?Diktatura “komuniste” ka shume gjera te kqia per tu share por jo kjo pjese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje