Meta kundërshton Kushtetuesen për zgjedhjet vendore? Balla: Kjo punë ka marrë fund! GJK nuk interpretohet, por zbatohet

9 Dhjetor 2021, 12:29Politika TEMA

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka komentuar para gazetarëve këtë të enjte qëndrimin e Presidentit Ilir Meta për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 Qershorit. Meta e konsideroi zhgënjim atë vendim.

Ndërkohë, Balla tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk interpretohen, por zbatohen.

“Ka një rregull që është e shkruar mbi të gjitha rregullat e tjera. Mendoj që duhet ta mirëkuptojmë të gjithë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk interpretohen më. Përtej këtyre vendimeve nuk ka më interpretim tjetër. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është në të njëjtën baraspeshë dhe nivel me Kushtetutën vetë. Nuk ka një shkallë tjetër që ta apelosh. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vetëm zbatohet.

Çdo përpjekje për të mos njohur vendimet e Gjykatës Kushtetuese është një përpjekje që nuk i bën nder asnjë institucioni. Kjo çështje ka marrë fund këtu. E kam thënë në momentin e shpalljes së vendimit që ky vendim është i rëndësishëm sepse lidhet me kontekstin e zhvillimit të zgjedhjeve të 30 Qershorit. Pati një përpjekje për t’u hequr qytetarëve shqiptarë të drejtën që në përfundimin ciklik 4-vjeçar të mandateve të organeve vendore, pati përpjekje për t’u hequr shqiptarëve të drejtën për të votuar.

Në këtë këndvështrim 30 Qershori ishte një moment i rëndësishëm, ku çdo palë mori mësimet e veta. Ata që u përbetuan se zgjedhje nuk do të ketë morën të drejtën e qytetarëve për të vendosur me votë dhe demokracia vetë fitoi se të gjithë ne këtu jemi të përkohshëm. Na vendos populli të na sjellë, por vendos edhe të mos na sjellë”, tha Balla.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje