Muli bën gati letrën për Zuckenbergun dhe Musk 

13 Janar 2023, 17:14Antena TEMA

Konferenca e sotme e shtypit e vuri në mendime Mulin.

Thirri Lelon meqë ai merr vesh nga këto gjuhët e huaja dhe i kërkoi një mendim se ç’mund të bëhet me kërkesën e Doktorit.

-Duhet t’i bëjmë një letër atij burrit, tha, Zuckenbergut, dhe atij tjetrit, Musk. Ça pune bëjnë këta?

-Janë oligarkë, i tha Lelo. Janë shumë të pasur.

Si Sorosi afërsisht, që i përdorin paratë për të manipuluar mendjet e njerëzve.

-Po si i bëhet, tha Muli? Mund t’u çosh një letër si porosi nga Doktori?

E njohin Doktorin ata me siguri.

-Zuckenbergu patjetër, se e ka klient të fortë, tha Lelo, ka mbi 1 milion ndjekës.

Kurse ky i Tuiterit, është pak si karafil, edhe pse është i djathtë si ne.

-Nejse, ta bëjmë njëherë letrën, tha Muli. Pastaj të presim përgjigje.

-Ja po e bëj gati një version për Zuckenbergun një here, tha Lelo.

Dhe ja nisi:

“I dashur Mark!

Po të shkruaj në emër të Doktorit.

Ai është udhëheqësi më i vjetër i Shqipërisë dhe jeta e tij është një galeri arti e vërtetë.

Ka jetuar në komunizëm, dhe kur u prishëm me Traktin e Varshavës vendosi të bëhej komunist, për të mbrojtur atdheun.

Pas kësaj ne u lidhëm fort me Kinën, por kur u prishëm me Kinën ai u bë sekretar partie, për ti shërbyer më mirë adheut.

Në vitin 1990, kur komunizmi ra, u bë me SHBA që t’i shërbente më mirë atdheut.

Pastaj më 1996- 1997 u prish me SHBA, tentoi të lidhej me botën arabe, por nuk pati kohë dhe iku nga pushteti.

Kur u rikthye më 2005 hoqi dorë nga superfuqitë dhe u tha fëmijëve, të bëjmë ndonjë lek se e jotja të mban.

Dhe ashtu bënë. Punuan me djersë e mundim për tetë vite dhe siguruan të ardhurat për disa breza.

Pastaj ata të SHBA nuk ja falën dhe e shpallën armik. Pas tyre dhe Britania e Madhe.

Nuk mjaftojnë gjithë këto sakrifica që ka bërë për atdheun, por tani rivali i tij Edi Rama në pushtet, përpiqet ta mundë dhe në Facebook përmes nja aplikacioni që ka bërë.

Të lutem shumë, mirë zgjedhjet që na i vidhni, mirë nga pushteti na keni hequr, por mos na mundni dhe në Facebook se burri për një nder rron.

I juaji, Lelo!”

-Shumë bukur, tha Muli. Besoj do preket. 

Po këtij Musk çfarë t’i shkruajmë?

-Po çfarë t’i shkruash atij legeni, tha Lelo?

Ai e ka kusht që nuk mund t’i shkruash më shumë se 140 fjalë. Thjesht po e paralajmëroj:

“I nderuar zoti Musk!

Po të shkruaj në emër të Doktorit.

Këtë burrë nuk e ka ndal dot as Traktati i Varshavës, as NATO, as SHBA, as Britania e Madhe, dhe nuk mund ta ndalni ju me tiuter të mos thotë më shumë se 140 fjalë.

Kjo është diktaturë. Hiqni dorë se do fillojë revolucioni.,

-A, shumë bukur, tha Muli. Tani të presim përgjigje.

Ka për t’u tmerruar Edi Rama kur të mësojë që na kthyen përgjigje.

Lini një Përgjigje