Muli zbulon akuzën me të cilën do arrestohet Gimi i Puros

28 Qershor 2025, 19:01Antena TEMA

Pas alarmit që ka ngritur Gimi i Puros se mund të arrestohet se ka sharë Edi Ramën, Muli ngriti një ekip investigativ që të gjente akuzat që po përgatit Edi Rama.

Pas shumë përpjekjesh, ata ranë më në fund në gjurmë të akuzës që po përgatit qeveria kundër Gimit të Puros dhe ia dorëzuan ato Lelos për t’i analizuar, meqë preket liria e shtypit.

Lelo bëri një raport të hollësishëm dhe ia paraqiti Mulit.

Pika kryesore e akuzës është që Gimi i Puros akuzohet për plagjiaturë dhe mungesë të të drejtës së autorit në shkrimin e tij.

Si prova janë gjetur vetë deklaratat e Gimit të Puros se për shkrimin është frymëzuar nga Çim Peka.

Akuza që po ngrihet analizon faktin që Gimi i Puros ka vjedhur një produkt origjinal në shtypin shqiptar dhe nuk e ka cituar atë.

Patentën e të drejtave intelektuale për ato që ai ka shkruar e ka Çim Peka, dhe ky e ka vjedhur pa e cituar.

Edhe pse më vonë është përpjekur ta korrigjojë duke thënë publikisht se e ka marrë frymëzimin nga Peka, kjo nuk mjafton, sepse ai nuk është thjesht frymëzim por kopjim.

Edhe pse Peka ia ka falur plagjiaturën, rregullat e Fox News nuk e lejojnë atë, dhe Gimi i Puros është i rrezikuar seriozisht që ka vjedhur mendimin intelektual të Çim Pekës.

Blloku i dytë i akuzave është që flet si ambasador dhe diplomat shqiptar.

Kjo ul shumë imazhin e diplomatëve shqiptarë të cilët, edhe pse nuk janë shumë të përgatitur, nuk janë në këtë nivel siç paraqitet Gimi i Puros në shkrimin e tij.

Ndaj ai dënohet për cënim të imazhit të institucioneve shtetërore.

Kjo mund t’i kushtojë atij përjashtimin nga Këshilli i Ambasadorëve, ose vërejtje me paralajmërim që të mos shkruajë më në fund të shkrimit “ambasador”.

Muli po i dëgjonte me vëmendje akuzat.

— Po si ka mundësi, tha, që këta duan të dënojnë Gimin e Puros dhe jo Çim Pekën?

— Ka, tha Lelo. Tek ne shtypi është i lirë dhe garantohet me Kushtetutë, kurse vjedhja është korrupsion.

Ky dënohet si hajdut i inteligjencës së Çimit.

— Aha, e kuptova, tha Muli.

Bëj mirë unë që flas si Doktori se s’kanë ç’më bëjnë, se nuk quhet gazetar.

Lini një Përgjigje