5 vjet nga numri i parë “GAZETA LIBERALE”, një emër me qëllime të caktuara

15 Mars 2024, 17:40Blog TEMA
5 vjet nga numri i parë “GAZETA LIBERALE”, një emër

Nga Ervis Iljazaj

Gjashtëmbëdhjetë marsi i 2019-ës, shënon daljen e numrit të parë të “Gazetës Liberale”, në tregun mediatik shqiptar. Gazeta sot bën pesë vjet. Këto vite s’janë shumë, por as pak për një media, duke i marrë me mend të gjitha vështirësitë e tregut mediatik në Shqipëri. Këtë gazetë e themeluan njerëz me një eksperiencë të gjatë në jetën publike shqiptare. Emra si botuesi Henri Çili, publicisti dhe shkrimtari Prec Zogaj, gazetari Arion Sulo, do të ishin padyshim një garanci për profesionalizmin dhe suksesin e kësaj gazete. Personalisht kam pasur nderin të kem qenë drejtori i parë i saj, i një gazete që ishte ndryshe nga të tjerat.

Sot pas pesë vitesh, edhe kjo gazetë nuk mund t’i shpëtonte dixhitalizimit të mediave, si shumë gazeta të tjera. Prandaj GAZETA LIBERALE, gjendet vetëm në versionin on-line, “liberale.al”. Me të gjitha sfidat që mbart dixhitalizimi i shumë fushave të jetës publike. Për nostalgjinë ndaj shtypit të shkruar, në versionin print, REVISTA LIBERALE, që botohet çdo tre muaj me 125 faqe, integron edhe dy suplementet origjinale të ditës së parë: LETERATURA - për letërsinë shqipe dhe UNIVERSITAS- suplement për idetë dhe arsimin e lartë.

Jetës publike mund t’i qasesh në shumë mënyra, nëpërmjet industrisë së informacionit, nëpërmjet industrisë së argëtimit apo rreshtimit politik të njërit apo tjetrit krah politik. Gazeta Liberale ka një qasje të ndryshme nga këto të treja. Themeluesit e saj vendosën që kjo media të kishte një qasje ideologjike. Nga vetë emri i gazetës, kuptohet fare lehtë se çfarë idesh politike, ekonomike dhe shoqërore kërkon të mbrojë dhe të përhap gazeta. Madje, emri LIBERALE, është vendosur me qëllim të tillë. Për të qenë të qartë me publikun që na ndjek, për të qenë transparent dhe për ta vendosur që në emrin e gazetës atë çfarë është qëllimi i saj

Sepse, GAZETA LIBERALE është një gazetë me qëllime të caktuara. Qëllimet e saj janë qartësisht ideologjike dhe kulturore. Kjo gazetë kërkon të mbështesë dhe të nxisë frymën e liberalizmit ekonomik dhe politik në Shqipëri. Ne mendojmë se konkurrenca, liria e tregut, meritokracia dhe forca i individit, janë parimet mbi të cilat sigurohet demokracia dhe zhvillimi i Shqipërisë në rrugën e saj euro-atlantike. Shkurt, më pak besim te shteti dhe më shumë besim të individi.

Për këtë arsye, kjo gazetë nuk mbështet apriori një forcë apo një forcë tjetër politike, edhe pse mund të thuhet që qëndron politikisht në qendër dhe qendrën e djathtë. Kjo gazetë mbështet qartësisht idetë. Idetë liberale dhe çdo gjë që liberalizmi përmban në frymën e tij, kudo që ato shfaqen. Prandaj, në pesë vite, GAZETA LIBERALE ka mbështetur politika liberale të së djathtës shqiptare, por edhe e ka kritikuar atë kur këto politika kanë qenë kundër frymës së liberalizmit. Madje, për idetë e saj dhe bindjet e saj, edhe pse është kritike me qeverinë socialiste, ka mbështetur reformat liberale që kjo forcë politike ka ndërmarrë.

Nuk e di nëse kjo gazetë ja ka dalë të mbrojë frymën dhe idetë liberale aq sa duhet, por përpjekja ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë gjithmonë, me aq sa mundet dhe aq sa mjete ka në dorë. Në një kohë kur aksesi në informacion është i shumëllojtë dhe i shumanshëm, shpesh herë në kaos, ne mendojmë se idetë janë ato që duhen mbrojtur me fanatizëm.

Shoqëria shqiptare sot ka nevojë për një kënd të tillë nga e cila mund të krijojë një vizion për ekonominë dhe politikën. Aq më tepër sot, ku parimet e liberalizmit, demokracia liberale dhe ekonomia liberale, janë gjithmonë e më shumë në rrezik me rritjen e etatizimit dhe autokracive.

Populizmi dhe rritja e autoritarizmit gjithmonë e më shumë po kërcënon demokracinë liberale dhe parimet e saj, të krijuara me aq mund nga bota perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat sollën paqe dhe zhvillim për 75 vite me radhë, si asnjëherë tjetër në historinë e njerëzimit.

Madje ka nga ata studiues që mendojnë se liberalizmi ka vdekur. Por në një shkrim të saj të disa kohëve më parë, i cili titullohej “Vdekjet e shumta të liberalizmit”, revista “The Ekonomist” mbronte idenë totalisht të kundërt. Sipas saj, edhe pse liberalizmi është në kërcënim, ai nuk do të shuhet kurrë, pasi liria është gjendja natyrore e njeriut dhe ai do ta kërkojë gjithmonë atë. Duket sikur liberalizmi ka vdekur, por kjo ka ndodhur shumë herë gjatë historisë dhe përsëri ka triumfuar.

Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim nga kërcënimi që i bëhet demokracisë liberale. Përkundrazi, këtu te ne është gjithmonë në rrezik, nëse vërtet kemi patur ndonjëherë një demokraci të tillë të mirëfilltë. Prandaj mbrojtja e parimeve të demokracisë liberale, sidomos nga një pushtet i gjatë, do të jetë një prioritet i GAZETËS LIBERALE.

Kjo gazetë do ta vazhdojë të mbështesë çdo reformë, çdo politikë dhe çdo ide që ka si synim mbrojtjen e liberalizmit ekonomik dhe politik. Pavarësisht se cila është forca politike që i ndërmerr ato.

Megjithatë, edhe pse GAZETA LIBERALE, është një gazetë qartësisht ideologjike, është përpjekur gjithmonë që t’i jap hapësirë edhe ideve të kundërta. Për të kanë shkruar dhe kanë debatuar konservator, socialist apo njerëz me bindje të ndryshme nga linja editoriale e gazetës. Sepse, ne besojmë se debati është vlera kryesore e një shoqërie demokratike dhe të lirë. Vetëm nëpërmjet tij një shoqëri mund të zhvillohet. Ne besojmë te arsyeja njerëzore dhe kapaciteti i shoqërisë për tu zhvilluar nëpërmjet debatit të hapur dhe transparent. Lufta e ideve është e vetmja luftë që liberalizmi dhe GAZETA LIBERALE pranon dhe promovon.

Kjo gazetë, e cila sot gjendet vetëm në versionin on-line, me një staf gazetarësh të rinj, por jo nga eksperienca, me në krye drejtorin Reldar Dedaj, si botim i “Institutit Liberal PASHKO”, me insistimin pothuajse patologjik të botuesit të saj Henri Çili, do të vazhdojë të jetë një zë cilësor dhe i veçantë në tregun mediatik shqiptar.

Shqipëria ka nevojë për ideologjinë e saj, për idetë e saj dhe frymën e saj. Gjithmonë në mbrojtje të liberalizmit politik dhe ekonomik. Gjithmonë në mbrojte dhe në promovimin e ideve që zhvillojnë Shqipërinë.

Lini një Përgjigje