
Miq e kolegë juristë shqiptarë që kishin ndjekur gojëhapur lajmin për arrestimin e ish-Presidentit Trump, më pyetën disa herë sot ngaqë mbeteshin të paqartë në natyrën e akuzës. Po përpiqem sa mundem të shpjegoj teorinë juridike të Prokurorit të Shtetit të New York-ut, Alvin Bragg.
Aktakuza radhit 34 vepra penale të veçanta, sejcila për falsifikimin e të dhënave të biznesit në shkallën e parë.
“Falsifikimi i të dhënave të biznesit”, si akuzë, ka disa shkallëzime: që nga të qënit thjesht një KUNDËRVAJTJE që presupozon ndëshkim me gjobë, apo maksimumi nje vit burg), e deri në falsifikim si KRIM që presupozon një dënim me heqje lirie për vite të shumtë.
Ish-presidenti Trump akuzohet për falsifikim kriminal, siç po e shpjegoj më poshtë.
Në parantezë, Prokurori Bragg kishte dhe një opsion tjetër për ndjekjen penale të ish-Presidentit: falsifikimet sensacionale të Organizatës Trump, një entitet që prej dekadash praktikon një skemë mashtrimi te tillë me egzagjerimin e të ardhurave dhe aseteve kur i duhej të merrte qindra miliona kredi nga bankat, dhe pastaj me zvogëlimin e tyre në minimum kur i duhej të raportonte për qëllime taksimi. Baza faktike e këtyre veprave penale merret tashmë si e mirëqënë nga e njëjta gjykatë në New York. Allen Weisselberg, ish-shefi financiar për një kohë të gjatë i presidentit Donald Trump, u dënua me burg nga një gjykatë e Nju Jorkut për rolin e tij në një skemë të mashtrimit fiskal perrdorur dhjetë vjet rresht nga Organizata Trump. Organizata Trump është një grup prej rreth 500 subjektesh biznesi, pronari i vetëm ose kryesor i të cilave është ish Presidenti Trump. Një cështje e tillë do të kishte vlerë preçedenciale, sepse gjykata do të trajtonte një skenar shumë i njohur në botën e biznesit, mu në mes të kryeqytetit financiar të botës, sic është Neë York-u.
Por Prokurori zgjodhi të ndjekë shtegun ligjor që dredhon nëpër histori pikante seksi, pornografish, fëmijësh jashtë kurore të supozuar, dhe parash nën dorë për të blerë heshtjen mbi to.
Një dokument i veçantë që parashtron bazën faktike për akuzat e Prokurorit Bragg kundër Trump-it tregon për një rrjet të komplikuar marrëveshjesh midis Trump-it, ish-avokatit të tij Michael Cohen, dhe David Pecker, CEO i American Media, kompani që publikon 'National Enquirer'. Aty Bragg pretendon se në prag të zgjedhjeve të vitit 2016, këta tre burra kanë krijuar një skemë për të identifikuar personat që mund të bënin publike informacione të pafavorshme për Trump-in si kandidat për President i SHBA. Këta persona falë kontakteve të natyrave të ndryshme që kishin pasur me të në jetë mund të sillnin një mal me telashe. Persona të tillë shmangeshin duke iu blerë drejtpërsëdrejti heshtjen, ose të drejtat ekskluzive të historive të pista nga “National Enquirer”. Lajmi i blerë kësisoj praktikisht asgjësohej, ngaqë s'e shihte kurrë dritën e publikimit.
Skema quhej "Kap dhe asgjëso" ("Catch and kill").
Kështu u pagua heshtja e dy grave që kanë pasur marrëdhënie seksuale me Trump: ish modelja e revistës "Playboy" Karen McDougal, dhe aktorja e filmave pornografikë Stormy Daniels. Rasti tjetër përmendur në aktakuze përfshinte një ish-portier të kullës Trump, i cili po për të heshtur, ishte paguar edhe ai $30.000. Ish-portieri I kullës shiti detajet mbi një pretendim se Trump kishte një fëmijë nga një lidhje jashtëmartesore.
Ish-avokati i Trump-it, Cohen, i cili u deklarua fajtor për një krim federal që rrjedh pikërisht nga kjo skemë në vitin 2018, i pat paguar $130.000 aktores Daniels për t’i mbyllur gojën para zgjedhjeve të vitit 2016. Sipas Bragg, Trump ia shleu borxhin Cohen-it gjatë vitit 2017, me çeqe të firmosur prej vetë Trump-it, tashmë President në Shtëpinë e Bardhë.
Dhe pse aventurat seksuale të Trump-it mund të indinjojnë cipëhollët e kodeve morale të caktuara, apo të sëkëlldisin deri në neveri ca të tjerë, më duhet të sqaroj se as ato, e as pagesat për heshtje nuk janë të paligjshme në vetvete nën ligjin amerikan.
Akuzat aktuale lindin nga falsifikimi që Trump bëri në të dhëna të ndryshme biznesi në mënyrë që të realizonte pagesën për Daniels, që ajo të dukeshin si pagesa avokatit Cohen për shpenzime të zakonshme ligjore.
Zakonisht, falsifikimi i të dhënave të biznesit, kur është KUNDËRVAJTJE, dënohet me gjoba ose me vetëm një vit burg. Për shembull, ta zemë se nje pronar biznesi blen nje makine dhurate per nje të dashur jashtë martese, dhe i kërkon financierve të vet që ta trajtojnë si shpenzim biznesi, sepse do të evitojë konfliktet me gruan. Në këtë rast falsifikimi nuk bëhet per të mbuluar një krim, sepse marrëdhënia jashtëmartesore nuk është krim a vepër penale.
Por dikush mund të akuzohet për falsifikimin e të dhënave të biznesit–si VEPËR PENALE— nëse qëllimi i falsifikimit synon kryerjen ose fshehjen e një krimi tjetër. Për shembull, le të themi që një pronar biznesi është paditur në një çështje civile dhe tundohet të falsifikojë të dhënat të biznesit për të fshehur provat inkriminuese. Vetë akti i fshehjes së provave pengon drejtësinë e përbën një krim më vete. Falsifikimi i të dhënave te biznesit, kryer per ta avancuar atë krim, është vepër penale, e jo më vetëm thjesht kundërvajtje.
Që të hyjë në lojë kodi penal i shtetit të New York-ut, duhet që Prokurori Bragg të provojë se Trump falsifikoi të dhënat për të mbuluar një krim.
Në mënyrë që 34 falsifikimet e përmendura më lart, ne rastin Trump, te jenë krime, Prokurori Bragg duhet te provojë se falsifikimi i pagesave për aktoren e filmave pornografike, Daniels, është bërë që të fshihet një krim tjeter.
Në një deklaratë shumë të paqartë që dha pas publikimit të aktakuzës, Bragg pretendon se skema e të dhënave të falsifikuara "shkel ligjin zgjedhor të New Yorkut, i cili kriminalizon komplotin për të promovuar një kandidaturë presidenciale me mjete të paligjshme".
Këtu fillon dhe mjegullohet gjithcka, sepse Bragg e ndërton çështjen e tij mbi një teori juridike jashtëzakonisht të pasigurt.
Kodi Penal i New Yorkut është i paqartë- megjithëse i referohet "një krimi tjetër" për figurën penale të falsifikimit, ai nuk thotë nëse ky krim mund të jetë një akt kriminal federal, apo vetëm një akt që shkel kodin penal të Nju Jorkut.
Bragg ka vërtet prova që Trump kreu falsifikimin në fjalë për të mbuluar një krim federal. Por nuk është e qartë nëse ka të drejtë Bragg te rrëfejë me gisht një krim federal për të akuzuar Trump-in nën ligjin penal të New York-ut. Asnjë gjykatë apeli në Nju Jork nuk e ka mbështetur (apo hedhur poshtë) këtë interpretim të ligjit.
Ka një problem tjetër që do ta ndihmonte Trump-in që ta fitojë çështjen bazuar mbi një teknikalitet: Afati i parashkrimit për “Falsifikimin si krim” është pesë vjet, ndërsa parashkrimi për “Falsifikimin si kundërvajtje” është vetëm dy vjet. Pagesa përfundimtare e Trump për Cohen–që konsiderohet si falsifikimi në fjalë–ndodhi në dhjetor 2017, pra më shumë se pesë vjet më parë.
Edhe nëse ekipi ligjor i zotit Bragg bind gjykatat e Nju Jorkut, ekziston një rrezik vërtet real që Gjykata e Lartë e SHBA, (mbushur me tepricë me anëtarë të emëruar nga vetë Trump-i gjatë viteve si President!), të vendosë se Trump mbase duhet t’I kursehet kjo ndjekje penale. Gjykata e Lartë ka disa vendime në të cilat dikton, nën një doktrinë të njohur si "rregulli i interpretimit të ngushtë" ("Rule of Lenity"), se kur një ligj penal është i paqartë, Kushtetuta kërkon që ai ligj të lexohet ngushtë dhe në favor të të pandehurit, sepse një ligj penal i paqartë, nuk u jepte të pandehurve potenciale paralajmërim të përshtatshëm se cila është vija ndarëse që e bën një sjellje të caktuar të paligjshme.
Dhe, për më tepër, edhe nëse Prokurori Bragg do t’i bindë gjykatat e të gjitha shkallëve, se akuza për Trump është formuluar siç duhet, dhe se krimi i akuzuar nuk e ka kaluar afatin e parashkrimit, ai do të duhet të provojë atë çështje para një jurie, "përtej një dyshimi të arsyeshëm" ("beyond a reasonable doubt"). Pra ai ka nevojë të bindë një juri, që ajo UNANIMISHT të votojë se e gjen Trump-in fajtor.
Prandaj i bashkohem dhe unë juristëve dhe analistëve skeptikë që nuk janë në gjendje të shohin dot se si kjo cështje do të mund të përfundojë me fitoren e palës “THE PEOPLE OF THE STATE OF NEW YORK”.
https://fm.cnbc.com/ applications/cnbc.com/ resources/editorialfiles/2023/ 04/04/Donald-J-Trump- Indictment.pdf
bashkohu me trumpin ne qeli
Komenti shpjegues ne artikull eshte shume i qarte, por i veshtire per tu thithur nga nje njeri qe nuk ka jetuar ne amerike. Ka shume koncepte qe ne kulturen e pergjithshme shqiptare nuk egzistojene e per rrjedhoje nuk lejojne te kuptohet arsyetimi. As ne drejtesine shqiptare nuk egzistojne keto koncepte e kategori klasifikimi te veprimeve, e per rrjedhoje ka veshtiresi per ti shpjeguar. Psh akuza e shtetit qe bazohet ne nje krim federal (pershkruar me siper) jam i sigurte qe nuk kuptohet pa u shpjeguar ne detaje qe do duan ndoshta nje emision te plote ne TV. Me nje llaf njerezit do mbeten te ndare ne preferenca politike pavaresisht te vertetes juridike qe kane pak shanse ta kuptojne. Sistemi i drejtesise ne USA eshte i strukturuar ndryshe (kryesisht ne shkallet e raportet juridiksionale), per rrjedhoje edhe insititucioni i akuzes edhe i gjykates edhe i avokatise. Ky realitet amerikan i pare nga elseprienca shqiptare behet shume i veshtire keshtu qe njerezit ja fusin shkurt Pro Trump - Kundra Trump. Une jam kunder Trump si individ. Pozicioni im ska lidhje me politika majtas apo djathas. Une thjesht mendoj se ai ka nje koncept te rrezikshem si manaxhohet nje shtet dhe si i tille behet shkaterrues institucionesh. Por gjithashtu mendoj se ky rast me keto akuza megjithese te verteta teknikisht nuk bejne dot mjaft material substancial per ta denuar pertej ndoshta gjobes. Akuzat per mashtrim elektoral dhe presion per ndryshim votash ne Gergia. Akuzat per thirrje per kryengritje te armatosur ne Washington. Jane akuza qe nese strukturohen e mberrijne ne gjyq do t ejen eshume me serioze e kuptimplota per popullin e drejtesine. Era qe ka shkruar kete artikull eshte juriste ne amerike dhe cdo gje e ka shpjeguar me ballance dhe korrektesisht. Sidomos konceptin qe nuk njihet ne shqiperi te "teorise juridike te akuzes" te raportit juridiksional Akuza e Shtet vs Akuza Federale si edhe raportin Shkelje/krim.
Shpjegim i mire. Kjo eshte ana ligjore por nga ana politike Trump eshte i favorizuar seepse dy prokurore te meparshem moren ceshtjen Trump e studjuan dhe nuk gjeten prova per ta akuzuar ate.Po keshtu ligji qe ka shkelutr Trump nese e ka shkelur ate eshte nje ligj feedral dh jo i shtetit te NewYorkut. Dhe pyetja e fundit pse pikerisht tani qe fillon fushata presidenciale Trump akuzohet. Cfare kane pritur keta prokurore? Une personalisht e urrej Trump per dhume gjera por keto akuza per te duken te motivuara politikisht qe ne fakt mund te jene ne favor te tij. Le te shohim si do shkojne gjerat
Duket qe ti ja fut kot,dhe je Kundra TRAMPIT .Ti nuk e njeh ligjin juridik te Amerikes, ketu nuk mund te denohet nje njeri pa prova, dhe sidomos me hamendje dhe thashatheme si ne Shqiperi apo Albanistan. Prandaj mos shkruaj budallalleqe kur nuk e kupton dhe nuk e di se si eshte e verteta Por Shqipetarve u pelqen te meren me llafe dhe me thashatheme,dhe hamendje Ne pergjthesi te gjitheve democrateve si ne Shqiperi ashtu edhe ne Americe sepse nuk duan qe te punojne,por duan te marin ,pervetesojne ne menyra nga me te ndryshmet Keshtu po ndodhe edhe ne Americe . Mund ti shikoshe ore mund ti lexoshe SKANDALET qe jane bere ne Amerike nga Presidenta american