Një ligj i saktë dhe i qartë shmang abuzimet me pronat
Nga Gjek Celaj
Zoti Ylli Manjani dhe gjyqtari i GJKKO së Apelit, z. Florian Kalaja janë ndër të paktët juristë që prononcohen herë pas here në media rreth problemeve juridike që kanë të bëjnë me interpretime të dispozitave të ndryshme të legjislacionit penal apo civil, si dhe për praktika aktuale hetimore dhe gjyqësore. E mira e vendit dhe e popullit do ta donte që numri i juristëve që shprehin mendimet dhe gjykimet e tyre në fushën e së drejtës të ishte shumë më i madh. Prandaj, të dy zotërinjtë meritojnë respekt për angazhimin e tyre.
Për njerëz që merren çdo ditë me problemet juridike, apo qytetarë shqiptarë si puna ime, të cilëve iu ka takuar për një kohë të gjatë të ndeshen me problemet e së drejtës në zyrat shtetërore dhe ato gjyqësore, nuk është e vështirë të konstatohet se ka jo pak dispozita ligjore, në fushën penale dhe atë civile, ashtu si edhe në projektin e Kodit të Ri Penal, të cilat janë ambige (me dy ose më shumë kuptime dhe hapësira për interpretime dhe keqinterpretime). Një gjë e tillë, e cila tregon papjekurinë e duhur profesionale dhe papërgjegjshmërinë institucionale të ligjbërësve, iu ka dhënë dhe iu jep mundësinë zyrtarëve të paaftë juridikisht dhe të pandershëm qytetarisht, qofshin në administratën shtetërore apo pushtetin gjyqësor, të "manovrojnë" me keqinterpretime dhe zbatim të gabuar të legjislacionit në fuqi. Në këtë mënyrë, pasojat kanë rënë dhe vazhdojnë të bien mbi qytetarët shqiptarë, duke iu shkelur atyre pafundësisht të drejtat kushtetuese. Personalisht kam pasur 4-5 raste që, pas vendimeve administrative apo gjyqësore të gabuara, të mbështetura mbi keqinterpretime ligjesh dhe dispozitash të veçanta, në fund janë marrë vendime të drejta që kanë shërbyer edhe si precedentë gjyqësorë. Mirëpo, kostoja morale dhe materiale e sorollatjeve dhe shkeljes së të drejtave kushtetuese ka qenë dhe mbetet e madhe. Duhet të theksoj se administrata e sotme shtetërore ka, në përmasa shqetësuese, paaftësi profesionale dhe papërgjegjshmëri morale kur vjen puna për trajtimin e kërkesë-ankesave të qytetarëve shqiptarë.
Në një shkrim të botuar kohët e fundit në gazetën "Tema", z. Manjani ngre alarmin rreth veprimeve të SPAK dhe GJKKO në vendosjen e masave të sigurimit siç janë sekuestrot konservative dhe preventive mbi pasuri që, formalisht, janë blerë në rrugë ligjore nga blerësit, por kanë rezultuar ose besohet se kanë origjinë të paligjshme. Z. Manjani shprehet se "Problemi fillon kur sekuestro vendoset edhe ndaj pasurisë së personave të tretë, të cilët janë blerës të pronës me mirëbesim. D.m.th, që ta thjeshtoj edhe pak, ti ke blerë një pronë rregullisht, me noter, kadastër dhe me pagesë të rregullt në bankë, por meqë ai/ajo që ta shiti pronën është vënë nën hetim dhe i është sekuestruar prona, sekuestrohet edhe prona që ti ke blerë. Sepse ja ke blerë kriminelit, i cili gjithsesi nuk është dënuar ende..". Dhe vazhdon: "Këtu fillon një kalvar i gjatë procedural, sepse ti e merr vesh rastësisht që të është bllokuar prona. As njoftim zyrtar nuk të bëjnë!!!! Sidoqoftë, pasi e merr vesh shkon në gjykatën penale që po gjykon personin nën hetim, ku kërkon të legjitimohesh si person i interesuar, me idenë që të sqarosh hetimin dhe gjykimin aty se je pronar i ligjshëm dhe, se nuk ke dijeni mbi aktivitetin kriminal të shitësit. Gjykata penale masivisht refuzon të pranojë këto persona, të cilëve u thuhet shkoni në gjykatë civile dhe kërkojini shitësit tu kthejë lekët. Kulmi! Të kanë marrë pronën dhe të thonë shko e merrja atij që është në burg që s’ka më as pleshta!!! Ndërkohë ti nuk ke konflikt civil me shitësin, por me gjykatën penale dhe prokurorinë, sepse pronën po ta marrin ata. Po kush të dëgjon!!!".
Në këto pohime të z. Manjani ka vetëm një gjë që meriton të ndreqet: Në raste të tilla, personat që formalisht e kanë blerë pronën në mënyrë të ligjshme duhen njoftuar, por njoftimin duhet ta bëjë zyra e kadastrës së cilës i shkon vendimi gjyqësor i sekuestros dhe ajo është e detyruar ta zbatojë. Pronat e blera, në mirëbesim apo keqbesim, kur shitësi nuk ka qenë pronar i ligjshëm i tyre, nuk i përkasin më blerësit, por pronarit të ligjshëm. Në nenin 166 të Kodit Civil thuhet se " ... Fituesi, qoftë edhe me mirëbesim, nuk bëhet pronar i sendit kur ky është i vjedhur...". Nuk është e vërtetë ajo që thotë z. Manjani se blerësi e ka konfliktin me prokurorinë apo gjykatën dhe jo me shitësin. Konfliktin e ka krijuar shitësi, i cili i shet dikujt një pronë që s'është e veta, pra, mashtron ligjin dhe blerësin. Konfliktin nuk e krijon pushteti gjyqësor që ndjek shitësin penalisht dhe kërkon rivendosjen e të drejtës (normës juridike) të shkelur.
Përveç shumë vendimeve të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, dhe Kolegjeve të Bashkuar të asaj gjykate, ky parim pohohet dhe sqarohet shumë mirë edhe në Vendimin Nr.438 datë 11.10.2011 të Kolegjit Civil, ku thuhet: "Referuar të drejtës tonë materiale, që të plotësohen kushtet e fitimit të pronësisë në mënyrë të prejardhur, siç është fitimi i pronësisë me kontratë bazuar në nenin 164 të Kodit Civil, është e domosdoshme që tjetërsuesi i pronës të jetë pronar i ligjshëm i saj, dhe pronar i ligjshëm nënkupton që titulli i pronësisë së tij të jetë i pacenueshëm dhe përfundimtar. Kështu, në rast se tjetërsuesi nuk është pronar i sendit, pronari i ri nuk mund të fitojë asnjë të drejtë mbi sendin. Vlen parimi antik, sipas të cilit asnjëri nuk mund t'iu transferojë të tjerëve më shumë të drejta sa ka ai vetë (Nemo plus iuris transferre potest quam ipse habet - Gj. C.). Edhe sikur pala blerëse të ketë qenë në kushtet e mirëbesimit të plotë në kryerjen e këtij veprimi juridik, ky fakt nuk ndihmon për të bërë të vlefshëm veprimin juridik (kontratën e shitjes), pasi, referuar të drejtës tonë materiale, një veprim juridik i cili vjen në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese të ligjit është absolutisht i pavlefshëm dhe, si i tillë, ai nuk sjellë pasojat juridike që synojnë palët. Për pasojë ai nuk ka fuqinë e një veprimi juridik të vlefshëm dhe as mund të rregullohet më vonë, por pala që ka qenë në mirëbesim në kryerjen e këtij veprimi juridik, ka të drejtë të kërkojë restitucionin e njëanshëm, i cili do të thotë që të kërkojë nga pala fajtore t'i kthejë çdo gjë që i ka dhënë asaj në përmbushjen e veprimit juridik të pavlefshëm... Referuar të Drejtës sonë Civile, çdo veprim juridik i kryer mbi bazën e veprimeve juridike absolutisht të pavlefshme është absolutisht i pavlefshëm, për arsye se veprimi juridik absolutisht i pavlefshëm nuk mund të rregullohet dhe nuk mund të bëhet i vlefshëm as më vonë dhe as me veprime të tjera të mëpasshme. Veprimi juridik absolutisht i pavlefshëm konsiderohet se nuk ka ekzistuar dhe nuk është kryer asnjëherë, prandaj çdo veprim i mëvonshëm ka të njëjtat pasoja".
Kjo gjë nuk është as "kulmi" dhe as "në kundërshtim me Kushtetutën", siç pohon z. Manjani, pasi prona realisht i përket subjektit që ishte pronar i saj përpara se të tjetërsohej nga shitësi. Ajo që juristët duhet të kërkojnë, siç e theksova në fillim, është përcaktimi i saktë dhe i qartë i dispozitave ligjore, në mënyrë të tillë që të mos lënë shteg për keqinterpretime dhe të shkurtojnë, sa të jetë e mundur, kohën e kthimit të sendit në gjendjen e mëparshme juridike ku ndodhej përpara tjetërsimit të paligjshëm. Për shembull, në nenin 217/3 të Kodit aktual të Procedurës Penale thuhet se "Pasi vendimi merr formë të prerë, sendet e sekuestruara i kthehen atij që i takojnë...". Shtrohet pyetja: Kujt i takojnë sendet e sekuestruara? Pse duhet që pronari i ligjshëm t'i drejtohet edhe një herë gjykatës në rrugë civile, kur mund dhe duhej të thuhej në ligj se "Gjykata, në vendimin e saj penal, pavarësisht nëse kërkohet apo jo nga palët, duhet të urdhërojë që sendet e sekuestruara të kalojnë menjëherë në gjendjen e tyre juridike përpara tjetërsimit të paligjshëm".
Në rastet që kam ndeshur unë, por edhe në dhjetëra raste të tjera, në praktikën hetimore dhe gjyqësore ka qenë e vështirë të provohet nëse blerësi ka vepruar në mirëbesim apo keqbesim. Në rastet e mija, megjithëse blerësit e dinin origjinën e paligjshme të pronës së "blerë", pohonin se nuk kishin pasur dijeni, megjithëse ishin familjarë të tjetërsuesve.
Parimi që sillet në vendimin e mësipërm të Gjykatës së Lartë është i drejtë sepse, përndryshe, nëse dikush tjetërson me dokumente të paligjshme një vilë, pronarët e së cilës ndodhen jashtë vendit, apo dikush tjetër bëhet me dokumente të paligjshme "pronar" i një shkolle, dhe këta “pronarë” i shesin më vonë "në mirëbesim" vilën për banim, apo shkollën për hotel, atëherë pronari real i vilës apo shteti si pronar i shkollës publike do të zhvisheshin nga pronësia e ligjshme. Pse duhet që pasojat më të rënda dhe afatgjata t'i vuajnë pronarët e ligjshëm, të cilëve iu janë tjetërsuar pronat?
Dispozitat e sakta dhe të qarta juridike krijojnë premisa për vendime të qarta gjyqësore dhe, kështu, edhe organet administrative, sidomos Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila nga qendra në rrethe është profesionalisht e mjerë dhe moralisht e kalbur, nuk do të kenë mundësi të keqinterpretojnë dhe keqzbatojnë vendimet gjyqësore që lidhen me pronësinë, duke iu shkelur qytetarëve të drejtën e tyre kushtetuese.
Po, realisht paqartësitë në legjislacion shpesh kanë dëmtuar qytetarët dhe ua kanë lehtësuar rrugën prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar.
Zoteri Ylli Manjani ka shume te drejte Pse,?Une p.sh. jam nje qytetar i thjeshte dhe nuk di dhe sdua te di fare kush eshte personi qe me shet dicka.Mjafton dokumentat e rebullta dhe ceftifikaten e pronesise..Si mua jane me mijra qqytetar qe blejne e shesin.Ti me sqarimin qe ben e komplikon ceshjen..Nese une ja ble nje njeriu qe eshte nen hetim ose ne burg dhe ma shet supozojme vellai i tij.Une ta gezoj pronen Gjykata ti kerkoje parat ati qe ma shiti Kjo eshte ruga me e shpejte me e sakte.dhe mos ju beni zbor qytetareve te enden ne dyert e drejtesise aqe me shume te SPK..icili eshte kthyer si seksion i Partise demokratikeRast Erion Veliajt duhet bere problem nderkombetar.Zoti Rama duhet te sjelle trupe te huaj per gjykimin e tij.Kryetari i bashkise Tiranes ka mare voten e gjysmes se popullsise se vendit Pse rama nuk ncjer nje ligj qe edhe kryetaret e bashkive te medha te kene imunitet.
Ne fakt, artikullshkruesi ben autogol kur thote se prona e shitur nga dikush qe ka probleme me drejtesine eshte blere me dokumente te rregullta hipoteke. Pra eshte nje institucion zyrtar si ai i hipotekes qe ka te gjitha dokumentet e ligjshme dhe mundesite qe te provoje pronesine e nje shitesi mbi nje prone te caktuar. Nese prona ka probleme atehere duhet qe prokuroria te bllokoje shitjen deri ne sqarimin e ceshtjes. Eshte prokuroria qe duhet te komunikoje me hipoteken duke bllokuar shitjen e pronave te krimineleve. Kur dikush blen nje prone qe ligjerisht eshte ne shitje, prona nuk mundet qe te bllokohet sepse institucionet nuk veprojne ne kohe qe te bejne bllokimin e saj. Ku ta dije qytetari se si eshte perfituar nje prone e caktuar prej dikujt qe po e shet. Kjo qe behet tek ne eshte abuzim i paster me qytetaret. Nese prona u shit persa kohe qe nuk ka qene e bllokuar, prokuroria duhet ti kerkoje e ti marre parate shitesit dhe nuk ka pune me bleresin. Tek ne eshte cdo gje nonsens.
Pse duhet qe unë qe bleva pronën me mirbesim( siç e quani ju) te hedh ne gjykaten civile pronarin qe shiti pallatin të ndertuar me lekë droge , i cili e nxorri lejen e ndertimit sipas rregullave ( mbase duke e lyer qerren ). Pse mos ta dërgoi shteti pronarin që ndertoi pallatin në gjykate civile e ti marri leket e shitjes paguar nga ne, kjo shumë asht e barabarte me vlerën e pallatit qe do të sekuestrohesh sepse u ndertu në mënyrë të pa ligjëshme.
Une e lexova artikullin Ylli Manjani the ka shum te drejte. Kur nje person don te blej nje pasuri nga nje person tjeter apo company nuk eshte detura e tij te dij historine e shitesit eshte detura e instucioneve shteterore qe ne moment in qe pranojne qe pasuria e shitesit eshte legjitueshme the bleresi ben pagesen the regjistrohet si prone e tij nga instuticionet shteterore bleresit nuk duhet ti cenohet prona, une personalisht bleva nje apartament ne nje vend te EU the shitesi kishte nje job te Paraguay the nuk e dinte the nuk just lejua te shiste pasurin deri ne momentin qe ishte i paster me instucionet shteterore the aktshitblerja u krye me sukses
Do bëja të njëjtin koment por e ke bërë ti . Të lumtë! Zotëria bën një lajthitje fjalësh kur thotë që blerësi e bleu pronën në mirëbesim një deklaratë super idiote. Blerësi nuk doli në pazar dhe bleu siç ju tha. Blerësi shkoi në institucionet shtetërore dhe verifikoi dokumentet në shtet dhe më pas bleu pronën. Pra zbatoi ligjin pikë për pikë. Nqs shteti vetë më pas verifikon se është bërë gabim atëherë detyrohet automatikisht të zhdëmtojë blerësin.
Arsyetimi i Z. Manjani ka kuptim të plotë, Z. Cela me ato sofizmat demek "juridike" rreh ujë në hava! Në se një shtetas ble një pronë në mënyrë të ligjshme dhe më von ish pronari apo shitësi del me probleme ligjore atherë cili është faji i blerësit që e ka bërë blerjen të rregullt në atë kohë?!?!
Faji I blerësit është që njerëz si z.Çela që duan të sorollatin njerëzit dhe vetë të pastrojnë paratë I votojnë nëpër poste publike dhe më pas thonë pse po na mashtrojnë
Shume sakte prof.Ylli !
Z Çela Ylli i bie gozhdës dhe ju patkoit. Ylli nuk flet për prona të paligjshme por për prona që janë blerë apo zotrohen nga persona që akuzohen për veprimtari fitim prurëse të jashtligjshme. Ju flisni për prona të vjedhura apo të përvetsuara dy probleme të ndryshme
Eshte tjeter gje te flasesh nga pullazi ne fshat dhe tjeter gje ta trajtosh problemin juridikisht. Duket qarte qe komentuesit e ketushem jane njerez me " halle " pronesore por me boshllek te plote te njohurive juridike. Megjithate, nuk kerkon shume mend per te ditur se prona duhet te shkoje gjithmone tek i zoti, tek ai qe e ka pasur fillimisht, perpara se t'ia tjetersonin horrat dhe banditet e panumert te ketij vendi. Edhe nese prona eshte tjetersuar ( shitur-blere, kembyer ) dhjete here, ajo duhet t'i kthehet te zotit ndersa bleresit e mashtruar nga shitesi - hajdut duhet t'ia kerkojne parate e dhena hajdutit. keshtu veprohet ne te gjitha vendet perendimore dhe keshtu eshte vepruar ne Itali qysh ne Romen e lashte. Shkrimi i autorit nuk eshte per muhabete fshatce apo kafeneshe por per juristet e mirefillte.