Jam përpjekur ta gjej Zotin, por s’kam mundur

25 Dhjetor 2022, 18:45Blog TEMA

 

Jam përpjekur ta gjej Zotin, por s’kam mundur

 

Nga Ben Blushi

Megjithëse kam shkruar shumë për Zotin dhe për këtë shkak, më kanë kërcënuar sepse gjoja kam blasfemuar, më kanë fyer sepse kam dyshuar, më kanë mëshiruar sepse sipas tyre nuk kam aftësi ta njoh Zotin, më kanë urryer sepse sipas tyre nuk dua ta njoh Zotin, unë sërish nuk e kam gjetur dot Zotin.

E pranoj. Mund të mos jem përpjekur sa duhet. Ose mund të jem i paaftë. Me shumë gjasë janë të dyja bashkë. Meqë unë nuk kam patur fatin që të kaloj nëpër asnjë nga rrugët e njohura dhe të panjohura të cilat thuhet se të çojnë te Zoti, kam kërkuar një rrugë tjetër.

Rrugën e pyetjeve. Jam përpjekur ta gjej Zotin duke pyetur. Veten dhe të tjerët. Gjithmonë kam besuar se duke bërë shumë pyetje mund ti afrohesh natyrës së Zotit. Ja disa pyetje naive pas të cilave çdo besimtar do zbulonte një mëkatar, çdo klerik do shikonte një djall dhe çdo shkencërar do gjente një amator.

Pse i ka krijuar Zoti gjarpërinjtë, hardhucat, breshkat, zhabat, minjtë, buburrecët, shumëkëmbëshat, akrepat, deri te krokodilët e dinosaurët e mijëra reptilë që zvarriten në sipërfaqen e tokës prej miliona vitesh në forma, tipare dhe madhësi të ndryshme?

Pra pyetja është pse i janë dashur planetit këto specije? Çfarë ka menduar Zoti kur i ka krijuar ato, çfarë ndikimi kanë këto brejtës në habitatin e natyrës dhe çfarë ekuilibri rregullojnë ato?

A nuk do ishte bota më e pastër dhe më e sigurt nëse Zoti do ishte menduar një çast dhe do kishte thënë me vete: në këtë planet nuk do ketë specie që fshihen në bar dhe ngacmojnë speciet e tjera kur këto nuk e kanë mendjen.

Sa e bukur do ishte bota pa gjithë këta rrëshqanore, që lëshojnë lëngje të neveritshme, të cilat nuk i mban dot në shtëpi, nuk i ha dot, nuk i përdor dot për transport, nuk i dhuron dot për ditëlindje dhe nuk i imition dot për të bërë dikë të qeshë.

Se që Zoti ka krijuar peshqit për të ushqyer njeriun dhe për ti mësuar atij notin kjo mund të pranohet, që Zoti po ashtu ka krijuar zogjtë për ti lehtësuar njeriut fluturimin edhe kjo është deri diku e dobishme, që po ashtu Zoti ka krijuar kuajt,gomerët,mushkat,elefantët për ta ndihmuar njeriun të zhvendoset bashkë me plaçkat e tij edhe kjo duket e arsyeshme, por çfarë mesazhi ka dashur ti japi Zoti njeriut duke krijuar miliona forma zvarranikësh kjo është shumë e vështirë për t’u kuptuar.

Pyetje të tilla në një tavolinë me katër vetë, ku njëri do isha unë, që do bëja pyetjet dhe tre do të tjerët do ishin me radhë, një besimtar, një klerik dhe një shkencëtar, me siguri unë do kisha me mijëra dhe ata të tre, ndoshta nuk do kishin më shumë se tre përgjigje.

Njëri do thoshte se gjarpërinjtë dhe të ngjashmit e tyre janë forma të rreziqeve të ndryshme që Zoti i ka krijuar për ta vënë njeriun vazhdimisht në provë. Ky do ishte Kleriku.

Zvarranikët, breshkat, hardhucat, urithët, zhabat, bretkocat, minjtë dhe gjithë këta rrëshqitës të panumërt janë vullnet i Zotit dhe nuk mund të vihen në diskutim dhe as mund të dyshohet mbi dobinë apo leverdinë biologjike të tyre jashtë vullnetit të Zotit. Zoti ka bërë të mirën dhe të keqen dhe të keqen e ka bërë që njeriu të kuptojë më mirë të mirën. Pra siç ka bërë pulën që është e mirë, ka bërë dhe gjarprin që është i keq. Ky do ishte shpjegimi i Besimtarit.

Këto specie që janë shtuar dhe shumuar për shkak të evolucionit janë produkt i fërkimit të mjaftueshëm të disa elementëve të natyrës sic janë uji, ajri, dheu, bimët, oksigjeni, karboni etj, përzjerja e të cilëve në masën dhe momentin e duhur, ka ndikuar në krijimin e specieve njëqelizore të cilat më pas janë kthyer në shumëqelizoret që shohim sot në çdo oborr, lulishte, arë apo plazh. Ky do ishte Shkencëtari.

Pa thënë kush më bind nga këta të tre, unë do kisha një pyetje tjetër qe do shkaktonte debat të madh, ndoshta edhe grindje dhe ndoshta me votim dy me një, ose ku i dihet, edhe tre me zero,mund të çonte në përjashtimin tim përfundimtar nga kjo tavolinë e tre burrave të respektuar.

Ja kush do ishte pyetja tjetër. Kush ka krijuar kë? Pra Zoti ka krijuar Njeriun apo Njeriu ka krijuar Zotin? Është e kotë të them se çfarë përgjigje do kishin dhënë më këtë rast seicili nga tre bashkëvuajtësit e mi.

I quaj bashkëvuajtës, sepse jam i bindur që secili prej tyre vuan kur sheh, sesa dëm ka shkuar mundi i mijëra viteve punë për ta quajtur një herë e mirë të panevojshme këtë pyetje. Imagjinoni sa ndryshe do ishte bota sikur klerikët të mund ta kishin zhdukur nga koka e njeriut pyetjen se kush e ka krijuar njeriun.

Fakti që kjo pyetje egziston dhe qarkullon si virus nga një kokë në tjetrën pa u zhdukur një herë e mirë, është dështimi më i madh i shkencëtarëve, klerikëve, besimtarëve dhe ndoshta edhe Zotit vetë. A e dini sa jetë ka shpëtuar zhdukja e pyetjes mbi formën e Tokës?

Dikur, deri 5 shekuj më parë, njerëzit besonin se Toka ishte katrore, pra një masë e sheshtë në fund të së cilës nëse shkon, mund të rrëzohesh si në një humnerë. Dyshimi nëse toka është apo jo katrore, jo vetëm ka vrarë me qindra njerëz që besonin në një formë tjetër, por ka dekurajuar dhjetëra aventurierë, udhëtarë, lundrues dhe eksploratorë të cilët mund të jenë bërë gati të nisen për të gjetur vise të reja, matanë horizontit, por janë kthyer nga frika se nëse bota është katrore apo me kënde, diku në fund të do jetë medoemos një humnerë, një hon, në të cilin mund të rrokullisesh pa kthim.

Por ne sot nuk e bëjmë më këtë pyetje. Ne jemi të gjithë të bindur se Toka jonë është e rrumbullakët dhe në kët pikë unë, besimtari, kleriku dhe shkencëtari nuk kemi asnjë diskutim dhe asnjë mosmarrëveshje.

Sa e këndshme do ishte biseda mes nesh, këtër burrave që e mbajmë veten për të ditur, sikur njëlloj si pyetja për formën e Tokës, të zhdukej edhe pyetja kush ka krijuar kë? Por meqë unë nuk jetoj dot pa pyetur dhe pa dyshuar kam edhe një pyetje tjetër. Pak më të gjatë. Kini durim. Kush është mendimi i parë që ka në kokë një foshnje e sapo lindur?

Disa thonë se foshnja nuk ka mendime por ka vetëm instikte. Sigurisht. Bebja nuk e di çfarë është qumështi por e kërkon.Nuk di çfarë është gjumi por fle. Nuk di çfarë është ajri por merr frymë. Nuk di çfarë është ora por fle me turne. Nuk di çfarë është drita por nuk sheh natën.

Çfarë është më kryesorja, një foshnje e sapolindur nuk di kush janë prindërit e saj. Siç ka ndodhur miliona herë me jetimët apo foshnjat e birësuara, ato nuk kanë aftësinë të dallojnë se prindërit që i kanë rritur nuk janë prindërit e tyre biologjikë. Pamundësia e njeriut për të njohur kush e ka sjellë në jetë, pra kush e ka ngjizur dhe kush e ka lindur është e njëjtë me pamundësinë e njeriut për të ditur se kush e ka krijuar. Foshnja kur lind, nuk e njef Zotin, pra nuk di atë që besimtari dhe kleriku e marrin për të mirëqene se Zoti është krijuesi i Njeriut.

Nëse Zoti do donte që ne ta njihnim dhe mos ta diskutonim kurrë ekzistencën e tij mjafton ti fuste në kokë, njëlloj si një çip, çdo foshnje emrin apo përfytyrimin e tij.

Foshnjat do dilnin të gjitha nga barku i nënës duke qeshur dhe duke parë lart. Në fakt shumica dalin duke qarë a thua se e vetmja gjë që dinë, është se bota ku kanë ardhur është shumë më e keqe se ajo nga e cila sapo kanë dalë.

Pra nëse foshnjat do lindin me çipin e Zotit në kokë, përpara se të njihnin nënën, biberonin, jastëkun apo lugën, secili prej nesh do njihte atë që e ka krijuar.

Vetë Zotin. The One and Only. Imagjinoj në këtë çast besimtarin që do ishte ngritur në këmbë, duke më kërcënuar,ndërkohë që kleriku po e qetëson duke i thënë duro, se pas pak do ta kapim mat,ndërsa shkencëtari do ishte duke qeshur me ne të tre.

Sidoqoftë vazhdojmë me pyetje. Si ka mundësi që njeriu e njeh Zotin shumë më vonë se të gjitha ushqimet apo sendet që ia lehtësojnë jetesën dhe mbijetesën ditët e para të lindjes dhe këto janë gjiri i nënës, qumështi i tij,biberoni që zëvëndëson gjirin,krevati apo djepi ku rri deri sa të fillojë të eci,moblijet e shtëpisë përfshi dollapë,soba, enë guxhine,makina,avionë etj?

Nuk është ironike dhe aq më pak cinike të them se nga të gjitha lodrat përfshi kuaj plastikë, balena blu, zile kaucuku, qen me pulla, apo ipad, iphone, televizorë etj, fëmijët e njohin Zotin të fundit fare.

Pra nëse Zoti është një lodër, ajo vjen pas shumë lodrave të tjera që garantojnë më shumë argëtim dhe pushojnë të qarët.

Kur i thua një foshnje pusho se të dëgjon Zoti, ajo vazhdon qan,po t’i japësh një biberon me shumë gjasë pushon. Çfarë do të thotë kjo nisur nga qasja e një dyshuesi që bën vetëm pyetje siç jam unë?

Kjo do të thotë se, nëse një foshnje mbahet në kushte laboratorike dhe nuk i flitet kurrë për Zotin dhe nuk i lejohet asnjë kontakt me botën që beson, derisa të rritet ai nuk do ketë asnjë ditë dilemën kush më krijoi, a ka dicka atje lart, kush e krijoi shiun,qiellin, diellin dhe hënën?

Të gjitha këto përgjigje do t’i marrë nga librat dhe përgjigjet do ti konsiderojë shterruese. Ky fëmijë do jetë përgjithësisht i lumtur duke qenë i çliruar nga shumë dyshime. Ai do rritet i pastër nga dogma.

Por ditën që do jetë në gjendje të mendojë dhe të ketë pyetje, do kuptojë atë që mund ta kuptojë seicili prej nesh duke dyshuar.

Se njëlloj si ipadin, televizorin, filmat, futbollin, makinat, avionin, filmat dhe çdo mall tjetër konsumi përfshi edhe Zotin, e kanë kirjuar prindërit e tij. Ose prindërit e prindërve të prindërve. Dmth njerëzit para nesh për arsye dhe nevojat e tyre kanë krijuar gjithshka, përfshi edhe Zotin.

Sepse përdersa një fëmijë i izoluar, nuk e ndjen nevojën për atë që presupozohet se e ka krijuar atëherë ai që e ka krijuar, ose nuk është krijuesi ose ky krijues nuk preferon të shfaqet, ose të japë një shenjë, fjali e cila do ta qetësonte besimtarin në tavolinën time dhe do ti jepte kurajo klerikut qe po bëhej gati të më kundërshtojë.

Pikërisht, do thoshte kleriku. Fakti që Zoti nuk i shfaqet një foshnje në mendimet e tij të para ose gjatë procesit të rritjes,nuk do të thotë që Zoti nuk egziston por do të thotë se thjesht ai nuk do t’i shfaqet cdo njeriu sepse kjo do ta banalizonte deri në asgjësim figurën mistike të Zotit.

Zoti nuk është një send, nuk është një mall dhe nuk konsumohet për ditë, për arsye banale si luga, telekomanda, celulari apo timoni i makinës. Duroni, do thosha unë, më lini ta mbaroj.

Je zgjatur shumë, do thoshte shkencëtari. Kush na e mëson Zotin përvec prindërve dhe shoqërisë?

Pasi kam pranuar se duke ecur në rrugën time apo duke u përpjekur të ndjek me përfytyrim rrugën e atyre që besojnë se e kanë gjetur Zotin, kam kuptuar se Zoti jo vetëm është një krijesë e thjeshtë e Njeriut,por si shumë produkte të tij ai është kthyer në industri.

Do përpiqem ta shpjegoj. Shumica e sendeve që ne përdorim për të lehtësuar raportin tonë me punën, me lëvizjen, me shpejtësinë,me oreksin dhe me kënaqësinë, janë shpikur nga dikush dhe më pas janë kthyer në industri nga shumëkush, për tu përdorur më pas nga gjithkush.

Kështu ka ndodhur me lugën. Dikush e ka shpikur përpara mijëra vitesh për të cuar ushqimin në gojë dhe tani në planetin tonë prodhohen miliarda lugë në ditë dhe ata që e bëjnë këtë në fabrikat e tyre janë industrialistë.

E njëjta gjë mund të thuhet për pjatat, thikat, filaxhanet, karriget, pastën e dhëbmëve, gjyslyket, telefonat, orët, kompjuterat, çantat, librat, lapsat, lavatricet, frigorifërt, ilacet, filmat dhe kjo liste është e pafund.

Këto janë mallrat. Dikush i prodhon dhe ne i blejmë se na duhen për të jetuar më mirë. Gjithë ky cikël nga prodhimi i tyre deri tek blerja dhe pastaj hedhja në treg, është biznes. Eshtë një shkëmbim tregtar.

Këto mallra janë krijuar nga nevoja për të ngrënë,për tu ulur,për të parë,për të dëgjuar, për të lëvizur, për të lundruar, për të fluturuar,për tu argëtuar.

Zoti është krijuar për të mundur frikën, në kushtet kur shumica e këtyre mallrave nuk ishin shpikur akoma dhe jeta e njeriut ishte e mbushur me kaq shumë pasiguri dhe tmerr.

Imagjinoni ata që e shpikën Zotin mijëra vite më parë dhe kjo datë nuk ka asgjë të përbashkët me lindjen e Krishtit apo Muhamedit, sepse ata kanë lindur atëherë kur njeriu kishte krijuar koncepte të qarta për Zotin, që këta të dy bashkë me shumë të tjerë si ata, i kanë thjeshtësuar duke i përmbledhur dhe i kthyer në zakone që nëse nuk ndiqen dhe respektohen, mund të ndëshkohen.

Pra shumë kohë më parë, njerëz që jetonin pa ushqim, sepse nuk kishin mjete për të vrarë kafshë të egra apo për të mbjellë grurë, kishin frikë të lundronin sepse nuk ishte shpikur varka dhe ndoshta nuk dinin not,tmerroheshin kur shikonin rrufe dhe vetëtima sepse nuk i shpjegonin dot,kompleksoheshin kur shikonin si vrapon nje tigër, si e shpon natën syri i një maceje,si zhduket nën tokë një gjarpër dhe si fluturon një shqiponjë, këta njerëz pra, duke vuajtur deri në sakrificë pafuqinë e tyre, në raport me cdo krijesë tjetër që ishte dhe mbetet më e fortë dhe më e shpejtë se ata,kishin arsye të besonin se këto qenie superiore i ka krijuar dikush, që njeriun e ka sjellë në jetë për ta ndëshkuar, pasi i ka dhënë më pak fuqi se të gjitha llojet e tjera të kafshëve gjtarëvë, zogjve, peshqve dhe bimëve.

Nëse Zoti është krijesë direkte e Njeriut,në një kuptim tjetër ai është krijesë indirekte e kafshëve,shpendëve dhe peshqve.Këta e detyruan njeriun të krijojë Zotin. Ata e mësuan të ketë imagjnatë, guxim dhe të ndryshojë duke imituar. Kafshët në përgjithësi janë mësuesit e parë të Njeriut dhe prej tyre ai ka marrë shumicën e dijeve që sot i ka kthyer në armë kundër tyre.

Duke patur frikë nga natyra, Njeriu krijoi një qenije më të fortë se të gjitha qeniet bashkë. Zotin.

Kjo krijesë, pra Zoti, nuk i dha njeriut asnjë fuqi tjetër që i duhej, as muskuj,as zgjatim gjytyrësh,as nuhatje më të mirë dhe as sy më të fortë, por i dha durim për të pritur që mendja e tij të zhvillohej deri në masën që, duke imituar kafshët e tjera të mund të lëvizte me kuaj, karroca e makina, të mund të lundronte me varka,me anije e nëndetëse dhe të mund të fluturonte me aviona e me anije kozmike. Në një kuptim Zoti e ka ndihmuar Njeriun po aq sa c’e ka penguar atë.

Unë nuk e pranoj në parim, por ndoshta, për shkak të nevojës për të mbyllur bisedën mund të pranoj se Zoti është shpikja e të gjitha shpikjeve, por ama nuk pranoj dot se nga të gjitha shpikjet ajo është më e mira, ose që të korrigjoj veten, nuk pranoj dot se kjo shpikje, pra Zoti, është përdorur gjithnjë për mirë nga ai që e shpiku. Nga Njeriu.

Sidoqoftë edhe pak durim. Besimtari po fërkon sytë, kleriku po skuqet dhe shkencëtari po humb fillin e bisedës. Që në momentin që u krijua lindi nevoja për ta shpërndarë Zotin. Ai nuk mund të ishte pronë e një njeriu, dmth e atij që e shpiku, sepse në këtë mënyrë do ishte i pafuqishëm dhe askush nuk do ti bindej atij.

Ky është momenti kur Zoti filloi të kthehej në industri. Kjo industri kërkonte një rrjet njerëzish që të mund ta përhapnin nëpër botë, të mund të edukonin njerëzit e tjerë se si përdoret, këta do garantonin cilësinë e tij gjatë përdorimit përmes ndëshkimit për ata që e përdornin keq ose nuk e përdornin fare.

Këta njerëz që morën përsipër të punonin në industrinë e Zotit janë klerikët. Ne i quajmë priftërinj, fretër, famullitarë, murgj, murgesha, peshkopë, shenjtorë, profetë, papë, imamë, hoxhallarë, ajatollah, brahmanër,lama, serafinë, ëngjëj, etj.

Më të aftët dhe më inteligjentët, ata të cilët e kthyen Zotin në industri, por pa nxjerrë thuajse asnjë përfitim vetë, janë pa dyshim Jezui dhe Muhamedi. Ata i bindën njerëzit se duke besuar mund të kesh përfitime dhe në emër të tyre u persekutuan shumë të tjerë, të cilët nuk besonin si ata dhe tek ata.Në këtë mënyrë, me hir apo me pahir,malli i tyre, Zoti,u përhap në të gjithë cepat e botës dhe sot vazhdon të konkurrojë me sukses duke shtuar tregun dhe duke hapur dyqane,kisha e xhamija kudo ku mundet.

Pas Jezuit dhe Muhamedit,Zoti filloi të tregtohet dhe të kthehet në punë. Dishepujt e parë të Jezu Krishtit, nuk paguheshin,ata e përhapën besimin në Zot falas,gratis dhe disave kjo gjë u kushtoi jetën. Shën Pjetri që themeloi Vatikanin apo qytetin e Zotit, nuk mori asnjë shpërblim por me qindra papë e priftërinj pas tij, ishin të gjithë të kamur dhe shumica, në Mesjetë ishin biznesmenë të mëdhenj,pronarë tokash e pasurish të panumërta, aq sa të detyruar nga korrupsioni i tyre, Kisha Katolike, vendosi sanksione shumë të rrepta kundër asaj që quhet simoni, ose korrupsioni i klerikëve.

Simoni quhet shitja e ofiqeve fetare ose e sendeve të shenjta.Simonia pra ishte korrupsion dhe korrupsion ka vetëm aty ku ka para dhe shkëmbim mallrash. Cfarë malli tregtonin priftërintë në Mesjetë e akoma dhe sot? Natyrisht Zotin.

Sot në botë janë 400 mijë prifërinj katolikë,më shumë se 200 mijë ortodoksë nja dy milion hoxhallarë dhe disa milionë klerikë budistë e hindu pa llogaritur me mijëra sekte dhe besime më të vogla, që të gjitha bashkë kërkojnë zanatcinjtë apo instruktorët e vet.

Nëse jemi dakort se Zoti u shpik nga njerëzit, nëse jemi dakort se Zoti mësohet, siç ishte rasti i foshnjeve, mund të biem po ashtu dakort se ata që u mësojnë njerëzve çfarë është Zoti paguhen, sepse ata bëjnë një punë.

Pra nëse biem dakort për të gjitha këto, ose pjesërisht për disa prej këtyre pikave, atëherë duhet të jemi dakort se Zoti, nëse nuk është një krijesë industriale, të paktën është kthyer në një industri.

Këto ishin fjalët e mia të fundit në tavolinën e katër burrave.

Kur e mbarova këtë përsiatje të zgjatur, kleriku që kisha përballë u cua në këmbë i gatshëm të më fusë duart në fyt, siç në fakt e meritoja, por për fat të mirë besimtari ia mbajti dorën duke i thënë, qetësohu, çdo gjë do rregullohet, me ndihmën e Zotit, ndërsa shkencëtari që qeshte me ne të tre, tha vetëm një fjali me të cilin mbyllet kjo rrëfenjë për Zotin.

45 Komente

  1. V
    Vjosa

    Vazhdo kerkoje se ndoshta e gjen.

    Përgjigjjuni
    1. B
      Bureto

      Pyetja ekziston a jo Zoti, është e përhereshme, sidomos tek ata që e gjejnë veten tek shprehja e Dekardit, "Cogito ergo sum-dyshoj pa ekzistoj!", i cili e ka thene para se te lindte Volteri. Kështu edhe në kohen që ka jetuar filozofi i madh francez Volteri, dishepujt e tij e pyeten: "A ekziston Zoti?", dhe pergjigjia e tij ishte lakonike: "Nuk ekziston, por na duhet dhe do duhet ta krijojmë!". Mendoj se kjo pergjigje e filozofit, ishte dhe mbetet shteruese, por sidoqofte, për ata që kanë dëshire, vullnet, pse jo dhe kuriozitet që ta zberthejne më tej atë, por po ashtu dhe thënien e Dekartit, shkrimi, (më mire të themi esse-ja), i Ben Blushit, edhe pse i gjatë, mund t'i ndihmojë.

      Përgjigjjuni
      1. T
        Te mjeret budallenj pa S e Tru = besimtare

        Ala sot ne kte shekull s'kan te qarte se Pushtet si ai i Zotit pushtohen nga Mashtruesit per te patur nen komande popujt ,ata te quajtur Prifterinje ,qe mbajten nen skllaveri popujt qindra shekuj , duke perdorur Shtepine dhe emnrin e Zotit e nepermjet tyre vet sklleverit popull .Me pas lindi nji tjeter Gjeneracion Mashtruesish me te sifistikuar qe shpiken nji Tjeter Metode per te mashtruar popujt e quajtur Politike e cila rrexoj nga Froni i Pushtetit te Botes, Kishen dhe mori vet Pushtetin e mashtrimit e skllaverimit te popujve gje e cila vazhdon ala sot te mbaje Pushtetin ,pra Politika qe shpesh Fetaret e barazojne me Satanin . - Vazhdoni tani dokrrat tuaja , mbi Zotin dhe te Zotin e tij Politiken

        Përgjigjjuni
        1. M
          MacGr

          Z BLUSHI: Deri aty kur erdhe tek Krishti dhe Muhameti pak a shume je mire sepse zotin e lindi frika,e pa njohura,dobesia,injoranca.Deri ketu njerzimi nuk do pushtohej nga ''Zoti'' sikur ajo periudhe e barazise primitive te mos prishej nga zhvillimi qe solli perfitimin e kastave dhe krijimin e klasave sunduese nga prifterinjte,kryetaret e fiseve etj.Ketu eshte rrenja me e thelle e ZOTIT.Nga rrenja e pamundesise se njohjes e cila me kohe do zhdukej ,kjo rrenje klasore nuk do zhdukej dhe nuk po zhduket akoma sepse klasa e forte e mban gjalle me mjetet e saje te shumta.Shume zotat u be nje Zot lart dhe i derguari apo i shenjteruari i tij MBRETI NE TOKE.Keshtu po vazhdon .LIRIA e besimit fetar qe propagandohet,nuk eshte LIRI E NDERGJEGJES se cliruar nga roberia e besimit.

          Përgjigjjuni
          1. S
            Silva

            Uroj dhe unë qe ta gjejë besimin në Zot! Të mendosh në mënyrë nihiliste, negative e egoiste nuk ndihmon, përkundrazi bën vetëm blasfemi ndaj që mirës, dritës e pozitivitetit. Kapitulli i 1° ''Genesi'' i Bibles shpjegon. Shkenca zyrtare sot me të gjitha degët e saj nuk hedh poshtë asnjë fakt që përshkruhet në Bibël. Dhe për per tepër shkenca e arkeologjike confirmon atë që perdhkruhet në Bibël. Per info po ritëm atë që thoshte Ronald Regan: '' në Bibël gjenden të gjitha përgjigjet që njeriu ka nevojë të njohë e të perballoje'' - shtëpia botuese Gribaudo. Përshëndetje!

            Përgjigjjuni
            1. R
              Rana

              Pyes Zotin pse te krijoj ty .Mend ke mend ske..

              Përgjigjjuni
            2. D
              Detari

              suniti sado lek te ket nuk behet njeri, dhe ky muslimi tredhur keto dite gjeti te na thote se eshte sunit

              Përgjigjjuni
              1. D
                Dropulli

                Po te ishte Beni sunit do besonte ne zot dhe nuk do shkruante nuk ka zot. Ti i kupton ato qe shkruan vet? Se cfare ka shkruar autori nuk besoj se e ke kuptuar. Me kete sunit qe e perdor ne cdo vend per te fyer shqiptaret ti dukesh se nuk je mire nga trute e kokes.Duhet te kesh nevoje per antipsikotk

                Përgjigjjuni
                1. A
                  Adi

                  Detar.Ben Blushi eshte ateist. Dhe origjina e familjes se tij eshte vllehe. Ti mos u merr me keto pune se jane te thella per ty.

                  Përgjigjjuni
                2. P
                  Paska shkuar per leshe , gjyna

                  I paska rreshqitur Truri ketij . Gjyna....Mjekoheni qe te vazhdoje te kerkoje Zotin....sebaseve takon e na shkruan perseri se cfare i tha. :

                  Përgjigjjuni
                  1. E
                    E verteta dhemb....

                    Nuk mjaftojne sunitet,shiitet apo dhe jahovat por paska qen e shkrujt qe ne token kristiane te mega Kastriotit( luftetar i kristianizmit) te qelbeshin edhe te tredhurit (atheoi) si ben laden,rama-dogani, Ngjela me gjela etj kesisoi rrota kari......

                    Përgjigjjuni
                    1. M
                      Marko Polo

                      E vërteta dhemb, vërtetë: ZOTI NUK EKZISTON!

                      Përgjigjjuni
                      1. E
                        E verteta dhemb....

                        Motra me tanga ,e verteta eshte se Zoti ekziston per normalet,besimtaret,njerzoret e jo per anormalet,te pabeset apo te tredhurit (atheoi) kshq ti dhe te gjithe ata si ju vazhdoni ti bini me dore......ok!

                        Përgjigjjuni
                    2. a
                      astrit

                      Sa me fat eshte te jesh djale e nip komunisti! I di te gjitha i mer te gjitha!

                      Përgjigjjuni
                      1. H
                        Hajde are te te tregoj babain

                        Jo ne diten e festes se Krishtlindjeve o Mero, bilez ne asnje dite te vitit nuk duhet ta reklamosh kete shkrim. Kaq inat ke me Blushin? Cdokush e di vete ate punen e Zotit.

                        Përgjigjjuni
                        1. S
                          Shefi 55

                          Beni, te ruajte Zoti!

                          Përgjigjjuni
                          1. S
                            Silva

                            Artikull konfuz egocentric delirant! Zoti nuk eshte as industri as mall material apo shpirtëror që ta trajtosh! Z. Blushi, një qenie njerëzore e cila nuk beson në një Zot te vetëm Biblik është i keq ushqyer shpirtërisht dhe menderisht. Ne ushqehemi fizikisht por nuk mbijetojme gjatë nëse nuk ushqejmë mendjen dhe shpirtin siç libri shkencor me i vjetër në rruzull Bibla (i shkruar nga Zoti) udherrefen njeriun! Z. Blushi per t'ju përgjigjur pyetjeve feminore e pa sens që keni duhet të rilexosh Biblën testamentin e vjetër! Do shpëtoni vetveten duke gjetur lumturinë e brendshme dhe sensin e jetës pa bezdisur të tjerët duke ju përshkruar se pse besohet!

                            Përgjigjjuni
                            1. N
                              Neptun

                              Sa pa kuptim dhe pa lidhje shkruan.Ne uk jetojme gjate sepse nuk ushqejme mendjen dhe shpirtin. Po ata qe e kane ushqyer shpirtin sa gjate kane jetuar? Apo ska fare te tille? Ja te zeme prifterinjte kattolik qe me dhjetra ishin pedofile sa gjate do jetojne? Ketyre njerzeve qe kane perdhunuar femijet duhet tu besojme ne? Sa miliona dollare ka paguar dhe paguan kisha katolike per keto krime qe ka bere. Sa njerez shkojne sot ne kishat katolike prej ketij krimi qe kane ber eprifterinjte katolike?

                              Përgjigjjuni
                              1. S
                                Silva

                                Nuk ka lidhje koha sa gjatë kemi dëshirë të jetojmë por fakti që duam jetën dhe cilësia si të jetojmë.. Askush nuk përfaqëson Zotin mbi tokë dhe s'esht i shenjtë. Këtu behet fjale për te besuar në Zot si krijuesin e jetes! Çdo gjë që ndalohet nga Bibla është positive per njerëzimin! Kjo është lidhja kush do të kuptojë.

                                Përgjigjjuni
                              2. A
                                Arben

                                Beso pra tek Babadimri ????

                                Përgjigjjuni
                              3. S
                                Silva

                                Artikull konfuz egocentric delirant! Zoti nuk eshte as industri as mall material apo shpirtëror që ta trajtosh! Z. Blushi, një qenie njerëzore e cila nuk beson në një Zot te vetëm Biblik është i keq ushqyer shpirtërisht dhe menderisht. Ne ushqehemi fizikisht por nuk mbijetojme gjatë nëse nuk ushqejmë mendjen dhe shpirtin siç libri shkencor me i vjetër në rruzull Bibla (i shkruar nga Zoti) udherrefen njeriun! Z. Blushi per t'ju përgjigjur pyetjeve feminore e pa sens që keni duhet të rilexosh Biblën testamentin e vjetër! Do shpëtoni vetveten duke gjetur lumturinë e brendshme dhe sensin e jetës pa bezdisur të tjerët duke ju përshkruar se pse besohet!

                                Përgjigjjuni
                                1. Harmonia

                                  Po tamam, si partitë në politikë.......... Shife, dikur ishte vetëm krishterimi............ Ishte monizëm........... . Pastaj lindi myslimanizmi................. . Krishtëtimi u nda në ortodoksizëm dhe më vonë në katolicizëm..................... . Myslimanizmi, në shit dhe sunitë........ Dhe lindën dhjetra fe të tjera që mburrnin zotin e tyre dhe shanin zotin e tjetrit......................... . Pra nuk qënka një zot........................ Lindën budistët, juhadistët, etj........................................ . Nga katolikët lindën protestantët dhe ungjillorët. Nga ortodoksët , jehovai. Dhe sot në Shqipëri kemi nja 7 a 8 fe të ndryshme, tamam si partitë. Ortodoksët, katolikët, protestantët, ungjillorët, jehovenjtë, islamikët, bektashinjtë.......................................................................... Mirëpo për meritë të Enver Hoxhës, shqiptarët nuk janë besimtarë................. . Këtu myslimani shkon në kishë dhe i bën dhuratë nuses së tij myslimane një varse me kryqin si simbol............. . Dhe tregëtarët me ndihmën e televizioneve bëjnë namin duke shtuar mallrat e lodrat dhe duke rritur çmimet.....

                                  Përgjigjjuni
                                  1. e
                                    eli-tiv

                                    ..Zoti nuk gjendet duke pyetur...fakt nuk e ke gjetur..Zoti gjendet ne pergjigjet...nuk e di sa e si mund ta perceptosh kete pozicion..

                                    Përgjigjjuni
                                    1. T
                                      Tomorr

                                      Plotesisht dakord me Benin. Numri ijerzeve ateist eshte ne rritje ne gjithe boten.Vete Papa (polaku), para dy papeve te fundit ka pranuar teorine e evolucionit te Darvinit.Jam i sigurt se shume nuk shkruajne nga frika.Feja eshte tmerri , eshte frika qe i kane futur njeriut. Feja eshte jne biznes i madh.

                                      Përgjigjjuni
                                      1. k
                                        katarakti

                                        Njeriu është shumë i vogël, shumë i paditur, shumë i parëndësishem që të japë një përgjigje shterruese mbi ekzistencën apo jo të Zotit. Është zgjedhje e lirë të besosh apo jo në Zot. Por askush nuk di gjë. Megjithatë ka një pyetje pa përgjigje: Si dhe pse është krijuar universi?! Si spjegohen konstantet e tij milimetrike që e "mbajnë" atë në këmbë?! Agnosticizmi është "feja" më e arsyeshme për t'i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve.

                                        Përgjigjjuni
                                        1. I
                                          Ibrahim

                                          I dashur ti zotin e kerkon larg,por harron qe ai eshte brenda teje me afer se gjaku yt ne damaret e tu. -Krijimi eshte veper e zotit, -Varesia qe kemi ndaj krijimit te tij Lindja Vdekja, Gjumi,Ushqimi, etj. -Shiko persosnerine qiellore,dielli Hena ,Yjet Nata ,Dita -Oksigjenin qe ti se shikon por pa te s 'mund te rrosh. -Persa i perket krijesave ,cdo gjallese ka shpirt ,dhe e fshehta e shpirtit i takon vetem krijuesit. Shiko brenda vetes dhe je ne rregull

                                          Përgjigjjuni
                                          1. B
                                            Baliu

                                            Ky rrota e paska "zbuluar" rroten!

                                            Përgjigjjuni
                                            1. A
                                              Ani

                                              A i duhet dritës errësirë? Faktikisht bota e gjallë ka elementin jetësor që kërkon dritë. Drita buron nga qendra plot energji. Vërtet mendojmë se nuk ka inteligjencë tej njeriut?

                                              Përgjigjjuni
                                              1. A
                                                Ani

                                                A i duhet dritës errësirë? Faktikisht bota e gjallë ka elementin jetësor që kërkon dritë. Drita buron nga qendra plot energji. Vërtet mendojmë se nuk ka inteligjencë tej njeriut?

                                                Përgjigjjuni
                                                1. D
                                                  Drini

                                                  Po qe se nuk ka zot mire , po pati athere nuk bejme mire qe nuk besojme ne zot Keshtu qe te jemi brenda me mire besojme ne zot. Pak a shume keshtu ka thene nje filozof qe nuk ja kujtoj dot emrin

                                                  Përgjigjjuni
                                                  1. l
                                                    luli

                                                    super talent

                                                    Përgjigjjuni
                                                    1. S
                                                      Seman

                                                      Kurre mos e gjetsh, nuk i duhen kujt idete dhe analizat e tua idjoteske

                                                      Përgjigjjuni
                                                      1. S
                                                        Shpalosësi

                                                        Instrumenti i pushtuesit, As prifterinjte, as hoxhallaret, as perandoret, as sulltanet, as dhenduert e serbve si Sali Berisha, Ali Shukriu as Ilir Keta apo Metaj, as folozofet, as te varferir, as te pasurit nuk e kane pare zotin. Asnjeri nga keta qe u numruan dhe ata qe nuk u numruan nuk mund te tregojn se e kane pare zotin. Kete Instrument te besimit se ai (zoti) eshte dikund e kultivuan pushtuesit te të pushtuarit, te të shtypurit, te të varferit. Pasi pushtuesit i nenshtruan dhe per vite dhe dekada te tera i mbajten te pushtuar popujt e vegjel, e Kultivuan zotin qe t'ua ruaje pushtetin edhe pas renies se perandorive. Iliret dhe ne shqiptaret pasardhesit e tyre e kemi ndjer me se keqi. Iliria u dermua nga Romaket, pjesa tjeter e mbetur u dermua nga osmanllinjt dhe me pas nga greket dhe serbet. Besimin as Ilireve, as neve pasardheseve te tyre shqiptareve pushtuesit romako-osman nuk na e sollen me lule. Ishte dajaku Instrument i pranimit te besimit te huaj dhe jo perqafimi i besimeve qe e shpjegojne BARKMEDHENJET, misionaret e te pa dukshmit dhe te pa parit nga askush, as nga 8 miliard njerezve dhe si pasoj i ruajtjes se pushtimit tek te pushtuarit. .. Beni permes ketij artikulli e ke trajtuar ne menyre te shkelqyer te padukshmin. Tani ata qe e besojne e kane detyrim moral ta shpjegojne, ku e kane pare zotin, si duket bariu i tyre. Respekt

                                                        Përgjigjjuni
                                                        1. A
                                                          Akili

                                                          Ti qenke besimtari me i madh se besonke shume tek ke zoti yt ne toke...Edi Ju po e mashtroni popullin.

                                                          Përgjigjjuni
                                                        2. S
                                                          Shpalosësi

                                                          Instrumenti i pushtuesit, As prifterinjte, as hoxhallaret, as perandoret, as sulltanet, as dhenduert e serbve si Sali Berisha, Ali Shukriu, Sinan Hasani, Rrahman Morina etj. as Ilir Keta apo Metaj, as folozofet, as te varferir, as te pasurit nuk e kane pare zotin. Asnjeri nga keta qe u numruan dhe ata qe nuk u numruan nuk mund te tregojn se e kane pare zotin. Kete Instrument te besimit se ai (zoti) eshte dikund e kultivuan pushtuesit te të pushtuarit, te të shtypurit, te të varferit. Pasi pushtuesit i nenshtruan dhe per vite dhe dekada te tera i mbajten te pushtuar popujt e vegjel, e Kultivuan zotin qe t'ua ruaje pushtetin edhe pas renies se perandorive. Iliret dhe ne shqiptaret pasardhesit e tyre e kemi ndjer me se keqi. Iliria u dermua nga Romaket, pjesa tjeter e mbetur u dermua nga osmanllinjt dhe me pas nga greket dhe serbet. Besimin as Ilireve, as neve pasardheseve te tyre shqiptareve pushtuesit romako-osman nuk na e sollen me lule. Ishte dajaku Instrument i pranimit te besimit te huaj dhe jo perqafimi i besimeve qe e shpjegojne BARKMEDHENJET, misionaret e te pa dukshmit dhe te pa parit nga askush, as nga 8 miliard njerezve dhe si pasoj i ruajtjes se pushtimit tek te pushtuarit. .. Beni permes ketij artikulli e ke trajtuar ne menyre te shkelqyer te padukshmin. Tani ata qe e besojne e kane detyrim moral ta shpjegojne, ku e kane pare zotin, si duket bariu i tyre. Respekt

                                                          Përgjigjjuni
                                                          1. B
                                                            Bardhok Shpani ( Span - Spani )

                                                            Jemi të njeit por me pole të kunderta z Ben !, Në se ti nuk beson diku kjo nuk dotë thotë se ti je i besushëm , aq më keq kur imagjnon se mbrapa teje po turren dhe hardhucat ?...

                                                            Përgjigjjuni
                                                            1. P
                                                              Populli

                                                              Pergjigje per Blushin: edhe te sateme nuk e ke pare kur linde, por andej linde.

                                                              Përgjigjjuni
                                                              1. U
                                                                Une

                                                                Beni pyet: Pse i ka krijuar Zoti gjarpërinjtë, hardhucat, breshkat, zhabat, minjtë, buburrecët, shumëkëmbëshat, akrepat, deri te krokodilët e dinosaurët e mijëra reptilë që zvarriten në sipërfaqen e tokës prej miliona vitesh në forma, tipare dhe madhësi të ndryshme? Pergjigja: Eshte e njejta arsye qe te ka krijuar dhe ty! Une: Kur ti do na japesh arsyen se pse ti ben hije ne toke, do kuptosh se pse zoti krijoi jeten. Deri ahere do endesh si era ne shkreteteire. Keshille: Mos u mundo te jesh i vecante....

                                                                Përgjigjjuni
                                                                1. A
                                                                  Ai

                                                                  Per nje gje ka te drejt Blushi, Qe Zoti , besimet dhe besimtaret perdoren shum sidomos nga sharlatanet. Sot per te mar vemendje diskutohet shum , sidomos per besimet e ndryshme. Dikush ben si besimtar te mare ca vota, dikush shan nje besim te caktuar te mare ca vota te tjera dhe keto jan perdorimet e koheve te fundit. Dikush e perdor ne fillim te karierres qe te njifet dhe dikush ne fund sepse ka shteruar. Blushi i perket kesaj te fundit. Ndoshta ka shteruar , ndoshta do te hap debat. Por sidoqoft nuk eshte dicka e zgjuar. Si kleriku edhe besimtari nuk do te ishin hedhur ne fyt por do i kish ardh keq per Blushin. Sa i perket shkencetarit, varet nese do ishte besimtar apo ateist ???? ... Nje shprehje thot; kur qenit i vjen ngordhja , permjer ne der te xhamis... Por puna e Zotit eshte si te beshtysh qiellin, dhe beshtyma do te bjer ne fytyren tende

                                                                  Përgjigjjuni
                                                                  1. S
                                                                    Serembunax

                                                                    Të gjitha këto rreth teje Beni egzustojnë që jo vetëm ti të ndihesh si zot por mbase edhe zoti vetë , qui nenni . Kur linda nuk egzistone . Kur kalova cakun e pjekurisë , Eureka ! Në murret e odës sonë shihja vendosur bukur një gjarpër të qëndisur me perla të imëta shumë ngjyrëshe ku dominonte e një e kuqe e thellë gjak e një blumarinë e thellë verbuese . Sa hërë e shihja atë emblemë në duart e nënes sime më të çmuar që vdiq shumë e re ( atëherë as mjekësia as zoti nuk e shpëtoi dot nga verdhëza që sa ish përhapur e më pas vaksina çudibërëse ) ma linte mua ti meria pluhurat . E vetmja lodër e çmuar e fëmijërisë . Pastaj tregonte për gjarpërin kur e vinte bukur si kurorë të emblemës : Kur ra gjarpëri në shtëpitë e vjetra , ne muarëmë gurrët me tët gjysh e bëmë këtë shtëpinë e re . Kur unë këkoja gjarërinjtë në natyrë si të endesha vetë ( Beni shfaqej në pëlhurë ) mua më linin azat si kal të ëgër - ndosha më fshiheshin - përoit ku luaja , uji brisk i ftohtë akull u ftoa keq . Ajo gjyshe , më shpëtoi jetën , për zot nuk foli kurrë , por e pashë veten nga jashtë në oborr si t'ish gjarpëri im , e unë mbi shtrat , në tempëraturë ekstreme . Mbase ishte gjarpëri që mbaja ndër duar atë mes natë pa ndjenja që kaluam pragun të tre në krahët e nënes 4 km më këmbë , e as zoti as mjekësi nuk ma sosi dot nënen time . Sot , mrekullia , është të jesh ende gjallë e të jetosh siç do zoti , siç thonë rëndomë .

                                                                    Përgjigjjuni
                                                                    1. H
                                                                      Hamit

                                                                      Si Teistet po ashtu dhe Ateistet me bindje (perjashto mashtruesit dhe rrufjanet) me duken teper naive dhe injorante mbasi diskutojne per dicka qe nuk e dijne dhe qe kurre nuk do kene mundesi t'a njohin apo vertetojne ekzistencen apo mosekzistencen e Zotit. Me kete kapacitet trunor qe njeriu disponon nje gje te tille kurre nuk do kete mundesi t'a njohe andaj eshte injorance te grindesh e aq me keq te vritesh e persekutohesh per bindje fetare. Njeriut i eshte dhene vetem nje organ me aftesi zhvillimore te pakufizuar qe eshte truri i cili duhet vene ne pune per spjegimin e cdo fenomeni dhe te Gjithesise ne pergjithesi,pra duhet menduar dhe punuar por jo te vritemi me njeri tjetrin per dogma fetare. Astro-fizikanti Stephan Hawking lidhur me Krijuesin eshte shprehur - Mire per nje moment pranoj se njeriu dhe Gjithesia eshte krijuar nga Zoti ,por Krijuesin kush e krijoi dhe Krijuesin e krijuesit kush e krijoi dhe keshtu ne pafundesi. Kjo besoj shpjegon gjithca .

                                                                      Përgjigjjuni
                                                                      1. T
                                                                        Toni

                                                                        Reflektim cuditerisht i pakundershtueshem, shume interesant!

                                                                        Përgjigjjuni
                                                                        1. A
                                                                          A

                                                                          I duket I pakundershtueshem atij qe ose mendon njesoj si autori, ose atij qe nuk ka as nje mendim per ceshtjen.Personalisht me duket I ceket.Autori nuk eshte nisur te gjeje Zotin, por te vertetoje ate qe ai vete beson(se nuk paska Zot),nderkohe qe per te vertetuar ekzistencen e Zotit argumentat jane te pafundem,(per ate qe do te shohe)

                                                                          Përgjigjjuni
                                                                        2. U
                                                                          Universi shprsa ime

                                                                          B. Blushi??? Fotografia jote më tregon që I je futur mieĺlit me garuzhde bash si ithulli yt Tos droga e ky shaloku . Aq keq ësht gjëndja jote sa shkruan aq gjat sa ngatërohsh me terma kontradiktore e gjë në drit nuk nxjerr. Me ketë pamje që ke mar nga mielli un të jap vetëm 5 vjet jet. Shko me nai mal ku Mos të ksh mundsi të përplasesh me njeri e aty mes natyres do të të kthjellohen mendimet . Ta them seriozisht ; me pak humor se nga qefi e ke nuk þ jep njeri me zor. Shpëto veten se njerzimi ka 50mi vjet jet e do vazhdoj edhe kur të ikësh ti nja 50 mij vjet të tjera. Mos e lodh tourin me llafòllogjira . Nëse ke lën nai trazhgimtar për pasurin që ke vjedhur edhe ai në atë rrug do shkoj si ty e miq e tu mallista, nëse jo Mos u Mundo kot se malli të bën steril ose do ti nxerrësh antikapater me defekte të theksuara përqëndrimi e plotësisht miopër si ata që ke përeth. Leku i vjedhu nga hunda ka për tju dal. Të uroj shërim të shpejt e bëj nai bamirsi me lekët e vjedhura se ndoshta ja ul paksa Karmën vetes.

                                                                          Përgjigjjuni
                                                                          1. S
                                                                            Shiqerja

                                                                            Po kush te pyeti ty? Po pastaj!?

                                                                            Përgjigjjuni

                                                                            Lini një Përgjigje