Ku është kufiri i Albin Kurtit?

28 Maj 2023, 11:53Blog Nga Baton Haxhiu

Ku është kufiri i Albin Kurtit?

Vendosja e flamurit të Republikës së Kosovës në godinat e bashkive veriore shkaktoi reagime krejtësisht të ndryshme në opinionin e brendshëm krahasuar me qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare.

Nga njëra anë, një pjesë jo e vogël e opinionit publik e lënë në mëshirë të makinerisë propagandistike të VV-së e duartrokiti këtë veprim si shenjë e shtrirjes së sovranitetit të Republikës së Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Nga ana tjetër, pjesa kryesore e bashkësisë ndërkombëtare, nga Sekretari i Shtetit të SHBA-ve deri te qëndrimi i përbashkët i vendeve të QUINT-it, e cilësuan këtë veprim si vendosje e masave të dhunshme në Kosovë.

Ky hendek është pasqyrë e një dukurie shumë shqetësuese që është çimentuar prej kohësh në shoqërinë kosovare: ndjekja e disa qëndrimeve gjoja patriotike në mënyrë krejtësisht shkurtpamëse sipas tekave të Albin Kurtit, përkundër qëndrimeve të SHBA-ve dhe BE-së.

A është ky një përfundim shumë i vrazhdë?

Jo, aspak. Të njëjtit njerëz që mbanin bajrakun e njëfarë patriotizmi patetik duke kundërshtuar Asociacionin nëpër studio televizive e rrjete sociale u bënë mbështetësit më të ethshëm të tij vetëm pse këtë e pranoi Albin Kurti, pavarësisht zotimeve të tij se do ta luftojë autonominë e serbëve në Kosovë duke mos e përfillur presionin ndërkombëtar.

Thoshin jemi kundër deri në vdekje.

Pak a shumë, e njëjta ndodhi me rastin e vendosjes së flamurit të Republikës së Kosovës nëpër komunat veriore, me ç’rast zhurma e militantëve u bë edhe njëherë pengesë për një debat të mirëfilltë shoqëror sa i përket politikave të Qeverisë së Kosovës në raport me Serbinë.

Pavarësisht manovrave për marrëdhënie me publikun të Albin Kurtit dhe të vartësve të tij, procesi i bisedimeve me Serbinë ka hyrë në një fazë përfundimtare dhe pas zbatimit të plotë të marrëveshjes së Asociacionit nga Albin Kurti, gjërat do të duken shumë më qartë.

Deri në këtë ditë jo shumë të largët, disa çështje meritojnë vëmendje të veçantë për ta vlerësuar veprimin e Qeverisë së Kosovës në komunat veriore.

Në çoroditjen e debatit publik janë dëgjuar edhe fraza të pakuptimta për të drejtat.

Fraza “shumë të drejta” është e kuptueshme veç për ata që të drejtat i masin me kilogramë.

Nuk ekziston dicka si “shumë të drejta”, nuk ka një situatë kur ka “shumë të drejta”.

Në Kosovë duhet ta kuptojnë se ndryshe nga materialet, të drejtat kur ndahen shumëzohen, nuk pakësohen.

Dhënia e të drejtave për një grup nuk është mungesë të drejtash për grupin tjetër.

Akomodimi i minoriteteve fillon me një akt bujarie, jo me kalkulime matematikore duke ndarë të drejtat me përqindje.

Kur e sheh se mungon kjo qasje, e kupton qartësisht se sa i munguar do jetë rezultati.

Si fillim, vendosja e flamujve të Republikës së Kosovës në godinat e komunave veriore nuk është ndonjë arritje historike në vetvete.

Në të vërtetë, pjesa me delikate e procesit fillon pikërisht pas këtij veprimi, i cili u bë i mundur nëpërmjet ndërhyrjes së forcave të njësive të specializuara të Policisë së Kosovës.

Njësitë që edhe njëherë treguan se përralla e shkatërrimit 20-vjeçar është vëtëm aq, përrallë e shëmtuar.

Ekzekutimet e këtyre profesionistëve, flasin për një institucion të mirëndërtuar që edhe në aksione delikate si ai në Veri ata ekzekutojnë me perfeksion në një situatë aq delikate sa një lëvizje në drejtimin e gabuar tensionin e kthen në konflikt.

Ata janë pika e vetme e bardhë në këtë histori plotë njolla.

Por, nëse ky veprim shënon rikthimin e sovranitetit atje, atëherë tërheqja e flamujve të Kosovës prej godinave të komunave veriore nuk do të thotë asgjë më pak sesa konfirmim i pamundësisë për të mbrojtur sovranitetin e vendit para një grushti rebelësh të udhëhequr nga Beogradi.

Për më shumë, derisa vetë procesi zgjedhor ishte vënë në pikëpyetje për shkak të bojkotit masiv të zgjedhjeve nga ana e qytetarëve serb, vetë Kurti dhe VV-ja e mbrojtën idenë se këto zgjedhje janë plotësisht legjitime dhe në përputhje me kuadrin kushtetues të Kosovës.

Si rrjedhojë, çfarëdo negocimi i mandatit të këtyre zgjedhjeve sipas standardeve politike dhe morale të vetë Kurtit dhe VV-së është i barasvlefshëm me negocim të sovranitetit dhe parimeve të Kushtetutës së Kosovës nën presion të kërcënimeve të Serbisë dhe vërejtjeve të bashkësisë ndërkombëtare.

Deri në mbajtje dhe arsyetim të procesit zgjedhor, Kurti ka pasur mundësinë t’i rikthehet politikës së bashkërendimit të qëndrimeve me faktorin ndërkombëtar për të zgjidhur çështjet e mbetura me Serbinë.

Pas arsyetimit të zgjedhjeve dhe vendosjes së flamujve të Republikës së Kosovës me tytat e pushkëve të Policisë Speciale të Kosovës, Albin Kurti ka vetëm një obligim kombëtar: mbrojtje deri në fund të sovranitetit të vendit dhe shtrirje të plotë të rendit institucional në krejt veriun e vendit.

Nëse do ta bëjë këtë, ka vend për të diskutuar nëse qasja e tij e njëanshme është qasja e duhur, por nuk mbetet shumë vend për të dyshuar nëse manovra e tij në Veri ka qenë thjesht një shfaqje për të shtruar terrenin politik për zbatimin e marrëveshjes pa marrë asgjë në këmbim nga Serbia.

Që kur u rrëmbye nga vesi i kompromiseve pa shije politike ndaj Serbisë e Aleksandër Vuçiç-it, Albin Kurti vazhdimisht ka ndjekur dy taktika për menaxhimin e opinionit publik.

Fillimisht, nga kauza e reciprocitetit të rrejshëm të targave deri te gjoja parakushtet për zbatim të Asociacionit, ai është përpjekur për ta krijuar përshtypjen se është duke taktizuar fuqishëm para çdo kompromisi me Serbinë.

Kësisoj, sa herë që shfaqeshin kompromiset kundër krejt proklamimeve të parimeve ndër vite, ato dukeshin jo si lëshime vetëm të një njeriu pa moral politik por si kurorëzime strategjike të një udhëheqësi vizionar dhe patriot.

Ndryshe, Kurti është kujdesur vazhdimisht që ta paraqesë Serbinë si kundërshtare dhe sabotuese të kësaj marrëveshjeje në mënyrë që të krijohet një mbresë e përgjithshme në opinionin e brendshëm se kjo marrëveshje është realisht e mirë.

Me fjalë të tjera, marrëveshja për Kosovën është e mirë sepse Serbia e konsideron të keqe.

Sado efektive të jetë në lajthitje të opinionit publik, kjo qasje nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën.

Në të vërtetë, lajthitja masive e opinionit publik ka ecur posaçërisht mirë për shkak të dështimit historik të PDK-së dhe LDK-së jo për t’i bërë opozitë Qeverisë, por për të mbrojtur politikën e duhur shtetërore përballë Serbisë: derisa Albin Kurti i dha Kosovës të mrapshtën përfundimtare që nga momenti kur e mori pozitën e kryeministrit, veçanërisht në bisedime me Serbinë duke hequr dorë nga parimi i njohjes së ndërsjellë, asnjë opozitë e vërejtshme për një gjë kaq të rëndë nuk u zhvillua në Kosove nga binomi historik LDK-PDK.

LDK-ja u mjaftua me disa vizita të Abdixhikut nëpër disa pemishte dhe biznese të vogla të Kosovës duke u bërë peng i impulseve të tij si imazh mashkulli, për t’u imponuar edhe si model estetik i Kosovës të së ardhmes.

Për të tërhequr gjoja një pjesë të elektoratit të ri, ai ra aq poshtë sa të dalë të flasë edhe për Vali Corleone-n nëpër studio televizive.

Ndërkohë Memli Krasniqi nuk arriti të bëjë as kaq: ai ka lënë PDK-në nën mëshirën e interpretimeve mediokre politike të familjarëve nga mosguximi i tij për të ushtruar detyrën e Kryetarit të Partisë. Në mungesë qëndrimesh të tyre, Kurti gëzon hapësirë të padiskutueshme për t’ia shitur si të dojë dështimin e tij historike në dialog me Serbinë – opinionit publik në Kosovë.

E, sa i përket Serbisë, ajo është e pakënaqur me procesin deri më tani sepse nuk e ka marrë ende gjënë themelore për të cilën e ka pranuar planin franko-gjerman: Asociacionin.

Publikimi i statutit për Asociacion dhe vendimi për themelim të Asociacionit janë momente kryesore të provës sa i përket sinqeritetit politik të Albin Kurtit në ndërhyrjen e tij për vendosje të autoritetit në komunat veriore të Kosovës.

Pyetja është se a do të themelohet Asociacioni me pjesëmarrje të kryetarëve shqiptarë të komunave veriore dhe po ashtu me kontributet e tyre në këtë proces sipas mandatit të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale?

Nëse po, atëherë Albin Kurti në pak ditë duhet të kursehet nga çfarëdo kritikë lidhur me këtë ndërhyrje, përjashto tensionet e kushtueshme me bashkësinë ndërkombëtare.

Nëse jo, atëherë dëmi i kësaj ndërhyrjeje do të jetë i shumëfishtë.

Dëmi i tërheqjes së përulur dhe dorëzimit të përpjekjes për shtrirje të sovranitetit para trysnisë së Serbisë.

Dëmi i negocimit të rezultateve të zgjedhjeve legjitime dhe kushtetuese për interesa politike me Serbinë.

Dëmi i përshpejtimit të procesit të zbatimit të Asociacionit pa njohje dhe me kompetenca ekzekutive.

Dëmi i prishjes së marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare në momente vendimtare të një procesi historik.

Kësisoj, pavarësisht sjelljes triumfaliste të ditëve të para pas vendosjes së flamurit nëpër godinat e bashkive veriore, pasoja e vërtetë e kësaj politike do të duket në pak ditë derisa të shpaloset projekti i fundit të dialogut.

Derisa Albin Kurti mund të përpiqet të bëjë lojëra të marrëdhënieve publike edhe në këtë situatë, një gjë është fare e qartë dhe e thjeshtë: ai nuk guxon më të tërhiqet nga procesi i shtrirjes se njëanshme të sovranitetit në gjithë territorin e njohur të Republikës së Kosovës.

Në fund fare, derisa duket qartë se bashkësia ndërkombëtare është në favor të zbatimit sa më të shpejtë të Asociacionit, duket se është kapërthyer në konfuzion të plotë sa i përket investimeve që ka bërë në Qeverinë ekzistuese të Kosovës dhe projektin e Kosovës së pavarur në përgjithësi.

Përfaqësuesi i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor deklaroi se nuk do të lejojnë dështimin e marrëveshjes për budallallëkun e askujt.

Një deklaratë kaq e trashë drejtuar udhëheqësve shtetërorë të Kosovës patjetër se kërkon disa sqarime shtesë.

Nëse sipas planit franko-gjerman, Serbia detyrohet të respektojë tërësinë territoriale të Kosovës, atëherë pse Gjermania duhet ta bëjë një reagim kaq të ashpër në funksion të operacioneve të Policisë së Kosovës për shtrirje të sovranitetit në Veri?

Vetë Gjermania duhet ta shoqërojë një kërcënim të tillë diplomatik me një sqarim publik se cili është qëndrimi i tyre karshi tërësisë territoriale dhe pavarësisë së Kosovës.

Po ashtu, pse pikërisht tani duket se budallallëku është bërë tipar dallues i sjelljeve të Kurtit, kur dihet se ai budallallëku politik ka qenë një bashkëshoqërues i tij prej dekadash.

Vetë zyrtarët e lartë amerikanë dikur e quanin, ‘palaço’.

Gjermania ka investuar fuqishëm në ngrirjen politike të këtij njeriu, peshën publike të të cilit tani nuk mund ta zvogëlojë me një deklaratë, ashtu sikundër politikën e tij qorre nuk mund ta përmirësojë pa orientime të qarta dhe qëndrime të prera politike.

Fundja, edhe pak ditë kanë mbetur deri në ditën kur Albin Kurti do bëjë përpjekje për t’i shitur veprimet e tij në Veri sikur ishte strategji e mirë-menduar për të shmangur rreziqet e Asociacionit.

Kësaj radhe megjithatë ai duket se do bie vetë viktimë e strategjisë së tij: nuk ka arsyetim për kthim mbrapa as tërheqje pas vendosjes së flamujve të Republikës së Kosovës në godinat e bashkive veriore.

Çdo sjellje tjetër është jo vetëm gabim politik, por edhe e dënueshme nga pikëpamja kombëtare.

Në jetë duhet të dish cilën urë duhet kaluar dhe cilën duhet ta djegësh.

Me gjasë, Albini ka djegur të gjitha urat.

Ai po i merr te gjitha ilaçet pa recetë.

Prandaj gjithnjë ka dëm kolateral sa herë bën një veprim.

Thjesht, nuk konsulton mjekun.

Sa i përket marrëdhënieve me ndërkombetarët, ata në radhë të parë duhet të sqarojnë qëndrimin e tyre ndaj investimit të tyre më të vonë në Kosovë, Albin Kurtit.

Nëse pas punës së përbashkët me të janë mbushur plot rezerva dhe hezitime, kjo assesi nuk do të thotë se ata duhet të mos kenë ende përgjigje në një pyetje themelore: ku janë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Republikës së Kosovës?

12 Komente

  1. L
    Lani

    A ka edhe probleme te tjera per te zgjidhur qeveria e Kosoves? Njerezit e zgjodhen per te permiresuar jetesen. A po e ben qeveria Kurti kete? Apo hajt te ngopemi me ngritje e ulje flamuri?!

    Përgjigjjuni
    1. L
      Luani

      Shteti ligjor eshte parakusht per zhvillimin ekonomik. Jane zgjedhur se pari per te luftuar korrupsionin dhe per te forcuar shtetin ligjor. Te dyja po perpiqen t’i bejne.

      Përgjigjjuni
    2. J
      Jimi

      Sipas jush, flamuri i Kosoves nese nuk duan serbet dhe nderkombetaret nuk duhet te vendoset edhe ne institucionet lokale te Mtrovices !? Na rrofshin nderkombetaret ! Keta nderkombetaret sot po e bejne si ai, qe ne nje rrebesh shiu i fali njerit nje cader qe te mbrohej prej tij dhe fill pas kesaj, sa here qe ndeshej me te i thoshte: Te mos ishte cadra ime do te ishe bere qull. dha e dha ky i ziu dhe nje dite te bukur kur u ndesh me dhurusin e cadres pasi ky ja permendi perseri i tha : Te dhjefsha mu ne cader dhe ashtu sic ishte u zhyte ne nje pellgace aty prane dhe i tha : Me shum se kaq do te isha lagur ?

      Përgjigjjuni
      1. B
        Botnori

        Zoteri, Bota te respekton kur ti respekton vetveten...

        Përgjigjjuni
        1. U
          Uuu flamuri

          Paska flamure kosova ? Une ne shkolle kam mesuar qe flamur hymne gjuhe kane vetem nacionet kombet dmth kosova qenka nation kombe interesant sa gjera nuk di po cfare gjuhe flet ky komb i krijuar nga ufot , gjuhe koqevare ?

          Përgjigjjuni
        2. ÇEKIÇI

          Albin Kurtoviç nuk ka kufi Është si kali pa fre ose si qeni kur lëshohet nga zingjiri Mashtrusi nuk ka kufi nuk ka fe nuk ka komb nuk ka ndergjegje është psikopat është faqezi dhe si bënë pershtypje asgjë

          Përgjigjjuni
          1. H
            Haka Tekizoti

            "Akomodimi i minoriteteve fillon me një akt bujarie e jo me llogaritje matematikore"... shprehet autori i shkrimit. Duket sikur teorikisht e ka goxha mirë. Por në të vërtetë nuk përputhet kund as me ndonjë parim mbi të drejtat e minoriteteve, as me ndonjë parim moral dhe as me realitetin e marrëdhënieve Serbi minoritet serb me Kosovën. Teorikisht e drejta e minoriteteve, duke qenë një e drejtë nuk mund të jetë një akt bujarie; kjo e rrëzon edhe si akt moral. Nga ana tjetër, për shkak të synimeve fashiste të Vuçiçit ndaj Kosovës, për të cilat përdor bandat serbe në veri të Kosovës, çfarëdo akti bujarie të përdoret do të refuzohet prej tyre nëse ai akt nuk është pranimi i nënshtrimit të Kosovës ndaj çismes serbe. Të gjitha interpretimet e përdredhjet e tjera teorike, gjoja logjike, gjoja largpamëse etj. janë përralla për kalamaj që u tregohen të rriturve.

            Përgjigjjuni
            1. E
              Eni

              Kufiri Batonit eshte leku...I Albinit nderi...

              Përgjigjjuni
              1. M
                Mergimtari

                Kurti ka mednjen në qiell dhee trupin në tokë dhe nuk mund të kontribuooji situatës sepse luan me mashtrime dhe kurthe kundër kombit dhe miqëve në botë.

                Përgjigjjuni
                1. P
                  Piktori

                  Perendimi I ndau shqipetaret ne 5 shtete dhe tani u kerkon shqipetareve tu marre dhe shpirtin .Per luftera neper bote si ushtar, per te strehuar iranian e mijera afgan shqiptaret jan te mire Duke u bere qefin, Jo besa e bujaria shqiotare , e dengela pambarim , shqiptaret qenkan te mire .Perendimor , po jini te sinqerte e I doni shqipetaret vertet , bashkojini te tere ne nje shtet , e keshtu do ju besojme , po skeni as vullnet e as mundesi , pra perfundimisht si themi ne , skeni BYTHE . Mos I nxehni shqipetaret se sdihet cndodh .Kur sju beni dot mire , mos ju beni keq .Te pakten ne kete roast qendrimi I Albinit ka perkrahje mbare shqipetare

                  Përgjigjjuni
                  1. t
                    tetovari2

                    Baton ti me siguri e di atë batutë kur i thotë ai pederasti,më falni lgbt-ja shokut të vet wë kishin ra pre e një fisi kanibal ku kreu i fisit u thotë pasi e njoh kryetarin tuaj nuk do tu ha por vetëm do tu q....! Shoku tjetër kundërshton,ndërsa ky pederasti i thotë shokut:TI MOS U PËRZIEJ NË PUNËT E "POGLLAVICËS"(UDHËEQËSIT TË FISIT).Prandaj dhe ti Baton mos u përziej në punët e pogllavicës (Albinit).

                    Përgjigjjuni
                    1. B
                      Bâton ( fr ) ne shqip shkop

                      Paska flamur koqevaria ? Mos beni humore me Bibinin e vetefundosjes se e kemi patriot beri bashkim kombetar erdhi per te rrezuar Ramen e pa preçedent Bibini eshte nje perzierje budalla dhe i keq del nje kokteil i rrezikshem . Nese neser krahina e laberise myzeqese ja jep truri veteshpallen shtete hopaaaa nje lecke si flamure . Ruset ne Ukraine ku jane 20 milione nuk paskan te drejte as te vetshpallen e as te bashkohen me token ame ndersa 1 milione Shqiptare banore te Serbise paskan te drejte te vetshpalen se do Amerika haaa ku po shkon kjo bote . Serbet qenkan kombe i degjeneruar qe as token e vete nuk mbrojne dot. Dy fjale per koqevarin Bâton Haxhiu shoku Fevziut na ka premtuar qe do ti japi doren non grates po deri tani akoma po presim nese sic thone gojet e liga ka ka luar me Bashen se e filloje bythlepirjen me Berrishen Spiunin I.M Ramen tani me Bashen se Erion Veliaj nuk e afrone as te shkallet e bashkise

                      Përgjigjjuni

                      Lini një Përgjigje