
Nga Gelanda Shkurtaj
Sokrati u vra nga athinasit sepse mësonte të rinjtë të arsyetonin pa u ndikuar politikisht. Giordano Bruno u dogj i gjallë nga inkuizicioni romak, i stigmatizur si heretik ndaj doktrinave të kishës. Ndërkohë, Thomas More u sakrifikua për mosnjohjen e Henrikut të VIII-të si kryetar të Kishës angleze. Shtetet në përpjekjen e tyre sekulariste, nuk i vranë më intelektualët për herezi, por për mosnënshtrim politik, domethënë ndryshuan kahjen e pushtetit. Kështu, klerikun erudit Shtjefën Gjeçovi e vranë serbët, politikanin Hasan Prishtina e vranë në Selanik poaq për bindje, për të ardhur në kohët moderne tek Toto, Kokalari, Kasimati, Blloshmi e për të gjetur të njëjtën vulë vrastare. Rrugëtimi historik mëson se dija vritet nga pushteti, qoftë politik apo ai fetar, me qëllimin e vetëm për ta kontrolluar atë. Koha mbi tokë, njeh një tjetër betejë humbëse të njeriut, atë të instiktit shtazor për dominimin fizik, ku ai nxjerrë muskujt, dhëmbët, bombat dhe raketat për të vrarë veten. E të mendosh që sapiensi (i dituri) është forma më e lartë e zinxhirit evolutiv të species sonë, të paktën derimë tani.
Në kohët moderne pushteti politik, në të njëjtën luftë ka sofistikuar vetëm mjetet, aspak qëllimin për ta kontrolluar dijen. Prifti erudit, Erasmus, kurrë nuk do të imagjinonte se emri i tij sot, do të përkufizonte një ndër programet më të mëdha të shkëmbimit në Europë, i cili i kthyer në një “turizëm akademik” ka bërë gjithçka, përveçse përmbushjen e misionit për të çuar dijen përpara. Politikat globaliste në arsim, kanë krijuar një panoramë të njëjtë gati në të gjithë kontinentin e ku, edhe trashëgimia shekullore e dijes, duket se po ruhet me fanatizëm vetëm në Europën jo-kontinentale. Detyrimi për të publikuar në të njëjtat revista akademike dhe të kontrolluara nga i njëjti burim, unifikimi i dëmshëm i curriculave (programeve shkollore), qarkullimi i kapitalit intelektual duke humbur markën e autenticitetit, janë disa prej tyre. Kthimi i muzikës dhe i fiskulturës në Universitet, ku një matematicien do të quhet poaq profesor sa profesori i gajdes, sparkatës apo shtangës, sfazojnë edhe fantazinë më inkurajuese.
Arsimi dhe edukimi në Shqipëri
E ndarë tanimë historia moderne e Shqipërisë, para dhe pas komunizmit, vlen një reflektim i përkorë mbi atë çfarë kishim, ku jemi dhe çfarë do të bëjmë. Duke u zhveshur nga çdolloj qëllimi dhe qëndrimi politik, arsimi i para ‘90-ës, investoi një seriozitet në programet shkollore, të cilit nuk i është rikthyer asnjë model tjetër. Me ndryshimet politike, të gjitha reformat të trumpetuara majtas apo djathtas në sistemin arsimor kanë përfunduar në dy rezultate: pedagogji të dështuar dhe nxënës të pa-nxënë. Mund të analizohen një gamë faktorësh, duke nisur që nga spastrimet dhe emërimet politike e duke shkuar deri tek nivelet e mësimdhënies, curriculat, hapjen e shkollave private e shumë të tjera. Përmenden gjithaq: cilësia, infrastruktura, meritokracia, korrupsioni, plagjarizmi, por të gjitha argumentet, tingëllojnë si simpoziumi i një OJF-je me paratë e BE-së, ku në përfundim të gjithë pasi kanë ngrënë dhe pirë, kanë marrë një çertifikatë dhe mirupafshim.
Sado i analizuar secili argument, çështjet duken të futura në një rreth vicioz, ku përse-ja nuk gjen terren e ku kapja e fillit bëhet shumë e vështirë. Kësisoj, analiza shkon tek e vetmja e dhënë objektive: ndërprerja me thikë e një tradite, ku asnjëherë nuk ka marrë përgjigje racionale pyetja përse e abandonuam trashëgiminë shkollore?. Mos nuk shkonin mirë tekstet apo mësuesit? Për mos t’u bërë më katolikë se Papa, se qëllimi ishte spastrimi doktrinës, që as këtë nuk e bëmë në tekstet historike, rrugët e arsyetimit të çojnë të gjitha tek ndryshimi i formës për të mbërritur tek thelbi: paraja (!). Përse u zëvendësuan tekstet shkollore që nxorrën plejada intelektualësh, me programe që barazojnë studentin e fakultetit me nxënësin e klasës së pestë? Afërmendsh përgjigja shkon te mënyra operative ku në emër të inovacionit, ose u bënë libra të rinj aspak profesional, ose u kopjuan tekste të huaja dhe u botuan në shtëpi të preferuara botuese.
Nëse ishte cilësia e mësimdhënies, edhe këtu tradita shqiptare njohu një përshkallëzim të ecurisë, sa koherente aq edhe funksionale. Nuk kishte absurde ku nxënësi i tetës në gjimnaz të dilte me dhjeta në fakultet e aq më keq nga pesa e gjimnazit të shkohej te dhjeta e fakultetit, siç rëndom po ndodh sot. Degët e fakultetit të shkencave të natyrës, po rrezikojnë mbylljen përfundimtare, pasi nuk kanë më rregjistrime. Shqipëria do të kthehet në arsimin e ‘45-ës, ku kërkesa për mësues do bëj që gjithkush jashtë profesionit, të jap mësim. Kjo ngjan me emërimet e komisarëve politikë në ushtri, ku strategët muratorë mësonin ushtarakët e karrierës. “Shpullën” apo ballafaqim e dijes së marrë në arsimin e mesëm, në një vend normal, do ta jepte cikli më i lartë studimor, ose universiteti.
Universitetet si prodhuesit dhe mburojat e mosdijes
Mbërritja në universitet përfaqësonte momentin kulmor të ëndrrës dhe hapin e parë drejt jetës profesionale. Perzgjedhja kishte një kriter dhe ai quhej vlerësimi akademik. Ndarjen e kufirit e kushtëzonin dy faktorë: së pari cilësia e pregatitjes, së dyti mbajtja hapur e tregut të punës. Kjo ndarje llogjike, që përkon edhe me tregun ndërkombëtar, do të thotë se universiteti nuk është e vetmja alternativë, por një dëshirë e atyre që duan ose jetën akademike, ose ato profesione që kërkojnë domosdoshmërisht kalimin nëpërmjet tij. Bashkëekzistenca e disa faktorëve njëkohësisht: mungesa e tregut të punës, hapja e universiteteve private (pa i përgjithësuar), lehtësimi i marrjes së titujve dhe gradave shkencore, si edhe shpërblimi i diferencuar i titujve në administratë publike, bënë që prej të paktën dy dekadave arsimi dhe edukimi të ketë marrë pikjatën pa kthim drejt fundit. Mospasja e punës, në njëfarë mënyre favorizoi mbushjen e universiteteve publike dhe private, ku shumë të rinj, të padëshiruar për të vijuar studimet, por poaq të pamundur për të punuar, të vihen përballë alternativës “boll të kem një diplomë në xhep”.
Kujtoj vite më parë, një student në dërrasë të zezë nuk dinte të shkruante zero-t pas shifrës tre milionë. Pyetjes se përse kishte ardhur në universitet iu përgjigj tekstualisht: “m’ka thon plaku sa t'rrish n’shpi mo mir shko n’universitet”. Hapja e universiteteve private në format tregtare “fitimprurëse” ishte një gozhdë tjetër në arkivolin e arsimit. Jo më kot universitetet më prestigjoze në botë, formulën private e kanë nën logon “jo-fitim prurëse”, që do të thotë se fitimet investohen po prap brenda universitetit në kapacitete dhe burime, dhe jo duke i çuar ato në xhepat e ortakëve themelues të tij. Diferencimi i pagave në administratë sipas titullit, gjë e cila në risi’ nuk kishte asnjë të keqe, në mentalitetin shqiptar u përkthye në një maratonë kush të merrte dyzetëmijë lekë më shumë. Te përkrahur nga ato universitetet private ku legjendat flasin edhe për gjashtëqind doktoratura të lëshuara në një ditë, arsimi nuk mund të mos marrë vulën e turpit, si ura për ngritjen e injorancës në kult.
Shqipëria dhe universitet ndërkombëtare
Në qerthullin e debatit, qëndrojnë titujt dhe profesorati, që si askurrë në historinë e Shqipërisë, fjala pedagog nuk ka mbartur mosbesim dhe krenari boshe njëkohësisht. Lehtësimi apo blerja e titujve akademikë është kangrena që do të kërkojë dekada të largohet nga trupi i arsimit. Ngelur tek tradita se ky profesion meritohej nga më të lexuarit, të gjendur në kohën kur tekste universitare nuk kishte, të favorizuar nga konteksti i mbingarkimit të universiteteve për arsyet më lart, çoi në një kërkesë edhe për rritjen e profesoratit. Problemi që pasoi ishte se kush e përfaqësoi këtë profesorat. Koha tregoi një eksponenicale të këtij numri, por arsyet se përse një ditë krejt papritur në Shqipëri, cilido u kap tek moda e profesoratit, do vinin në vështirësi çdo antropolog. Me shumë gjasë dhe hamendësim qëllimi fle te ambicia shqiptare për dukje dhe ofiqe. Tek e fundit çfarë do kushtonte që pas vilës në rroling-hills, makinës më të fundit, orës gjithashtu, pak dinjitet në lagje, facebook dhe shoqëri, do e rriste vetëm emri i munguar si pedagogë. Letra e lakmuesit që ndan profesorin idealist të dijes nga pragmatisti megalloman, shënon po ato, paranë dhe boshllëkun.
Krijimi i alternativave të punësimit tashmë me projekte të subvencionuara apo biznese të vetëfinancuara; ngritja e kritereve sidomos të moshës dhe karrierës profesionale për marrjen e titujve akademikë; përcaktimi me ligj i universiteteve privatë nën formulën ”jo fitim prurëse”; heqja e diferencimit në pagë për administratën publike sipas titujve shkencorë; si dhe rishikimi i programeve studimore nga klasa e parë tek universiteti, qoftë edhe duke kthyer kokë pas, janë disa nga faktorët që mund të japin pak dritë brenda tunelit të errët të arsimit. Ndërkohë përsa i përket alternativës së universiteteve ndërkombëtare në Shqipëri, në kohën kur asnjë gjë nuk bën përshtypje, dhe ku, suaza e globalizmit ka ulur shumë barriera parimore dhe shkencore, nuk do të ishte e pamundur që një syresh i tillë, ta shihnim një ditë edhe në Shipëri. Problemi është nëse Shqipëria efektivisht pëmbush kushtet akademike dhe kriteret shkencore për të huajt, e këtu spekullimi vjen natyrshëm tek emërtimi. Ndofta mballoma “Universiteti i punëve të kota” nuk do njihte, pa as më të voglin dyshim, krizën e regjistrimeve.
Kjo eshte kriza e vertete e shoqerise sone. faleminderit per analizen zonje
E vërtetë të lumtë????????
Duhet nje SPAK edhe per arsimin.
Ne krye te prodhimit te titujve fictive, por me efekte ne page dhe dem ekonomik ne buxhet) eshte Profesoreshka Valentina Duka.
Nje ze i fuqishem analitik per gjendjen e arsimit sot, qe shpreh nje shqetesim te karakterit kombetar dhe shtron kerkesen urgjente per ndryshim. E vleresoj studjuesen dhe e injkurajoj per pune te perbashket me te tjere nga brezi i saj aktiv e kompetent, qe nuk jane te pakte ne shoqerine tone.
E h moj zonjë i ke vënë pikën një problemi shumë të mprehtë sot dhe për tridhjetvjet të shkuara .Arsimi në vëndin tonë ka ngel prapa dhe nuk ju paraprin zhvillimeve të vëndit ashtu siç ndodh në botë . Në këto 34 vjet tërë zinxhiri jetësor i zhvillimit arsimor kulturor ekonomik shëndetësor infrastrukturor etj ka njohur ngritje .. Por jo në pritëshmëritë që popoulli priste . Ju i referoheni njërës nga shtyllat të zhvillimit të një shoqërie ,pra arsimit të të gjithë niveleve .Dhe analiza që i bën ,kompetenca profesionale guximi për ti thënë troç të vërtetat e mangësive të arsimit në Shqipëri të bën tëtë respektosh dhe të të lexosh në se e do të vërtetën në pjatë . Më bën përshtypje që ju e krahasoni arsimin e para1990 me gjëndjen e pas 90-tës. E rrallë për të mos e thënë e vetme që ke kurajo dhe guxon intelektualisht të flasësh me gjuhën e të vërtetës për gjëndjen krahasimisht me të kaluarën të arsimit tonë Ska burrë nënë tëtë kundërshtojë .Është një kapërxim pa nivel nga e kaluara në të tashmemen për arësimin në dëm të cilësië .Shkolla jonë në të kaluarën ka patur një vëmëndje të skajshme dhe të admirueshm për gjërësinë ,profesionet ,masivizimi ,shtrirja deri në fshatrat mëtë thella ,kontrolli i cilësis për tekstet me përvojën e vendeve perndimore dhe ruse .Ska dhe smund të thuash një fjalë të keqe për nivelin e shkolles ruse .Një plejadë e madhe për 20 vjet e profesoratit ,shkencetarëve ,gjuhëtarëve ,profesorëve të artit ,letërsisë, kulturës ,ekonomisë,shëndetësisë të ushtisë etj etj kanë studiuar jashtë dhe ja kush është rezultati i arsimit të para 90 -ës ku niveli i kuadrove ka qënë i pa krahasueshëm Po sot ??? E ke thënë vetë e nderuara profesoreshë dhe ska të krahasuar .Tani do të krahasohen me Diellën e Ramës se për nivel s'mund të pretendosh për shkak të atyre problemeve që ju i trajtoni me kompetencë shkencore dhe intelektuale Ska vënd për të të akuzuar për nostalgji ,kur po flet me gjuhën e realitetit me gjëndjen e arsimit sot . Arësimi sot nuk i paraprin zhvillimit . Edhe shumë djem e vajza që studiojnë jashtë nuk kthehen në Shqipëri sepse nuk e gjejnë veten dhe kjo e rëndon nivelin arsimor sepse truri po ikën jashtë dhe këtu ngelen ata që e kanë marë diplomën sa për diplomë , Sa për nivelin e teksteve është për të vënë duart në kokë dhe të ulërish Janë kthyer me kokë poshtë tekstet e historisë të gjegrafisë të shkecave filozofike duke i hequr thelbin këtyre teksteve . E çfarë thuash????!!!!
Redaksi! Para se te na lodhni me leksione ne nje vend pa' shtet e pa Zot po mbi te gjitha pa POPULl,PSE nuk botoni deftesat e shkolles filloren,8 Vjecare e shkolles se mesme( Poqese i Ka bere,kryer..) te mender nje K/M....me profesion bojaxhi...dhe i beni nderin me te madhe informacioni!?
Shyqyr ky vend paska ende njerez qe percjellin vlera, si kjo zonja qe ka shkruar kete analize.