Kur të mbarojnë poltronat

15 Gusht 2022, 17:48Blog Nga Skënder Minxhozi

Kur të mbarojnë poltronat

Një nga mitet më të qëndrueshme të 30 viteve të fundit në Shqipëri, thotë se Ilir Meta si lider partie, si shtetar dhe si politikan në përgjithësi, ka pasur dhe ka një sens të lindur orientimi dhe nuhatjeje që nuk e zotërojnë shumë të tjerë të shkallës, nivelit dhe jetëgjatësisë së tij në krye të punëve të vendit. Meta bën gjithnjë gjënë e drejtë, ai është disa lëvizje para kundërshtarëve të tij, duke qenë pragamtist i lindur, i zoti për të bërë kompromise dhe për të ndarë pazare sipër apo poshtë tavolinës së politikës. Ja del aty ku të gjithë dështojnë…

Ky mit është ushqyer me dekada në media dhe ambjentet politike, duke u bërë më insistues dhe i përhapur sidomos pas çarjes PS-LSI në vitin 2004. Paradoksalisht ai moment, që në fakt ishte një gafë e madhe e historike e vetë Metës dhe pasuesve të tij, shihet gjerësisht si një akt mençurie dhe nuhatjeje politike që i hapi rrugën një profili politik ‘edhe më të fortë e vendimtar në skakierën shqiptare’.

Ndodhemi përballë rastit klasik kur të dish të amballazhosh një mall, do të thotë ta shesësh atë shpejt dhe mirë. Nëse duke u përplasur me Nanon në vitet ’90 dhe kapërcyellin e shekullit të ri, Ilir Meta kishte krijuar ‘kishën’ e tij të përkrahësve në PS dhe ishte afishuar si i vetmi rival i liderit historik socialist, me ikjen nga partia në vitin 2004 e krijimin e LSI, Ilir Meta shënoi në mënyrë të pakthyeshme një etapë politike personale, për të cilën ka 18 vjet që pendohet në distancë dhe në heshtje. Iku nga e vetmja parti që e bëri kryeministër!

Ilir Meta e ndërroi partinë më të madhe politike të Shqipërisë me një ‘derivat’, sado të rëndësishëm në ekuilibrat e mëvonshëm elektorale. Në këtë mënyrë ai ia dorëzoi praktikisht PS në një pjatë porcelani Bohemie, rivalit të tij më të ri, kreut të bashkisë Edi Rama.

Ka qenë një hap i pamatur vetëm dhjetë muaj para zgjedhjeve të vitit 2005, ku Nano humbi dhe iku një herë e mirë nga kreu i partisë. Kujt më shumë se Metës do t’i takonte normalisht të bëhej kryetar i PS?! Fakti që ai preferoi një ‘garsoniere’ në vend të një vile me pishinë, flet shumë për karakterin e tij impulsiv dhe pak të fokusuar tek kalkulimet dhe strategjia. I cili megjithatë shihej publikisht si një person i kalkuluar dhe i tërhequr.

Edhe vitet që pasuan, gjatë të cilave Meta kapërceu ylberin për t’u bashkuar me Sali-Gërdecin, siç e kishte quajtur ai vetë Berishën, shënuan modifikimin e LSI në një parti interesash, gjithnjë e më larg vendndodhjes së saj fillestare ideologjike. Dikush mund të thotë se kjo është diçka e mirë pasi solli pushtetin pa u lodhur, duke harruar se serbatori i votave ku mund të peshkonte më kollaj Ilir Meta ndodhej, siç e treguan vitet e mëvonshme, majtas e jo djathtas. Gjatë atyre viteve Ilir Meta u bë me hir a me pahir aksioner i një trashëngimie të rëndë të Sali Berishës, pikërisht gjatë mandatit të tij të dytë qeverisës, më të vështirit dhe më të komplikuarit. 21 janari është shembulli më i spikatur i faturës së padukshme që ju desh të paguante Metës dhe partisë së tij.

Në dekadën e fundit, që kulmoi me ribashkimin me PS, falë pragmatizmit moralisht të shëmtuar të Edi Ramës, Ilir Meta ka treguar në shumë raste se i beson më shumë instiktit, impulseve emocionale dhe shpërthimeve të humorit, më shumë sesa planifikimit të qetë dhe pas perdeve. I influencuar si pakkush në piramidën e lartë politike nga historitë konspirative, thashethemet e fjalët pas veshit, ai do të shpërthente gjithnjë e më shpesh publikisht, duke krijuar dyshime serioze për aftësinë vetëfrenuese që e karakterizonte dikur në rininë e tij politike.

Reforma në drejtësi dhe përplasja me Fatmir Xhafajn shënoi jo vetëm modifikimin e shprehjes së tij njohur, në “me qetësi dhe pa dashuri”, por e futi Metën edhe në një kurs të ri përplasjeje me Ramën dhe PS, një rrethanë që e çoi kreun e LSI në sjellje publike disa herë të pakontrollueshme.

Paradoksi e solli që hyrja në Presidencë në vitin 2017, një institucion ku vetëpërmbajtja dhe ekuilibri janë veglat e përditshme të punës, shënoi edhe fazën më inkandeshente të politikanit Meta. Presidenti i sapo-dalë nga zyra ka lënë pas disa gjeste, dekarata dhe sherre që me shumë gjasë do të dojë shumë kohë që t’i shohim të përsëriten në atë institucion. Ka shkuar vetë me dosje nën sqetull që të padisë qeverinë në Gjykatën Kushtetuese, ka hedhur rregullisht benzinë në zjarrin e partive, në favor të njërës palë e kundër palës tjetër, ka dalë me makinë nëpër qytete në prag të zgjedhjeve ‘për të kapur ata që blejnë vota’. Presidenti Meta ka guxuar të shkelë me të dyja këmbët Kushtetutën, duke shkelur afatet e miratimit të dekreteve të ministrave, e duke refuzuar disa prej tyre. Ai e ka quajtur qeverinë që vetë e kishte dekretuar më parë “grup të organizuar kriminal”. Në adresë të ndërkombëtarëve Meta ka qenë po aq i paparashikueshëm e emotiv, duke e hedhur kostumin e kreut të shtetit në Lanë. Ka ftuar amerikanët ta vrasin me raketa te Mali me Gropa (o Zot çfarë makabriteti!), ka shpallur non grata në Presidencë ambasadorë të huaj, apo ka cilësuar me epitete rruge të tjerë akoma. E kush e harron kacafytjen e kryetarit tonë të shtetit në selinë e një partie të vogël, me policët që ruanin derën?!

Ilir Meta i pas vitit 2016, kur u miratua reforma në drejtësi, është një qenie krejt e ndryshme politike. Kush thotë se ai i mendon ato që thotë dhe ato që bën, le të marrë vetëm deklaratat e Partisë së Lirisë të 24 orëve të fundit. Politikani i dikurshëm që dëgjonte dhe shpesh herë edhe nuk fliste pasi kishte dëgjuar, por bënte vetëm një gjest kalimtar, tashmë nuk egziston më. Ilir Meta i versionit 2.0 është një element kimik krejt i paqëndrueshëm, një personalitet politik agresiv dhe i paparashikueshëm, një temperament shpërthyes dhe pa caqe.

Evolucioni i personazhit Meta në 30 vitet e fundit është ai i politikanit që ka shterrur idetë, ka konsumuar imazhin, ka kryer shtegëtimin nëpër të gjithë spektrin politik duke u prishur e përqafuar me të gjithë, e më në fund gjendet në skajin e karrierës së tij politike, në kërkim të një finaleje dinjitoze. Ndoshta mendon se e ka gjetur tek kandidimi i përfolur për bashkinë e Tiranës. Edhe kjo një shenjë se i ka mbaruar poltronat e disponueshëm në këtë shtet e po kërkon të rishpikë veten mbi kalin e politikës shqiptare.

6 Komente

  1. B
    Bureto

    Minxhoz, po si nuk mendon njehere per veten a derebardhe. Po harxhohet gjithe ajo energji, kohe dhe leter per te shkruar kete çarçaf, në te cilin nuk ka asgje te re e te paditur per te mesuar. Gjithmone e them kete per ata qe do ta lexojne ate dhe qe mendoj se nuk do jene te shumte. Sepse nuk kane aq shume kohe te merren e te lexojne per nje njeri te quajtur Ilir Meta apo Ilir Metaj, sikur po ne fanepset sot para syve me kete shkrim. Ilir Meta ka mbaruar perfundimisht. Eshte kartee djegur pikerisht per tere ato mekate qe ka ne shpine. Ajo qe te dhem eshte se si nuk mesojme ne kur ne krye te shtetit, qeverise dhe Kuvendit te perfaqesohemi nga nje shemtire e tille. Po pervec kesaj do te jete nje njolle e pashlyer edhe per historine politike te Shqiperise, histori me te cilen do te edukohen edhe brezat e ardhshme. Nuk mjaftoi qe njohen Enver Hoxhen, Sali Berishen por do t'u duhet te mesojne edhe per kete injorant, i pa kulture, hajdut, dhe se fundi edhe spiun. Medet ç'e ka gjet kete vend dhe Minxoozi ne vend qe ta harrojme na i servir si gjelle e prishur në menune e dites. Minxhoz, por dhe gjithe kolegeve tuaj te moderuar ne sferen mediatike, do t'u kerkoja me shume perulje qe, figura si Ilir Meta apo Sali Berisha duhen injoruar. ka plot mdeie, dhe rrjete sociale ku bashibozuket e tyre por edhe ata vete te shfaqin shemtimin e tyre. Ju lutemi mos ia bene kete te keqe shqiptareve te ndershem. Boll, se jane shume te lodhur e te frustruar. Pak jane 77 vjet? (1945-2022)

    Përgjigjjuni
    1. s
      shqiptar

      Thjeshte mund te kishe shkruar. Ilir Meta eshte nje rrot cari,hajdut pa karakter e moral

      Përgjigjjuni
      1. A
        Arber iliri

        Analiza te medha per njerez te vegjel.Berisha e Meta nuk jane as lidere e as burra shteti, kane shkaterruar progresin e Shqiperise ne menyre te tmershme,ju kane futur ne vorbullen e tyre budallenj e te mencur e merreni me ta.Vazhdojne te budallallepsin mijra vete ala duke bere dem akoma.Shqiperise i duhet nje opozite moderne,europiane dhe profesionale.Saliu e Meta as u afrohen ketyre standarteve.

        Përgjigjjuni
        1. P
          Popull pragmatist,pa te ardhme

          Minxhozi pse nuk permend dhe ate qe Meta ka qene i pari qe ka filluar korrupsionin ne Shqiperi.Ne se te kujtohet si drejtues i eurosocialisteve delegacionin qe merte me vete nderronte personat kundrejt 1000 dollareve.Dhe Meta kthehej i vetem ne Shqiperi.E ka gjuajtur lekun qe ne 1992.E ka patur ne gjak korrupsionin.Mos beni sikur nuk e dini.Eshte nismetari i korrupsionit postdiktatorial.Por sic thote populli oreksi vjen duke ngrene dhe ato shifra me vone i jane dukur si qesharake.Tani ndjek rrugen dhe kodet e kryemafiozeve se ka para dhe mund te tremb kedo ,se eshte ne gjendje te paguaj killera me cdo lloj cmimi.

          Përgjigjjuni
          1. I
            I drejti

            Minxhoz!Ju analistet merreni shume me Ilir Meten nje hajdut ordiner ,rrugac josimpatik dhe spiun .Ne nje vend normal ky loqja do ishte llogaritar ne ndonje zyre bashkie dhe i pamartuar.

            Përgjigjjuni
            1. B
              Baftjari

              O Bureto,dhe ti shume qenke lodhur,duke bere koment,per komentin,me pak fjale,Ilir Metaj,a Meta,eshte nje pordhe syfyri,qe e federoi shpejt Sig.Shtetit,e trodhi rezidenti Sali,me ane te Gazidedes,dhe e mori ne mbrojtje xha Suloja,me ca Sulo te tjere per interesa te tyre,dhe tani qe Ed Rama,dhe PS-ja,e ngriten ne majen me te larte,po nuk i thane,se sa me lart te jesh,e te rrezohesh,coptohesh,tani eshte kthyer ne nje krunde,qe fundi i tij do jete te Pesa,Kohe e humbur te meresh me kete ordinier Haxhi Qamilist i 2022-shit

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje