Luftë idealesh, apo luftë pritshmërishë të njëjta ?!

13 Janar 2023, 16:53Blog Nga Magdalena Ramohito

 

Luftë idealesh, apo luftë pritshmërishë të njëjta

Para disa ditësh, kam lexuar një shkrim të një miku tim në fb, një shkrim tejet i ekuilibruar, duke thënë të vërtetën e tij, por pa lënduar askënd. Jam me fat, që jam pjesë e miqësisë së tij, pasi e kam pasur gjithmonë të vështirë të përfshihem në grupime njerëzish, për shkak të natyrës time solitare, prandaj edhe kam zgjedhur, që të kontribuoj si një pikë uji në oqeanin e madh të njerëzve, që duan të t’a bëjnë botën një vend më të mirë nëpërmjet shkrimit dhe jo përballjes sy për sy.

Aty lashë edhe unë një koment, ndërsa një person, i cili në lirinë e tij (besoj fort se, liria e fjalës duhet të karakterizohet nga pjekuria), me sa duket nuk e pëlqeu, por më çuditi se si kishte gërmuar mbi profilin tim (njësoj si në diktaturë) dhe më bëri të ditur se sipas tij, se sipas mbiemrit që mbaj, duhet të jem një pinjolle e komunizmit. Unë nuk debatoj, nëpër rrjete sociale, por bëj ndonjë koment sipas rastit.

Mënyra se si njerëz, që nuk e di nga sponsorizohen, nëpër portale edhe blogje të ndryshme, por edhe nëpër TV kombëtare dhe politikanë e evokojnë ‘luftën e klasave’ të kohës së diktaturës, në një kontekst krejt tjetër, ku pretendohet pluralizëm dhe demokraci, më bën të reagoj sipas mënyrës sime.

Pas 80 vjetësh, njerëzit mund të ndryshojnë ide dhe qëndrime (kjo nuk përbën arësye për t’u çuditur),  por ama mbi tavolinë duhet të jetë MORALI.

Unë, bashkë me të tjerë të brezit përpara viteve ‘90 në shkollë, kemi mësuar Historinë e Partisë Komuniste, por unë kam të drejtën time t’a them se, aty brenda midis të vërtetave kishte edhe manipulime indoktrinuese. Kur dëgjoj ose lexoj, në rrjetet sociale, njerëz, të cilët prezantohen si persona me kontribute në kohën e diktaturës, që unë personalisht i kuptoj, jam shumë e ndërgjegjshme se bindja e tyre politike nuk buron nga prejardhja familjare, pra nuk vijnë nga prindër, që kanë  luftuar realisht për ideale, por janë mirënjohës për gjërat, që kanë përfituar në atë kohë dhe i respektoj ata.  Mënyra se si njëri krah shan tjetrin me nofkën ‘Ballist’ ose krahu tjetër, që në të shumtën e rasteve vijnë nga familje të thjeshta të pa përzier me ideale të luftës (90% e popullit në atë kohë e përkrahu komunizmin deri në fund) shajnë  kundërshtarët me nofkën ‘komunist’ më shqetëson.

Unë jam e prirur të mos hedh ujë në tokë të lagur,  sikurse as nuk hedh farë në tokë të thatë.

Po ja! Unë babain tim Xhevi Havari nga Dukati e mbaj si etalon të drejtësisë dhe kështu e kanë mbajtur pak njerëz, sepse ai më ka thënë vetëm gjërat, që ka parë dhe dëgjuar vetë në kohën e luftës dhe është treguar shumë i sinqertë me mua duke shprehur edhe simpati për fitimtarët, për habinë time! Ai ka qenë nga ata burra, që “armikun” e ka respektuar për të mirat, që kishte dhe nuk ka qenë dakord, për ato, që janë bërë gabim sipas tij. Unë vij nga një familje numeroze, por kam qenë fëmija që kam jetuar më shumë në familje me prindërit dhe sigurisht marrëdhënien me babain tim e kam pasur më  të fortë dhe besoj se kam qenë fëmija, me të cilin ai është treguar tërësisht  i ndershëm, por mbas çdo bisede, më porosiste: Mos i bisedo me njeri, sepse kur e vërteta është në kufijtë e mosbesimit për njerëzit e indoktrinuar do të të konsiderojnë gënjeshtare edhe unë do i ruaj kufijtë e tij. Në gjashtë muajt e fundit të jetës në shtrat, unë kam biseduar me të gjithë ditën, ditë për ditë me këmbët të mbështetura te shtrati i tij dhe në të dy kërcinjë m’u bënë dy vija të thella, aq sa mendova se do më mbeteshin përherë. Fjala e fundit e tij ishte: Më hëngri lufta e klasave! Nuk kam qenë asnjë ditë ballist!!!!

Në bisedat me të kam mësuar, se ai e simpatizonte Mit’hat Frashërin si një Intelektual, patriot dhe pinjoll i familjes Frashëri, por edhe i ndikuar nga xhaxhai i tij, i cili ka qenë një fanolist, madje i interrnuar nga Mbreti Zog në Fan të Mirditës. Ndërsa Kryetari i lëvizjes nacionaliste, Mit’hat Frashëri ishte një person i njohur mbarë kombëtar, në lëvizjen guerrilase (e cila u njoh edhe nga SHBA), nuk kishte një Kryetar të njohur publikisht, madje edhe formacionet partizane u njohën me Enver Hoxhën si Komandat i Luftës Nacional Çlirimtare nëpërmjet një fotoje që u shpërnda në fund të  1944.

Sidoqoftë, fshati Dukat ishte një fshat i pasur për shumë arësye dhe me fjalë të thjeshta, komunizmi u shpjegohej si psh: “ata” (komunistët) të lenë në pronësi nje pulë, me strufe për këmbe” dhe kjo ishte e frikshme.  Një fshatar i thjeshtë pyeste në një bisedë mes burrash pa idera: “more çfarë është komunizmi” ?, dhe tjetri, nje çoban dhishë ja priste: “po ja a derëzi, është si të t’i bëjë hekurat (prangat’) Çerçiz Veliu (kovaçi i fshatit) edhe të t’i hedhë xhandari (nuk më kujtohet emri i tij)”.

Kaq dinin fshatarët e fshatit nacionalist Dukat, deri kur Mehmet Shehu me ushtrinë partizane i sulmoi një natë në gjumë, për të vendosur forcërisht Këshillin Nacional Çlirimtar dhe dukatasit luftuan nga dritaret e tyre. Im atë atë natë ka qenë në Hotel “Dukat” në Vlorë dhe më ka thënë me shumë keqardhje- “u vranë djem nënash shqiptarë....”.

Më ka thënë se në Operacionin e Dimrit 1943-44, ai ka strehur motrën e tij partizane familjarisht, edhe në Operacionin e Qershorin e 44. Më ka thënë se ka strehuar gjithashtu kushërirën e tij të parë guerrilase, e cila ishte në listën e personave që kërkoheshin nga gjermanet, por në Dukat janë strehuar edhe shumë familje partizane nga Tragjasi, por edhe nga fshatra të tjerë të quajtur komunist, që kishin miqësi në Dukat. Pra në kohën e luftës nuk kishte armiqësi  Ballist-Komunist.

Ka pasur sigurisht Organizatë të Ballit Kombëtar në Dukat me Komandant Maliq Koshenën. Kjo organizatë ka marrë pjesë në Luftën e Gjormit, madje i  kërkuan edhe tim eti të merrte pjesë, por ai nuk pranoi.  Ai më ka thënë se kjo ishte shenjë e fillimit të luftës për pushtet dhe nga ky moment Balli Kombëtar i ngjante vërtet një “shporte karavidhesh”. Ndërsa për Mit’hat Frashërin më ka thënë  tekstualisht: “asgjë nuk e justifikon atë, ai u tregua një BASTARD”. Kjo është e vërteta e tij.

Sipas ligjeve të kohës, im atë kish kryer ushtrinë nën Italinë dhe këtë gjë nuk e kam shumë të qartë (nuk dua të gënjej), por tim atë e kanë mobilizuar në Ushtrinë Nacional Çlirimtare dhe ai u bë i pakënaqur, sepse po kryente shërbimin ushtarak dy herë. Gjithsesi ai u rrjeshtua në Brigadën e 12 Sulmuese me Komandant Thoma Xhixhon, për të cilin më ka folur me shumë respekt (ishte vështirë të gëzoje respektin e tij), gjithashtu Komisar Astrit Karapodhi, i cili kishte humbur syrin në luftë, që për koinçidencë ai ishte edhe Profesori im; Lektor i lëndës së Organizimit dhe mua më deshi shumë, po do gënjeja po të thosha se e njihte tim atë.

Babai mbante në valixhen e kujtimeve tij distinktivin “Partizan i Brigadës së 12 Sulmuese”, të cilën unë e pashë rastësisht, në një moment, që ai kërkonte diçka. U habita dhe e mora në dorë, ndërsa ai më tha: “kam qenë partizan i mobilizuar dhe jo vullnetar, prandaj nuk e kam përdorur edhe as nuk do e përdor; lavdinë e kanë të tjerët, ndërsa unë kam qenë indiferent”. Sigurisht, që persona të tjerë, madje ballistë, me armë në dorë e kanë përdorur atë dhe me shumë sukses.

Kur komunistët e morën drejtimin e vendit premtuan se do dënohen vetëm ata, që kanë lyer duart me gjak (një pjesë e tyre u arratisën), ndërsa indiferentët dhe simpatizantët do trajtohen si të tillë dhe kjo zgjati ca kohë, por filloi të ndryshojë. Dhe u bënë listat e “armiqve të popullit” nga këta ballistët të konvertuar në komunist, njerëz servilë, përfitues po edhe idealistë sigurisht dhe këtu dua t’ju sjell ndërmend ”Natën e shën bartolemeut”; natën kur u bë lista e katolikëve që do asgjësoheshin. Personi që shkruante emrat kishte edhe një ndihmës, i cili e këshilloi: futi këtu edhe armiqtë e  tu dhe me këtë rast i heq qafe.  Kështu ka ndodhur.

Nuk mund të mohoet puna e madhe për ndërtimin e një shoqërie të re, luftë kundër analfabetizmit, të drejtat e grave,- “na hoqi morrat”- thoshte nëna ime, por edhe babai im, janë bërë punë shumë të mëdha, vepra, që kanë rezistuar deri sot, të gjitha me idealizëm deri aty nga viti 60 të. Pastaj mbinë njerëz ‘më katolikë se papa’ u futën në PPSH  interesaxhinj, servilë e gjithfarë njerëzish arrivistë dhe ndodhën ato, që ndodhën. “Kush luftoi, kush punoi e kush fitoi- thoshte”, nëna e bashkëshortit tim.

Përmbysja e Diktaturës në 90- tën, sipas meje nuk kishte asnjë ideal, ato thirrjet ‘Liri demokraci’ as ata vetë nuk i kuptonin. Sali Berisha komunistët e pushkatuar, interrnuar e burgosur, të kthyer në Tiranë, me një  gjendje ekonomike e shpirtërore, që kish prekur fundin, i  thirri një e nga një, duke iua shfrytësuar gjendjen e mjerë, që të pështynin mbi idealet e tyre publikisht dhe disa e bënë “me sukses”. Halim Ramohito, babai i bashkëshortit tim nuk e bëri. Ai i përzuri njerëzit, e dërguar nga Berisha me një veturë, te dera e një dhome te Klubi Partizani ku ai banonte, të cilën ja kishte bërë të mundur Alfred Moisiu. Dhe kështu ne mbetëm “komunistë” dhe ky personi, që më provokoi te shkrimi i mikut tim “ka të drejtë”.

Në 2005 kur Sali Berisha erdhi në pushtet unë isha e punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, që në vitin 1994, me ndihmën e ish pedagogut tim, në atë kohë zv.Ministër i Bujqësisë, plotësisht të merituar nga ana profesionale. Jemin Gjana në ristrukturimin e Organigramës, Departamentin ku unë punoja si Përgjegjëse Zyre e zhbëri  krejt, me synimin e qartë, që unë të mbetesha jashtë sajë. Personi, që ma komunikoi ishte një djalë nga veriu, që unë dikur i kisha dhënë mundësinë të merrte pjesë në disa studime për bujqësinë, pasi ishte i pa punë. Ai më tha: ti nuk je me ne!!! Drejtoresha e re, më kërkoi vetë dhe m’u prezantua. Më tha emri yt erdhi nga lartë!!! Atëhere shkova te Drejtori i Burimeve Njerëzore, i cili më mori me vehte dhe shkuam në zyrën e Shefit Të Kabinetit të Ministrit dhe ai më tha: Do të të japim një teser të PD dhe do të të bëjmë Drejtoreshë të Madhe!!! Nuk e pranova sepse, kështu më kish edukuar im atë. Unë e konsideroj një vendim shumë të rëndësishëm anëtarësimin në një Parti, sepse duhet t’i tregoj fëmijës tim, se përse e bëra. Kështu u largova dhe vazhdova rrugën time....

Sot kur shoh njerëz që përplasen, shahen, pështyhen, nëpër studio, në parlament, në rrjetet sociale duke ju drejtuar njëri tjetrit komunist, ballist, i biri, e mbesa, i nipi etj, sigurisht që indinjohem;

Së pari, sepse nuk dua në mënyrë kategorike të rikthehet e shkuara, si luftë klasash në një formë të re nga ata pak idealistë, që realisht janë në të dy krahët e politikës shqiptare.

Së dyti, ajo, që e neveris si një gjë shumë të shëmtuar, është fakti se: njerëzit nuk  luftojnë me njeri tjetrin për shkak të idealeve, por për shkak të pritshmërive të njëjta. Sa për idealet, ato kanë 100 vjet, që kanë vdekur...

Misioni im, në shkrimet e mia është një edhe i vetëm. Të mundohemi t’i afrohemi të vërtetës me ndershmëri. Të lëmë pas 80 vjetët e kaluara dhe të mundohemi të sillemi si qytetarë në debatet tona. Secili voton sipas bindjes së vet, por të mos harrojë kurrë, se jetojmë në shekullin e PARASË dhe jo të idealeve. Dënimin e të korruptuarve, që e rropën këtë popull, të mos e kërkojmë gjithmonë tek njëra palë, por tek të dyja.

8 Komente

  1. K
    Kendrevica

    Rrefim i sinqerte e i guximshem, i denje per nje vajze Dukati e nuse Tragjasi. Respekt

    1. M
      Martini

      Shume bukur. E shkruar me shume vertetesi dhe sinqeritet. Jemi te gjithe shqiptar dhe vellezer. Nuk ka vend per ndasi, kjo eshte ide e shkrimit

      1. B
        Bariu

        Magdalena Ramohito (Havari) meqenese nuk rri dot pa folur dhe pa shkruar, boto nje studim shkencor me teme nga "Akademia e Barinjve" te ministreshes seksi Frida Krifca.

        1. M
          MAJAKOVSKI

          Magda, gezohem per rikthimin ma shkrimet e tua te verteta dhe te bukura. Disa vite me para u thyeve apo u dorezuat para veshtiresive qe kaluat ne familje. Duhet te jeni e forte gjithnje.

          1. A
            Ari

            Nje shkrim me shume vlera per cdokush qe e lexon! Autorja ka treguar me realizem ato qe kane ndodhur midis 3 periudhave, lufta, komunizmi dhe “demokracia” bazuar ne fakte! Bravo!

            1. J
              Jorgo

              Dukati ne Vl eshte simboli i tolerances se personazhit te karakterit te Stokholmit jate komunizmit

              1. M
                Mentor

                Shihet qarte kontrasti midis nderit borgjez dhe nderit kalorsiak. Bravo!

                1. S
                  SADIU

                  Nuk të njoh, të lexoj për herë të parë. Por Vlera nxjerë nga memorja, nga llogjika vetëm Vlera. Shumë bukur, realiste dhe aktuale.

                  Lini një Përgjigje