Marrëveshje për luftën me fjalë

25 Mars 2023, 14:57Blog Nga Ilir Yzeiri

Marrëveshje për luftën me fjalë

Takimi që u mbajt në Ohër mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit do të hyjë në historinë botërore të marrëveshjeve politike si kontrata pa firmë. Ndërkaq, ndërmjetësuesit e këtij takimi, përfaqësuesit e BE-së dhe të SHBA-së u kujdesën që të mos e përmendnin firmosjen si akt të fundit të realizimit të marrëveshjes.

Dhe kjo ishte gjetja më e zgjedhur që prodhuan zyrat e komunikimeve të këtyre dy instancave që organizuan këtë takim dhe që e vlerësuan atë si një marrëveshje të arrirë, pa përmendur në asnjë rast firmosjen. Jemi kështu përpara një zhvillimi të ri në teoritë e marrëveshjeve apo kontratave mes shteteve që kanë dalë nga një konflikt i përgjakshëm. Këtu futet në punë komunikimi apo aktet e ligjërimit, sipas të cilave, ne, sa herë flasim, kryejmë një akt, një veprim.


Gjuha ka fuqinë magjike që të ndryshojë rendin e gjërave. Kur një gjyqtar shqipton dënimin me vdekje për një të burgosur, jeta e tij ndërpritet. Kur një çift pohon para një instance fetare apo civile se është dakord për martesë, atëherë jeta e tyre ndryshon rrënjësisht dhe ata kthehen automatikisht në burrë e grua. Kjo fuqi që ka gjuha është shtirë edhe të kontratat apo marrëveshjet. Mirëpo, në rastin tonë, ne kemi një marrëveshje për një objekt të paqartë, sepse « normalizimi i marrëdhënieve » është një sintagmë që mund të interpretohet në shumë anë.

Firmosja e një marrëveshjeje nënkupton detyrimin ligjor, është prova dhe shenja që lë gjurmë pastaj në marrëdhënie me të tretët. Zakonisht në aktet juridike marrëveshjet apo kontratat lidhen përballë një autoriteti juridik që mban dhe ka forcën detyruese për t’i vënë palët në kushte të tilla që asnjëra prej tyre të mos tërhiqet nga kontrata. Në rast se njëra tërhiqet, autoriteti juridik ka forcën që të vendosë sanksione përmes zyrave të përmbarimit në mënyrë që pala e cila shkel kontratën të dëmshpërblejë palën tjetër.

Në rastin e marëveshjeve mes dy vendeve që kanë dalë nga një konflikt i përgjakshëm, BE-ja dhe SHBA-ja, po shërbejnë si një autoritet juridik që është pranuar nga të dyja palët. Mirëpo, për shkak se marrëveshja ka një ngërç të madh, që në fillim, firmosja e saj është shmangur dhe detyrimi për ta zbatuar atë është shtuar në Aneksin e Marrëveshjes. E gjitha kjo ngjan si një martesë pa celebrim, por me detyrimin për të njohur fëmijët që mund të sjellë kjo lidhje. Ngërçi më i madh që ka kjo marrëveshje është se Serbia nuk e njeh si autoritet juridik palën me të cilën do të lidhë kontratë, Kosovën. Absurdi që buron nga mentaliteti nacionalist sllav shfaqet në mënyrë groteske : nga njëra anë Vuçiç, si përfaqësues i shteti serb, pranon të ulet në një tryezë dhe të diskutojë më Albin Kurtin, që është përfaqësues i shtetit të Kosovës dhe, nga ana tjetër, sapo largohet nga tryeza, ai shpall se nuk do ta njohë Kosovën si entitet juridik, pra si palë. Loja që bëhet me asosacionin, pra kushti që ka vënë Vuçiç për Kosovën që të krijojë organizmin që do të rregullojë jetën ekonomike të serbëve në Kosovë është vetëm një pretekst për të humbur kohë.

Nëse Albin Kurti do ta kishte firmosur marrëveshjen, ajo, edhe ashtu, do të ishte gjysmake, por do të tregonte një vullnet më të plotë të qeverisë së Kosovës për ta çuar në një nivel tjetër atë, pra për ta vendosur një hap para. Ndaj, si përfundim, Marrëveshja e Ohrit, bashkë me Aneksin e saj është një kontratë që synon të normalizojë marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve dhe jo një kontratë që palët zotohen ta njohin njëra-tjetrën. E reja e kësaj marrëveshjeje është pranimi nga autoriteti juridik i saj BE-ja dhe SHBA-ja dhe vlerësimi se marrëveshja u arrit pavarësisht se nuk është firmosur. Ndërkaq, afatet që janë lënë për zbatimin e saj nuk kanë nevojë për firmë, sepse edhe BE edhe SHBA janë angazhuar të ndërmarrin sanksione nëse shkelen afatet, pra, do të aktivizojnë « zyrat e përmabrimit » nëse aneksi i marrëveshjes nuk zbatohet, pavarësisht se nuk është firmosur. Kjo lë të hapur luftën me fjalë. Ndaj sapo u larguan nga Ohri, qoftë Vuçiç qoftë Kurti nisën deklaratat që të tregojnë jo atë që u arrit në Ohër, por atë që fituan nga kjo marrëveshje : luftën me fjalë dhe paqen në tryezë.

Ndërkohë është me interes të përmenden disa nga marrëveshjet e mëdha historike që kanë ndryshuar fatin e popujve dhe rrjedhën e historisë. Në historinë botërore, kontratat kanë transferuar kontrollin mbi sipërfaqe të mëdha toke, kanë çliruar popullsi, kanë sjellë paqen dhe janë shpërbërë nga luftërat.

Marrëveshja e parë në historinë botërore është Traktati i Paqes Egjiptiano-Hititë, rreth vitit 1259 para Krishtit, i njohur si traktati i parë i paqes. Ajo i dha fund luftës shekullore në Lindjen e Mesme midis egjiptianëve dhe Perandorisë Hitite në atë territor që tani është Siria - një tokë ende e shkatërruar nga konflikti. Shekuj më vonë një përpjekje për të sjellë paqen në Lindjen e Mesme u dha nënshkruesve të saj nderin e Çmimit Nobel për Paqen, por njëri prej tyre u vra vetëm tre vjet më vonë.

Kontratat që përfshijnë marrëveshje pronësie kanë vazhduar të lëvizin, krijojnë dhe ndihmojnë në shkatërrimin e kombeve. Blerja e Territorit të Luizianës i lejoi Shteteve të Bashkuara në zhvillim të zgjeronin marshimin e tyre drejt perëndimit. Kontratat e tjera i kanë mbijetuar provës së kohës, nga Magna Carta që në shekullin e 13-të deri te Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut në shekullin e 20-të. Sot, kombet e botës kanë besuar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të ndihmuar në shpëtimin e planetit nga shkatërrimi i ngrohjes globale siç është Marrëveshja e Paristi për Klimëm e vitit 2015.

*Komenti i emisionit ADN

Lini një Përgjigje