Martini dhe heshtja që vret

20 Nëntor 2024, 09:45Blog TEMA
Martini dhe heshtja që vret

Nga Elisa Dedja

Një vrasje në shkollë, një atentat në mes të natës, një vetëvrasje e heshtur. Këto janë lajmet që lexojmë dy ditët e fundit. Tre ngjarje, tri jetë të humbura, por një fenomen që nuk përmendet kurrë.

Ne nuk e pyesim veten pse ndodh kjo. Pse një i mitur gjendet me jetë të shuar në një vend që duhet të jetë i sigurt. Pse plumbat nuk njohin orë apo kufij dhe godasin kë do, kur do. Apo pse dikush, në errësirën e mendimeve të veta, zgjedh heshtjen përfundimtare.

Çfarë i bashkon këto lajme? Përtej dhimbjes, është diçka më e thellë. Një sistem që nuk sheh, nuk dëgjon, nuk ndien. Por edhe më shumë, janë njerëzit që jetojnë brenda këtij sistemi. Prindërit që vrapojnë çdo mëngjes, jo për të edukuar, por për të mbijetuar. Koha që i mungon familjes, dhe një botë që fëmijët e mësojnë më shumë nga rrjetet sociale sesa nga prindërit.

Fëmija nuk edukon veten. As telefonat, as TikTok-u, as lajmet e errëta që mbushin ekranet nuk i japin kuptim jetës. Por kur një prind nuk ka kohë të flasë, të dëgjojë apo të pyesë, një hapësirë e madhe mbetet bosh. Dhe boshllëqet mbushen nga çdo gjë që gjejnë, nga një video dhune deri te një bisedë anonime në internet që mbaron me një fund tragjik.

Fenomeni është mes nesh. Në rutinën e përditshme që e kemi shndërruar në një maratonë pa fund. Në atë prindin që, duke menduar se fëmija ka gjithçka sepse ka një telefon të fundit apo një dhomë me tavolinë studimi, harron se ajo që fëmijët kanë më shumë nevojë është praninë. Është koha.

Fenomeni është në një shoqëri ku dhuna shihet më shumë në video sesa dënohet në jetë reale. Ku edukimi fillon dhe mbaron në internet. Ku rrjetet sociale, me gjithë shkëlqimin e tyre të rremë, kanë marrë rolin e prindërve, mësuesve dhe shokëve. Dhe ato nuk edukojnë, vetëm formësojnë sipas algoritmit.

Në këtë botë, një fëmijë nuk rritet, ai thjesht ushqehet me një sasi pafund stimujsh që nuk e përgatisin për jetën, por për një betejë ku të gjithë janë kundër njëri-tjetrit. Dhe kur një prind kthehet në shtëpi, i lodhur nga puna dhe i zënë me shqetësimet e veta, ka mbetur shumë pak hapësirë për të pyetur: “Si ishte dita jote?”

Shoqëria ecën përpara, por ne mbetemi prapa. Fëmijët tanë nuk po bëhen më të mençur, më të ndjeshëm apo më të dashur. Përkundrazi, po bëhen më të vetmuar. Më të pashpresë. Dhe kjo vetmi është e njëjtë, pavarësisht nëse përfundon me një konflikt fatal në shkollë, një plumb në rrugë, apo një akt të dëshpëruar.

Fenomeni nuk është vetëm dhuna. Është një boshllëk kolektiv, një mungesë dashurie dhe edukimi që nuk zëvendësohet as me para, as me teknologji. Dhe derisa të shohim pas titujve dhe të kthejmë vëmendjen aty ku duhet, tek fëmijët tanë, lajme të tilla do të jenë më shumë se thjesht kronikë e zezë. Do të jenë pasqyra e shoqërisë sonë.

2 Komente

  1. D
    Dursakja

    Ju falenderojmë me sa realizëm, thellësi, objektivitet dhe këndvështrim të kujdesshëm e keni artikuluar këtë problem. Ju jemi shumë mirënjohëse.

    Përgjigjjuni
    1. V
      Vigjilenca

      Ju botoni komente me fjalë të pista po ato komente që ngrenë probleme pse i çensuroni?

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje