Përsiatje mbi një shkrim të Thoma Gëllçit dhe kurioziteti kritik

17 Shkurt 2026, 17:20Blog TEMA
Përsiatje mbi një shkrim të Thoma Gëllçit dhe

Nga Luan Rama

Shumë vite më parë, gjatë një vizite pune e trajnimi profesional në NBC NEWS në Nju-Jork, që është një nga organizatat më të mëdha dhe më të njohura të lajmeve në Shtetet e Bashkuara dhe në botë, mësova se përveç kuriozitetit (në kuptimin e zakonshëm të fjalës, kuriozitet, kureshtje, kërshëri) ekziston edhe kurioziteti kritik. Atje mësova edhe dallimet mes kuriozitetit të thjeshtë dhe atij kritik.

Për ta shpjeguar më thjeshtë, kurioziteti i zakonshëm është kur pyet: çfarë po ndodh? Kjo është një pyetje që e bëjnë të gjithë kureshtarët.

Ndërsa kurioziteti kritik pyet:

Pse po ndodh kështu, kush përfiton, kush humbet dhe çfarë po mbetet pa u thënë? etj.Këto e të ngjashme me to janë pyetjet që më së shumti i bëjnë gazetarët. Por, jo vetëm sigurisht.

Thënë pak më ndryshe, në rastin e kuriozitetit kritik, nuk mjafton të pyesësh vetëm për të ditur diçka, por edhe të dyshosh me qëllimin për të kuptuar. Shkojmë kësisoj nga konsumimi i informacionit te analiza e pushtetit.

Lind pyetja: pse pushteti e ka frikë kuriozitetin kritik?

Sepse pushteti jeton nga normalizimi. Kur diçka përsëritet mjaftueshëm, ajo pushon së dukuri e çuditshme.

Kurioziteti kritik bën të kundërtën. E bën normalen të duket problematike.

Një gazetar, kuriozi kritik, nuk mjafton vetëm të dëgjojë deklaratën e Kryeministrit fjala vjen mbi nevojën e ndryshimeve që lidhen me kufizimin e të drejtës së dhënë me ligj për gjykatat e posaçme që kur ato e çmojnë të domosdoshme, të mund ta pezullojnë edhe ministrin nga detyra. Ai pyet: pse kjo gjuhë, pse tani, pse me kaq ngut, pse askush nuk mban përgjegjësi?

Kjo është edhe arsyeja se pse pushteti preferon opinionin, jo mendimin.

Po Thoma Gëllçi ç’hyn këtu?

Kolegu dhe miku im i hershëm që prej kur filluam punë në gazetën “Zëri i Popullit”, është rikthyer gazetari që unë kam njohur.

I vëmendshëm ndaj çdo detaji dhe qëmtues ndaj dukurive e ngjarjeve që nuk mund të kalojnë vetëm me pyetjen çfarë po ndodh, dhe, si një shërbyes me sqimë estetike, elegancë gjuhësore dhe korrektesë profesionale për lexuesin, në shkrimin me titull: “Shtëpinë nuk e mbajnë në këmbë muret”, ai na sjell në vëmendje problemin e madh të braksisjes e ikjes nga vendi, ndërtuar mbi metaforën e një shtëpie në katër kohë (1996, 2006, 2016 dhe 2026); dikur plot me njerëz e sot të braktisur. 

Por nuk mbetet këtu. Përmes një alegorie e sarkazme therrëse, Thoma Gëllçi bën atë që është, gazetarin. 

Dhe ja një fragment nga shkrimi të cilit po i referohem:

“Ndërkohë, prodhimet e fshatit që dikur mbushnin tregun lokal, tani vijnë nga importi. Qumështi vjen nga kufiri, mishi vjen nga deti, gruri vjen me anije. Fshati konsumon mall të huaj ndërsa toka e vet mbetet në pushim të detyruar. Statistikat mund të tregojnë rritje të konsumit, por nuk tregojnë zbrazjen e oborreve.

Sot fshati ka një avantazh të madh: nuk ka papunësi. Sepse nuk ka më njerëz. Problemi është zgjidhur në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Kjo mund të raportohet si një sukses i madh i qeverisjes: zero papunësi, zero ankesa, zero kërkesa”.

Kaq u desh dhe komentuesit, edhe pse nuk i kundërshtojnë të vërtetat që renditen në shkrim, sepse edhe ata si Thomai e si të gjithë ne i dinë, i bishtnojnë thelbit të problemit e i drejtohen gazetarit: mirë këto se këto i dimë, po cila është rrugëdaja, cila është zgjidhja? Atë na thuaj!

Dhe më tej, vijojnë këshilla se si duhet të jetë gazetari konstruktiv dhe se sa e dëmshme është gazetaria destruktive etj.etj.

Nuk po them ndonjë gjë që nuk dihet. Po përsëris. Nuk ekziston gazetaria konstruktive. Ose, edhe nëse, ekziston si një gjetje pushteti. O je gazetar, o nuk je. Mandej, propagandistë e patronazhistë “konstruktivë” ka plot. 

Në zgjedhje nuk votohen gazetarët për të qeverisur e as për të hartuar e realizuar politika zhvillimi për vendin. Votohen deputetët e ata votojnë qeverinë. Për fatin tonë, i kemi të mirë e nga më të zotët!

Çfarë na mungon ne si shoqëri, nuk është informacioni. Na mungon energjia për t’u shqetësuar.

Hannah Arendt (historiane dhe filozofe gjermano-amerikane e shekullit të kaluar), e pat paralajmëruar; kur njerëzit pushojnë së menduari, e keqja bëhet rutinë.

Pushteti mund ta tolerojë kritikën e zhurmshme, madje edhe indinjatën kalimtare mund ta tolerojë. Ajo që nuk toleron dot është një mendje që nuk pushon së pyeturi. Sepse pyetja e qëndrueshme është forma më e pastër e lirisë.

1 Komente

  1. T
    Tatjana

    Luani eshte nje gazetar elegant, I ditur, shume intelektual. I shtjellon temat me shume filozofi, duhet te kesh tru qe t’ia kuptosh ate qe ai shkruan. Respekt per ty Luan qe je nje gazetar I mirefillte.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje