RTSH dhe diçka përtej asaj që thotë Thoma Gëllçi

25 Prill 2025, 10:20Blog Nga Luan Rama

RTSH dhe diçka përtej asaj që thotë Thoma

Analiza profesionale dhe kriticizmi i argumentuar me shumë elegancë që Thoma Gëllçi i bën platformës së paraqitur prej kandidates së renditur e para në garën për Drejtor i Përgjithshëm i RTSH në raundin e parë të votimit të Këshillit të ri Drejtues, më shumë se në çfarë ka gabim ajo platformë dhe se çfarë i sugjeron ai drejtoreshës së premtuar, vlerën dhe ndihmesën reale e ofron në atë që ai edhe pse nuk e thotë, e le të nënkuptuar.

Fakti që pesë nga anëtarët e Këshillit të ri Drejtues kanë votuar pro kandidaturës së Eni Vasilit, që ajo të jetë drejtoresha e rradhës e RTSH, na le të kuptojmë se ose ata të pestë që e kanë votuar atë kandidaturë janë dakord me platformën e saj, të cilën Thoma Gëllçi me të drejtë dhe plot argumenta e cilëson si “një kthim prapa me dekada”, ose, në rastin më të mirë për ta, ata nuk e kanë lexuar fare platformën, por e kanë votuar kandidaten e premtuar jo për platformën, po për të përligjur zgjedhjen e tyre nga Kuvendi në kundërshtim me ligjin, edhe sepse këshilli i mëparshëm u shkarkua po në kundërshtim me ligjin, pikërisht ngaqë nuk zgjodhi kandidaten e platformës që kritikon Thoma Gëllçi.

Në thelb problemi, pra as e keqja në rastin konkret, nuk qëndron vetëm tek platforma që ka paraqitur zonja kandidate për Drejtoreshë e Përgjithshme.

Në fund të fundit, secili prej kandidatëve në garë ka paraqitur aq sa di dhe atë që mendon sipas gjykimit të vet, se i vlen më shumë në garën për të “fituar” vendin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH. Ndaj, nëse ia del të fitojë edhe me një platformë plot mangësi e deformime, që jo vetëm nuk mbron atë çfarë është bërë mirë më parë, por synon kthimin pas e shndërrimin nga ent publik në ent qeveritar, përgjegjësia më e madhe është e Këshillit Drejtues.

Organi që ka detyrimin ligjor, përkatësisht edhe përgjegjësinë e gjykimit dhe të vlerësimit të kandidatëve bashkë me platformën e secilit prej tyre, është Këshilli Drejtues i RTSH.

Liria për të konkuruar, pavarësisht kritereve që parashikon ligji, hipotetikisht mund të nxisë që të paraqitet në garë edhe ndonjë individ prej asaj gjysmëpjesës së cilësuar çyryk sipas një përcaktimi kryeministror. Por, nëse ai çyryku ia del të fitojë me votat e këshillit, atëherë logjikisht mund të themi se kemi të bëjmë me një këshill çyryk!

Meqenëse i njoh edhe personalisht disa prej anëtarëve të zgjedhur në Këshillin Drejtues të RTSH dhe i çmoj për çfarë kanë bërë e çfarë kanë dhënë në fushat e tyre të veprimtarisë profesionale, kam patur rastin të bisedoj me ta për të kuptuar vizionin, qasjen dhe angazhimin e tyre për të çuar më tej reformën e nisur prej zotit Gëllçi kur ai qe Drejtor i Përgjithshëm i RTSH.

Mund ta them se kam konstatuar se ata e duan RTSH-në. E duan edhe rritjen e rolit dhe të autoritetit e peshës së tij si i vetmi ent publik raditeleviziv në vend.

Por, nuk e njohin ligjin, nuk i dinë detyrimet dhe përgjegjësitë që kanë. Nuk e kuptojnë autoritetin dhe pavarësinë që iu jep ligji për të menduar, gjykuar dhe vendosur sipas bindjes së tyre.

Me përjashtim të zotit Beci që më herët ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i RTSH e të ndonjë tjetri, shumica nuk i njohin as formalisht ligjin dhe statutin e institucionit të cilin kanë përgjegjësi ta drejtojnë. Madje, do t’ju duhet kohë të hyjnë, në ia dalshin të hyjnë, në tërësinë e problemeve të shumta që RTSH ka.

Referencat që sjell Thoma Gëllçi dhe përqasja me modele prestigjoze të mediave publike europiane, kundërshtitë e argumentuara dhe përvoja që ai ofron, do të duhej ta ndihmonin këshillin që ai të gjykojë dhe të vendosë me integritet profesional dhe intelektual vetëm në interes të RTSH, që do të thotë vetëm në interes të publikut, që publiku të ketë median e vet. Për ta është një ndihmë e vyer ajo që ofron Thoma Gëllçi, nëse duan realisht të bëjnë detyrën për të cilën janë në atë këshill.

Unë jam i bindur që secili anëtar i këshillit është dakord me çfarë shkruan Thoma Gëllçi. Mirëpo nëse shtrojmë pyetjen se a janë ata të gatshëm që të ngrihen në nivelin e integritetit që kërkon ushtrimi i përgjegjësisë për të cilën janë në atë këshill, druaj ta them. Kjo mbetet për t’u provuar.

Brenda Këshillit janë dy grupe. Njërin e ka emëruar maxhoranca e tjetrin opozita duke i votuar formalisht në Kuvend, por të përzgjedhur jo sipas përcaktimit të ligjit. Ky është njëri prej problemeve. Por është thelbësor, sepse është shmangur gara, është shmangur konkurenca. Dhe për këtë përgjegjësia shkon tek Kuvendi. Sepse ilegjitimiteti i zgjedhjes kushtëzon vendimmarrjen dhe pavarësinë e gjykimit të tyre.

Është për të ardhur keq, por Kuvendi ka dëshmuar se nuk e do RTSH-në. Ca më pak qeveria. Ndryshe nuk do të ishin tallur me RTSH-në siç kanë bërë duke zgjedhur këshilla formalë, të cilëve më pas iu janë imponuar për të emëruar drejtorë që kanë krijuar gjëndjen në të cilën është sot RTSH.

Historitë e konflikteve e flirteve, të sherreve e blerjeve në marrdhëniet mes drejtorëve të përgjithshëm e kryetarëve apo anëtarëve të këshillave janë bërë sëmundje e pashërueshme e atij institucioni, e pa dashur të paragjykoj, me gjasë kjo traditë do të vazhdojë.

Unë nuk dua të përsëris morinë e problemeve që Thoma Gëllçi i ka përveçuar dhe argumentuar në mënyrë shterruese. Por, nga platformat e paraqitura më ka bërë përshtypje mungesa e vëmendjes ndaj kulturës së gjuhës dhe të drejtës së autorit.

Në RTSH kultura e gjuhës duhet të jetë kult i paprekshëm, kushti i parë i ekzistencës dhe “pasaporta” e kujtdo që hyn në atë tempull.

Ndërsa e drejta e autorit, respektimi dhe mbrojta e asaj që ka qenë dhe është pronë intelektuale dhe pasuri e RTSH-së, krijuar që prej ditës së parë e deri sot, duhet garantuar dhe trajtuar sipas standardeve të BE-së, që të paktën RTSH të mos bëhet pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, mes viteve 2027-2030, siç e ka marrë përsipër zoti Kryeministër.

Kohë më parë pyeta një gazetar që punon në një televizion privat se përse shkruan kundër Këshillit Drejtues të RTSH, ata sapo janë zgjedhur e ti nuk i njeh?

-Shkruaj kundër tyre sepse dua që ata ta kuptojnë që RTSH është edhe i imi, më tha. - Unë dua që RTSH të jetë jo vetëm më i madhi në vend, por edhe më i miri, më prestigjozi, më profesionali, më i besueshmi, me gazetarët dhe punonjësit më të paguar. Po nuk u bë RTSH modeli që duhet ndjekur, ne edhe më tej do të mbetemi siç kemi mbetur deri tani; shërbëtorë të pronarëve që na paguajnë sa duan e kur duan. Unë e dua RTSH-në që nesër të kem të drejtën t’i them pronarit; i dua kushtet dhe pagën e punës siç i ka RTSH. Po nuk m’i plotësove, të le shëndenë se shkoj e punoj në RTSH.

Deri tani ka ndodhur e kundërta. Sfida është aty. RTSH ka nevojë për njerëz që ta duan. Ta duan për t’i shërbyer duke e ringritur, që të jetë i publikut e në shërbim të tij bazuar vetëm mbi profesionalizmin dhe shenjtërinë e të vërtetës.

8 Komente

  1. T
    Teleshikuesi

    Duhet te reagohet me shume nga specialistet dhe atyre qe i dhimbset RTSH per problematikat e shfaqura ne perzgjedhjen e Drejtorit te Pergjithshem te ketij institucioni. Eshte e pafalshme te perzgjidhen drejtuesit e ketij institucioni si rutine. Drejtuesi i ketij institucioni duhet te jete nje figure e kompletuar intetelektualisht, kulturalisht dhe patjeter profesionalisht. Njerzit qe perbejne Keshillin Drejtues duhet te jene njerez me integritet dhe te arrijne te kuptojne qe gabimet e tyre jane me pasoja te renda per kete institucion. ZGJIDHNI ME TE MIRET....!!!

    Përgjigjjuni
    1. k
      kllouni narcist

      Zgjidhja e vetme, per nje RTSH, te PAVARUR dhe CILESOR, eshte rikthimi i GELLCIT , ne pozicionin e drejtorit. Dhe duhet bere kjo, nepermjet nje falje te madhe nga Rama, qe u rreshtua per krah SPAK-ut, ne burgosjen anti ligjore te Gelllcit me devizen ´´larg bythes time´´.

      Përgjigjjuni
      1. G
        Gellci duhet te drejtoje RTSh

        Drejt, bravo.

        Përgjigjjuni
      2. s
        saliu duhet te shpallet terrorist

        Eni sygerdoqen e kane votuar cecenet e saliut qe jane me shumice ne RTSH

        Përgjigjjuni
        1. R
          RTSH

          O klloun narcist! E njeh ti Thoma Gellcin?! Eshte nje nga hajdutet me te medhenj te RTSHse. Ate tenderin, per te cilin e denuan, ja dha Artan Xhorit me 200 mije euro me shtrenjte. A e di pse u skualifikua kompania EUROKONTAKT SHPK? Po ta them une. Sepse i kishte blere pajisjet ne Europe dhe jo te Artan Xhorri, me te cilin kishte bere marreveshjen Thomai. Ne dokumente ishte vendosur klauzola qe veten Xhorri kishte te drejte te sillte ato pajisje ne Shwiperi. Merr KLSHne dhe kontrolloni dokumentet. Ky Thomai coi ne burg dy djen te rinj, per kete do jape pergjigje nhe dite. Tani thagma e fundit. Kjo Aurora Pollo, ne castet e fundit, organizoi nje tender 8 milione euro per mirembajtjen e rrjeteve te transmetimit dixhotal te RTSHse. Ate e ka bere gjithnje kompania gjermane Rohde Schwarz. Pollo ia dha Artan Xhorrit, i cili nuk ka asnje mundesi ta kryeje mirembajtjen e rrneteve. Korrupsioni ne RTSH ka qenw gjithnje i pranishem. Ne kohen e Thomait ai ishte jo vetem financiar, por edhe moral. Une jam ende pjese e RTSHse. Keshtu, si une, mendojne punonjesit e ketij institucioni. Askujt nuk i erdhi keq qe ai iku, pervec ndonje gazetari qe paguhej 1000 euro ne jave!

          Përgjigjjuni
          1. N
            Noci

            Gellçi ka qene personi adapt qe i hapi rrugën nje tv te pelqyeshem nga publiku,flas ne fillim si tifoz se na e mbushi ekranin me evente te rendesishme nderkombetaret falas dhe sipas ligjit mori per transmetim ndeshjet e Kombëtares,por edhe kampionatit.Gellçin e larguan dhe e futen ne burg,por PS duhet te kete parasysh qe njerezit e saj duhet te mbrohen se ka mjaft juriste per t'i shqyrtuar.Vendimi i Strasburgut eshte nje grusht edhe per PS.Berisha ka mbrojtur njerezit e vet edhe me faj,por ne RTSH demi u be dhe nuk e mori vehten akoma sot.Tani duan te vendosin nje grua qe per mendimin tim me shume do te demtojne kete tv

            Përgjigjjuni
            1. L
              Loni

              Të merresh dhe vrasësh mëndjen për RTSH do të thotë se je çyryk nga mëndja. Atij institucioni vetëm një krasitje e rëndë i bënë derman, dmth i shtyn dhe ca vite jetë, se për të vdekur do vdesi, si çdo gjë në këtë botë. Nga ky rregull përjashtoj Berishën dhe Ramën, këta nuk vdesin kurrë, janë të pavdekshëm.

              Përgjigjjuni
              1. L
                Luli

                RTSH-se i duhet bere nje revolucion total dhe i duhet bere nje projekt ristrukturimi dhe zgjerimi.Por kush ta beje…me keto gala e me galucet qe ka zgjedhur KUVENDI,si bord i drejtimit,me kete fare drejtoreshe qe kane emeruar galucet e zgjedhur nga kuvendi,eshte shume e veshtire te ndodhe,bile e pamundur te behet realitet!!!???Turp i madh…!!?? Qe ne kohen e digitaizimit te jetes tone,dhe te ndryshimeve sasiore e cilesore teknologjike e futjes se internetit ne cdo fushe te jetes sone,eshte e pamundur qe me galat e galucet ,e me ikonjito drejtoreshen e pergjithshme te zgjedhur prej tyre,e pamundur qe te behet reale….

                Përgjigjjuni

                Lini një Përgjigje