Të shtunën u çmalla me Lasgushin dhe Hafize Leskovikun …

13 Nëntor 2022, 16:32Blog Nga Kristo  MËRTIRI

 

 

Të shtunën u çmalla me Lasgushin dhe Hafize Leskovikun …           

Kështu iu përgjigja dy miqve të mi të vjetër (të cilët kanë 3 dekda që anojnë djathtas, por me dinjitet e personalitet të pacënueshëm), kur pyetën e shprehën habinë se përse nuk më panë gjëkundi si qytetar a si gazetar përgjatë Bulevardit emërndritur “Dëshmorët e Kombit”, në pasditen e shënuar të së shtunës. “O derman, mos pate xeno (frikë-dogançe) nga “Protesta Kombëtare” që e frynë dhe e cfrynë pa pushim disa “Tëvëra” ku prehen e dëfrehen jashtë çdo lëndine të vërtetë Gazetarie?! “Tëvëra” që vazhdimisht përpiqen të mbarsin padrejtësisht e primitivisht opinionin me një lloj terrori psikologjik e militantesk të veçantë dhe tashmë të dalë boje…”. Madje, njëri nuk kishte hic haber për Hafizenë e famshme të Sazeve në atë trevë të bekuar folku, vere e rakie të pjekur dy herë, sa arriti me nxitim të më thotë se mos ishte ndonjë “pëllumbeshë e vjetër mëndjeprishur e kohës së Rinisë”! Qesha dhe i përcolla me celular një avaz të moçëm e fare pak të njohur publikisht. Avaz që drithëron sot e gjithë ditën udhët e paudha të Kolonjës bukurishumë dhe gjer te maja ylber e Postenanit me histori. Kush e ka provuar nga afër erën shpërthyese të gjethit bio në pranverë përzier me këngën e zogjve këngëtarë, me siguri do më jepte të drejtë…

            Pak orë më parë shkova në Akademinë e Shkencave(kisha munguar qysh nga pragrënia mortore e Covidit) dhe ca caste m’u duk vetja sikur po vija nga një tjetër botë. Takova Profesorë e Akademikë, gazetarë e poetë më të thinjur, studiues e dashamirës zemërngrohtë. Një tubim promovues e vlerësues jo dosido, në ato mjedise shenjtërore ku unë dikur me uniformë ushtari pata fatin të takoja Njeriun(me shkronja të mëdha) e dashur dhe historianin e madh e përjetësisht i thjeshtë e modest gjer në dhimbje, të paharruarin Profesor Aleks Buda. Sapo ishte zgjedhur Kryetar i Akademisë. Kur iu përgjigja pyetjes se ku ëndërroja të ndiqja studimet e larta, në cilën degë dhe a kisha besim se do të fitoja Konkursin në shkallë vendi (atëherë vetëm Arkitektura dhe Gazetaria patën nisur atë start jo pak të vështirë, si degë më vete), ai lëshoi pakëz atë buzëqeshjen e tij origjinale e mencurore, i dha krahë kurajos sime djaloshare dhe e mbylli këtë temë bisede me një fjali që nuk më shqitet ende nga memoria:”-Edhe Gazetaria është një fushë e bukur, more djalë, por në ndonjë ngastër do të duhet të ecësh si mbi gjemba a gozhdë torturuese, veçse mos iu arratis kurrë së Vërtetës dhe Gjuhës së pastër të Nënës…”. E kujtova jo pa nostalgji e mirënjohje këtë takim të parë e të fundit me atë historian të vërtetë, të kalibrit europian e më tej. E kujtova edhe kur u përqafova me Profesor Emil Lafen e mirë, ish bashkëpunëtorin e palodhur të gazetës sime me dashuri e dhimbje shumë “Bashkimi”, shkencëtar e gjuhëtar me faqe të bardhë tërë jetën. Në një moment, besoj e ngacmoi natyrshëm mbiemri im dhe më pyeti se çfarë e kisha Timoleon, gazetarin partizan nga Lukova e Sarandës, që dy palo zyrtarë të regjimit monist në Gjirokastër e shitën paturpësisht për një shkrim kritik botuar në vend të kryeartikullit. E shitën “badjava” te maja e “Olimpit”! Për të shpëtuar prapanicën e tyre. Dhe e pagoi shumë shtrenjtë. I ndrittë shpirti atje ku prehet, në dheun e dashur të Limjonit në Sarandë, ai gazetar i talentuar, i papërkulur e krenar deri në fund që nuk e ndoti kurrë profesionin e fituar jo në auditorë brenda e jashtë vendit por në pushimet e betejave gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që nga “Radio-Shkëmbi” në Helmës të Skraparit dhe gjer në tokat shqiptare në  ish Jugosllavi !...

Unë po kërkoja Marien, një nga vajzat e mrekullueshme të Lasgush Poradecit, shoqja ime e zgjuar dhe dhëmbshurore e brishtë si i ati, e cila më ftoi plot kënaqësi  në atë ditë të shënuar: Do të promovoheshin 2 libra krejt të veçantë e siç thosh poeti i madh lirik,”mbledhur prej gojës së popullit”, dëshirë e hershme tradicionale e atdhetare e tij. Deri të premten ishin dorëshkrime të titulluara me shkrim dore:”Vjersha (këngë) popullore grarishte Poradec dhe të fshatit Dardhë-Korcë(vetëm prej goje vashash)”… Sinqerisht, u kënaqa kur nuk pashë asnjë politikan në ceremoni ! Por më tepër u kënaqa kur referuan aq bukur e me kompetencë të lartë, miqtë e mi akademikë Shaban Sinani e Vaso Tole. Ndërsa Xhevahir Spahiu i zhytur në bardhësinë e moshës e të sëmundjes, i ndoqi me mjaft ëndje ligjëratat e studiuesve dhe herë pas here mërmërinte “Po, poo, ashtu është !”, ngazëllehej e rrëmbushte sytë si në malin e Tomorrit…Kur punova pak kohë në një ministri bashkë me Marien, gati përditë recitoja e këndoja pak sekonda nga vargjet e kulluara si krojet me gurgullima shpirti e me muzikalitet të rrallë. Përfytyroni emocionet e së bijës për të atin. Dhe ku ? Nëpër korridoret dhe hollin e ministrisë së Drejtësisë ! Atje ku Ligjet dhe Lirikat të duken si disa male kaptuar larg njeri-tjetrit. Vargje që të ç’magjepsin në çdo kohë ! Aq më tepër që atë ditë nuk bëhej fjalë për vëllimet “Vallja e Yjeve” ose “Ylli i zemrës”. Lirika dashurore, filozofike e atdhetare,-do i pagëzonte me të drejtë pedagogu ynë tepër i respektuar, Muzafer Xhaxhiu. Krijimtaria e Lasgushit “lartësoi idealet e Rilindjes Kombëtare dhe kritikoi ashpër politikanët reaksionarë të kohës, nën sundimin e të cilëve këto ideale u harruan”. Po do të kuptosh e mësosh se c’është malli për vendlindjen, lexo poezitë “Dremit liqeri”, “Poradeci” etj. Dhe jo më kot deri dje kritikë e studiues të ndryshëm theksonin optimizmin që “buron nga ndikimi i fortë i poezisë popullore”(qysh 45 vite më parë). Ato ndritin e selitin sidomos te “Kroji i fshatit tonë”, “Fryn veriu në mal të Thatë”, “Ku shtrohet vala”, “E mora shoqëzën përkrahu”etj.etj. Pa harruar përkthimet mjeshtërore nga poetët me përmasa botërore si Hajne, Majakovski, Pushkin, Gëte….Në maj 2017, Maria e Konstandina i dhuruan Arkivit Qendror të Shtetit, arkivin personal të Poetit. Mbrëmë u kujtova që ai mbylli sytë përgjithmonë në 12 Nëntor 1987 ! Nuk ma kujtoi data e protestës “kombëtare” me liderë pasanikë e mjaft hipokritë, me fjalime e gjëmime bojëdala, tamam sikur janë në Zululand. Dhe dëshiroj ta citoj:”…Një pjesë e njerëzisë(që s’ka traditë), një grup njerëzor(që s’ka traditë) është masë, është turmë, është popullatë, është popullsi-po nuk është komb, nuk është nacion (me traditë)….Aty s’ka zhvillim, mbetet në vënd, në vënd nëmëro !”. E tha bukur Maria: -Sot jam e lumtur që po plotësojmë edhe një dëshirë të parealizuar të babait tonë…Qindra e qindra vargje popullore mbledhur nga dora e Lasgushit, me emra e adresa konkrete dhe me shumë dashuri, janë e do të jenë një thesar i veçantë kulturor e artistik për cdo nxënës, student, lexues të thjeshtë, mësues e pedagogë, kritikë e studiues seriozë. Për mua, 12 Nëntori i së shtunës nuk ishte një uikend i rëndomtë dhe as thjesht një fundjavë “ndryshe” me ulërima mitingashe e të çjerra larashe. Ishte një çmallje plot mall !...

Kur mbaroi veprimtaria promovuese e nderuese, përmetari i mirë Qako Vangjeli(djali i mikut tim Llazo, që disa breza fëmijësh e të rritur e thërrisnin “xhaxhi Llazo”, mbeti i pavdekshëm edhe në formacionin e shumënjohur të Sazeve të usta Laver Bariut legjendar), nxjerr nga xhepi mbi kraharor një sidi të realizuar bukur e të titulluar “Muzikë qytetare me saze “Këngët e Hafizesë”. Ishte vërtet si një “qershi mbi tortë”, të cilën ma dhuroi e më gëzoi Qakua i Llazos, udhëheqës artistik i palodhur. Unë i njoh një për një, më duan dhe i dua me zemër këta përmetarë që po mbajnë gjallë traditën e tyre të lakmuar e të vlerësuar brenda e jashtë Shqipërisë sonë, që ecin çdo ditë “nga një mal me halle, në një det më këngë”. Por gërnetën e Josif Shukallarit(ish nxënësit shembullor të Laverit, që ashtu i djersitur nga puna në fshat vinte në qytet për të mësuar te ustai i papërsëritshëm), tani e duartrokasin gjatë nëpër trojet shqiptare dhe gjer në Bruksel, Londër e Paris.  Unë kam edhe një Josif tjetër nga Petrani(vëllai i këngëtarit pasionant Fore Mitre), që udhën e tij të artit e kam ndjekur qysh nga shkolla e mesme dhe nuk e di ku ndodhet sot. Atë djalë, edhe pak ditë përpara se Laveri të shkonte në atë botë ai e puthte në ballë dhe kthente me fund një teke raki nga kënaqësia jo e zakonshme: “E, de, boll tani, se na plase xhanin !”, i drejtohej Josifit të vogël sa herë ky interpretonte atë perlën e “Gjeneral Gramafoni”. Dhe nxirrte duardridhur nga xhepi një shami për të fshehur ca pika lotë mallëngjimi për kabanë e vëllait të vrarë nga pushtuesit e huaj, Dëshmor i Atdheut. Qaje Laverin, qaje, o Josif Shukallari !,-i thërrasin shpesh mjeshtrit, sa herë gërneta këndon live brenda e jashtë Përmetit, kudo.

Mos vdekshi pa dëgjuar qoftë edhe një herë nga burimi, këngët e Hafizesë !,-na thoshte 40 vjet të shkuara “ustai i fundit”.-Ajo të shtinte ethet e gushtit, ngado që të ishe…Dhe vërtet, ka mbi një shekull që ca pllaka të rralla gramafoni bredhin nëpër Europë e Perëndim. “Gjethëza”. “Doli Laceja nga stani”, ose “Goca e berberit” ishin e mbetën si himne të muzikës me saze. Vecse po të mos e shoqëronin të qarat e gërnetës së Selimit(vëllait), nuk do ishin ato perla që janë. Zëri i Adriana Thanasit me shoqe na e sjell shumë pranë të paarritshmen Hafize. Ndaj udhët e kalldrëmet leskoviqare kanë mbi 100 vjet që pikojnë e kullojnë tinguj që celin gonxhe trëndafili nëpër penxhere të vjetra e të reja. Mjaft prej tyre i mësova herët në Përmet e në vendlindjen e shenjtë ku Vjosa sikur i shpërndan vetë me dorë, me valë e shkumë zemre. Fjala vjen, në ’98-ën, në një kafenio të vjetër të Monastiraqit, një të dielë refugjatësh plot halle e maraze, mbaj mend që ia morëm shtruar “Leskovik, o fryn një erë,/ Delni hapni penxherenë !...”. Në mes të këngës, ngrihet një burrë i vetmuar nga fundi i lokalit, fshiu sytë me mëngë dhe u ndal te banaku me ca dhrahmi në dorë. Kamarieri grek solli një shishe uiski të shtrenjtë mbi tavolinë dhe na tha se e kishim qerasje nga ai zotnia i ulur në qoshe. Tepelenas e vlonjatë ngritëm supet. Kur e falnderuam shkurt, ai po lotonte ende. Pak më vonë mësuam se ishte një leskoviqar i arratisur në moshë të re, 44 vite më parë ! “E bën nga malli, jo nga halli,-na sqaroi kamarieri.-Shpesh këndon zëulët vetëm dhe thotë plot duf “Oi, Hafize, oi !”. Askush nuk di gjë më tutje…

Tregojnë se kur i binte violinës dhe këndonte ajo, edhe zogjtë pushonin e dëgjonin mbi pemë. Disa shtëpi diskografike në dekada, e kanë shitur zërin e saj nëpër botë. Mjaft prej tyre unë i dëgjova të shtunën nga sazet e sotme. U cmalla shumë, por shpëtova edhe nga zërat e cjerrë në protestë. Se këngët e Lasgushit dhe të Hafizesë, ngrejnë në këmbë të vdekur e të gjallë…        

 

4 Komente

  1. Y
    Ymer Ramolli

    Bravo bravo Kristo Mertiri. Shkrimi yt mu duk nje monument dhemshurie per njerez te shquar te penes , te gjuhes, te kenges qe jane ndare nga jeta, nga familjet e tyre, apo dhe per ato mendje te mencura qe vazhdojne te kontribojne, por ti na i bie prane ata te cileve u perulemi me respekt dhe mirenjohje. Je nga te rrallet qe i ben heroj te shkrimeve te tua dinjitoze. Faleminderit.

    1. S
      Sara

      Një shkrim monumental për njerëzit e urtë e punëtorë,që pa zhurmë dhanë kontributin dhe shpirtin e tyre që nuk kërkuan asgjë në këmbim. Lanë emrin e tyre të mirë që po i kujton me nostalgji Kristo Mertiri.Respekte Kristo.

      1. P
        Pesimisti

        Respekt per ju zoteri qe me shkrimet tuaja gjithe kolorit i beni jehone vlerave magjepse te eposit tone.Nje lutje shkruani vazhdimisht se na ka ardhur ne maje te hundes pordhet politike.

        1. E
          Eda

          Pergezime per shkrimin. Keto shkrime na mbushin me pozitivitet.

          Lini një Përgjigje