“Veçantizmi”, gropa në të cilën po zhytet Serbia

24 Prill 2024, 09:42Blog TEMA
“Veçantizmi”, gropa në të cilën po zhytet

Nga Veton Surroi

1.

Serbia është duke gropuar më thellë gropën në të cilën gjendet dhe nga e cila do ta ketë gjithnjë e më vështirë të dalë. Për ta shpjeguar gropën po e ofroj një fjalë të re që nuk gjendet në fjalorin e gjuhës shqipe dhe ajo është veçantizëm. Fjala veçantizëm është adaptim nga termi anglisht “exceptionalism” i cili po ashtu lindi si përshkrim i një fenomeni duke zgjatuar me –ism fjalën “exceptional”, pra të jashtëzakonshëm apo në këtë rast të veçantë. Kështu, veçantizmi në këtë rast është shprehja e një besimi kolektiv se një grupim (komb, shtet, institucion)  është i një natyre të veçantë prej grupeve të tjera të natyrës njerëzore dhe rrjedhojë e këtij besimi jo rrallë është edhe ndenja e epërsisë.   

“Veçantizmi” serb ka histori të gjatë ndërtimi, por momenti i shndërrimit në një besim kolektiv të shumicës ishte vala e nacionalizmit së cilës i printe Slobodan Milosheviqi, që deklaroi se kombi serb nuk mund të jetë pakicë askund në Jugosllavi. Ky formulim, i cili u shndërrua në besim kolektiv që përshkonte edhe dallimet pushtet-opozitë në Serbi deklaroi se ekziston një “veçanti” tek serbët që nuk lejon që të jetë pakicë politike edhe kur është pakicë numerike. Qytetari me përkatësi serbe nuk mund të jetë pakicë në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë dhe natyrisht Kosovë (prej nga ka origjinën ky besim në ligjërimin nacionalist serb) , por ka natyrë prej “kombi konstituent”, themeltar.

Prej këtij definicioni tek luftërat e përgjakshme të zhbërjes së Jugosllavisë duhej rrugë e shkurtër; nga këndvështrimi i këtij besimi serbët, duke qenë të veçantë, kishin të drejtë të zhvillonin luftë të armatosur kundër popujve të tjerë për ta mbrojtur këtë veçanti. Prej kësaj pike në supremacizëm, besimi në epërsinë e popullit serb ndaj popujve të tjerë është rrugë edhe më e shkurtër që jep arsyetim shtesë për ushtrimin e dhunës ndaj të tjerëve, të atyre që janë “poshtë”.

2.

Veçantizmi fshihet në vende të paimagjinueshme, ja për shembull në çështjen e qarkullimit të pagesave. Prej vitit të kaluar kur autoritetet e Kosovës shpallën të paligjshëm qarkullimin e dinarit si para e gatshme (monedhë, kartëmonedhë, mjet elektronik i pagesës në qarkullimin e brendshëm), njëra prej pasojave të drejtpërdrejta (dhe të padëshiruara e padëshirueshme) ishte që një pjesë e popullatës serbe në Kosovë që kishte marrë rroga, paga apo pensione me dinarë kishte vështirësi që këto para t’i marrë në euro, ashtu siç kërkon rregullorja e BQK-së. Në katër muajt e kaluar janë zhvilluar disa iniciativa diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje, qoftë edhe të përkohshme dhe gjatë kësaj periudhe Serbia zyrtare ka ndërtuar një koncept zgjidhjeje që është pjesë e veçantizmit. Sipas projektit të Beogradit  duhet të ndërtohet (sërish) një komunikim financiar vertikal  me të cilin paraja serbe (dinari) do të dërgohet në një bankë serbe në Kosovë nga e cila shërbimi serb i postës së shpejtë do ta dorëzojë zarfin serb në duart e marrësit serb.

Natyrisht, ekziston një zgjidhje që është normale dhe që është më e afërt me konceptin e parasë dhe qarkullimit të saj - paraja është e depersonalizuar dhe deetnizuar e qarkullimi i parasë për nga natyra duhet të jetë tejkalues i barrierave etnike, shtetërore, ideologjike dhe çdo tjetër nëse do të jetë i suksesshëm. Kjo zgjidhje normale është që shteti i Serbisë që dëshiron të ndihmojë qytetarët serbë në Kosovë për qëllime legjitime (humanitare, nxitje arsimi, shëndetësie, kulture, etj.) të dërgojë para brenda sistemit bankar të pagesave dhe që ato para të arrijnë në duar të marrësve qoftë nëpërmjet llogarive bankare apo dërgesave postare (private a publike). 
Por ky sistem nuk po pëlqehet nga Serbia, sepse dëmton parimin e veçantisë, gjegjësisht ideologjinë e veçantizmit. Paraja duhet të jetë serbe, banka serbe dhe posta serbe, në mënyrë që të arrijë në duart serbe të marrësit.

3.

Veçimi etnik i parasë, bankave e postave - të qarkullimit financiar pra - ndërtohet si parim edhe në fusha të tjera, si për shembull në sundim të ligjit apo diplomaci. 
Brenda disa muajve Serbia zyrtare ofroi një kundrim krejtësisht të veçantë lidhur me Rezolutën e planifikuar për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së e përgjegjësinë e sulmit paraushtarak në Banjskë të Kosovës.

Rreth Srebrenicës Serbia ka ngritur argumentin se aty nuk është kryer gjenocid (me gjithë aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave më të larta të OKB-së, pra të verdikteve që kanë vlerë të plotë në të drejtën ndërkombëtare). Argumenti ndërtohet me pikënisje të ndryshme, por që arrijnë në rezultat të njëjtë: serbët nuk janë popull që kanë mundur të kryenin gjenocid. Ky rezultat arrihet duke thënë se në luftërat e ish-Jugosllavisë janë vrarë edhe serbët, se Gjermania në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore ka vrarë më shumë njerëz sesa kanë vrarë serbët në Srebrenicë, e kështu me radhë, deri në nivele gjithnjë e më të larta të absurdit. Por, rezultati i këtij ligjërimi është se për dallim prej gjermanëve (që në ligjërim janë përgjegjës për Holokaust), turqve (“përgjegjës për gjenocidin ndaj armenëve”) , në Srebrenicë nuk ka ndodhur gjenocid, sepse serbët “mund të kenë kryer krime të tmerrshme, si edhe të tjerët”, por  nuk mund të kryejnë gjenocid. Kështu, ekziston një veçori që nuk e lejon serbin etnik të kryejë gjenocid, por kjo veçori nuk ekziston tek popujt e tjerë, madje me zhvillim shumë më të madh kulturor, politik e ekonomik në kontinentin evropian, siç janë gjermanët.

Në rastin e Banjskës, gjegjësisht sulmit paraushtarak të prirë nga Milan Radoiçiqi, dilema për Serbinë zyrtare është se a mund të cilësohet një serb që merr armë kundër pushtetit të Kosovës veprim i paligjshëm? Apo, në kontekstin e normave e ligjeve evropiane (përfshirë edhe ato të Serbisë) , a mund të cilësohet si shkelje e ligjit kur një serb organizon veprime të dhunshme kundër Kosovës (e shqiptarëve)? Prej sulmit në Banjskë kanë kaluar shtatë muaj dhe deri më tani Serbia ka deklaruar me veprime se ligjet zbatohen kundër çdo veprimi të dhunshëm, pos nëse veprimi i dhunshëm është i një qytetari etnik serb, i cili detyron me armë pjesëtarët e kombeve e shteteve të tjera të besojnë se ekziston veçantizmi serb dhe se ata duhet t’i nënshtrohen atij . Këtë Serbia e tregoi që nga dita e parë pas sulmit paraushtarak, duke shpallur ditë zie për pjesëtarët e vrarë të formacionit paraushtarak që sulmoi Kosovën.

Qytetari etnik serb që komandon vrasjen e tetë mijë djemve dhe burrave në Srebrenicë apo ai që i prin një aksioni paraushtarak kundër Kosovës nuk mund të jenë duke kryer vepra kundërligjore, sepse janë duke mbrojtur të drejtën e veçantisë serbe.  

4. 

Pra, del që në veçantizmin serb ekziston një interpretim krejtësisht i ndarë (a të përsëritemi-i veçantë) i ligjeve financiare, të verdikteve të gjykatave ndërkombëtare e të kodeve penale që në nivel evropian janë pothuajse të unifikuara. Një qytetar portugez nuk do të kërkojë bankomat etnik grek për të nxjerrë para. Një qytetar estonez nuk do të kërkojë që vendimet e gjykatave të arbitrazhit  të jenë të vlefshme vetëm nëse në to si palë e dënuar nuk përmenden Estonia e estonezët. Një qytetar austriak nuk do të kërkojë që kodi penal i Austrisë të jetë i aplikueshëm çdoherë pos në rastet kur qytetari austriak, në mbrojtje të kulturës dhe historisë austriake gjuan me revole dhe automatik çdokënd që mohon epërsinë e Austrisë e austriakëve ndaj popujve të tjerë fqinj. Por, që të gjitha këto përjashtime kërkohen në Serbi.

Serbia ka hyrë në një gropë, jo tash, por prej kohës së konsensusit nacionalist të kohës së Milosheviqit. Gropa e veçantisë nuk është vetëm ndaj popujve fqinj, por, siç shihet, edhe ndaj botës në tërësi. Ashtu siç është bërë përpjekja që popujt fqinjë ta pranojnë qoftë edhe me dhunë realitetin e veçantisë së Serbisë e serbizmit, ashtu është bërë përpjekja e po bëhet edhe sot që bota ta shohë veten nëpërmjet syve të veçantizmit serb. Formulimin më të mirë e bënë në diskutimet e Këshillit të Evropës disa deputete serbe që përsëritën ligjërimin udhëheqës në vend - politik e mediatik - duke iu drejtuar kolegëve në Këshill të Evropës: “Si guxoni ta pranoni në mesin tuaj Kosovën?”, që i bie pak a shumë “Si guxoni mos ta shihni Kosovën me sytë tanë?”.

Gropa e thellë e izolimit nga realiteti në të cilën gjendet Serbia vazhdon të thellohet ; Serbia e ka marrë me seriozitet lopatën e rrëmihjes drejt thellësive të reja. Ky natyrisht nuk është lajm i mirë për Serbinë dhe, siç ka ndodhur gjithherë në këtë regjion, nuk është lajm i mirë as për fqinjët e saj.

5.

Në këtë shkrim nuk u përmendën “veçantizmat” e të tjerëve. Është e qartë se si fenomen ekzistojnë. Çdoherë që përmendet një krim që mund të jetë kryer nga ndonjë shqiptar i armatosur në Kosovë me apo uniformë të UÇK-së, ligjërimi veçantist në Kosovë do të deklarojë se “lufta e shqiptarëve” (apo UÇK-së) ishte e pastër, rrjedhimisht ekziston pamundësia pothuajse biologjike që një shqiptar të kryejë krime ndaj civilëve serbë. 

Apo, sikurse edhe në Kosovë, çdoherë që përmendet ndonjë krim i kryer nga pjesëtar i forcave të armatosura kroate ndaj civilëve serbë do të ngrihet ligjërimi veçantist, i cili do të thotë se nuk mund të krahasohen krimet e Serbisë e Serbosllavisë me krimet eventuale që i kanë kryer “çlirimtarët” , me çka ekziston e drejta sipërore për të vrarë civilë nëse qëllimi është i mirë, gjë që eventualisht çon te legjitimimi i vrasjes së civilëve.

Por, Kosova është shoqëri që me gjithë traumat e saj po kalon edhe me një gjykim të disa prej krerëve të UÇK-së. Në të vrasja e civilëve nuk po trajtohet, as nga prokuroria e as nga të akuzuarit, si një e drejtë e veçantizmit. E kush dyshon në kulturën e ballafaqimit me të kaluarën në Kroaci mund të ketë parë gjatë kësaj jave krerët e shtetit të Kroacisë, figura të pushtetit e të opozitës, të cilët shkuan me lule në duar në kampin fatkeq të Jasenovcit dhe te varrezat e romëve të vrarë nga pushteti fashist kroat gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dhe, ja pse “veçantizmi” i të tjerëve – për shembull shqiptarëve e kroatëve - nuk u përmendën në një gjerësi e thellësi  sikur në rastin e Serbisë. Në Serbi ky është ende e për fat të keq jo vetëm projekt shtetëror, por në masë të madhe edhe shoqëror.  

7 Komente

  1. D
    DRENICA E KUQE

    “Veçantizmi” i ketij autori eshte se ky orvatet ta mbuloje “veçantizmin” e tij me gropen qe i njejti me kompani i ben Shqiperise dhe shqiptareve, dhe, fatkeqesisht, gazetat e mediat “puro” shqiptare i besojne ketij soji, duke e mbuluar “veçantizmin” e tyre proserb e projugosllav me patriotizem “shqiptar”... Sa poshte ka rene ajo Shqiperia qe e donim aq shume, e, per kete te sotmen as te mos flasim... Fatkeqesisht per shqiptaret, ende u besohet “shqiptareve” proserbe e projugosllave, sesa shqiptareve te vertete qe edhe sot e kesaj dite po mbahen neper burgje vendore e nderkombetare, fale “veçantizmit” surroist

    1. S
      Saranda

      Kot perdredh fjalet ky Veton prosllavi. Tendece e mjere per relativizom. Gjerat dihen dhe duhet te thuhen ashtu sic jane: servet jane pyka ruse ne gadishullin ilirik. Ata kane projekte akademike, shtetrore e shoqerore kunder shqiptarve. Te gjitha keto prjekte te zeza jane te shkruara e te botuara. Servia eshte fole e kriminelve gjenerat pas gjenerate. Sot gjerat kane ndryshuar. Servet nuk mund te genjejne me. Kjo sj sjellje qe ti e quane “vecantizem” nuk eshte gje tjeter vec se zhgenjom i kriminelve akademik, shteteror e shoqeror serv, se projektet e tyre famkeqe sunnduese e ekspansioniste kane marr fund. Meshire te ty Veton prosllavi .

      1. t
        tetovari2

        Sa i mjerë qënke Saranda!?Qenke shumë i cekët nga fiqiri. Që të kuptosh shkrimet e Z.Veton Surroit duhet të kesh lexuar një traktor me libra.

        1. t
          tetovari2

          Sa i mjerë qënke Saranda!?Qenke shumë i cekët nga fiqiri. Që të kuptosh shkrimet e Z.Veton Surroit duhet të kesh lexuar një traktor me libra.

        2. R
          Rama Vučić

          A kr marrë leje nga Rama që ia shanë mikun?

          1. N
            Noc. Rroku

            Respekte !!!! Vërtet janë veçantista ; duke mos i futur tutje në histori...vetëm provokimet e tyre të fundit....për t'u shpallur juridikisht ndërkombëtarisht si " komb," Gjenocidal.....vetëm e vetëm të shkruhet diku fjala KOMB......se ngelën t'u thon bota s.... Respekt Surroi.....

            1. D
              Drini I bardhe e I zi bashke.

              Nuk me duket se ka prosllavizem te shkrimi i Vetonit. Ai eshte munduar ta ngreje diskursin ne nje nivel me teorik .Nese se kuptoni ju , atehere si tha Monika, pika pika.

              Lini një Përgjigje