Nga Baton Haxhiu
Në historinë e Universitetit të Prishtinës ka pasur gjithmonë rektorë servilë dhe zëra të ndërgjegjes. Ka pasur kohë kur është ndaluar fjala, por jo mendimi. Kohë kur janë diferencuar profesorë politikisht, por askush s’ka heshtur. Ka pasur përplasje idesh, liri akademike dhe debat. Dhe gjithmonë, dikush ka mbajtur qëndrim, ka dalë përballë pushtetit, ka kundërshtuar padrejtësinë, ka ruajtur dinjitetin e dijes.
Dje, për herë të parë në historinë e tij, Universiteti heshti. Asnjë profesor nuk foli. Asnjë zë kritik nuk u ngrit. Ata që duhej të ishin ndërgjegjja e kombit, u bënë dëshmitarët e heshtjes së tij. Ata që dikur mbanin leksione për liri, sot mbajtën frymën për rrogë. Dhe ky është fundi i një epoke, kur intelektualët pa këllqe duartrokasin pushtetin që i përçmon dhe mantelin e profesorit e kthejnë në uniformë shërbimi.
Ka raste kur një vend nuk ka më nevojë për armiq. Sepse i krijon vetë, në formën e turpit. Dhe ky turp, në Kosovë, sapo u kurorëzua me diplomë nderi.
Universiteti i Prishtinës, dikur quhej tempull i dijes dhe i sakrificës kombëtare, kuptohet ne kornizën e dijes për kohën, dje vendosi të shpërblejë dy njerëzit që më shumë se kushdo tjetër kanë bërë për të shkatërruar kuptimin e meritës, institucioneve dhe të vetë arsyes. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, dy figura që kanë ndërtuar karrierën mbi demagogjinë dhe urrejtjen e përbashkët ndaj kujtdo që guxon të mendojë ndryshe, u nderuan nga oborri universitar që prej kohësh s’është më universitas por oborr i nderimeve të pushtetit.
Nuk duhet mohuar që Albin Kurti ka treguar trimëri në demostratat e vitit 1997.
Por, duke hequr këtë meritë të njohur dhe për respekt, në çdo vend normal, një universitet nderon ata që e kanë bërë njeriun më të mençur, shoqërinë më të drejtë dhe dijen më të lirë. Në Kosovë, ai nderon ata që e kanë bërë mendimin më frikacak, median më të poshtëruar dhe universitetin vetë më të heshtur. Kjo është si të ftojsh një zjarrvënës të pranojë çmimin për ruajtjen e pyjeve.
Në vendet ku arsimi ka integritet, universitetet janë qendra rezistence ndaj politikës. Kur themeluesi i Microsoft-it Bill Gates mori një titull nderi në Harvard, ishte për arsye se krijoi diçka që e ndryshoi botën. Kur Vaclav Havel u nderua nga universitetet evropiane, ishte sepse ai rrëzoi muret e mendimit totalitar me forcën e fjalës.
Në Prishtinë, përkundrazi, çmimi i nderit jepet për forcën e propagandës. Këtu, mirënjohja nuk është shpërblim për mendjen, por për bindjen. Nuk është dhuratë për vlerën, por kompensim për pushtetin.
Albin Kurti, me mitet e tij të vjetra, nga patrioti i popullit e deri te i pakorruptuari, është prodhimi më i sofistikuar i mashtrimit politik ballkanik. Ai u ngjit në pushtet si revolucionar, por qeveris si censor. Ai predikoi idealin e kombit, por ndërtoi sektin e vet. Ai që dikur fliste për dinjitetin e qytetarit, sot e përdor poshtërimin e tij si metodë qeverisjeje. Ai që fliste për moral, sot e ushtron pushtetin si një ndërmarrje hakmarrjeje. Ai që lexon Hegelin në Facebook, s’e ka kuptuar kurrë se dialektika s’është ndërrim fjalësh, por luftë idesh. Dhe për ta përmbyllur këtë farsë, i njëjti njeri që shkroi në dokumentet e veta për organizime ilegale dhe gënjeshtra si strategji politike, u nderua nga një universitet që dikur dënonte dhunën e mendimit, e sot e përqafon atë.
Vjosa Osmani, nga ana tjetër, u prezantua si zëri i femrës moderne, por shndërroi presidencën në një qendër protokollare nën hijen e liderit mashkull që dikur e kritikonte. Ajo nuk është më simbol i emancipimit, por figurë e nënshtrimit me karrierë.
Të dy, në fakt, janë dy anët e së njëjtës medalje të falsifikuar, ai që mendon se është populli dhe ajo që beson se është kombi. Universiteti, me naivitet apo me frikë, vendosi t’i nderojë duke harruar se mirënjohja nuk shëron hipokrizinë, e vetëm e bën atë më publike.
Nuk ka nevojë për shumë fjalë. Ky çmim është turpi i shekullit universitar në Kosovë. Ai tregon se në këtë vend nuk shpërblehet më as mendja, as ndershmëria, por lojaliteti ndaj frikës. Në një shoqëri që dikur shpërblente guximin intelektual, ku një Ibrahim Rugova sfidonte sistemin pa asnjë pushtet përveç mendjes, sot shpërblehet mediokriteti që vjen i shoqëruar me sigurim privat dhe gaz lotsjellës.
Nëse do të kishte ndonjë analogji, kjo skenë do të ngjante me Universitetin e Minskut që nderon Lukashenkon për kontribut në demokraci, apo me Universitetin e Tiranës që i jep Sali Berishës çmimin për integritet publik. Apo më ironikja, me Harvardin që refuzoi t’i japë Donald Trump-it titull nderi për arsye morale, ndërsa Universiteti i Prishtinës i dorëzon një të tillë një qeverie që i ka shkelur çdo standard të pavarësisë akademike.
Kur Oxford-i i dha Tony Blair-it çmimin për lidership global, mbi 4 mijë studentë protestuan para portave të universitetit. Ata kërkuan që akademia të mos bëhej pjesë e një lufte të padrejtë dhe të mos dekoronte një politikan që kishte mashtruar një komb për Irakun. Edhe pse studentët e dinin se pikërisht Bler disa vite më heret kishte mbrojtur shqiptarët nga gjenocidi dhe ia kishin njohur këtë meritë.
Ata konsideronin se merita dekorohet por gabimi edhe mund të kritikohet.
Në Prishtinë, përkundrazi, rektori buzëqesh me nderuesit e gënjeshtrës dhe asnjë student nuk guxon të pyesë pse. Studentët, të cilëve pesë ditë para zgjedhjeve lokale, Albin Kurti vendosi t’ua japë nga 100 euro si lëmoshë, heshtën, si asnjëherë tjetër. Ishte trishtim i madh t’i shihje brenda në sallë duke duartrokitur, ata që duhej të ishin jashtë duke protestuar.
Ky nderim nuk është vlerësim, por bashkëfajësi morale. Është vula e një universiteti që ka harruar arsyen pse ekziston, për të edukuar mendje kritike, jo për të dekoruar idhuj të pushtetit. Sepse kur dija i jep nder injorancës, nuk është më dija që fiton dinjitet, por injoranca që fiton legjitimitet.
Në fund, mbetet pyetja e vetme e denjë për një universitet që i dorëzon shpërblime një qeverie që po ia zvogëlon buxhetin. Kush e nderon kë? Universiteti i Prishtinës apo partia e tij që e ka kapur universitetin?
Në të vërtetë, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk janë nderuar. Janë poshtëruar me shkëlqim. Sepse vetëm në një shoqëri që ka harruar turpin, mirënjohja mund të bëhet sinonim i neverisë. Dhe vetëm në një oborr ku dija është shërbëtore, një tiran dhe një kukull mund të quhen mysafirë nderi. Dhe vetëm në një auditor ku profesorët kanë humbur kurajon, turpi mund të vishet me mantel.
Respekte Baton Haxhiu
Ky mercenar serb,eshte klon i tredhur vet,mjer kombi e Drenica qe te ka.
Ua paska qjerre maskat ky i paftyri!
Batoni ka 99% te drejte! Gabimi i tij eshte qe pranon te qeaje universitet ate te Prishtines qe ka degraduar me keq se nje gjimnaz i keq ne nje cep te Shqiperise. Nuk mund te kete universitet te mire kur brumi qe hyn ne te te shkollohet eshte nga ai i LVV qe nuk vjen se nuk ka maja/tru.