Reuters zbulon kushtet e Putinit për marrrëveshjen e paqes në Ukrainë

28 Maj 2025, 15:25Bota TEMA
Reuters zbulon kushtet e Putinit për marrrëveshjen e paqes në

Agjencia e lajmeve Reuters ka publikuar këtë të mërkurë kushtet që Presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë.

Në qendër të kushteve të Moskës qëndron një kërkesë që udhëheqësit perëndimorë të japin me shkrim zotimin për të ndaluar zgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Duke cituar burime të afërta me negociatat, Reuters shkruan se Putin kërkon që fuqitë perëndimore të angazhohen formalisht për të mos lejuar anëtarësimin e Ukrainës, Gjeorgjisë, Moldavisë dhe republikave të tjera ish-sovjetike në NATO. Një tjetër kusht i rëndësishëm është që Ukraina të mbetet neutrale. Gjithashtu lideri rus kërkon zgjidhjen e çështjes së aseteve sovrane ruse të ngrira në Perëndim dhe mbrojtjen e rusishtfolësve në territorin ukrainas.

Burimet e Reuters theksojnë se Putini është i gatshëm të negociojë marrëveshjen e paqes, por jo “me çdo çmim”.

“Nëse nuk arrin të marrë kushtet e dëshiruara, Kremlini do të përpiqet të tregojë përmes fitores ushtarake se një armëpushim i vonuar do të çojë në pasoja edhe më të rënda për Ukrainën dhe Evropën”, shkruan Reuters.

Presidenti rus dhe zyrtarët e tij kanë deklaruar se çdo marrëveshje paqeje duhet të adresojë “shkaqet rrënjësore” të konfliktit, duke nënkuptuar kërkesën e tyre për kufizim të zgjerimit të NATO-s dhe ndalimin e mbështetjes perëndimore për Ukrainën.

Nga ana tjetër, Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë kanë refuzuar që Rusia të ketë të drejtë vetoje mbi aspiratat ukrainase për anëtarësim në NATO. Ukraina kërkon garanci të forta sigurie nga Perëndimi për të parandaluar një sulm të ardhshëm nga Rusia.

Reuters raporton gjithashtu se Putin ka kërkuar ruajtjen e kontrollit të plotë mbi rajonet e Luhanskut, Donetskut, Zaporizhzhjes dhe Khersonit, dhe se është më pak i gatshëm për kompromise territoriale.

NATO dhe udhëheqësit perëndimorë kanë refuzuar deri tani të ndryshojnë politikën e “dyerve të hapura” për anëtarësimin e vendeve të reja në aleancë, duke theksuar se zgjerimi i saj nuk është kërcënim për Rusinë, megjithëse e konsiderojnë Moskën si kërcënimin kryesor në rajon.

2 Komente

  1. s
    sokrat

    Ruset gjithmone jane shquar si shahiste te nivelit teper te larte boteror. Deri tani Putini po loz shah me SHBA dhe Europen. Po e luan lojen si te doje dhe po provon lloj-lloj variantesh loje qe nuk e kane vene fare ne veshtiresi. SHBA dhe Europa akoma nuk jane bere bashke dhe te kene nje pergjigje te forte dhe te koordinuar hibride. Duket sikur i shmangen perballjes me Rusine. Por, pasojat qe tani po i vuan Ukraina do te bien edhe me fort mbi vete ato. Eshte koha per te vepruar dhe jo per tu shmangur.

    Përgjigjjuni
    1. I
      Ilyrian

      Fitoret e Rusise kane qene gjithmone si fitoret e Pirros, Pirroja nje beteje humbi duke pasur me shume humbje se kundershtari dhe i vune emrin si fitoret e Pirros, por Russia cdo fitore e ka pasur si te Pirros dhe kjo ndaj Ukraines ne se mund te quhet fitore eshte nje fitore qe do ti kushtoje jashtezakonisht shtrenjt rusise koha do ta tregoje rreziku i shperberjes se rusise eshte jashtezakonisht i larte...

      Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje