Jeta e Maliq Rabijes në dy luftërat botërore…

21 Nëntor 2023, 22:00Dossier TEMA

Jeta e Maliq Rabijes në dy luftërat botërore…

Nga Feti ZENELI

Midis qindra e mijëra shqiptarëve që u përballën gjatë jetës së tyre me një luftë vërtetë të ashpër e të padëgjuar ndonjëherë, është dhe Maliq Fejzaj (Zeneli). Ai lindi në 3 maj 1886 në një familje të njohur atdhetare në fshatin Rabije të Tepelenës.

Sa herë dua të shkruaj diçka për veprën vetmohuese të këtyre njerëzve në shërbim të atdheut dhe çështjes kombëtare, më vjen ndërmend një shprehje e përdorur nga gazeta “Dielli”, organ i Vatrës në Amerikë për trimëritë e luftëtarëve të Shashicës në Luftën e Vlorës, të 1920-ës, duke i quajtur ata: “trima të tërbuar”. Të furishëm e të papërmbajtshëm ishin ata në luftën për liri e pavarësi ndaj pushtuesve të huaj, si furtuna që ngre e vë përpara dallgë të mëdha. Sepse i tillë ishte ideali atdhetar, tek kjo kategori luftëtarësh. Shpirti atdhedashës i tyre në kohë luftrash, e kish folenë në maja malesh. “Lart përmbi shkëmbinjë/ atje tek shqiponjat rrinë…”, siç thoshte Asdreni.

Sot jetojmë në një kohë, kur e shkuara është hedhur prapa krahësh. Shenjtëria e gjakut të derdhur dhe e kontributit të dhënë për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, nuk po çmohet më si dikur. Madje në disa raste shpërfillet e përçmohet, falë dhe politikës konfliktuale tek ne. Kësisoj, si padashur, nga harrimi po kalohet në mëkatim. Institucionet nderuese nuk po funksionojnë si duhet ose i ka kalbëzyer formalizmi. Të zhytur kokë e këmbë në ngjarjet bashkëkohore, duket se po e harrojmë të kaluarën tonë, kur dihet postulati: “një komb i cili e harron të kaluarën, ai komb s’ka të ardhme”.  Është fjala për atë të shkuar që përbëhet nga veprimtaria patriotike dhe atdhedashëse e figurave me kontribut konkret, deri në vetmohim. Jemi mjaftuar me aq sa u bë në vitet e socializmit. Institucionet shtetrore nuk ndjehen më. Gjithëçka ka ngelur në dorë të organizatës së Dëshmorëve apo të Veteranëve; deri diku dhe të familjarëve. Ja siç do të bëjë Eduart Zeneli, për gjyshin e tij Maliqin, një emër i nderuar, jo vetëm për Rabijen, Buzin apo Tepelenën, por dhe më gjerë. Nuk është se po bën ndonjë gjë të madhe, thjeshtë po përpiqet që kontributi i tij të njihet, të respektohet e të vlerësohet siç e meriton, edhe në këtë kohë, ku fatkeqsisht qepen dhe shqepen kostume historike, jo nga ustallarë, por nga “mercenarë”.

Vërtetë Maliq Rabija është ndarë nga kjo jetë në 2 maj 1982, por rron vepra e tij dhe emri i mirë që la. Gjithë jetën e kaloi në dy luftëra botërore dhe në më shumë se tre dekada pune e përkushtim për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit. Në të gjitha këto vite e kanë thirrur me emrin e nderuar: “Komandant!” Edhe në fjalën e lamtumirës, kështu ju drejtuan. Më ka rënë në dorë një letër ngushëlluese, që shoku i tij i armëve, veterani i Luftës Nacionalçlirimtare, Qemal Meçaj, i dërgonte familjes së xha Maliqit ku shkruante: “Mësuam dhe u hidhëruam për vdekjen e njeriut tuaj të dashur dhe mikut e shokut tonë të mirë, Xha Maliqit. Atë e konsideronim bashkëluftëtar e komandant, por edhe shok, prind e vëlla të madh…”. Nuk besoj se gjithëçka në këtë drejtim, lidhet me vendimin e Qarkorit Gjirokastër të gushtit 1944, kur e emërojnë “Komandant i vendit për krahinën e Buzit”. Në këtë kohë ai ishte rreth të gjashtëdhjetave. Ka lindur dhe është rritur në luftë, duke filluar me turqit, andartët grekë, austro-hungarezët, italianët, etj. Trashëgimia dhe ndërgjegjia atdhetare e burrëroi para kohe. Ndiqte me vëmendje ngjarjet dhe personazhet historike të kohës, duke fituar simpatinë dhe besimin e tyre. Në kujtimet që sjell Eduarti për gjyshin e vet tregon, se pasi merrë pjesë në ngjarjet për ngritjen e flamurit, qysh në nisje të Luftës së Parë Botërore në 28 qershor 1914, filloi të shpërndante ndër luftëtarë “martina” e “dogra”, që babai i vet dhe miq të tij, siguronin në rrugë e forma të ndryshme. Dhe kjo nuk ishte një punë aq e lehtë, si të shpërndash letra, për shembull. Ndërsa po ta shohësh nga rëndësia që ajo kishte si punë apo si detyrë patriotike, atëhere vlerësimet shtohen gjithnjë e më tepër. Kushtrimi “në mos kini armë, gjeni/ ja rrëmbeni atij qeni” është dëgjuar kohë pas kohe, jo vetëm nga ata që ishin në fushën e betejës, por nga gjithë shqiptarët. Se të gjithë ishin në luftë; disa në front, pjesa tjetër në prapavijë.

Ka qënë një mungesë permanente, ajo e armëve, që në shumicën e rasteve kompensohej; ja, me zgjidhje të tilla, të cilat i vinin në ndihmë shpirtit të paepur luftarak. Kam parasysh, se një ndër problemet, njëherësh dhe detyrat e Kuvendit të Barçallasë që përgatiti Luftën e Vlorës, ishte mungesa e armatimit për forcat kryengritëse. U bë bilanci; kishte më shumë luftëtarë se sa pushkë. Në këto rrethana u vendos që në çdo dy luftëtarë, njeri të pajiset me pushkë dhe tjetri me armë të ftohtë, si; jatagan, shpatë, sëpatë, kosorë, etj., ndonëse luftonin me një ushtri “të armatosur gjer në dhëmbë”. Megjithatë, siç dihet tashmë nga i madh e i vogël, në këtë luftë do triumfonin “dyfekët më gjalëm” përballë topave të pushtuesve.

Maliq Rabija ka këtu historinë e tij më të lavdishme si luftëtarë e si komandat në krye të çetës buziote me mbi 70 vetë në Luftën e Vlorës. Ai ishte një zë potent në korin ultimativ të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, duke i kërkuar gjeneralit italian, Piaçentinit, të hiqte dorë nga planet ogurzeza për coptimin e Shqipërisë, sipas traktatit famkeq të Londrës, të vitit 1913: “Sot populli shqiptar i bashkuar më shumë se çdo herë, duke mos mundur të durojë të shitet si bagëtia në pazaret e Europës, si shpërblim ndaj italo-greko-serbëve, vendosi të marrë armët në dorë dhe të kërkojë nga Italia administratën e Vlorës, Tepelenës, dhe Himarës, të cilat do t’i dorëzohen me të shpejtë qeverisë kombëtare të Tiranës”.  Ishte 29 maj 1920. Jehona e zërit kuvendor nga shpatet dhe pllajat e Barçallasë nisi të dëgjohej jo vetëm në krahinat e jugut, por anë e mbanë Shqipërisë, madje dhe jashtë kufijve të saj. Flitej burrërisht, shqiptarisht dhe mënçurisht. Madje më me shumë ndjeshmëri e përgjegjshmëri atdhetare. Kishin zënë vënd në krah të njeri-tjetrit, ku secilit i lexohej qart në fytyrë, ndjenja e sakrificës personale. Impenjimi dhe gatishmëria ishin në shkallën më të lartë, sa që çdokush të dukej si një hero me vete. Gjithësecili mund të ishte në krye. Sepse aq lartë i thërriste ideali, krenaria dhe morali i të qënit shqiptar. Ishte një situatë tejet e rëndë, ku pushtimi donte t’ja linte vendin coptimit dhe asgjësimit kombëtar. Po dilnin në skenë pazare të pista fqinjësh të pabesë, të mbështetur prej fuqive të mëdha. Traktati i fshehtë i Londrës që mbante datën 26 prill 1915 ishte zbuluar tërësisht në sytë e shqiptarëve. Coptimi tërësor i trojeve shqiptare në favor të trekëndëshit italo-greko-serbë dhe, për rrjedhoj, asgjësim i pavarësisë dukeshin që së largu. Edhe ai dokumenti i 9 dhjetorit 1919, hartuar nën frymën e Traktatit të Londrës që i njihte qeverisë italiane sovranitetin mbi Vlorën dhe gjithë krahinat e saj, po ashtu. Ndërkohë, përplasjet me garnizonet italiane nga dita në ditë po intesifikoheshin. Këto njësi ushtrake kishin marrë urdhër dhe mbeteshin të vendosura ta mbanin të pushtuar Vlorën, Himarën, Tepelenën duke u përpjekur me të gjitha forcat dhe mundësitë që ta paralizonin veprimtarinë e qeverisë së Tiranës për bashkimin kombëtar. Për këtë çështje ziente dhe Parlamenti Italian i asaj kohe, ku kryeministri Xholiti e konisderonte Vlorën “një shënjë strategjike”, që duhej të mbetej me çdo kusht në duartë e tyre. Në këto kushte u përgatit Lufta e Vlorës e 1920-ës, si një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Sepse, nëpërmjet saj, nuk u fitua thjeshtë një betejë, por u shmang çopëtimi i Shqipërisë. Po të kishte rënë Vlora, perustia që mbante përsipër trojet shqiptare, mbetej me dy këmbë; pra nuk kishte më funksion. Ndaj pati një vlerësim kaq të lartë për çdokënd që mori pjesë në këtë luftë. Në krye, ata që i paraprinë fitores me gjakun e tyre: -150 dëshmorë dhe mbi 400 të plagosur. Edhe Maliq Rabija dhe çeta e tij e përmbushën me sukses detyrën në këtë luftë legjendare. Ndaj dhe u vlerësua me urdhërin “Për veprimtari patriotike të klasit të tretë”, sipas dekretit Nr. 4736, datë 31.8.1970 të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH: “Ka marrë pjesë në Luftën e Vlorës më 1920 dhe ka luftuar me guxim e trimëri kundër pushtuesve italianë”. Çeta e tij u kthye, pa luftëtarin Mehmet Selimi nga fshati Tosk Martalloz, i cili ra dëshmor, për t’u përfshirë në beteja të tjera të luftës për liri.

Siç dihet, pas Luftës së Vlorës ka patur një periudhë paqeje të brishtë, e cila përfshinë kohën e Mbretërisë Shqiptare, deri në prag të Luftës së Dytë Botërore. Ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, edhe Maliqi ju kthye punës për mirëqënien ekonomike të familjes dhe detyrave si shtetas emërmirë i këtij vendi. Me punë, zotësi e trashëgimi, përveçse dy mullinjë bloje, zotëronte si pasuri në atë kohë, edhe disa hektarë toka bujqësore, pyje e kullota. Fshatar i mesëm nga pasuria, por burrë me sjelljeje zotnie, ku në fjalë e gjeste i shkëlqente shpirtmadhësia. Ja një shembull: U kishte dhënë urdhër mullixhinjve, që familjet e varfëra, që sillnin pak bereqet në mulli, të bluanin falas.

Ashtu siç respektonte traditat dhe zakonet e mira të trashëguar brez pas brezi në familjen e tij, vepronte edhe me ligjet dhe rregullat e shtetit të vet. Gjithmonë kontributin për familjen e shihte të integruar me atë për shtetin dhe shoqërinë.

“Armët në brez” i mbajti edhe gjatë viteve të Mbretërisë shqiptare, si kryexhandar në të gjithë zonën e Mallakastrës; këtë herë për rregull e qetësi. Por kjo periudhë zgjati deri në 1939-ën, kur filloi Lufta e Dytë Botërore dhe Italia Fashiste pushtoi sërish Shqipërinë. Në vazhdën e qëndrimit patriotik të mbajtur, ai ju bashkua familjarisht Luftës Nacionalçlirimtare. Në vjeshtën e vitit 1942, Maliqi bashkëpunon ilegalisht me Mustafa Matohitin dhe Rebani Shehun për krijimin e këshillave nacionalçlirimtare në të gjithë krahinën e Buzit, duke e nisur nga fshati i tij, Rabija. Ndërkohë caktohet dhe anëtar i Këshillit Krahinor të Buzit. Pas kësaj veprimtarie të rëndësishme patriotike, në shkurt të vitit 1943, me krijimin e çetës territoriale në vendlindjen e tij, e zgjeron aktivitetin në të gjithë zonën rreth e qark Rabijes, në një hapësirë që shtrihej nga Cakrani i Fierit deri në kufi me fshtarat e Përmetit, Beratit dhe Skraparit. Gjatë kësaj periudhe renditet në grupin e burrave të rëndësishëm që mundësuan “Beslidhjen e Poçemit” të vitit 1943, e treta veprimtari e tillë patriotike brenda një shekulli, në këtë krahinë të njohur për besë e trimëri. Siç dihet, Beslidhja e parë i përket vitit 1847, ku fshatarë të lirë, të cilëve ju bashkuan edhe ish-oficerë me shërbim në Peranorinë Osmane, kundërshtuan sistemin e lartë të taksimit turk; ndërsa e dyta - vitit 1920, për mbështetjen me luftëtarë dhe armatime të Luftës së Vlorës, edhe sipas porosive të Qeverisë së Tiranës. Që të treja për të diskutuar dhe marrё vendime të rёndёsishme historike, me sloganin e njohur: “as pёr mua e as pёr ty, por pёr gjithё Shqipёri”.

Në Beslidhjen e 8 korrikut 1943, Maliqi u njoh dhe krijoi miqësi të ngushtë me komandantin e “Çetës Plakë”, Mehmet Shehun. Qe një miqësi që vazhdoi edhe pas çlirimit të vendit. Kujtojmë këtu urimin për çdo Vit të Ri që ish kryeministri i bënte xha Maliqit nëpërmjet dërgimit të kartolinave. Ishin miq dhe shokë armësh në këtë formacion të njohur luftarak, ku Maliq Rabija mbante në krah edhe nipin e tij, Sabri Hodo Fejzaj, sidomos në betejat e Qafës së Sykuqit, Ruzhdijes, Patosi, Selenicës, etj.

Në këtë periudhë bie në sy një veprim sa i guximshëm aq dhe i mençur i komandantit rabijot me depot e armëve të bashkëpunëtorit të fashizmit, Isa Toskës në Portëz të Fierit. Duke shfrytëzuar reputacionin që kishte në popull, Maliqi arriti t’i bind rojet e këtyre depove të marrin armët dhe t’u bashkohen formacioneve partizane. Nuk ishte thjeshtë një veprim, por pjesë e një strategjie të tërë për të shtuar radhët e forcave partizane si dhe numrin e armëve në dispozicion të tyre. Isa Toska që ishte i njohur për krimet e përbindshme, sidomos në zonën e Myzeqesë e të Mallkastër, nuk u ndje, kur mori vesh se kush e kishte kryer këtë aksion, duke u mjaftuar me fjalët: “Trimat që kisha, nuk kthehen më, ndaj t’i zëvendësojmë me të tjerë”. Ndërkohë në një libër me kujtime të Duro Shehut, vëllait të ish kryeministrit shqiptar, tregohet marrja përsipër nga Maliq Rabija e strehimit dhe sigurimit të jetës së Sheh Ismailit dhe gruas së tij Sulltanës (prindërit e Duros dhe Mehmetit) në zonën e Krahësit, të cilët përndiqeshin këmba-këmbës nga fashistët italianë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Për gjithë kontributin e dhënë në Luftën e Dytë Botërore, Presidiumi i Kuvendit Popullor, me dekretin Nr. 1055, datë 22.03.1950 e ka dekoruar Maliqin me Medaljen e Kujtimit.

Çlirimi i vendit e gjeti tek të gjashtëdhjetat, megjithatë kontributi i tij do të vazhdonte të jepej me të njëjtën devotshmëri si në kohën e luftës, të cilës i kushtoi pjesën më të madhe të jetës. Vazhdoi të ishte aktiv deri në fund të viteve ’50, duke kryer detyra të ndryshme si kryetar i Këshillit Popullor të fshatit Rabije, anëtar i Këshillit Popullor të Rrethit Tepelenë dhe të Qarkut Gjirokastër. Por shtëpia e tij në Rabije e mbajti përherë portën hapur, jo vetëm për miqë e shokë lufte, por edhe për të panjohur apo zyrtarë e nëpunës lokal të periudhës së pasluftës. Ashtu si pjesën më të madhe të jetës, për interesa madhore të kombit dhe atdheut fali edhe pasurinë e tij, duke filluar me tokën në vendin e quajtur “Gumeni” për ndërtimin e shkollës së fshatit.

Historitë dhe kujtimet e shumta për Maliq Rabijen nisin të gjithë me togfjalëshin: “Ai ishte i zoti i pushkës, i punës, por dhe i fjalës”. Këto cilësi i ka manifestuar me bollëk gjatë gjithë jetës së tij. Po sjellim dhe një fakt të fundit ilustrues në mbyllje të këtij shkrimi, që dëshmon largpamësinë e Maliq Rabijes: Ishte periudha kur krahu i peshores se luftës së brendshme për pushtet midis Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes, dukej se po anonte nga ky i fundit. Duke u ndjerë përkohësisht në pozita favorizuese, Koçi Xoxe filloi të kërkonte rehabilitimin e Titos dhe trajtimin e tij si mik i madh i Shqipërisë. Si në të gjithë vendin edhe në Buz u zhvillua një mbledhje populli, me këtë rend dite; pra, për ta parë e nderuar ish-udhëheqësin jugosllav, si aleat të vendit tonë. Maliq Rabija, mezi po duronte të merrte fjalën. Sapo u ul i deleguari, brofi në këmbë: “Shoku sekretar, i thoni shokut Enver dhe shokut Mehmet, që Titua as ka qënë dhe as nuk është miku i shqiptarëve…”. Dhe e braktisi i indinjuar mbledhjen. Çka ndodhi më pas konfirmoi qëndrimin e zgjuar dhe të guximshëm të Maliq Rabijes...

Më shumë se sa një homazh për këtë figurë historike, këto radhë i shkrova i nxitur nga mjedisi acid që ekziston sot tek ne ndaj së shkuarës. Nëse dikush më kundërshton, do t’i përmend thënien e hebrenjve të vjetër: “Kujtesa ka gjithmonë të drejtë”. Sidomos ajo për historinë e së shkuarës, shkruar me gjak trimash.

1 Komente

  1. s
    shefi 55

    Urime z. Feti! Shkrimi juaj eshte nje homazh jo vetem per te paharruarin Maliq Zeneli , por per te gjithe ate brez qe para Atdheut nuk kursyen as jeten e as pasurine.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje