Ekonomia e BE-së përballë krizës energjitike

6 Qershor 2022, 12:34Ekonomia The Economist

Ekonomia e BE-së përballë krizës energjitike

Për pjesën më të madhe të një dekade, normat e ulëta të interesit dukeshin si një standard jetik i eurozonës – ashtu si edhe inflacioni i ulët. Tani çmimet e konsumit po rriten me një normë vjetore që tejkalon 8%, shumë mbi objektivin e Bankës Qendrore Europiane prej 2%.

Anëtarët e këshillit drejtues të bankës kanë filluar të sinjalizojnë synimin e tyre për të rritur normat së shpejti, një mesazh që ata ka të ngjarë ta rikonfirmojnë në një takim më 9 qershor, ku pritet të diskutojnë rreth politikës monetare.

Por BQE-ja e ka gjetur veten në një pozitë të ndërlikuar. Ajo po  përballet jo vetëm me çmimet në rritje, të cilat mund të garantojnë rritje të shpejtë të normave, por edhe me perspektiva më të zymta të rritjes,  të cilat kërkojnë më shumë kohë dhe durim.

Shkaku kryesor i të dy zhvillimeve është rritja e çmimit të energjisë.


Çmimet e naftës dhe gazit natyror ishin rritur tashmë përpara pushtimit rus të Ukrainës, por lufta bëri që çmimet të rriteshin akoma më shumë. Rritja e çmimeve të mallrave ka luajtur një rol shumë më të madh në rritjen e inflacionit në Europë sesa në Amerikë, raporton abcnews.al.

Sipas Goldman Sachs, një bankë, çmimet e energjisë në zonën e euros – të cilat u rritën me një normë vjetore prej 39% në maj, kanë rritur me 4% inflacionin total në krahasim me 2% në Amerikë.

Efektet kanë filluar të ndikojë edhe në çmimet e tjera të mallrave. Inflacioni “bazë”, i cili përjashton çmimet e ushqimeve dhe energjisë, u rrit më shpejt në eurozonë në maj nga sa prisnin ekonomistët. Çmimet e prodhimit gjerman u rritën me një rekord prej 33.5% në prill, në krahasim me vitin e kaluar, të nxitura jo vetëm nga energjia por edhe nga mallrat  si metalet, betoni dhe kimikatet.

Rezultati i gjithë kësaj është një goditje e madhe për kostot e bizneseve dhe fuqinë blerëse të familjeve.

Por sa e rrezikon ekonominë e eurozonës?

Një nga pasojat janë të ardhurat e ulëta të familjeve. Rritja e pagave është rritur në mënyrë modeste në të gjithë zonën, por ende mbetet një problem pas rritjes së inflacionit.  Megjithatë, edhe atëherë, rritja vjetore e pagave në Holandë, për shembull, qëndroi në vetëm 2.8% në maj, pavarësisht nga tregu i ngushtë i punës.

Nga një anë është një lajm i mirë për Bankën Qendrore Europiane, sepse zvogëlon rrezikun e një spiraleje pagë-çmim. Por mund të zëvëndësohet nga një konsum më i ulët, duke dobësuar pjesën tjetër të ekonomisë.

Ndërprerjet e furnizimit si rezultat i bllokimeve të fundit të Kinës dhe çmimet e larta të energjisë po dëmtojnë bizneset, me Gjermaninë dhe Europën Lindore që janë më të prekura. Porositë e reja për prodhuesit e zonës në maj ranë për herë të parë që nga qershori 2020, duke ulur kërkesën.

Eksporti shënoi nivelin më të ulët në dy vite. Prandaj, ekonomistët po presin një rritje më të ngadaltë gjatë pjesës tjetër të vitit. Por pak presin një recesion të plotë. Kjo është për shkak se disa ekonomi po përballen me krizën energjetike nga një pozicion i fuqisë dhe jo i dobësisë. Shumë firma shërbimesh po korrin ende fitime nga rihapja për shkak të përfundimit të bllokimeve të Omicron.

Vendet jugore po përfitojnë më shumë, duke pasur parasysh varësinë e tyre nga turizmi. Në Spanjë, mbërritjet e veriorëve që duan motin e nxehtë pothuajse arriti nivelet para pandemisë në prill.

Në të gjithë bllokun kishte tre vende të lira pune për çdo 100 vende pune në tremujorin e parë të 2022, një nivel i lartë për standardet historike. Pritshmëritë e bizneseve për punësim kanë mbetur të qëndrueshme, megjithëse pak më të dobëta që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Më shumë se një në katër biznese në Europë thonë se mungesa e stafit po i pengon ata të prodhojnë më shumë, raporton abcnews.al.

Gjithashtu kursimet gjatë bllokimeve duhet gjithashtu t’u japë konsumatorëve një siguri kundër goditjes së energjisë. Sipas llogaritjeve tona, këto kursime “të tepërta” në Francë dhe Gjermani arritën në rreth një të dhjetën e të ardhurave të disponueshme të familjeve në tremujorin e parë të 2022.

Pikërisht këto kursime do të zbehin ndikimin e krizës së energjisë. Por ata nuk do ta kompensojnë atë plotësisht. Kursimet e tepërta, për fillim, nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë. Njerëzit më të varfër në vendet e pasura, dhe shumica e familjeve në vendet më të varfra, janë më të prekurit.

Në Sllovaki, për shembull, shkalla e kursimeve nuk shënoi rritje  gjatë pandemisë dhe tani është  nën mesatare.

“Ulja e konsumit do të vijë nga familjet me të ardhura më të ulëta,” tha Jens Eisenschmidt i Morgan Stanley, një bankë tjetër. Në të vërtetë, shitjet me pakicë, në terma realë, kanë ndryshuar për muaj të tërë.

Shumë qeveri po përdorim programe të konsiderueshme shpenzimesh për të mbrojtur familjet nga çmimet e larta të energjisë. Sipas Bruegel, një ekspert nga Gjermania, Franca dhe Italia dhe të tjerë po shpenzojnë midis 1-2% të PBB-së.

Edhe nëse zona e euros do të kursehet nga një recesion, atëherë kriza për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë do të pengojë rritjen. Banka Qendrore Europiane po përballet me një dilemë të palakmueshme.

Me çdo rritje të inflacionit për shkak të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, ekonomia europiane po dobësohet./ Përktheu: abcnews.al

Lini një Përgjigje