Sa vende të lira pune ka në Shqipëri?

27 Nëntor 2023, 22:00Ekonomia TEMA
Sa vende të lira pune ka në Shqipëri?

Një ndër problematikat kryesore që po hasin aktualisht bizneset shqiptare në vend është mungesa e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit të të rinjve drejt tregjeve evropiane të punës si dhe pretendimet për paga më të larta duke qene se prej afro një viti kostot e jetesës janë shtrenjtuar ndjeshëm. 

Por sa vende të lira pune ka aktualisht në Shqipëri? Duke iu referuar të dhënave të Agjencisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi si i vetmi kanal zyrtar për bizneset ku publikohen pozicionet vakante, rezulton se janë 6588 oferta punësimi të shtrira në të gjithë vendin, si në sektorin privat ashtu edhe në sektorin publik.

Ajo që vihet re është se gama e kërkesës është e gjithanshme sa i takon formimit që duhet të kenë kandidatët, që nga ai elementar deri tek diplomë e shkollës së lartë, master apo doktoraturë.

Kështu vihet re se kërkohen mësues për degë të ndryshme në ciklin 9 vjeçar dhe gjimnaz, farmacistë, laborantë dentarë, inxhinierë ndërtimi, menaxherë, arkëtar, ekonomistë, specialistë marketingu, etj

Ndër profesionet elementare  apo zanatet kërkohen lavazhierë, marangozë, sanitarë, makinistë, kamarierë, rrobaqepës, punëtorë krahu, banakierë, kuzhinierë, punëtorë ambalazhimi, punonjës duro-alumini, mekanikë, shoferë, shitës, fermerë, mobilierë, etj

Këtë vit qeveria ndërmori një reformë për rritjen e pagave në sektorin publik me synimin që vitin ardhshëm paga mesatare në administratë të arrijë në nivelin 900 euro,  ndërsa ka ndërmarrë edhe një fushatë sensibilizimi në sektorin privat me qëllim ofrimin e pagesave  më të mira për punonjësit. (Elisabeta Dosku)

Lini një Përgjigje