Sigurimi i jetës për ushtarakët me misione jashtë, zbardhet vendimi i Qeverisë, ja sa para do të marrin

28 Gusht 2024, 22:19Ekonomia TEMA

Sigurimi i jetës për ushtarakët me misione jashtë, zbardhet

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për sigurimin e jetës së personelit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, që dërgohet me misione ushtarake dhe stërvitje jashtë vendit.Detajet e këtij vendimi janë publikuar në faqen zyrtare te këshillit të ministrave.

“1. Ministria e Mbrojtjes siguron jetën e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që dërgohet në misione ushtarake dhe stërvitje jashtë vendit, për vitet 2024, 2025 dhe 2026.

2. Sigurimi i jetës së personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që dërgohet në misione ushtarake dhe stërvitje jashtë vendit, për vitet 2024, 2025 dhe 2026, bëhet sipas kontratës që lidhet me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Ky sigurim mbulon ngjarjet në rastet e:
a) humbjes së jetës për shkak të detyrës apo si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të saj;
b) zhdukjes;
c) dëmtimit shëndetësor, me pasojë paaftësi të përhershme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë kohëzgjatjes së misionit ushtarak dhe stërvitjes jashtë vendit;
ç) dëmtimit shëndetësor, me pasojë paaftësi të përkohshme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë kohëzgjatjes së misionit ushtarak dhe stërvitjes jashtë vendit;
d) shërbimeve mjekësore në spitalet publike ose private brenda dhe/apo jashtë vendit, kur mbulimet shëndetësore nuk ofrohen në spitalet publike.

3. Shuma e përcaktuar në kontratën e sigurimit, për çdo person të siguruar, nuk është më e ulët se:
a) 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, për rastet e humbjes së jetës për shkak të detyrës apo zhdukjes së personit;
b) 12 000 000 (dymbëdhjetë milionë) lekë, për rastet e dëmtimit shëndetësor me pasojë paaftësi të përhershme;

c) 5 000 000 (pesë milionë) lekë, për rastet e humbjes së jetës, si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të detyrës;
ç) 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, për rastet e dëmtimit shëndetësor, me pasojë paaftësi të përkohshme.

4. Kushtet standarde të kontratës së sigurimit, përfshirë tabelën e koeficientëve të përfitimit ndaj dëmtimeve trupore, të miratuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, shërbejnë si kushte minimale, të detyrueshme për t’u zbatuar nga shoqëritë e sigurimeve.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

 

2 Komente

  1. S
    Studenti 1

    Këto lek që I jepen kompanive të sigurimeve, janë lek të çuara dëm, janë shpenzime pa efektivitetin e nevojshëm. Kompanitë e sigurimeve, janë bërë bashkë dhe gllabërojnë gjithë fondin e caktuar nga MM. A nuk do të ishte më e leverdishme që qeveria shqiptare të ngrinte një fond të veçantë dhe ta përdorte në rast fatkeqësish, si humbje jete, plagosje, dëmtime nga aksidentet.....etj etj?? Oligarkët kanë shtrirë dorën e tyre gllabëruar në thithjen e buxhetit të shtetit, pa bërë asnjë shërbim . Ky është një hajdutllëk me bazë ligjore! Ku është SPAK???

    Përgjigjjuni
    1. U
      Ushtaraku

      Boll bete sìkur keni bere ndonje risi. Thjesht keni rinovuar VKM e pare. Sigurimi i jetes eshte i detyrueshem per cdo ushtarak qe eshte ne mision. Perse nuk thoni me mire se sa ushtarake kane vajtur pa siguracion jete?

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje