“Shpërthimi” i Shqipërisë online

6 Gusht 2025, 20:30Hi-Tech TEMA
“Shpërthimi” i Shqipërisë online

Në tre vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm në perceptimin global si destinacion turistik. Nga një vend pak i njohur në hartën turistike të Europës, Shqipëria është shndërruar në një emër gjithnjë e më të përmendur në mediat ndërkombëtare dhe një objekt kërkimi gjithnjë e më të popullarizuar në platformat globale si Google. Ky ndryshim nuk është rastësor, por rezultat i një kombinimi faktorësh që përfshijnë bukuritë natyrore të ruajtura, mikpritjen, çmimet konkurruese dhe një prani gjithnjë e më aktive në rrjetet sociale dhe marketingun dixhital.

Shqipëria është përmendur në mënyrë të përsëritur në mediat më të njohura ndërkombëtare dhe më gjerë. Artikujt e këtyre mediave kanë theksuar veçanërisht plazhet e virgjëra të Rivierës Shqiptare, trashëgiminë historike dhe kulturore të zonave si Gjirokastra dhe Berati, bukuritë natyrore të Alpeve të Veriut, si dhe eksperiencën autentike shqiptare të ushqimit dhe mikpritjes. Veçanërisht pas pandemisë COVID-19, Shqipëria është pozicionuar si një alternativë e sigurt dhe më pak e mbipopulluar në krahasim me destinacionet e zakonshme të Mesdheut.

Përmendjet në lista si “destinacionet më të mira për t’u vizituar”, “ndër vendet më të lira” apo "perlë e fshehur e Europës", kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e interesit ndërkombëtar dhe në një imazh të ri të vendit. Shqipëria është përshkruar gjithnjë e më shumë si një vend "autentik", "i paprekur", dhe "me potencial të jashtëzakonshëm turistik".

Një tjetër tregues i rëndësishëm i këtij suksesi është rritja e ndjeshme e kërkimeve për Shqipërinë në Google, sidomos gjatë sezoneve turistike. Termat si “Albania beaches”, “Albania travel”, “Riviera Albanese” apo “Albania hiking” janë rritur ndjeshëm nga vende si Italia, Gjermania, Polonia, Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Rritja më e lartë vihet re gjatë muajve prill–shtator, duke reflektuar interesin për planifikimin e pushimeve verore, por së fundmi vërehet edhe një zgjerim i interesit për turizëm jashtë sezonit, siç është ecja në male apo turizmi i trashëgimisë kulturore.

Për më tepër, fjalë kyçe që lidhen me qytete specifike si “Saranda”, “Ksamil”, “Shkodër”, “Valbona” dhe “Theth” tregojnë një njohje në rritje të destinacioneve të ndryshme, duke dëshmuar diversifikimin e profilit turistik të Shqipërisë.

Një rol të veçantë në këtë sukses luan edhe përhapja organike në rrjetet sociale, ku udhëtarë, influencues dhe blogerë ndërkombëtarë ndajnë eksperiencat e tyre në Shqipëri, shpesh duke e quajtur një “sekret që nuk do të zgjasë shumë”. Kjo prani në rrjet ka ndihmuar në përforcimin e tendencës së kërkimeve në Google dhe në rritjen e imazhit pozitiv të Shqipërisë në nivel global.

Pra, “shpërthimi” i turizmit këto dy vitet e fundit është vënë re si me perceptim të kujtdo, ashtu edhe nëpërmjet shifrave publike të hyrje-daljeve të shtetasve të huaj, apo edhe artikujve të mediave të huaja prestigjioze e jo vetëm.

“Scan Intel” i ka raportuar vazhdimisht këto shifra, por kësaj radhe do të ndalet në një këndvështrim tjetër, atë se sa është kërkuar Shqipëria në rrjet dhe krahasimi me vendet e tjera të rajonit, për muajt Maj-Korrik të vitit 2025.

Një analizë e fundit e Google Trends për 90 ditët e fundit zbulon një panoramë inkurajuese për industrinë e turizmit në Shqipëri. Grafiku i kërkimeve për termin "Travel" (udhëtime), i cili është i disponueshëm për t'u parë në nivel global, tregon se interesi për Shqipërinë si destinacion turistik është më i lartë se për vendet e tjera të rajonit.

Të dhënat konfirmojnë se interesi për të udhëtuar në Shqipëri është më i lartë në vendin tonë , por një vështrim më i thellë tek seksioni "Compared breakdown by region" tregon se interesi i lartë nuk vjen vetëm nga Shqipëria. Shqipëria renditet e para në listë, e ndjekur nga Maroku, Italia dhe Portugalia. Kjo dëshmon se vizitorët potencialë nga këto vende tregojnë një interes të lartë për Shqipërinë si destinacion.

Nëse fokusohemi tek interesi i kërkimit, i maur në një shkallë relative nga 1 deri në 100, ku 100 përfaqëson vlerësimin maksimal, shohim se Shqipëria vlerësohet me 66 pikë. Interesi global për Malin e Zi vlerësohet me 61 pikë, më ulët se Shqipëria.

Lini një Përgjigje