Ervis Martinaj: Nga biznesmen, në mit të botës së krimit

20 Gusht 2022, 16:35Kronika TEMA

Ervis Martinaj: Nga biznesmen, në mit të botës së krimit

Në vitin 2013, pakkush e kishte hasur emrin Ervis Martinaj në përditshmëri, përveç një grupi të ngushtë pranë tij.

Ishte pikërisht vitit i ndërrimit të pushtetit mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, kur këta të fundit erdhën në pushtet dhe një aksion i madh në sektorin e lojërave të fatit, do të ndryshonte përgjithmonë Ervis Martinajn.

Mes viteve 2011-2013, Martinaj pati formuar tre kompani në sektorin e lojërave të fatit.


Një tjetër biznesmen në të njëjtin sektor, Elvis Doçi, i pati shitur Martinajt rreth 400 makineri të lojërave të fatit – një investim ky shumë serioz nga ana e Ervisit.

Mirëpo, një vendim i Qeverisë në ato vite, i dha fund çdo aktiviteti të tillë, duke i shpallur të jashtëligjshme lojërat e fatit.

Doçi, mendohej se kishte lidhje me ish-ministrin e Brendshëm të kohës, Saimir Tahiri dhe pati marrë informacione mbi çështjen, përpara se aktivitetet të mbylleshin.

400 makineritë iu sekuestruan menjëherë Martinajt dhe “mllefi” i tij, nuk mund të shfryhej veçse kundrejt Doçit.

Më 23 tetor 2013, në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, Elvis Doçit dhe kushëririt të tij, do t’i bëhej atentat me armë. Një ditë më vonë, Doçi do të ndërronte jetë.

Akuzat, ranë menjëherë mbi Martinajn sa i përket ngjarjes, por kurrë nuk u vërtetuan.

Ervisi u përfol në media, por emri i tij u zbeh shpejt, deri në vitin 2015, kur në një lokal në zonën e Linzës, u ekzekutua shtetasi Enton Nikaj.

Këtë herë, Martinaj, e kishte të dokumentuar se pati qenë pjesë e ngjarjes, për shkak të pamjeve filmike të vetë restorantit.#

Konflikti për një borxh të pakthyer ishte shkaku i vrasjes dhe përgjegjësinë për të, nuk e mori mbi shpinë vetë Martinaj, por shoqëruesi i tij, Emiljano Tasho. Ky i fundit, e pati shkrepur armën, që i dha fund jetës së 30-vjeçarit.

Martinaj, sërish, do të vijonte të mbetej i lirë për tre vitet e ardhshme, derisa një ngjarje e bujshme në zonën e ish-Bllokut, do të bënte që sytë e shqiptarëve, të ktheheshin sërish nga ai.

Ishte pikërisht data 4 tetor, kur Ervis Martinaj me një grup miqsh, do të futej në dyqanin Monopol, pas një konfliktimi me shtetasin Ervin Mata në një prej lokaleve të zonës.

Prej aty, jo të gjithë dolën të gjallë.

Viktimë, ishte një prej miqve të Martinajt, Fabian Gaxha.

Vetë Ervis Martinaj u plagos gjatë ngjarjes, së bashku me një person tjetër që e shoqëronte, Eljo Hato.

Gaxhën ndërkaq e pati qëlluar truproja i Ervin Matës, Mervjol Bilo.

Për këtë ngjarje, Martinaj u arrestua. Pas shtatë muajsh të kaluar në qelinë e burgut 302, në maj të vitit 2019, Martinaj lirohet dhe një muaj më pas, një vendim i Gjykatës së Apelit, e vulos lirinë e tij, kundrejt një garancie pasurore prej 5 milionë lekësh.

Sipas arsyetimit të Prokurorisë, nuk kishte prova të mjaftueshme ndaj Martinajt, për të përligjur mbajtjen e tij në burgim.

Vendimi ndërkohë, do të ndryshonte në prill 2021, pasi për të njëjtën ngjarje, Gjykata e Tiranës do ta dënonte Martinajn me 3 vite e 8 muaj burgim, në mungesë. Teksa, në Apel, edhe sot e kësaj dite nuk ka një vendim mbi çështjen.

Me kapjen e Nuredin Dumanit nga ana tjetër, emri i Martinajt do të figuronte në listën e personave më të kërkuar nga Policia, pasi zbërthimi i të penduarit të drejtësisë dhe dosjes “Plumbi i Artë”, e nxirrte Ervisin pjesë të disa prej ngjarjeve më të bujshme të botës së krimit në Shqipëri.

Një megaoperacion policor menjëherë zuri vend në gjithë Shqipërinë për kapjen e personave të përmendur nga Dumani, por Martinaj nuk ishte ndër emrat e arrestuar. Jo të paktë janë ata, të cilët mendojnë se nga vetë Policia, ka pasur dekonspirim të operacionit, duke i dhënë informacione Martinajt e të tjerëve, për të humbur gjurmët.

Ngjarja e “Monopolit” gjithsesi, do të ishte edhe më shënjuesja në jetën kriminale të Martinajt, pasi do t’i hapte rrugë një serie të tërë krimesh, ku njëri pas tjetrit, ashtu si Gaxha, miqtë e afërt të Ervisit do të ekzekutoheshin.

I pari, do të ishte një ish-oficer policie, Santiago Malko, të cilit iu bë atentat dhe mbeti i vrarë në gusht 2019, në Tiranë.

Në nëntor 2021, një atentat do të klithte vëmendjen e mediave, në zonën e njohur si “Astiri” në kryeqytet.

Pre e sulmit me breshëri kallashnikovi do të mbesnin dy shtetas, mes të cilëve Erigers Mihasi, mik i afërt i Ervis Martinajt.

Ngjarja më e kobshme do të ishte ajo e 17 korrikut 2022, pranë mbikalimit të Fushë-Krujës, ku tre shtetasve, të cilët po udhëtonin me veturë, do t’u bëhej një atentat i mirëllogaritur, me rreth 100 plumba të shkarkuar nga karikatorët e armëve automatike.

Mes tre viktimave, emri më i spikatur ishte ai i Brilant Martinajt, familjar i afërt i Ervisit. Brilanti ishte i akuzuar për dy vrasje të dy ish-efektivëve të Policisë, mes të cilëve ish-policit të FNSH-së në Lezhë, Xhulio Prela.

Pikërisht rreth kësaj kohe, kur ngjarja (atentati i Fushë-Kurjës) ishte ende e freskët, mendohet se vetë Ervisin e kanë rrëmbyer bandat rivale dhe e kanë ekzekutuar.

Albanian Post bëri me dije sipas burimeve shumë konfidenciale se vetë trupi i Martinajt është parë i ndarë në gjashtë pjesë, në zonën e Vorës, së bashku me trupin e një miku të tij.

Ndërsa i gjallë, për të fundit herë, ai është parë teksa dilte nga banesa me një mik të ngushtë, për të humbur më pas çdo kontakt.

Vetë familja e denoncoi në Polici zhdukjen e Martinajt më 11 gusht 2022, duke theksuar se “diçka e keqe” mund t’i ketë ndodhur atij, referuar deponimeve në Komisariatin e Kurbinit.

Një përgjigje zyrtare, ende pritet nga organet e caktuara për “fatin” e Martinajt, i cili në vitet e fundit, mes atentateve të shpëtuara dhe shpalljes në kërkim ndërkombëtar, bëri bujë.

Mes lidhejve politike, apo rivalitetit të egër me bandat rivale, emri Ervis Martinaj, mund të barazohet edhe me atë të një miti në botën e krimit të organizuar në Shqipëri, eliminimi i të cilit, për opinionin e gjerë, mbetet i vështirë për t’u perceptuar./ Albanianpost.com

1 Komente

  1. E
    Entoni

    Po dy incidentet me Zamir Manen pse nuk i shkruani apo nuk quhen?

    Lini një Përgjigje