Pas më shumë se një ore në dhomë këshillimi, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur rrëzimin e kërkesës që ish-presidenti Ilir Meta të dalë nga kafazi prej xhami gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore ndërkohë që ka pranuar kërkesën për t’i vënë në dispozicion mbrojtjes së të pandehurve të gjitha provat elektronike të administruara në dosje.
Në arsyetimin e saj, gjykata thekson se masat e sigurisë nuk cenojnë procesin e rregullt ligjor, pasi janë masa organizative dhe jo masa që lidhen me raste individuale.
Sipas GJKKO, qëndrimi në ambientin ndarës prej xhami nuk cenon të drejtat procedurale, nuk përbën pengesë në komunikimin me mbrojtësin dhe nuk cenon as prezumimin e pafajësisë.
GJKKO e ka cilësuar si “hapësirë të posaçme sigurie dhe ndarëse xhami”, duke kundërshtuar përdorimin e termit “kafaz”.
Avokati Cakrani e ka quajtur të papranueshme marrjen e shembujve nga Rusia dhe Ukraina, duke deklaruar se cenohet dinjiteti dhe se gjyqtarët nuk mund të jenë cinikë. Ai shtoi se “xhamin nga hekuri e ndan vetëm materia”.
Gjatë seancës, gjykata i ka tërhequr vëmendjen avokatit, ndërsa Meta është shprehur: “Jam dakord që i tërhoqët vëmendjen avokatit tim. Ne, avokat, kemi mundësi të bëjmë ankim me radhë dhe me qetësi.”
Lini një Përgjigje