Policia e Tiranës ka goditur një rast të tentativës për trafikim të pjesëve të armëve të zjarrit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë, përmes shërbimit postar.
Sipas njoftimit zyrtar, pas indicieve për një rast trafikimi, u finalizua operacioni i koduar “Delivery”, ku u arrestua në flagrancë 32-vjeçari Eni Hoxha, banues në Tiranë, teksa po merrte një pako në një degë postare në rrugën “Asim Vokshi”.
Gjatë kontrollit të pakos u sekuestruan 1 tytë arme zjarri, 1 silenciator, 2 krehra dhe pjesë të tjera armësh, si dhe 2 celularë. Sipas policisë, pjesët e gjetura dyshohet se janë trafikuar nga SHBA.
Hetimet vijojnë për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetas të tjerë të përfshirë në këtë rast, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje