KPK me mendime paralele për hetimin administrativ të prokurores Suela Beluli

15 Mars 2023, 20:11Kronika TEMA

KPK me mendime paralele për hetimin administrativ të prokurores Suela

Nga Edmond Hoxhaj

Prokurorja e Fierit, Suela Beluli u konfirmua në detyrë me vota unanime të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që kreu procesin e saj të vetingut, pasi u konkludua se mbështetur në parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë; si dhe se kishte arritur nivel të besueshëm për figurën dhe nivel kualifikues për profesionalizmin.

Megjithatë, ndryshe nga kryesuesi Roland Ilia dhe relatorja Suela Zhegu, anëtarja Genta Tafa Bungo vlerëson se duhej të ishte kryer hetim më i thelluar për krijimin e një prone përpara fillimit të detyrës, si dhe për kriterin e figurës.

Suela Beluli e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si oficere e Policisë Gjyqësore. Ajo u emërua prokurore në vitin 2015 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier.

Mendimet paralele për hetimin e pasurisë

Për blerjen e një njësie me sipërfaqe 36.7 m2 në Elbasan në vitin 2007 kundrejt çmimit 1.9 milion lekë, subjekti ka deklaruar si burime krijimi një kredi në shumën 1 milion e 560 mijë lekë të marrë në vitin 2005 dhe kursimet nga paga e saj dhe e bashkëshortit.

Nisur nga fakti se kredia është tërhequr në vitin 2005 dhe se është marrë për qëllim mobilimi, si dhe pasi ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshorti kanë udhëtuar disa herë në shtetin kanadez gjatë periudhës 2005-2006, KPK nuk e ka konsideruar në analizën financiare paraprake shumën 1 milion e 560 mijë lekë.

KPK ka verifikuar edhe deklarimin e Belulit në vitin 2004 në cilësinë e oficeres së policisë gjyqësore, ku nuk është shënuar kursim cash.

Bazuar në këto konstatime, Komisioni ka vlerësuar në analizën paraprake për blerjen e njësisë, balancë negative në shumën 2 milionë lekë.

Beluli ka këmbëngulur që KPK të përfshijë në analizë kredinë, duke argumentuar se për blerjen e njësisë ishte rënë dakord me pronarët e truallit dy vjet përpara nënshkrimit të kontratës së shitblerjes. Ajo ka shpjeguar me se palën shitëse është lidhur kontratë porosie në shtator të vitit 2005, kur është paguar kësti i parë në shumën 600 mijë lekë, në 2006-ën kësti i dytë 1.2 milion lekë dhe pagesa e fundit prej 100 mijë lekësh në momentin e nënshkrimit të kontratës, në fund të dhjetorit të vitit 2007.

Për të mbështetur këtë kërkim, Beluli ka depozituar një deklaratë noteriale të vitit 2023 të lëshuar nga një prej ish-pronarëve të truallit, ku ai deklaron se në janar të 2006-ës ka marrë dorazi si këst të dytë shumën 1.2 milion lekë, ashtu sipas përcaktimeve të kontratës së porosisë së shtatorit të vitit 2005.

Subjekti ka theksuar se ka mbajtur të njëjtin qëndrim në vite për burimin e krijimit të kësaj pasurie, duke deklaruar gjithmonë se është blerë me kredinë e përfituar në vitin 2005 dhe me të ardhurat e saj e të bashkëshortit.

Në lidhje me ndryshimin e destinacionit të kredisë, subjekti ka shpjeguar se prej saj dhe bashkëshortit nuk u realizua blerja e mobilieve, sepse një pjesë e tyre ishin shitur kur u disbursua kredia e për rrjedhojë do t’u duhej të prisnin.

Ajo ka shtuar se gjatë asaj periudhe u ishte paraqitur mundësia për blerjen e njësisë dhe pasi ajo dhe bashkëshorti e vlerësuan situatën, menduan se ishte me më shumë interes investimi në pasuri të paluajtshme, si një investim afatgjatë.

Subjekti ka shpjeguar se për shpenzimet e udhëtimit në Kanada në vitet 2005 dhe 2006 nuk janë përdorur shumat e kredisë, por me të ardhura të tjera që nuk kanë cënuar apo ndikuar në ndonjë lloj forme në planin për investimin në blerjen e njësisë.

Sipas Belulit, udhëtimi në Kanada në vitin 2005 është kryer përpara disbursimit të kredisë dhe kontratës së sipërmarrjes. Ajo ka deklaruar se në Kanada ka qëndruar tek shtëpia e xhaxhait duke mos pasur shpenzime të tjera veç udhëtimit.

Ndërsa në periudhën e udhëtimit të dytë në Kanada, subjekti ka shpjeguar se në atë kohë e kishte paguar këstin e dytë për blerjen e njësisë duke mbetur pa u shlyer vetëm shuma 100 mijë lekë.

Beluli ka theksuar edhe faktin se veprimet për porositjen dhe blerjen e njësisë janë kryer në periudhën 2005 – 2007, shumë vite para fillimit të detyrës si prokurore dhe se gjetjet e hetimit paraprak nuk janë të mjaftueshme për të sjellë penalizim.

Megjithëse kontrata e sipërmarrjes nuk ka qenë e nënshkruar përpara noterit, KPK arsyeton se referuar dispozitave të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, për një kontratë të tillë nuk është parashikuar si kusht për vlefshmërinë, hartimi i saj si akt noterial. Bazuar në këtë vlerësim, Komsioni e ka administruar si provë kontratën e sipërmarrjes dhe ka marrë në konsideratë çfarë është përcaktuar në të.

Nisur nga fakti se subjekti e ka deklaruar kredinë si burim për njësinë që në deklaratën e parë, përpara fillimit të detyrës në vitin 2015, si dhe në vijim, konkludon se Beluli “qenë konsekuente në deklarimet e saj, se kjo kredi ka shërbyer si burim për krijimin e pasurisë objekt kontrolli”.

Në vijim, KPK konstaton se kjo njësi është e vetmja pasuri e paluajtshme që subjekti ka blerë që prej vitit 2007, transaksion që daton vite para marrjes së detyrës së saj si prokurore. Po ashtu, konstatohet se mungojnë të dhëna të sakta për të qartësuar situatën dhe për të kryer një analizë financiare të saktë.

“Në këtë kontekst dhe në konsideratë të faktit që kjo pasuri është blerë në një kohë që subjekti nuk kishte detyrim për të deklaruar pasuritë, faktit që Komisioni nuk mund të verifikojë deklarimet e subjektit me faktet e kohës kur kanë ndodhur dhe ndryshimi i destinacionit të kredisë nuk merr peshë dhe nuk konsiderohet si veprim, i cili do të cënonte vlerësimin final të saj, për aq kohë sa këto veprime nuk vijnë në kundërshtim me ligjin, si dhe nuk kanë sjellë pasoja negative për bankën apo palë të treta”, arsyeton KPK dhe shton se subjekti ka depozituar prova që vërtetojnë se xhaxhai i saj është shtetas kanadez, që i bëjnë bindëse pretendimet e saj se ka qëndruar në shtëpinë e tij.

Gjithashtu, Beluli ka depozituar dokumentacion që provon se është trajtuar me asistencë financiare nga shteti kanadez dhe shuma e kësaj asistence.

Bazuar në këto përfundime, analiza financiare përfundimtare ka rezultuar me bilanc negativ në shumën 12 mijë lekë, që është çmuar se nuk mund të sjellë penalizim.

Megjithëse, anëtarja Genta Tafa Bungo në pakicë ka rënë dakord me vendimarrjen përfundimtare në kushtet që ndodhen aktet, ajo ndan qëndrim të ndryshëm me kolegët përsa i përket vlerësimit të një pjese të fakteve, që sipas saj duhej të ishte bërë ndryshe, për të qenë me shterues.

Bungo vëren se kontrata e sipërmarrjes e vitit 2005 për njësinë, është depozituar nga subjekti vetëm pas kalimit të barrës së provës. Sipas Bungos, nisur nga fakti se kjo kontratë ka shërbyer si dokument që tregon për origjinën e pronës, subjekti ka pasur detyrimin ta depozitonte së bashku me deklaratën “veting”, ose të paktën gjatë hetimit administrativ.

“Fakti që kjo kontratë e lidhur ndërmjet palëve, jo në prezencë të noterit, del në skenë për herë të parë pas kalimit të barrës së provës, mendoj se duhet të ishte objekt hetimi. Në këndvështrimin tim, hetimi duhet të përqendrohej në vërtetësinë e kësaj kontrate, si dhe në vërtetësinë e pasojave që ka sjellë”, shprehet Bungo dhe sqaron se ka kërkuar që të riçelej hetimi duke u administruar dosja e plotë e pronës, në të cilën është ndërtuar objekti ku ndodhet njësia, me qëllim që të provohej që kontrata e sipërmarrjes ka qenë reale.

Nisur nga fakti se pala shitëse ishte pronar i truallit, Bungo vlerëson se do të ishte e nevojshme të hetohej nëse në kontratën që bashkëpronarët e tokës kishin lidhur me firmën ndërtuese, përcaktohej qartë edhe pjesa e tyre takuese, prej nga do të mund të vërtetohej mundësia për të shitur një pasuri në të ardhmen.

Sipas Bungos, megjithëse kjo kontratë nuk është e pavlefshme, nuk ka fuqi provuese në kuadër të procesit të rivlerësimit dhe nuk mbështetet nga rrethanat dhe provat e administruara gjatë shqyrtimit të çështjes.

“…Ç’ka të krijon bindjen se është konceptuar në favor të deklarimeve të subjektit të rivlerësimit dhe se nuk mbështetet nga provat e tjera të administruara në këtë proces”, shprehet Bungo dhe sjell në vëmendje moshën 86-vjeçare të një prej bashkëpronarëve të këtij trualli, për të cilin ka kërkuar që të thirret si dëshmitar për të verifikuar aftësinë e tij për të mbajtur mend në janar të vitit 2023, çfarë ka ndodhur ekzaktësisht në 2006-ën, ashtu si shprehet në deklaratën noteriale.

Ajo shton se qëndrimin për zgjerimin e hetimit e mbështet edhe në faktin se subjekti nuk ka depozituar deklaratë noteriale të shitësit tjetër. Bungo vlerëson se subjekti, për të kthyer barrën e provës, ka depozituar një dokumentacion për të cilin ishte e nevojshme kryerja e një hetimi më të thelluar.

Lidhur me faktin se kjo pasuri është krijuar përpara fillimit të detyrës, Bungo duke iu referuar jurispudencën së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, konstaton se legjislacioni i posaçëm për vetingun nuk vendos kritere kohore lidhur me provueshmërinë e ligjshmërisë së burimeve të krijimit të pasurive në pronësi apo përdorim, të deklaruara nga subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të.

Figura

Drejtorja e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, nuk ka gjetur indicie që cënojnë figurën e prokurores Beluli. Ndërkohë, Komisioni ka konstatuar se personi që ka kryer shitjen e automjetit të blerë nga subjekti në vitin 2015, ka qenë i dënuar për krim të organizuar në shtetin italian.

Pronari i mjetit të blerë nga subjekti, shtetasi A.O., ka rezultuar se është përfaqësuar nga shtetasi E.K. alias K.K., i cili ka qenë i dënuar.

Po ashtu, ka rezultuar se në vitin 2018, subjekti ka marrë me qera një apartament në Tiranë, në pronësi të shtetasit E.K. dhe babait të tij, T.K.

Komisioni konstaton se nga verifikimet e kryera ka rezultuar se në datën e nënshkrimit të kontratës për shitjen e mjetit, pronari A.O. nuk ka qenë brenda vendit, ndërsa shtetasi E.K. ka qenë në Shqipëri. Po ashtu, është konstatuar se A.O. ka lëshuar një prokurorë të posaçme që shtetasi E.K. të kryente veprimet e nevojshme për shitjen e automjetit, fakte që janë konsideruar të mjaftueshme për të konkluduar se takimi mes subjektit dhe shtetasit E.K. ka qenë i rastësishëm dhe i paparashikuar prej Belulit. “…Pasi subjekti nuk ka pasur dijeni se kush do të ishte përfaqësuesi me prokurë i pronarit të automjetit”, argumenton KPK.

Në lidhje me përdorimin e apartamentit të marrë me qira nga subjekti me familjen K., ka rezultuar se kontrata është nënshkruar në janar të vitit 2018 mes bashkëshortit të saj dhe shtetasit T.K., babait të shtetasit E.K. Po ashtu, subjekti ka dorëzuar një akt sipas të cilit apartamenti është gjetur nëpërmjet një zyre pasurisht të paluajtshme në pronësi të shtetasi A.M..

Komisioni arsyeton se e gjithë marrëdhënia e qiramarrjes, kontratat e qirasë dhe deklarata noteriale për revokimin e tyre janë nënshkruar nga bashkëshorti i subjektit dhe shtetasi T.K., babai i shtetasit E.K.. Po ashtu, nuk është arritur të provohet që pas nënshkrimit për blerjen e automjetit, subjekti të ketë pasur kontakte personale në vijimësi me shtetasin E.K alias K. K.

Ashtu si Beluli, Komisioni konstaton se njohja e vendimit penal të gjykatës së huaj është kryer në dhjetor të vitit 2018 dhe për rrjedhojë subjekti nuk mund të kishte pasur dijeni për dënimin e tij kur është blerë automjeti në vitin 2015 dhe në janar të 2018-ë, kur është nënshkruar aktmarrëveshja për shtëpinë me qira.

Në përfundim, Komisioni çmon se nuk disponohen elemente të mjaftueshme provueshmërie për të përmbushur rrethanat e një kontakti të papërshtatshëm dhe është konkluduar se prokurorja Beluli arrin nivel të besueshëm në kriterin e pastërtisë së figurës.

Anëtarja Bungo konstaton se dokumenti i depozituar nga subjekti për të vërtetuar se apartamenti është gjetur nëpërmjet zyrës së pasurive të paluajtshme, nuk është në formën e një kontrate që të mund të pranohej shërbimi i ofruar për getjen e apartamentit nga kjo zyrë. “Ky dokument, që nuk është depozituar nga subjekti gjatë hetimit, duket se është përgatitur me qëllim arritjen e një rezultati favorizues për procesin e rivlerësimit të subjektit”, ngre dyshime Bungo, por megjithatë vlerëson se këto konstatime nuk mund të shërbejnë për penalizimin e Belulit.

Në përfundim, Bungo vlerëson se KPK në marrjen e vendimit është bazuar në dokumentacion në nivel deklarativ dhe se duhej të ishte kryer hetim më i thelluar.

Lini një Përgjigje

Blog Tema