Zgjaten hetimet për vrasjen e gjyqtarit Kalaja, avokati i Shkambit kundërshton statusin “Dëshmor i Atdheut”

16 Korrik 2026, 14:00Kronika TEMA
Zgjaten hetimet për vrasjen e gjyqtarit Kalaja, avokati i Shkambit

Prokuroria e Tiranës ka zgjatur me tre muaj afatet hetimore për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja. Vendimi është marrë pasi, sipas organit të akuzës, nevojiten ende veprime të tjera hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndërkohë, avokati i autorit të dyshuar, Elvis Shkambi, ka kundërshtuar vendimin e Këshillit të Qarkut për miratimin e propozimit për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të gjyqtarit të ndjerë.

Në një deklaratë për mediat, avokati është shprehur se nuk ekziston një bazë ligjore e mjaftueshme që mbështet këtë propozim, pasi sipas tij nuk ka ende një vendim përfundimtar fajësie për klientin e tij.

“Statusi ‘Dëshmor i Atdheut’ nuk mund të mbështetet vetëm mbi ndjenjën e dhimbjes apo rëndësinë e detyrës së ushtruar, por duhet të mbështetet në kushtet dhe kriteret e përcaktuara shprehimisht nga legjislacioni në fuqi”, deklaroi avokati.

Sipas tij, ngjarja lidhet me një konflikt me origjinë civile dhe jo me raste që ligji i parashikon si bazë për përfitimin e këtij statusi.

“Procedimi penal ndaj klientit tim është ende në zhvillim. Hetimet nuk kanë përfunduar, provat nuk janë administruar në tërësinë e tyre dhe gjykata nuk është shprehur ende me një vendim përfundimtar”, thuhet në deklaratë.

Gjyqtari 62-vjeçar Astrit Kalaja u ekzekutua me armë zjarri mesditën e 6 tetorit në sallën e gjyqit, teksa po shpallte një vendim për një çështje pronësie ku ishin të përfshirë familjarë të autorit.

Ai u qëllua nga 30-vjeçari Elvis Shkambi, i cili gjithashtu plagosi Rakip dhe Elvis Kurtajn, babë e bir, palë në procesin gjyqësor.

Avokati i Shkambit ka deklaruar se do të përdorë të gjitha mjetet juridike për të kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së propozimit për shpalljen “Dëshmor i Atdheut”, duke theksuar se ky qëndrim, sipas tij, nuk është kundër kujtimit të gjyqtarit apo familjes së tij, por lidhet me respektimin e parimit të legalitetit.

Deklarata e plotë e avokatit të Elvis Shkambit

“Në cilësinë e avokatit mbrojtës të të pandehurit, ndjej detyrimin profesional dhe etik të reagoj lidhur me vendimin e Këshillit të Qarkut për miratimin e propozimit për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të gjyqtarit të ndjerë.

Së pari, dua të shpreh edhe një herë ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit dhe respektin për jetën e humbur në një ngjarje tragjike që ka prekur të gjithë shoqërinë shqiptare.

Po aq e rëndësishme është që, në një shtet të së drejtës, emocionet dhe dhimbja kolektive të mos zëvendësojnë zbatimin korrekt të ligjit. Vlerësimi i figurës së një personi dhe respekti për kontributin e tij institucional janë çështje të ndryshme nga përmbushja e kritereve ligjore për dhënien e një statusi të caktuar.

Statusi “Dëshmor i Atdheut” nuk mund të mbështetet vetëm mbi ndjenjën e dhimbjes apo rëndësinë e detyrës së ushtruar, por duhet të mbështetet në kushtet dhe kriteret e përcaktuara shprehimisht nga legjislacioni në fuqi. Ngjarja në fjalë lidhet me një konflikt me origjinë civile, i cili kishte zgjatur për shumë vite dhe nuk kishte lidhje me luftën kundër kriminalitetit, terrorizmit, mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues apo situata të tjera që ligji parashikon si bazë për fitimin e këtij statusi.

Për këtë arsye, lind detyrimisht pyetja juridike nëse ekziston një bazë ligjore e mjaftueshme që e mbështet këtë propozim. Shteti i së drejtës ndërtohet mbi parimin e legalitetit. Institucionet publike nuk mund të veprojnë përtej kompetencave dhe kritereve që u njeh ligji, sado fisnike të jenë motivet morale apo emocionale. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të theksohet se procedimi penal ndaj klientit tim është ende në zhvillim. Hetimet nuk kanë përfunduar, provat nuk janë administruar në tërësinë e tyre dhe gjykata nuk është shprehur ende me një vendim përfundimtar. Çdo zhvillim institucional që paraprin përfundimin e procesit duhet të trajtohet me kujdes maksimal, në mënyrë që të mos krijohet perceptimi se çështja është paragjykuar.

Shoqëria shqiptare ka kaluar prej vitesh plagë të thella për shkak të mosfunksionimit të drejtësisë, vonesave të gjata procedurale dhe mungesës së besimit tek institucionet. Këto plagë nuk shërohen duke zgjeruar me interpretim kategori juridike që ligji nuk i parashikon, por duke respektuar me përpikëri ligjin dhe duke garantuar procese të drejta, të paanshme dhe transparente për çdo qytetar. Respekti për kujtimin e gjyqtarit të ndjerë dhe respekti për ligjin nuk janë koncepte që përjashtojnë njëri-tjetrin. Përkundrazi, nderimi më i madh për institucionet e drejtësisë është që ato të veprojnë gjithmonë brenda kufijve të ligjit.

Ligji nr. 109/2018 “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut” përcakton në nenin 2 se qëllimi i tij është njohja ose shpallja me këtë status e personave që kanë dhënë jetën në rrethana të posaçme, të lidhura me mbrojtjen e interesave kombëtare, integritetit territorial, luftën kundër terrorizmit, krimit ndaj jetës së individit, mbrojtjen e pronës publike ose shpëtimin e jetës së njerëzve në situatat e parashikuara nga ligji. Kjo dispozite përcakton qartazi kufijtë brenda të cilëve mund të zbatohet ligji. Paralelisht Neni 5 i ketij ligji parashikon në mënyrë të detajuar dhe shteruese kategoritë e personave që mund të shpallen ose të njihen me statusin “Dëshmor i Atdheut”. Këto nuk janë kritere orientuese, por kushte ligjore të detyrueshme, të cilat duhet të provohen me fakte dhe dokumentacion administrativ. Autoritetet  nuk mund t’i zgjerojnë këto kategori përtej rasteve të parashikuara shprehimisht nga ligji por janë të detyruara të zbatojnë ligjin ashtu siç është miratuar nga Kuvendi dhe jo ta zgjerojnë atë përmes interpretimeve që tejkalojnë përmbajtjen e tij. Në rastin konkret, çështja nuk mund të vlerësohet mbi bazën e rëndësisë së funksionit që ushtronte viktima apo mbi ndikimin qe ngjarja ka pasur ne opinionin publik. Respekti për figurën e të ndjerit është i padiskutueshëm, por ai nuk zëvendëson domosdoshmërinë e përmbushjes së kritereve që vete ligji ka vendosur për fitimin e këtij statusi.

Në çdo procedurë administrative për dhënien e këtij statusi është e domosdoshme të provohet se rasti konkret përputhet me një nga kriteret e nenit 5. Në mungesë të një përputhjeje me kriteret ligjore, dhënia e statusit nuk mund të mbështetet mbi vlerësime morale, institucionale apo emocionale, pasi këto nuk përbëjnë bazë ligjore sipas ligjit nr. 109/2018 “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”.

Ne cilesine e mbrojtesit ligjor, deklaroj se do të përdorim të gjitha mjetet juridike të parashikuara nga ligji për të kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së këtij propozimi dhe të çdo akti administrativ që rrjedh prej tij. Ky nuk është një qëndrim kundër kujtimit të gjyqtarit dhe as kundër familjes së tij. Është një qëndrim në mbrojtje të parimit kushtetues të legalitetit, sipas të cilit çdo vendim i autoriteteve publike duhet të ketë një bazë të qartë ligjore. Në fund, u bëj thirrje të gjitha palëve, institucioneve dhe opinionit publik që ta trajtojnë këtë çështje me qetësi, maturi dhe respekt reciprok. Vetëm një proces i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar në ligj mund t’i shërbejë drejtësisë, familjeve të prekura dhe interesit publik.

2 Komente

  1. P
    Pensionisti

    Avokati ka shumë të drejtë në atë që thotë. Vrasja e gjykatësit ishte tejet e gabuar por shpallja e tij dëshmor është një idiotësi më vee....

    Përgjigjjuni
    1. A
      Aliu

      Ka shume te drejte avokati. Ky zoteria u vra ne lufte per mbrojtjen e Atdheut!? Perkundrazi, kur gjykatesit zvarisin dhe tjetersojne te verteten, nuk mund te jene deshmore .

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje