Ettore Bugatti, historia e një legjende

21 Shtator 2023, 18:05Kulturë TEMA
Ettore Bugatti, historia e një legjende

Ettore Arco Isidoro Bugatti, i lindur në Milano në 1881, ishte stilist dhe sipërmarrës italian si dhe themelues i markës së makinave Bugatti.

Fëmija i madh i Teresa Loriolit dhe Carlo Bugattit, Ettore u rrit në një familje në të cilën arti luajti rol qendror. Babai i tij ishte projektues prestigjioz i mobiljeve dhe bizhuterive të stilit Art-Nouveau, si dhe  shpikës i talentuar i biçikletave të garave. Vëllai i tij më i vogël, Rembrandt Bugatti, ishte bërë skulptor i famshëm, tezja Luigia Bugatti, ishte gruaja e piktorit Giovanni Segantini, dhe gjyshi i tij nga babai, Giovanni Luigi Bugatti, ishte skulptor dhe arkitekt. Vetë Ettore ndoqi Akademinë Brera, por kuptoi shumë shpejt se pasioni i tij i vërtetë nuk ishte arti, por mekanika.

Pikërisht kundër këtij sfondi kulturor dhe personal, Ettore Bugatti zhvilloi bindjen mbi të cilën u ngrit filozofia me të cilën udhëhoqi kompaninë e tij: krijimtaria është shprehja dhe elementi kurorëzues i personalitetit të dikujt, dhe jo thjesht një mjet për të fituar para.

Potenciali i Ettore Bugattit u shfaq që herët: në moshë shumë të re, ai riparonte motorë të vegjël pa asnjë trajnim dhe në moshën 16-vjeçare filloi një stazh në Prinetti e Stucchi. Vetëm një vit më vonë, ai krijoi triçiklën e tij të motorizuar, me të cilën madje konkurroi në garën Paris-Bordeaux. Një vit më pas, ai nisi të projektonte makinën e tij të parë.

Nuk kaloi shumë që gjeniu i ri i mekanikës t'u binte në sy emrave të mëdhenj. Ai u punësua menjëherë nga "De Dietrich", kompani e specializuar në sektorin kimik dhe energjitik, por që prodhonte edhe makina në fund të viteve 1800. Një nga risitë kryesore që i riu Ettore Bugatti solli në markë ishte pozicionimi më i mirë i drejtimit për manovrim më eficient dhe performancë aerodinamike: një ndryshim që do të vijonte të revolucionarizonte historinë e drejtimit të makinave në mbarë botën.

Në vitin 1909, Ettore u transferua në Molsheim, në Alsace, dhe themeloi kompaninë e tij, Bugatti.

Kontributi i tij në këtë kompani ishte i dyfishtë. Nga njëra anë ishte qasja e tij ishte konservatore që lidhej me mbajtjen të pandryshuar për vite të tëra të shumë zgjidhjeve teknike, siç ishte rasti me të përjetshmin Tip 13, ose motorin 3.3 litra që u përdor për një numër të madh modelesh deri në fund të viteve 1930. Megjithatë, nga ana tjetër, Ettore Bugatti solli një risi të madhe në sektor, duke zhvilluar zgjidhje teknike që, në atë kohë, mezi përdoreshin. Rasti më ilustrues në këtë pikë është motori me shumë valvula që e katapultoi Bugattin në majën e suksesit, duke ofruar një alternativë të re ndaj dy valvulave klasike për cilindër.

Megjithatë, rritja e Bugattit nuk u kufizua vetëm në fabrikë: kompania arriti edhe disa fitore në Grand Prix, çka e çoi tipin 35 të markës në disa nga podiumet më prestigjioze në botë. Dhe kjo nuk ishte e gjitha: ishte një Bugatti ai që fitoi Çmimin e Madh të Monakos.

Bugatti: shumë më tepër se makina

Ne nisje të Luftës së Parë Botërore, kompanisë iu desh të rishpikte veten dhe vendosi të fokusohej në ndërtimin e avionëve dhe motorëve aeronautikë. Megjithatë, pasi konflikti kishte përfunduar, Ettore Bugatti u rikthye në gjurmët e pasionit të tij origjinal, duke e çuar emrin Bugatti në krye të prodhuesve më prestigjiozë të makinave në Evropë. Në vitin 1925, kompania mori vlerësimin e parë të madh, fitoren e parë në një nga pesë të tilla në garën Targa Florio në Sicili.

Gjatë gjysmës së dytë të viteve 1920, Ettore Bugatti nisi të punonte me një projekt krejtësisht të ri: një makinë luksoze të përmasave kolosale, me synimin për të lënë pas Rolls-Royce dhe Maybach në atë kohë shumë të vlerësuara. Dhe kështu lindi Bugatti Royale (i njohur edhe si Bugatti Gold, për shkak pjesëve të prototipit të gjitha prej ari): një nga makinat më të mëdha dhe më luksoze të të gjitha kohërave.

Një shpikës dhe novator i vërtetë, Bugatti vuri vulën e tij edhe në shumë projekte të tjera. Një nga më të rëndësishmet ishte Autorail, një vagon hekurudhor me pjesë teknike të ngritura direkt nga Bugatti Royale. Njësoj si për një aeroplan, i cili për fat të keq nuk u ngrit kurrë nga toka, Bugatti vijoi të projektonte shumë objekte të tjera, nga biçikletat dhe një makinë lodër te dyert, kolltukët, pajisjet kirurgjikale dhe rripat e kalërimit.

Një trashëgimi që nuk ka fund: marka Bugatti sot

Për Ettore Bugattin, vitet 1940 ishin një periudhë krize, duke filluar në vitin 1939 me vdekjen e parakohshme të djalit të tij Jean në një aksident rrugor.

Më pas, shpërtheu Lufta e Dytë Botërore dhe familja Bugatti, si shumë biznese të tjera, humbi kontrollin e kompanisë përballë ushtrisë gjermane. Pas pushtimit gjerman të Francës, në vitin 1941 u sekuestrua fabrika e Molsheim. Bugatti nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të hiqte dorë vullnetarisht nga kompania për të shmangur shitjen e saj në ankand gjyqësor. Ai mori 150 milionë franga: vetëm gjysma e vlerës reale në atë kohë. Përballja gjyqësore përfundoi, por për Ettore Bugattin telashet nuk kishin mbaruar. Pasi u gjykua për bashkëpunim me armikun, pikërisht sepse kishte shitur kompaninë e tij, Bugatti u dënua dhe iu sekuestruan të gjitha pasuritë personale. Vetëm pak muaj pasi vdiq në spitalin amerikan në Neuilly-sur-Seine në vitin 1947, Ettore Bugatti u shpall i pafajshëm në apel.

Themeluesi legjendar i Bugatti u varros në varrezat në Dorlisheim, një komunë e vogël franceze në rajonin Grand Est. Në vitin 2000, emri i Ettore Bugatti u vendos në Hollin e Famës së Automobilizmit së bashku me të gjithë emrat e tjerë prestigjiozë të botës së makinave, si dëshmi e rolit vendimtar që ai luajti në të gjithë sektorin.

Me kalimin e viteve, kompania ka kaluar nëpër duar të ndryshme, duke nisur nga italiania "Bugatti Automobili" midis viteve 1987 dhe 1995, përpara se të bëhej një kompani financiare ad-hoc nën markën gjermane "Volkswagen" dhe më në fund, që nga viti 2021, një sipërmarrje e përbashkët midis "Porsche" dhe "Rimac". Kaq shumë vende, emra dhe fytyra të vizatuara në tapicerinë e markës!

Të gjitha i bashkon një siguri e vazhdueshme: inovacioni si gur themeli i vendosur nga legjendari Ettore Bugatti.

Motorvalley.it - Përkthimi: Gazmira Sokoli

Lini një Përgjigje