Pas suksesit të “Rin Show”, ku të rinjtë sollën talentet e tyre në skenë, Korça mirëpret një tjetër aktivitet kulturor për brezin e ri, Festivalin e Teatrit të të Rinjve.
Ky festival konkurrues do të sjellë në skenë shfaqje të bazuara në vepra të autorëve të njohur, interpretuara nga nxënësit e gjimnazeve të qytetit, të cilët do të ngjiten si aktorë të vërtetë.
“Flasim për një proces profesional, shpresojmë që të rinj, amatorë të qytetit të marrin një eksperiencë të mirë në këtë fushë, por edhe pse jo të nxisim dëshirën për teatrin dhe të jenë studentë të Akademisë së Arteve”, tha Blerta Belliu, Drejtore e Qendrës së Kulturës dhe Inovacionit.
Prej disa ditësh, gjimnazistët janë duke punuar së bashku me aktorë profesionistë të Teatrit të Korçës, duke përjetuar kështu emocionin dhe disiplinën e skenës.
Nxënësit tregojnë se kjo eksperiencë është sfiduese, por edhe një hap i madh drejt ëndrrës së tyre për t’u bërë pjesë e botës artistike.
“Ndjehem shumë me fat që arrita të marr pjesë. Është një eksperiencë unike dhe e paharrueshme për gjithkënd që merr pjesë“, tha aktore Ilda Pepi.
“Shpresoj të ketë akoma dhe më shumë aktivitete të tilla duke marrë parasysh dhe pasionin që kam për aktrimin“, tha Fjodor Xhydollari, student në Akademinë e Arteve.
Qëllimi i këtij festivali është të afrojë brezin e ri me teatrin dhe të mbajë gjallë traditën kulturore të qytetit të Korçës. Festivali pritet të kthehet në një traditë të përvitshme, duke përfshirë në konkurs të gjitha shkollat e qarkut. - RTSH-
Lini një Përgjigje