Gonxhja: Muzeu Arkeologjik do të ketë funksione njëlloj si muzetë ndërkombëtarë

8 Maj 2026, 13:25Kulturë TEMA
Gonxhja: Muzeu Arkeologjik do të ketë funksione njëlloj si

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja iu përgjigj dje në Kuvend pyetjeve të depozituara nga deputetja Ina Zhupa rreth zhvendosjes së fondit të Muzeut Arkeologjik në një parking nëntokësor.

“Në zbatim të VKM nr. 111 dt 27.02. 2026, MTKS i është referuar praktikave ndërkombëtare që integrojnë funksione muzeale në hapësira edhe nëntokësore, apo infrastruktura urbane që janë të ngjashme si për shembull në Romë, në Krakov, Luvër etj.”, tha ministri Gonxhja.

Ai theksoi se, kërkesa institucionale fillestare është paraqitur nga Akademia e Shkencave dhe autoriteti kontraktor për procedurat e prokurimit është përzgjedhur Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për zbatimin dhe për mbikëqyrjen.

MTKS ka sugjeruar që projekti të përmbushë të gjitha standardet ndërkombëtare të ruajtjes, duke parashikuar sisteme kontrolli mjedisor, ndriçimi e sigurie, të përshtatshme për objektet arkeologjike.

Gonxhja tha se, MTKS në rolin e saj koordinues, ka marrë në shqyrtim kërkesën e ASHSH-së për përmirësimin e kushteve të ruajtjes dhe ekspozimit të këtij fondi që ata posedojnë por edhe të gjetjeve të tjera që mund t’i bashkohen.

“Vlerësimet e detajuara të fizibilitetit, shqyrtime të alternativave që do të trajtohen në fazat përkatëse, do të jenë subjekt dhe juridiksion i FSHZH si autoritet kontraktor”, tha ministri Gonxhja.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga deputetja e opozitës, Gonxhja tha se, MTKS vlerëson se integrimi i hapësirave muzeale nëntokësore është i pranueshëm nëse garantohen standardet e ekspozimit, aksesit dhe interpretimit për publikun në përputhje me praktikat bashkëkohore.

“Afërsia me parkime, stacione, metro, terminale e sheshe publike, zona me akses të lartë vizitorësh e turistësh, është faktor që ndihmon në fizibilitetin e të tilla investimeve”, sqaroi ministri.

Kreu i MTKS theksoi se, trajtimi i trashëgimisë kulturore mbetet prioritar duke kërkuar që funksioni muzeal të garantohet si komponent i pavarur e dominues i çdo zgjidhjeje projektimi, dhe jo vetëm që nuk ka banalizim por ka më shumë gjenerim turizmi kulturor dhe promovim vlerash identitare.

Aktualisht projekti është në fazë paraprake dhe nuk është zhvilluar ende një proces i formalizuar konsultimi publik. Parashikohet që gjatë fazës së projektimit të përfshihen ekspertë të fushës dhe institucione të specializuara. A.K./TemA

Lini një Përgjigje