Kinema që nuk krijon yje, yje që krijojnë "kinema"

17 Shkurt 2026, 20:54Kulturë Bjorn Runa

Kinema që nuk krijon yje, yje që krijojnë "kinema"

Një zhanër i ri kinemaje i lindur prej pak vitesh në trojet kulturore shqiptare duket se ia ka dalë mbanë të vetëkonsolidohet. Një tip kinemaje që nuk ka lindur as nga ndonjë shkollë filmi e as nga ndonjë ambicie amatoriale, e madje as nga akumulimi gradual i përvojës që shpesh formëson një gjuhë të caktuar kinematografike. Përkundrazi, bëhet fjalë për një kinema “expat” që vjen si emigrante nga një territor kulturor krejt tjetër, shumë më i kamur se ai i filmit, siç është edhe territori i reality TV, ndërthurur me vizibilitetin e mediave sociale dhe ekonomisë së ekspozimit permanent.

Shtegu që ndjek ky lloj i ri kinemaje emigrante është i parashikueshëm. Një celebrity, fama e të cilit/ës ka nisur të zbehet, bëhet pjesë e një spektakli reality tejet të ndjekur dhe pasi ka rifituar vëmendjen e publikut dhe ka ndërtuar një audiencë të re, pas njëfarë kohe, shpall se po punon për një film. Në shumicën e rasteve është fjala për një komedi, komedi romantike apo, kur janë pak më të guximshëm, tentojnë të lagin këmbët në ujërat e ndonjë drame të lehtë. Megjithatë, përzgjedhja e zhanrit ka më pak rëndësi sesa mekanizmi që qëndron pas saj. Për ta, filmi shërben si vazhdimësi e famës së porsa rifituar, duke shmangur rrezikun artistik që ndërmerr çdo krijues i sinqertë, sepse në fund shikuesit nuk do të dynden në sallë për të zbuluar personazhe dhe histori të reja, por për të parë njerëz të cilët i njohin tashmë. Është pak a shumë strategjia e çdo celebrity botëror në situata të ngjashme, vetëm se ata e hedhin hapin e parë me ndonjë libër, pastaj me ndonjë film, nëse nuk përfundojnë si onlyfans creators. Por, mesa duket, shkruajtja e një libri – sado i dobët qoftë – është një sipërmarrje që i alivanos VIP-at tanë edhe vetëm po ta mendojnë.

Shpesh, përmbajtja dhe historitë që këta filma trajtojnë janë aq të ngjashme, sa që duken si vazhdime të njëri-tjetrit. Sikur ke hyrë në kinema për të parë një film në vitin 2022 dhe po del nga salla në 2026. Edhe Bela Tarr do ta kishte zili një kohëzgjatje 4-vjeçare. Tek e fundit, maksimumi që mundi të arrinte ishte 7 orë. Por, kjo vjen sepse historia është pjesa më e parëndësishme e këtyre filmave. Ajo që vlen realisht është “star power”, ndjesia e familjaritetit që krijohet nga vite të tëra shfaqjesh në televizion, artikuj “gossip”, apo prani e përditshme në mediat sociale. Në të shumtën e rasteve, çifte celebrity “punësohen” bashkë në të njëjtin film, ku luajnë pak a shumë veten e tyre, nën maskën gjysmë transparente të fiksionit, duke e shndërruar ekranin e kinemasë në asgjë më shumë sesa një Instagram feed me përmasa më të mëdha se ai në telefonat tanë. Fytyra të njohura performojnë dinamika po aq të njohura, vetëm se tani nën legjitimitetin simbolik që iu jep të luajturit në një “film”.

Paralelisht me këtë fenomen shfaqet një tjetër trend, kësaj here i formësuar nga platformat e mediave sociale. VIP-at e TikTok-ut, fama e të cilëve ndërtohet mbi bazën e konsumit masiv, po “emigrojnë” në shifra gjithnjë e më të larta drejt filmave aksion/krim. Janë filma që zakonisht përqafojnë një estetikë të ekzagjeruar: plane të ngadalësuara, thjesht sepse slow motion është cool; dhunë e inskenuar me pretekstin e paraqitjes së një realizmi të papërpunuar; skena të ekstra-stilizuara që, edhe pse synojnë intensitet emocional, shpesh përfundojnë në parodi të vetvetes. Që të mos keqkuptohemi, këta krijues kanë ambicie për të bërë filma seriozë, por në shumicën e rasteve, fakti që ngatërrojnë eksesin vizual me realizmin e pastër, i bën filmat e tyre të ndihen tejet artificialë, të aftë për të mbijetuar vetëm si meme 30-sekondëshe në rrjetet sociale.

Por, ndërsa eksesi është tipar i shpirtit amatoresk dhe shpesh i justifikueshëm, në rastin e tyre, shpirti amatoresk nuk lidhet edhe aq me dëshirën për të eksperimentuar, sesa me përpjekjen për të imituar. Në vend që të përqafojnë kufizimet e tyre, shumë prej këtyre filmave duken si të burgosur nga referencat ndaj filmave të tjerë, më të njohur, ose estetikës së videoklipeve muzikore, në kërkim të impaktit të menjëhershëm tek publiku. Rezultat i gjithë kësaj është një kinema që, për ironi, është njëkohësisht tejet ambicioze dhe shumë sipërfaqësore dhe që, teksa nga ana teknike ngjan profesionale, nuk të shkakton asnjë emocion. Amatorizmi mund të falet dhe madje është i mirëpritur kur mbart me vete ndjesinë e rrezikut dhe sinqeritetit, kur gabimet shfaqen si nënprodukte të diçkaje realisht të gjallë, por është pikërisht mungesa e kësaj ndjesie që i bën këta filma të pashikueshëm në afatgjatë dhe praktikisht të harrueshëm.

Do të ishte e parëndësishme dhe idiotësi të merreshe me të dyja këto fenomene, sikur ato të mos ishin kaq të suksesshme sa ç’janë në skenën kulturore e mediatike shqiptare. Të dy këto lloje filmash qëndrojnë në sallat e kinemave shumë më gjatë krahasuar me ato pak projekte serioze filmike vendase: ato që përpiqen të portretizojnë kompleksitetin njerëzor ose tensione të ndryshme sociale. Madje kjo kinema e re “emigrante” në shumë raste ia del mbanë të dominojë blockbuster-at ndërkombëtarë, duke tërhequr audienca gjithnjë e më të mëdha dhe duke shkaktuar zhurmë. Të gjithë flasin për filmin e Luizit, Ermalit, Donaldit & Borës etj. (edhe pse askush nuk të thotë dot se përse ka qenë secili film), krahasuar me sallat gjysmë bosh ku, edhe në rastin e ndonjë blockbuster-i ndërkombëtar, punonjësja e kinemasë të kthen mbrapsht se filmi është anuluar, se nuk ka blerë kush biletë për ta parë. Një sallë kinemaje, edhe në qendër të kryeqytetit, shndërrohet në kafenenë e fshatit, ku mund ta gjesh derën mbyllur në kulmin e ditës, sepse… i zoti nuk ishte në qejf dhe donte të shtrihej pak.

Shpjegimi për mungesën e interesit, jo vetëm nga kinematë si vende ku shihet filmi por edhe nga publiku, nuk mund të reduktohet tek çështjet e shijeve apo standardeve në rënie. Diçka më e thellë dhe më strukturore po ndodh. Pjesërisht, kjo vjen për shkak të familjaritetit që këto figura kanë në publik. Audienca nuk blen më bileta për të parë një histori që nuk e di, por zgjedh të investohet në një marrëdhënie që ekziston ndërkaq. VIP-at ia behin në ekranin e kinemasë me një histori të gatshme dhe audiencë të ndërtuar përmes shfaqjeve në televizion apo media sociale. Kësisoj, filmi kthehet nga një përvojë emocionale dhe intelektuale në sallën e kinemasë, në një konfirmim kolektiv të një personaliteti që gëzon ndërkohë një bazë ndjekësish. Në këtë aspekt, marketingu i paraprin vetë filmit, pasi audienca është krijuar shumë kohë përpara se të xhirohet plani i parë i tij, apo edhe para se të shkruhet fjalia e parë në skenar.

Një tjetër arsye është se kjo kinema “emigrante” përputhet thuajse përsosmërisht me mënyrën se si funksionon vëmendja sot. Ajo kërkon pak, shumë pak durim, ndërsa ofron sinjale emocionale të menjëhershme, të ngjashme me ritmet vizuale që shikuesit konsumojnë online në përditshmërinë e tyre. Në dallim me këtë, filma që përpiqen të eksplorojnë histori njerëzore më komplekse, kërkojnë një vëmendje më të avashtë, të cilës i duhet gjithnjë e më shpesh të konkurrojë me mjedisin mediatik të fragmentarizuar që na rrethon. Rezultati është një paradoks: kinemaja që synon thellësi lufton për të mbijetuar brenda një hapësire tanimë të dominuar nga mekanika e familjaritetit dhe njohjes së menjëhershme. Salla e kinemasë, dikur vendi ku historitë në ekran krijonin yje, sot shërben si vendi ku “yjet” krijojnë historitë që na duhet të shohim në ekran.

3 Komente

  1. A
    A.N

    Si mund të quhen yje disa derdimenë injorantë.që pëfitojnë nga zbrazësira në shoqërinë tonë.

    Përgjigjjuni
    1. h
      haha

      fiks e ke tehne. ja quhen yje njesoj si ky qe e ka shkruar kete pacaure e i duket sikur jep mend.

      Përgjigjjuni
    2. A
      Adhurues i filmit te vertete

      E pergezoj autorin! Njekohesisht i kerkoj ndjese qe per mua ishte nje emer i panjohur me pare! Une vetem pak dite me pare po diskutoja me nje mik pikerisht kete fenomen, lindjen e ketij zhanri te ri qe fatkeqsisht po zevendeson kinematografine e vertete qe trajton problematika te ndryshme shoqerore dhe jep i jep mesazhe te rendesishme kesaj shoqerie! Ajo qe me shqeteson me shume nuk jane tentativat e disa personazheve qe i prodhojne keta te ashtuquajtura filma, as arroganca e fryrja e tyre kur dalin ne publik, se ne fund te fundit ata, te pakten tani per tani, jane te pakte! Ajo qe eshte vertete shqetesuese eshte si e ndjek, vlereson e kenaqet publiku!!

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje