Nga shpjegimi i fjalëve te shpjegimi i botës

17 Shkurt 2026, 17:38Kulturë Ardian Vehbiu

Fjalori njëgjuhësh kombinon sisteme të ndryshme të dijes, për t’i dhënë përdoruesit një produkt tejet kompleks, ku listat e fjalëve punojnë së bashku me njohuritë gramatikore, të dhënat për kontekstin e përdorimit, regjistrat dhe stilet, shembuj të përdorimit, ndonjëherë edhe prejardhjen e çdo fjale; dhe, në rast se fjalori është normativ, edhe me rregullat e drejtshkrimit dhe format normative të fjalëve.

Një nga funksionet e fjalorit njëgjuhësh është të përkufizojë fjalën, duke e dhënë kuptimin e saj me fjalë të tjera të së njëjtës gjuhë. Për shembull, në Fjalorin e madh, ZOG përkufizohet si “kafshë e vogël kërbishtore, me trupin të mbuluar me pupla, me sqep të brirtë, me dy këmbë dhe me krahë për fluturim, që shumëzohet me anë të vezëve”; në përkufizim jepet klasa së cilës i përket ZOGU (kafshë kërbishtore), disa karakteristika që e dallojnë nga pjesëtarët e tjerë të asaj klase (puplat, sqepi, krahët për fluturim, shumëzimi me anë të vezëve). Në tërësi, këto karakteristika duhet ta dallojnë ZOGUN nga kafshë të ngjashme. Për folësin mesatar të shqipes, ZOGU është një kafshë që fluturon; por kaq nuk mjafton për përkufizimin, sepse do të përfshinte te ZOGJTË edhe lakuriqët e natës dhe insektet. Përkufizimi më lart ka disa pasaktësi – sepse karakteristika “e vogël” është më shumë opsionale dhe logjikisht e paqartë – sa kohë që edhe çdo “kafshë kërbishtore, me trupin të mbuluar me pupla, me sqep të brirtë, me dy këmbë dhe me krahë për fluturim, që shumëzohet me anë të vezëve” është gjithashtu zog - mbase leksikografi ka pasur parasysh dallimin me SHPEND; por SHPEND, nga ana e vet, përkufizohet në Fjalor si “kafshë kurrizore me trup të mbuluar me pendë e me pupla, me dy krahë, me dy këmbë e me sqep, që bën vezë dhe që në përgjithësi mund të fluturojë”, pa bërë ndonjë diferencim nga ZOG; edhe këtu, përkufizimi vjen me pasaktësi, duke filluar nga luhatja mes “kafshë kërbishtore” dhe “kafshë kurrizore”, që në këtë fjalor nuk duhej lejuar dhe aq më pak në përkufizim (janë e njëjta gjë); e dhëna që SHPENDI ka dy krahë befason, por mbase vlen për ta diferencuar nga disa insekte; sqarimi që “në përgjithësi mund të fluturojë” është gjithashtu i saktë; nga ana tjetër, karakteristika “me trup të mbuluar me pendë e me pupla” nuk është e qartë, sa kohë që pendë dhe pupla mund të merren si sinonime absolute (edhe pse për disa folës nuk janë të tilla).

Përkufizimi i një fjale në një fjalor gjuhësor nuk mund të pretendojë saktësi shkencore; por më shumë të përshkruajë kuptimin që i japin zakonisht fjalës përdoruesit e saj. Një kuptim, i sjellë në fjalor, duhet të jetë i bashkëndarë mes përdoruesve. Nga ana tjetër, një numër i madh fjalësh janë polisemike - kanë më shumë se një kuptim; dhe këto kuptime jepen në Fjalor të numëruara. Për shembull, në disa krahina, fjala ZOG përdoret edhe me kuptimin “i vogli i një kafshe, pjella”, si në zog gomari, zogjtë e arushës; ky kuptim vjen i shoqëruar nga shënimi krahin., që tregon një kufizim gjeografik të përdorimit.

Në një fjalor enciklopedik, përkufizimi i fjalës ZOG do të formulohej ndryshe – duke u fokusuar jo aq te kuptimi i fjalës vetë, sa te sendi ose dukuria që shënjon fjala. Ashtu, enciklopedia Treccani e përkufizon fjalën UCCELLO me një tekst që lexohet si i marrë nga një traktat i zoologjisë; ndërsa Britannica, për BIRD, vë në dukje praninë e puplave, që i dallon këto kafshë nga gjithë kafshët e tjera; duke shtuar pastaj se zogjtë janë kërbishtorë me gjak të ngrohtë, më të ngjashëm me rrëshqanorët se me gjitarët, kanë një zemër me katër dhoma (si gjitarët), gjymtyrë të përparme të modifikuara në krahë (si lakuriqët e natës), vezë me lëvozhgë të fortë, e kështu me radhë.

Përkufizimi i fjalëve, në një fjalor njëgjuhësh, duhet të ndjekë kriteret logjike të përkufizimit; zakonisht, duke identifikuar në krye një kategori: “vetura është një lloj automjeti...”, dhe pastaj duke shtuar karakteristikat dalluese “për të transportuar një numër të vogël personash”; si rregull, përkufizimi duhet të përdorë fjalë që të jenë më të lehta për t’u kuptuar se fjala që përkufizohet; dhe sidomos, duhet të shmangë cirkularitetin, ose përdorimin e fjalës së përkufizuar në tekstin përkufizues, p.sh. “përkufizim – një teknikë për të përkufizuar fjalët;” dhe pastaj “përkufizoj – jap përkufizimin e një fjale” (këta shembuj nuk i kam marrë nga Fjalori). Të vihet re si përkufizoj shpjegohet nëpërmjet përkufizim, ndërsa përkufizim nëpërmjet përkufizoj. Në të njëjtën mënyrë, nëse e përkufizojmë artistin si dikë që krijon art, atëherë do të ishte metodologjikisht e gabuar që ta përkufizonim artin si diçka që krijohet nga artisti.

Cirkulariteti është e metë metodologjike serioze dhe prania e tij, në një vepër me ambicien e Fjalorit të madh, dëshmon se diçka nuk ka funksionuar mirë, në përgatitjen e tij. Më poshtë po vë në dukje raste flagrante cirkulariteti, që kam ndeshur gjatë një shfletimi krejt të paplotë i veprës dhe që më bëjnë të dyshoj se është fjala për një të metë që meriton vëmendje.

 

Grupi i fjalëve kungë, kungoj, kungim, kungatë, kungore, i kunguar lidhet me një rit të fesë së krishterë, të cilin Fjalori i vitit 1980 e përkufizonte kështu: KUNGIM - “Rit fetar që bëhet zakonisht në kishë, ku prifti u jep besimtarëve me lugë vere me copa meshe ose oste, gjoja për t’i pastruar nga mëkatet; buka dhe vera që u jep prifti besimtarëve ortodoksë gjatë këtij riti (në vendet ku vepron feja e krishterë).” Te ky përkufizim bazë jepet kategoria bazë “rit fetar” dhe pastaj karakteristikat dalluese, përfshi personazhet që marrin pjesë (prifti, besimtarët), sendet që nevojiten (luga e verës, copat e meshës), synimi i dëshiruar (pastrimi nga mëkatet) e kështu me radhë.” Përkufizimi është relativisht i saktë, po të pastrohet nga disa mbishtresa ideologjike asokohe të pashmangshme, si ajo fjala “gjoja”, që shpreh distancim nga një pretendim i gjykuar si i pavërtetë nga subjekti i ligjërimit.

Por le të shohim tani si përkufizohen termat e këtij grupi, në Fjalorin e madh:

KUNGATË “Veprimi dhe riti ortodoks që zhvillohet në kishë, kur prifti kungon besimtarët.”

KUNGIM “1. Marrja e kungës 2. Kungatë”

KUNGË “vend i caktuar në kishë ku bëhet kungimi i besimtarëve; kungore.”

KUNGORE “Vend i veçantë në kishë ku prifti kryen shumicën e shërbesave, duke përfshirë edhe ritin e kungatës.”

KUNGOJ “I jap kungatën besimtarit të krishterë; çoj dikë në kishë (fëmijën, etj.) për të marrë kungatën.”

KUNGOHEM “Marrja ose dhënia e kungatës në kishë.”

Kemi të bëjmë me një shembull karakteristik të cirkularitetit (përkufizimit rrethor), ku kungatë shpjegohet nëpërmjet foljes kungoj, ndërsa folja kungoj shpjegohet nëpërmjet emrit kungatë. Mungon përshkrimi i kungimit a i kungatës, siç e kishte Fjalori i 1980-ës, që duhej dhënë të paktën një herë brenda grupit.

Fjalori i madh e kufizon këtë grup fjalësh me ritualin ortodoks, duke mos e lidhur fare me EUKARISTINË, e cila megjithatë, në vendin përkatës, përkufizohet kështu: “Rituali i darkës së shenjtë në krishterim që përkujton vdekjen dhe ringjalljen e Jezus Krishtit përmes marrjes së bukës dhe verës nga besimtarët e pagëzuar; kungatë.” Dallime të tilla lidhen edhe me praktikën rituale të njërës a tjetrës kishë (ortodokse, katolike); por unë eukaristinë dhe kungimin, në një Fjalor shpjegues të shqipes, do t’i kisha trajtuar në marrëdhënie mes tyre (meqë të dyja lidhen me përdorimin ceremonial (simbolik) të bukës dhe të verës në adhurimin e Krishtit, në përkujtim të sakrificës së tij. Gjithsesi, shpresoj që autorët e fjalorit të jenë këshilluar për këtë ndarje me ekspertët përkatës (të cilëve gjithsesi do t’u isha drejtuar edhe unë).

Për më tepër, edhe fakti që një vepër leksikografike e rëndësishme, si Fjalori italisht-shqip i Leka-Simonit, fjalën comunione, në kuptimin e saj fetar, e jep si “kungim, kungatë”, më bën të mendoj se termi shqip nuk i përket vetëm terminologjisë ortodokse, por është në përdorim të përgjithshëm, edhe nga katolikët[1]. Pavarësisht zgjedhjeve terminologjike zyrtare-liturgjike të Kishës Katolike sot në shqipe, vetë përkufizimi i pranuar i fjalës COMUNIONE për katolikët, si “bashkimi intim dhe spiritual mes besimtarit dhe Jesus Krishtit përmes sakramentit të Eukaristisë, në të cilin merret Trupi dhe Gjaku i Jesuit në formën e bukës dhe të verës”, më bën të dyshoj se KUNGOJ e shqipes mund të ishte përpunuar ndryshe. Dhe jo duke u thelluar në diferencat rituale dhe doktrinare (çfarë nuk është synim i këtij Fjalori shpjegues), por duke pasqyruar përdorimin aktual të fjalës shqipe në praktikat fetare të krishtera, përtej mangësive dhe pasaktësive që ndonjëherë kalojnë nga një fjalor në tjetrin.

Që ky grup fjalësh nuk është trajtuar mirë, e provon – tërthorazi – edhe trajtimi që i është bërë një grupi të ngjashëm, atij të pagëzim, pagëzoj, i pagëzuar, pagëzor, pagëzore, etj. Semantikisht, ky grup është i organizuar rreth foljes pagëzoj, e cila jepet kështu: “Laj ose lag me ujë të bekuar foshnjën për ta bërë të krishterë dhe i vë emrin; kthej në të krishterë një të rritur që pranon këtë fe, duke i bërë ceremoninë përkatëse.” Përkufizimi specifikon thelbin e veprimit të pagëzimit, synimin e tij, sendet e nevojshme (uji i bekuar), personat/aktorët e përfshirë (foshnja, etj.). Ky përkufizim e lejon foljen pagëzoj të shndërrohet në strumbullarin kuptimor të krejt grupit. Edhe këtë herë, kemi të bëjmë me një përkufizim të marrë pothuajse verbatim nga Fjalori i 1980-ës. Për këtë arsye, diferenca në trajtimin e kungoj dhe të pagëzoj më bën të dyshoj se autorët e Fjalorit të ri nuk kanë pasur kritere të qarta për mënyrën si do t’i kopjonin fjalët nga Fjalori i dyzet e kusur vjetëve më parë.

Një rast i vetëm cirkulariteti nuk do të thotë gjë; mund t’u ndodhë edhe redaksive leksikografike më të mira. Prandaj nuk do t’i kisha hedhur këto shënime, po të mos më kish dalë përpara një i dytë, në të njëjtën fushë – atë të terminologjisë fetare.

Emrin KATOLIK Fjalori e shpjegon kështu: “besimtar katolik; ithtar i katolicizmit”, ndërsa mbiemrin përkatës kështu: “që lidhet me katolikët dhe me katolicizmin; që beson në katolicizëm; që bazohet a mbashtetet në katolicizëm; që i përket katolicizmit.”

Duket se shpjegimin do ta gjejmë te KATOLICIZËM, të cilin Fjalori e përkufizon kështu: “1. Feja e krishterë më e përhapur në botë, e cila përfaqësohet nga kisha katolike me qendër në Vatikan; të qenët katolik a katolicist. 2. Të gjithë besimtarët katolikë.”

Pra, katoliku është ithtar i katolicizmit, ndërsa katolicizmi është feja e përfaqësuar nga kisha katolike, e cila është katolike sepse lidhet me katolikët dhe katolicizmin. Me tre fjalë të vetme, krijohet cirkulariteti.

Një përkufizim i fjalës katolik, nga Merriam-Webster, do ta zgjidhte këtë kokëçarje: “anëtar i një kishe të krishterë që ka një hierarki priftërinjsh dhe peshkopësh nën Papën, një liturgji të bazuar në Meshën, adhurimin e Shën Mërisë dhe shenjtorëve, beqarinë e klerit dhe një trup dogme që përfshin trans-substancimin dhe pagabueshmërinë papale.” LeRobert en ligne e përkufizon katolicizmin si “fe e krishterë në të cilën papa ushtron autoritetin në çështje të dogmës dhe të moralit,” ndërsa Il Nuovo De Mauro jep këtë përkufizim: “confessione, dottrina cristiana che riconosce il papa come capo supremo della Chiesa con poteri di magistero e giurisdizione rispetto ai vescovi delle chiese locali”.

Tani, në përkufizimin e katolicizmit në Fjalor, si “Feja e krishterë më e përhapur në botë, e cila përfaqësohet nga kisha katolike me qendër në Vatikan; të qenët katolik a katolicist” vërej edhe që karakteristika “më e përhapur në botë” është, në fakt, irrelevante; sepse esenca e të qenit katolik nuk ka fare lidhje me përhapjen e kësaj feje; këtë pasaktësi Fjalori e ka trashëguar nga Fjalori i vitit 1980, ku katolicizëm jepet si “Feja e krishterë më e përhapur (sidomos në Evropën Perëndimore dhe në kontinente të tjera), e cila përfaqësohet nga kisha katolike që ka si qendër Vatikanin dhe drejtohet nga papa”, që është e njëjta gjë, plus saktësimin e çuditshëm në kllapa, “sidomos në Evropën Perëndimore dhe në kontinente të tjera” – po të kemi parasysh se Evropa Perëndimore nuk është kontinent, dhe nëse katolicizmi është feja më e përhapur në Evropën Perëndimore dhe në kontinente të tjera, atëherë nuk kuptohet çfarë i shton ky saktësim cilësimit “feja e krishterë më e përhapur në botë.”

Në kultura si jona, ku burimet e referencave offline dhe online janë të kufizuara dhe shpesh të vjetruara ose të pasakta, përkufizimet e fjalëve – edhe në një fjalor shpjegues si Fjalori – marrin rëndësi më të madhe se ç’do të kishin, në një gjuhë dhe kulturë tjetër. Kjo ndodh ngaqë përdoruesit shpesh e përdorin Fjalorin gjuhësor si të ishte Fjalor enciklopedik, dhe e marrin për referencë jo për fjalët shqipe, përdorimet dhe kuptimet e tyre, por për sendet dhe dukuritë e shënjuara prej fjalëve. Për shembull, fjalën BEKTASHIZËM Fjalori i madh e përkufizon si “Sekt mysliman i krijuar në shekullin XV, që ka elemente të panteizmit e që përcjell te besimtarët vlerat e dashurisë, të mirëkuptimit, etj.” çka nga pikëpamja teologjike-fetare, por edhe thjesht historike-kulturore lë shumë për të dëshiruar. Megjithatë, në mungesë të një fjalori enciklopedik të përditësuar a të një burimi tjetër autoritativ, shumë prej nesh do t’i referohen këtij përkufizimi, kur duan të dinë kalimthi se ç’është bektashizmi ose kur duan ta krahasojnë me një fe a sekt tjetër. Përkufizimi nuk kënaq, dhe jo vetëm ngaqë përmban pasaktësi – bektashizmi nuk është krijuar në shekullin XV – por edhe ngaqë sjell hollësi të panevojshme si kjo “përcjell te besimtarët vlerat e dashurisë, të mirëkuptimit” (këtë pritet ta bëjë çdo lloj feje, sekti a tarikati), duke lënë jashtë të dhëna që mua më duken të nevojshme, si roli dhe vendi i Haxhi Bektashit, fakti që bektashizmi është tarikat ose fakti tjetër që bektashinjtë adhurojnë Aliun, të cilat janë më të rëndësishme se “panteizmi”. Një kontroll i shpejtë më konfirmoi se edhe ky përkufizim është marrë nga Fjalori i 1980-ës, çfarë më duket metodologjikisht e gabuar, për arsye të rrethanave historike dhe politike; dhe se, gjithsesi, nuk është Fjalori i madh shpjegues i shqipes vendi ku mund të promovohet ky tarikat.

Njëlloj si në rastin e hartimit të fjalësit (listës së fjalëve të përfshira), edhe gjatë përkufizimit ka rëndësi kritike kufiri midis çfarë do të thuhet, dhe çfarë do të lihet jashtë. Për shembull, fjala KISHË në Fjalor jepet si “1. Organ a institucion i klerit të krishterë, ku kryhen shërbesa të ndryshme për besimtarët” dhe “2. Ndërtesë e posaçme ku kryhen këto shërbesa; faltore e krishterë.” Natyrisht, folësi i shqipes e përfytyron kishën më parë si ndërtesë a vend, ku kryhen shërbesat fetare, dhe vetëm më pas si “organ a institucion”; por kisha nuk i përket klerit të krishterë siç thuhet në kuptimin 1 (“Organ a institucion i klerit të krishterë”), por të gjithë besimtarëve, të cilëve u shërben kleri; pastaj, nëse kuptimi 1 flet për kishën si “organ a institucion”, duke u trajtuar ndërtesa te kuptimi 2, atëherë nuk ka logjikë që të thuhet, në kuptimin 1, “ku kryhen shërbesa të ndryshme për besimtarët”, meqë ajo “ku” i referohet një vendi a hapësire, të cilat i mbulon kuptimi 2. Por çfarë është edhe më e rëndësishme, është mungesa në përkufizim e kuptimit të kishës si “trupi kolektiv i besimtarëve në Krisht” (komuniteti i besimtarëve), që është kuptim themelor, madje thelbësor ( dhe që, në çdo rast, duhej të ishte përfshirë edhe në një Fjalor shpjegues si ky që po shfletojmë.

Nëse në gjuhën e një kombi gjejmë të materializuar edhe strukturat e tij mendore kolektive, atëherë saktësia në përkufizimet mundëson aksesin e drejtpërdrejtë të përdoruesit në këto struktura. Hartuesit dhe redaktorët e Fjalorit do t’i sillnin shërbim të madh publikut, qytetarëve dhe gjithë përdoruesve të gjuhës, po t’i jepnin përparësi kontrollit dhe ndreqjes të pasaktësive në përkufizimet dhe përmirësimit të tyre në përgjithësi; duke treguar kujdes të posaçëm me përkufizimet që janë marrë, praktikisht pa masa mbrojtëse, nga Fjalori i vitit 1980, hartuesit e të cilit ishin njëfarësoj të detyruar t’i përmbaheshin një ideologjie dhe filozofie specifike, e cila sot do konsideruar si e kapërcyer.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.


[1] Termi “kungim” më rezulton i përdorur rëndom në faqen https://kishakatolikeshkoder.com/.

Lini një Përgjigje