LIBRI I DITËS: "Zërat e parë të Italofonisë shqiptare"- Gjithnjë e më larg pasojave të asaj traume kolektive gjithnjë e më të përfshirë...

4 Nëntor 2025, 16:10Kulturë TEMA
LIBRI I DITËS: "Zërat e parë të Italofonisë

RUBRIKA DITORE E LIBRIT TË PËRZGJEDHUR NGA LIBERALE.AL

Titulli: "Zërat e parë të Italofonisë shqiptare"

Kategoria: Letërsi shqipe

Gjatë dhjetëvjeçarit të parë të viteve 2000, nën etiketën e migrimit italofon nga zona ballkanike, janë mbledhur shumë dëshmi letrare. origjinale dhe të dhimbshme, që vinin nga një botë në shpërbërje e sipër.

Brenda këtyre koordinatave, përvoja shqiptare përbën padyshim një anomali më vete. Faza e parë e asaj që duhet konsideruar si një lëvizje e mirëfilltë letrare përfaqësohet nga tri figura femërore të jashtëzakonshme - shkrimtare dhe intelektuale. Elvira Dones, Ornela Vorpsi dhe Anilda Ibrahimi marrin fjalën pas rrëzimit të regjimit të Enver Hoxhës dhe, rrëfim pas rrëfimi, ndërtojnë një univers narrativ magjepsës dhe të shumëllojshëm, gjithnjë e më larg pasojave të asaj traume kolektive dhe, përkundrazi, gjithnjë e më të përfshirë në një realitet të globalizuar.

Ky libër analizon veprën e tyre, në një përballje të drejtpërdrejtë me tekstet.

Fabio Massimo Rocchi është pedagog i Letërsisë së Krahasuar në Departamentin e Letërsisë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Njëkohësisht, ai është kërkues shkencor pranë Departamentit të Shkencave të Edukimit të Fakultetit "Aldo Moro" në Bari.

Kërkimet e tij përqendrohen në një studim tematik dhe krahasues ndërmjet kanonit të letërsisë italofone dhe disa klasikëve të letërsisë shqiptare. Ka shkruar monografinë "Zërat e parë të italofonisë shqiptare Elvira Dones. Ornela Vorpsi, Anilda Ibrahimi" (Botime Pegi, 2025), në të cilën ka hulumtuar fenomenin e italofonisë në fillim të viteve 2000.

Gjithashtu, Rocchi ka kryer kërkime të vazhdueshme për figurën e Paolo Volponi-t dhe ka publikuar analiza të tjera në lidhje me teorinë e romanit, kritikën tematike dhe krahasuese, si dhe me veprën e autorëve si Robert Walser. Mircea Cărtărescu, Ezio Sinigaglia dhe Ismail Kadare.

Përkthen vazhdimisht nga shqipja në italishte dhe ka bashkëpunuar me shtëpitë botuese Besa Editrice, Castelvecchi, Rubbettino dhe Del Vecchio Editore.

Lini një Përgjigje