Muzikë, letërsi e filma: Ja çfarë ofron Java Kulturore spanjolle...

4 Nëntor 2025, 13:42Kulturë TEMA
Muzikë, letërsi e filma: Ja çfarë ofron Java Kulturore

Prej dje e deri më 7 nëntor, në Tiranë dhe Gjirokastër, do të zhvillohen aktivitetet e Javës së Kulturës Spanjolle, si të gjitha javët kulturore para saj dhe pas saj, vetëm për kënaqësinë e spektatorëve.

Kjo javë do të sjellë aktivitete të shumëllojshme me prezantime librash, filmash, vallesh tradicionale e kulinarie spalloje që do të mbushin zemrat e kryeqytetasve me kulturë dhe muzikë për t’iu shmangur pak dhe shiut të nëntorit.

Aktivitetet nisën dje, me dy evente: promovimin e librit “Anatomia e një çasti” i Javier Cercas, përkthyer nga Bashkim Shehu si dhe performancën e flamenkos nga ballerina Lucia La Bronce, në Katedralen Ortodokse.

Gjatë kësaj jave, një vend i rëndësishëm i është lënë kinematografisë spanjolle, filmat e përzgjedhur të së cilës do të shfaqen në datat 4, 5 dhe 6 nëntor në Qendrën e Artit “Agimi”, një prej “hub” më popullore të Tiranës.

Më 5 nëntor, kantina spanjolle “Emilio Moro” do të zhvillojë një degustim verërash në restoranit “Kope” në Tiranë, udhëhequr nga Teresa Aumesquet, drejtoreshë komerciale për Evropën, ku pjesëmarrësit do të eksplorojnë shijet dhe karakteristikat unike të verërave, nën udhëheqjen e ekspertëve të fushës.

Më 6 nëntor, restoranti “Gjeli i Pazarit” do të presë “Vamos de Tapeo”, një mbrëmje gastronomike kushtuar tapas-ve tradicionale spanjolle, të shoqëruara me birrë dhe sangria, një aktivitet ku pjesëmarrja kërkon rezervim paraprak.

Java e Kulturës Spanjolle do të mbyllet më 7 nëntor, në Qendrën “UNED” në Gjirokastër, me koncertin e kitaristit Denis Bizhga, themelues dhe drejtor artistik i “Albania International Guitar Festival”, i cili do të përcjellë pasionin, lirizmin dhe elegancën e kitarës klasike që do të lidhin publikun me traditën dhe emocionet e Spanjës, vend europian sa i largët por dhe i afërt. A.K./TemA

Lini një Përgjigje