Mevlan Shanaj: Ja kush ishte Lasgushi për mua dhe të pathënat e jetës së tij

29 Gusht 2022, 10:57Kulturë Mevlan Shanaj

Mevlan Shanaj: Ja kush ishte Lasgushi për mua dhe të pathënat e

Lasgush! Sa frikë ti qasesh këtij emri! Kam pasur mundësinë t’i qasem, të bisedoj të më tregonte shumëçka jo vetëm për estetikën, për jetën, për shkollën, për femrat dhe kurdoherë krenar, fodull, diktator( në fakt perandor i mendimit të lirë). Në korrik të 1981 , Mario Ashiku, regjisor në Pogradec, (sigurisht si i dënuar nga Instituti i Arteve, )me trupën e aktorëve kishte përgatitur një shfaqje me poezitë e Poradecit.
Më kishte ardhur sgalemi në dorë. Bisedova me Dr. Misto Marko, mik i Lasgushit , burrë i ditur. Shkojmë te Thomaqi , miku më i afërt. Thomaqi kishte një si studio i thënçin që punonte si piktor apo ekzekutues i pllakateve apo lajmërimeve të qytetit. Pasion kishte pllakatet e filmave. Lasgushi aty në atë studio kalonte orë me Thomaqin, po aty në një nga ata magnetofonët që shpërndau Lidhja e Shkrimtarëve, herë pas here Lasgushi recitonte! Nuk di se ku duhet të jenë ato lexime poetike me zërin e tij.

Për ta bindur për intervistën, vajtëm takuam shokun e fëmijërisë Nuçi Tira, që ishte me “ pushtet” nënkryetar i Degës së Brendshme. U vendos që të nesërmen Lasgushi, shoku Nuçi dhe Dr Misto do takoheshim në Drilon, aty ishte qetësi dhe bukur! Ishte vendi ku pushonte shoku Enver. Ne si televizion i bindëm pasi shoku Enver vinte në gusht!

U takuam dhe biseda ishte mes tyre e lirë, mes shokësh të përditshëm. Erdhi edhe rakia perla apo moskat që ia kishte qejfi. Duke xhiruar ishte krejtësisht i lirë në mendimet e tija. Me kamerën e Stefan Gajos, me film 16 mm, kemi xhiruar gati dy orë. Në një çast më thotë për Naçin( kameramanin) po ky ç’më rri si vuv nuk flet fare!
Mes shumë bisedave citoi për Kosovën : Kosova, luftë Skënderbejane… do të vuaj se nuk e kaloi Rilindjen, asnjë popull nuk zhvillohet pa kaluar Rilindjen.

Më tej më thotë: Unë poezinë nuk e shkruaj po nuk lëvizi guri i mullirit! E di ti, gurin e mullirit?!

- Po, i them! Pa pritur, më bërtiti : Asgjë nuk di! Unë heshta. Ata që ia dinin huqet nuk reaguan, por Dr Misto i tha, z. Llazar, (atij nuk i thoshte njeri Lasgush, veçse z. Llazar, ) ky e di se është i shoqi i Natashës!

Ah, më tha, ajo është e mirë! Në bisedë e sipër përmëndi vetëm Ismail Kadare, kuptohet për mirë. Dhe emrat botëror : Lermontov, Heine, dhe Leopard! E di ti nga sa libra kanë shkruar këta? Unë ngrita supet! Nga njëckë, më tha dhe ngriti gishtin e vogël. Sepse poezia nuk është art që bëhet me porosi. Unë që të bëj një poezi rri me muaj apo me vite! Më thonë mua pse nuk shkruan Llazari, ja shkrova unë për Reshit Çollakun se e njihja dhe thashë: Hajde o Reshit Çollaku, shtive shtatë e vrave tetë, përse e shkrova kështu ?! Se ishte trim ai!

Nga intervista u transmetua 31 min në TVSH dhe 30 min të tjera i sinkronizova dhe i dorëzova në arkiv pasi ishin mendime të lira që sigurisht nuk do t’i pranonin për tu shfaqur në atë kohë. 10 vjet më vonë më 1991 shkova në Arkivin e TVSH i kërkova ato materiale të sinkronizuara të gatshme për transmetim, por nuk e gjeta filmin. Kur u shfaq dokumentari për Lasgushin në një festival të filmit, zbrisja shkallët e pallatit të kulturës me Viktor Gjikën, që kishte në dorë, kupën e festivalit me dokumentarin “ 4 këngë për partinë” më thotë : Kjo kupë i takonte Lasgushit, po Partia i merr të gjitha!

Kthehem te koha me Lasgushin, në mbrëmje të asaj dite aty ku është sot “Turzmi” që i thonë, po shëtisnim pesë veta, thotë Dr Misto, po fryn gjoli z. Llazar, ikim,! Jo, thotë dhe ma kap dorën e më tregon se poshtë këmishës kishte karton për tu mbrojtur nga era, nuk ka ç’më bën era, jam i mbrojtur! Dhe pak më tej nxori orën nga xhepi i një kostumi të vajtur, ora ishte një orë kineze tavoline, i ra nga dora u përkula e mora, e vuri në vesh dhe tha: Gjene punon! Ç’ më shikon i çuditur më tha: ora për të treguar kohën është , jo po të krekosesh me ora të shtrenjta! Kjo e bën punën për mua dhe e futi në xhep! Kuptohet kur ishe me të ai fliste, fliste dhe tregonte pafundësisht ngjarje me një kujtesë fenomenale!

Ja kush ishte Lasgushi për mua! Më shumë se legjendë, jo njeri, një magji, që vazhdon të endet në mendjet e çdo pogradecari! E dini, që një herë e sollën nga spitali të vdekur, por pas ca orësh u ngrit nga arkivoli! Dhe tha: Jam Shën Llazari, nuk di të vdes! Ky ishte Llazar Gusho! Vonë shumë së bashku me Natashën përgatitëm skenar për film artistik, vajtëm takuam Marien të bijën, për leje autorsie. Mbeti
vetëm një dëshirë! Skenari rri në sirtar siç u rrinë krijuesëve shumë e shumë vepra të tjera!/dritare

Lini një Përgjigje