Në ambientet e hollit të Teatrit “Migjeni” në Shkodër u organizua koncerti muziko-teatral “Mundësi pa kufi”, një aktivitet i veçantë, që solli në skenë krijimtarinë e motrave Alda dhe Blerina Shalari.
Dy motrat Shalari, të njohura për talentin dhe përkushtimin e tyre, sollën një mbrëmje ku muzika dhe fjala e bukur u ndërthurën natyrshëm.
Alda Shalari është autore dhe moderatore e një emisioni për muzikën në Radio Tirana prej më shumë se një dekade, ndërsa Blerina, kompozitore dhe autore e veprave që u interpretuan në këtë koncert.
I ftuar special ishte aktori i Teatrit Kombëtar, Dritan Boriçi, i cili kontribuoi me një interpretim të veçantë.
Në një prononcim për mediet, motrat Shalari shprehën emocionet dhe mirënjohjen për këtë performancë në Shkodër, duke theksuar se arti është mjeti më i bukur për të përcjellë ndjeshmëri, shpresë dhe frymëzim.
“Ka vite që akumulohet si repertor. U bë tashmë dy vjet e ca dhe ja ku jemi në shumë skena, njëra prej të cilave nuk mund të mungonte: Teatri ‘Migjeni’,” u shpreh kompozitorja, Blerina.
“Mendoj që ia njoh mirë krijimtarinë dhe kam mundësi të bëj më të mirën për të sjellë atë nivel kualitativ që duhet të sjell, duke qenë se ia njoh edhe stilin. Blerina më ka ndihmuar jashtëzakonisht dhe e them gjithmonë, të kesh një motër muzikante në shtëpi është një privilegj, pasi sekretet e profesionit i mëson shumë më përpara se artistët e tjerë,” tha motra e saj muzikologe, Alda.
Programi i kësaj mbrëmjeje përfshiu vepra muziko-teatrale me autorësi të Blerina Shalarit.
/RTSH/
Lini një Përgjigje