Pesha që i jep kapedani Tafil Buzi historisë sonë

5 Tetor 2025, 14:10Kulturë TEMA

Roshi Ajdini*

 

Pesha që i jep kapedani Tafil Buzi historisë sonë

Pesha e gurit, pesha e Shoqatës “Tafil Buzi”, pesha e fjalës dhe pesha e këngës, më datë 4 tetor 2025, u bënë bashkë, në Tepelenë.

I bëri bashkë Tafil Buzi, i derdhur në bronz me shtatore, e i vendosur sipër një guri që edhe fizikisht peshon tonelata.

Eh, pesha e gurit është peshë që mbart histori qëndrese, është peshë që mbart rezistencë, që mbart rrënjë të thella, që mbart tradita familjare dhe komunitare.

Shtatorja e Tafil Buzit, është ideuar dhe realizuar nga skulptori i talentuar tepelenas, zoti Vladimir Llakaj në gur. Në mënyrë simbolike, është e koncentruar gjithçka në 200 vjetët e fundit, 200 vjet të Tafilit: luftrat, bëmat, emri, vdekja, frymëzimi, mohimi, rivlerësimi, nderi, e deri te vënia sot në piedestal, mbi gurin e rëndë.

Tepelena jonë do dijë ta mbajë peshën e gurit, mbi të cilin lartësohet Tafili.

 

Pesha që i jep kapedani Tafil Buzi historisë sonë

Pesha e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tafil Buzi” në dy dekada e pak ka ardhur duke u rritur, duke kulmuar sot me një buqetë aktivitetesh për të nderuar kapedanin.

Një rrugë e gjatë, njëvjeçare, me intensitet të lartë takimesh e sensibilizimesh për të nderuar kapedanin në bronz.

Ne si shoqatë bashkuam qindra e mijëra zemra për të sjellë të ardhura për shtatoren, por edhe ndjesi dhe emocione të një atmosfere përjetimesh.

Shoqata mori peshë, se peshë i dhanë të gjithë buziotët, memaliotët, tepelenasit e shumë miq dhe dashamirës tanë.

Kjo peshë e madhe e shoqatës u pa, u demonstrua dhe u derdh në kryeqendrën tonë, Tepelenën, me organizimin e bukur të gjithë aktivitetit të përurimit të shtatores, duke filluar me sesionin shkencor, zbulimin e shtatores, koncertin festiv, e më në fund koktejin në respekt të të gjithë pjesëmarrësve.

Pesha që i jep kapedani Tafil Buzi historisë sonë

Kur vijmë te pesha e fjalës, fjalët duhet t’i zgjedhësh.

Fjala është fuqi e madhe. Me fjalën janë ndërtuar e rrëzuar shtete e perandori, janë nderuar e turpëruar burra, janë shkruar libra, e janë ndërtuar identitete kombëtare.

E fjala pati peshën e saj të madhe në përurimin e shtatores së kapedanit.

Fjala e akademikëve Pëllumb Xhufi, Hamit Kaba dhe profesor Bektash Mema, nën një moderim profesional të profesor Asim Brahimit, sollën para të pranishmëve në sallën e Pallatit të Kulturës në Tepelenë dimensionet reale, madhore të Tafil Buzit.

U sollën nëpërmjet fjalës fakte të reja historike, por edhe vlerësime të merituara nga autorë vendas dhe të huaj.

Me fjalë të shkruara u nderuan nga Shoqata disa personalitete në këtë ditë të veçantë.

Me certifikatë mirënjohjeje, “Nderi i Shoqatës”, u nderua pas vdekjes intelektuali buziot, Limo Paza.

Po ashtu, me certifikatë “Nderi i Shoqatës”, u vlerësua dhe poeti, publicisti, Feti Zeneli.

Një nderim i veçantë u bë edhe për aktorin me famë të ndërkombëtarizuar, “Skënderbeun e gjallë”, struganin e shqiptarësisë, Xhevat Limani, me vlerësimin “Nderi i krahinës së Buzit”.

Xhevati interpretoi vargje për heroin kombëtar Skënderbeun, me të cilat çoi peshë zemrat e të pranishmëve në sallë.

E pesha e fjalës do vijonte në koncertin festiv në sheshin “Lord Bajroni”, ku e zonja e shtëpisë, mikpritësja, kryetarja e Bashkisë Tepelenë, Julinda Karteri, uroi mirëseardhjen për të gjithë mysafirët e kësaj ceremonie.

Për të vijuar me fjalën e kryetarit të Shoqatës “Tafil Buzi”, zoti Bashkim Brahimi, i cili më së shumti në fjalën e tij u ndal në vlerësimet që Shoqata i ka bërë në këto 20 e ca vjet figurës së kapedan Tafil Buzit, por edhe në falënderimet për të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e kësaj vepre artistike për kapedanin.

Vetë kryetari i Shoqatës, Bashkim Brahimi, do t’i jepte fjalën deputetes së qarkut Gjirokastër, zonjës Mirela Kumbaro, ministre e Arsimit dhe Shkencës, e cila në fjalën e saj u ndal në mesazhin e bashkimit që figura e Tafil Buzit sjell nga shekujt, duke apeluar që kjo frymë duhet të na mbizotërojë edhe në ditët e sotme.

E pesha e fjalës do rridhte në fjalëmbajtësit e tjerë: ish-kryetari i Bashkisë Tepelenë dhe deputet aktual i Kuvendit të Shqipërisë, zoti Tërmet Peçi, i cili po ashtu vlerësoi me fjalë të zgjedhura kapedanin e Toskërisë dhe Labërisë, Tafil Buzin.

Do të fliste në këtë ceremoni edhe kryetari i Bashkisë Memaliaj, zoti Albert Malaj, i cili në fjalën e tij, përveç figurës së Tafil Buzit, u ndal edhe në disa figura të spikatura të trevës së Memaliajt.

Fjala e ka peshën shumë të madhe kur vjen me vargje.

Aktori Xhevat Limani do recitonte vargje të zgjedhura nga “Baladë për Tafil Buzin” e poetit Feti Zeneli.

Me një zë kumbues e diksion drithërues, Xhevat Limani e rriti edhe më lart në panteonin e nderit dhe lavdisë Tafil Buzotin.

Moderatorja e talentuar, “Miss Shqipëria” Hygerta Sako, me prezantimin e saj të bukur artistikisht, i dha rreze të bukura drite koncertit festiv.

 

E fundit, por jo për nga rëndësia, është pesha e këngës.

Nga kënga dhe nga malet e kemi më së shumti Shqipërinë tonë.

Kënga ka lartësuar figura historike kur mungonte fjala e shkruar; kënga ka ruajtur traditën, kënga ka zbukuruar dasma e gëzime, kënga ka motivuar burrat për luftë, kënga na identifikon në morinë e kombeve të tjera, kënga na motivon e na ngushëllon.

E kënga polifonike e popullore jehoi e gjëmoi fuqishëm brenda Pallatit të Kulturës e jashtë, në sheshin “Lord Bajroni”, duke krijuar një tjetër atmosferë, duke u ngjitur zërat në qiell, duke u bashkuar me publikun e duke u bërë bashkë me malet përreth.

Do ngjiteshin njëri pas tjetrit grupet polifonike: grupi i Bashkisë Tepelenë, grupi i qytetit të Memaliaj, grupi i Buzit, “Zëri i Trebeshinës”, grupi “Epirotët”, grupi i qytetit të Tepelenës.

Nuk kishte si të mungonte Ylli Baka, djalë i krahinës së Buzit, me zërin e tij brilant, me një buqetë këngësh nga repertori i tij.

Grupet polifonike nuk mund të konceptohen pa veshjet popullore, veshje të cilat u japin grupeve një hijeshi tjetër.

Artizania me famë kombëtare, Buqe Muka, ishte në mbështetje të aktivitetit me veshjet e saj popullore, larminë e ngjyrave të bukura të traditës.

Ndërkohë Ekelejda Fejzo arriti të koordinojë cdo detaj të aktivitetit.

Do duhej kapedani që në kryeqendrën tonë, Tepelenën, të bëheshin bashkë pesha e gurit të rëndë të historisë, pesha e Shoqatës “Tafil Buzi”, pesha e fjalës dhe pesha e këngës.

Si një kurorë mozaiku, të katër këto pesha çuan peshë zemrat e buziotëve, memaliotëve e tepelenasve, në një ditë të bukur me rreze dielli vjeshte, ku u bënë bashkë me ngjyrat e natyrës, ngjyrat e veshjeve popullore, e me nurin e bukur e të qeshur të qindra të pranishmëve në këtë ceremoni krkrenarie.

 

 

*Autori eshte anëtarë i kryesisë së Shoqatës "Tafil Buzi"

 

Lini një Përgjigje