Për herë të parë, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të ngjitet në skenë së bashku me tenorin me famë ndërkombëtare, Rame Lahaj, në mbrëmjen Gala “Rame Lahaj & Friends”, në edicionin e pestë të festivalit ndërkombëtar.
Dirigjenti italian, Roberto Rizzi Brignoli, i njohur për interpretimet e tij delikate dhe emocionuese, do të udhëheqë këtë performancë të veçantë. Së bashku me tenorin Lahaj do të interpretojnë edhe solistja Nino Machaidze dhe basisti Dario Russo.
Programi përfshin disa nga ariet më të dashura të repertorit klasik botëror, pjesë ikonike të operës, që kanë magjepsur breza të tërë artdashësish.
“Para së gjithash jam shumë i lumtur që ndodhem këtu dhe që bashkëpunoj me këtë orkestër të mrekullueshme. Programi që do të luajmë në Prishtinë është i jashtëzakonshëm, shumë i bukur. Gjithashtu rëndësia e këtij koncerti është që të sjellim disa nga faqet më të bukura të repertorit operistik, për njerëzit e Prishtinës dhe për të gjithë të ftuarit që do të jenë aty. Në repertor, i cili është mjaft i larmishëm, nuk do të mungojnë as këngët shqiptare”, u shpreh dirigjenti italian, Roberto Rizzi Brignoli.
Ky edicion i pestë i festivalit vjen me një mesazh të fortë bashkimi: “Ëndrra pa kufij, Opera pa mure”, duke dëshmuar se arti mbetet gjithmonë mbi barrierat administrative apo politike.
“Marrin pjesë për herë të parë. Një vlerësim shumë i madh, sepse është vërtet një nga eventet më të rëndësishme në viset shqiptare ku marrin pjesë dirigjentë me emër dhe këngëtarë“, tha Blerta Ristani, drejtoreshë artistike e Orkestrës së RTSH-së.
Mbrëmja gala e festivalit ndërkombëtar “Rame Lahaj & Friends” do të mbahet më 2 gusht në Sheshin “Skënderbej” në Prishtinë, transmeton rtsh.
Lini një Përgjigje