Rrena, fabrikime

10 Shkurt 2025, 09:25Kulturë Ardian Vehbiu

E mbaj ende mend kohën kur njerëzit thoshin “e ka dhënë radioja”, “e pashë në televizor”, “e lexova në gazetë” si provë vërtetësie për informacionin e sjellë. Atëbotë mediat kishin reputacionin se ende përpiqeshin të përcillnin të vërtetën.

Sot kjo nuk ndodh më – ajo që sheh në televizor ose e lexon në gazetë vlen, para së gjithash, për të kuptuar se çfarë synon kjo apo ajo media, jo për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur tamam.

Por deri vonë ishte ruajtur një marrëdhënie vërtetësie mes imazhit fotografik (foto ose video) dhe së vërtetës – sa kohë që fotografia vinte gjithnjë me pretendimin se “nuk gënjen”; edhe pse kjo nuk i ka përjashtuar ndonjëherë manipulimet dhe retushimet.

Statusi i fotografisë ka të bëjë me natyrën e saj semike (si shenjë): ndryshe nga teksti, që ndërmjetësohet nga subjekti prodhues i ligjërimit, imazhi fotografik ka qenë prodhuar nga impakti fizik i dritës mbi një kimikat fotosensitiv; subjekti mund të zgjedhë çfarë të futë në kuadër (objektiv), por pastaj imazhi krijohet pa pjesëmarrjen e subjektit, njëlloj si gjurma që lë këmba në rërë, ose shenja që mbetet në retinë pasi ke parë, pa dashur, një dritë verbuese.

Kjo i ka dhënë fotografisë një vërtetësi të posaçme, sepse imazhi është parë si provë e diçkaje që ka qenë atje kur është shkrepur aparati. Arsyetimi vlen edhe për filmin tradicional, në celuloid, i cili nuk dallon nga fotografia, për natyrën si e shënjon realitetin – me ndërmjetësimin e dritës dhe të një materiali fotosensitiv.

Tradicionalisht, imazhet fotografike dhe filmike kanë pasur status të ndryshëm nga fjala – të krahasohet, për shembull, rrëfimi i një dëshmitari të pranishëm në vendin e një krimi, me pamjet që ka filmuar kamera e sigurisë. Të dytat nuk kanë kaluar në filtrin e subjektivitetit, prandaj merren si më “të sigurta” dhe më “veridike”.

Teknologjia e përpunimit digjital të imazhit e ka futur në krizë statusin veridik të fotografisë (dhe të videos), sa kohë që tani nuk ka më ndonjë kufi të prerë mes imazhit të sajuar (vizatimit, pikturës) dhe imazhit fotografik. Aq më tepër, falë veglave imazh-krijuese të inteligjencës artificiale, kushdo mund të krijojë “fotografi” që është vështirë të dallohen nga fotografitë reale.

Mjafton një shfletim i Facebook-ut për t’u bindur se tashmë fotot që sillen aty nga përdoruesit janë në masë të madhe fakes: që nga selfie-t e retushuara, te imazhet e prodhuara me kompjuter, përfshi këtu pamje sajtesh arkeologjike të paqena, gjithfarë insektesh dhe fluturash të sajuara dhe vepra arti që imitojnë stilet e artistëve të mëdhenj si Picasso dhe Van Gogh.

Tani po bëhet më e lehtë që të krijohen edhe video të rreme; pa folur për ato sajte “informative”, që marrin videoklipe të nxjerra nga lojëra kompjuterike (p.sh. Call of Duty) dhe i paraqitin si filmime nga një fushë beteje në Donbas.

Shumë njerëz i besojnë këto; të tjerë e kuptojnë se ka diçka që nuk shkon dhe po e humbin shpresën që rrjetet sociale t’i informojnë për ndonjë gjë; ashtu nuk e kërkojnë më lidhjen mes imazheve fotografike dhe së vërtetës, por e shohin fotografinë thjesht si pjesë të argëtimit që ofron rrjeti social ose portali.

Në momentin që kushdo mund të sjellë imazhe të rreme, por që duken si të vërteta, atëherë vjen e forcohet lidhja mes shkallës së vërtetësisë së informacionit dhe burimit nga vjen ky informacion – në kuptimin që një imazh i sjellë nga Le Monde ose The Guardian do të këqyret si më i besueshëm se një imazh i sjellë nga një përdorues ose portal çfarëdo.

Kjo do të thotë se, i pafuqishëm përballë krizës së legjitimitetit të imazhit, përdoruesi ia delegon verifikimin një autoriteti, që me shumë gjasë është një media e madhe. Premtimi i dikurshëm i Internetit, për demokraci të informimit, tani është kthyer kokëposhtë – dhe vërtetësia online po u kalon (sërish) mediave që dikur e kishin informacionin monopol.

Në kuptimin që, kur të gjithë gënjejnë, atëherë le të zgjedhim të gënjehemi si dikur, nga profesionistët.

Alternativa është që t’i kërkosh publikut – shfletuesve, përdoruesve, lexuesve – të bëjnë atë lloj pune verifikuese (labor) të tillë që normalisht duhej ta bënte mediumi vetë.

Përndryshe, vërtetësia e imazhit tani nuk dallon më nga vërtetësia e rrëfimit me fjalë.

Sikur unë të thoja: Dje erdhi Trump-i në Brooklyn ti, që m’i lexon fjalët, mund ta verifikosh thënien time p.sh. duke parë nëse vizitën e Trump-it në Brooklyn e kanë lajmëruar edhe media të tjera dhe duke arsyetuar sa gjasa ka që të ketë ndodhur kjo “vërtet” (krahasojeni me Dje erdhi Trump-i për darkë në shtëpinë time); por tek e fundit, rol të madh do të luajë edhe reputacioni im, si njeri që përpiqet të thotë të vërtetën, bashkë me përgjegjësinë, ose garancitë që ofroj si subjekt informacioni.

(Kjo varet edhe nga konteksti specifik – për shembull, kjo Dje erdhi Trump-i për darkë në shtëpinë time do të ishte më e besueshme po ta kish thënë Elon Musk-u, se po ta kisha thënë unë, jo sepse Musk-u, në përgjithësi, është më “i besueshëm” se unë; por sepse thjesht, gjasat që Trump-i të shkojë për darkë te Musk-u janë më të mëdha.)

Një gjë që duhet të ketë parasysh konsumatori i mediave sot është se fotot dhe videot që i dalin përpara kur shfleton rrjetet sociale dhe portalet nuk janë më indeksikale, ngaqë nuk janë nxjerrë me film a me videokamera tradicionale, por janë krijuar me mjete digjitale, me ndërmjetësimin e një subjekti, që shpesh kërkon të arrijë synime të caktuara, qoftë edhe duke gënjyer ose duke e shtrembëruar të vërtetën.

Ta zëmë se dikush lajmëron për një statujë kali gjigante, që u pat zbuluar në Progonat nga një grup arkeologësh italianë gjatë Luftës I Botërore, por që pastaj e shkatërruan pa lënë gjurmë (duke lënë të kuptohet se këtë lloj shkatërrimi e kanë bërë ata që kanë synuar t’ia heqin shqiptarëve memorien historike); dhe e shoqëron këtë lajm me një foto që duket si e vjetër, me një person përbri të veshur si qëmoti dhe që ndihmon për të kuptuar sa e madhe ka qenë statuja, ka shumë që do të gënjehen – sepse fotoja është prodhuar me synimin për t’u dukur si autentike; që nga efekti bardhezi, te pamja e atij tipit dhe tekstura e skulpturës vetë.

Rrena, fabrikime

Fotoja është fake. Një sy eksperti mund ta dallojë këtë, por nuk mund të presësh ekspertizë të tillë nga përdoruesi i zakonshëm i rrjetit. E vetmja gjë që ky mund të bëjë, dhe që tani duhet të bëjë, është të verifikojë burimin e lajmit dhe të fotos vetë dhe, po të ketë kohë dhe interes për temën, të kontrollojë nëse kjo foto është përcjellë nga ndonjë media serioze dhe me reputacion. Për fat të keq, ky kriter i fundit nuk vlen për shumë media shqip, të cilat i marrin rëndom lajme (dhe foto) të tilla dhe i përplasin në faqen e parë.

Shihni edhe imazhin e mëposhtëm, dhe përfytyrojeni si të botuar me diciturën: “Zbulohet një portret i rrallë i Skënderbeut, nga Delacroix”; imazhi është krijuar me një program AI që “e njeh” teknikën e atij artisti, prandaj një sy i pastërvitur mund të gabohet kollaj dhe ta marrë për autentik; sidomos kur vetë akti i zbulimit dhe i botimit të një “zbulimi” të tillë ia përkëdhel përdoruesit sedrën kombëtariste.

Rrena, fabrikime

Krahasojeni këtë edhe me një portret tjetër, po aq të rrallë, të Skënderbeut, “nga Albrecht Dührer”: edhe këtu përdoruesi do të jetë i prirur të besojë se një zbulim i tillë ka ndodhur vërtet.

Rrena, fabrikime

Në të gjitha këto raste, kur imazhi është sajuar në mënyrë të tillë që të duket i besueshëm, publiku do të priret që ta besojë, dhe nuk mund të presësh prej tij që t’i kryejë verifikimet vetë. Realisht, kureshtarit nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse të kërkojë se nga vjen ky informacion, ose burimin: normalisht, lajme për zbulime të tilla duhet të vijnë nga burime legjitime, me autoritet, si revistat që merren me historinë e artit ose revistat e muzeve dhe të arkivave – një individ privat nuk ofron asnjë garanci dhe gjasat janë të mëdha që ky të ofrojë informacion fake, ose ngaqë e synon këtë efekt, ose ngaqë edhe atë e kanë gënjyer.

© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhet në shkrim janë realizuar me Midjourney. Botohet te "TemA" me leje.

2 Komente

  1. L
    LM

    Faleminderit, Ardian!

    Përgjigjjuni
    1. a
      anti25642654censurë

      "Rrena, fabrikime "??si e shkruan dhe komentuesi më sipër LM,faleminderit adrian,për kujtesën që i bën lexuese për një ndodhi sa të re aq të vjetër!!ndodhi që aspak nuk është e re,por që është e re nga niveli teknollogjik i krijimit dh epërhapjes së saj!!si fenomen,mashtrimi ka lindur me njeriun,është zhvilluar me zhvillimin e shtetteve,dhe sot mashtrimi është rritur në një nivel aq të lartë sa,vetëm telepatia,ose një ndërhyrje me valë elektro manjetike direkt në tru mund tia kalojë!historia ka treguar se që nga koha e kohëve ka pasur dizinformacion,ka funksionuar gjithnjë!pavarsisht nga mënyra e trasmetimit të tij!trasmetimi bëhet/hej gojë më gojë,me telall,me shkrime,me radio,televizion e sot me medjet sociale!!njeriu ka qënë dhe do të jetë viktimë e këtij dizinforamcion!nuk ka rëndësi se në çvit do jetojë!!edhe në 3025,ka për tu mashtruar në të njëjtën mënyrë!!të mashtrohesh do të thotë të kesh dëshirë për tu mashtruar,të dish jashtëzakonisht shumë pak dhe të pretendosh se je shumë i ditur,të kesh dëshirë për të përfituar shumë më tepër se ajo që quhet e arsyeshme,normale!!"piramidat",ajdin sejdia me shokë,nuk kanë qënë të parat as të fundit,por njeriu bie gjithmonë brënda!shpesh të njëjtit njerëz bien në të njëjtën grackë herë pas here!!sot përpjekja nuk shkon më në drejtimin e informacionit fals,mashtrues,por thjeshtë në informacionin lumë ku dhe ai i vërtetë,i besueshëm,këthehet në inforacion të pabesueshëm!një mbytje me informacion,të çdollojshëm,bën që të mos besohet asgjë!!sidomos për dikë që nuk është në gjëndje të thellohet sado pak në informacion!!një "informacion" i shkurtër,i kuptueshëm dhe sidomos përfundimtar,që njep një zgjidhje "llogjike" të thjeshtë dhe të menjëhershme,pranohet nga shumica e njerëzve!!janë të rrallë ata që thellohen në leximin,vërtetimin e vërtetësisë,së informacionit,dhe arrijnë të mendojnë në mënyrë racionale për një zgjidhje afatgjatë!!prandaj do kemi informacion mashtrues,prandj do kemi "piramida"të ajdin sejdisë,dhe në informacion!!nga dizinformacioni ka gjithnjë përfitim!!po të mos egzistonte përfitimi nuk do kishte informacion mashtrues!!përfitimi mund të jetë i madh,politik, ekonomiko financiar ose,i vogël financiar i menjëhershëm!në politikë e kemi përjetuar në të gjitha drejtimet,duke filluar nga politika vëndore e deri tek ajo botërore!ekonomiko financiar ,kemi përfitimin e gjigantëve të financës dhe ekonomoisë,në atë të voglin që e pësojmë çdo ditë?janë kliket e gazetave online o tek blogerët e internetit!!adriani shkruan për "reputacionin"," por tek e fundit, rol të madh do të luajë edhe reputacioni im"!?dhe reputacioni është relativ!!reputacion ka si mashtruesi dhe njeriu më i ndershëm në botë!!reputacioni i mashtruesit vlersohet ndryshe nga ai i të ndershmit!!nuk mund të themi se mashtruesi "filan" ka një reputacion të madh sepse nuk ka mashtruar askënd!!ai ka reputacion të madh nëse mashtron shumë njerëz!!e njëjta gjë dhe për të ndershmin!!ai nuk ka reputacion të mirë nëse mashtron dikë!!pra e kundërta e reputacionit të mashtruesit!!një mashtrues kënaqet nga përfitimi që nxjerr nga mashtrimet e tij,i ndershmi e vuan mashtrimin që mund të bëjë!!e vuan si ndjenjë dhe më pas e vuan si reputacion!! u bënë 35 vjet me sali berishën(po e marr si shëmbull,pa prekur të tjerët që janë pak a shumë si ai)!!pak nga pak ai e ka humbur mbështetjen,por akoma ai vazhdon të ketë njerëz që i shkojnë pas!!përse??thjeshtë se njeriu ka qef të mashtrohet,nuk ka qef të thotë se ka gabuar,se urren/ka frikë kundërshtarët e saliut,se është thjeshtë një budalla i lindur!!ndonjëherë pavarësisht se reputacioni ka shkuar në PS,për dikë(psh për Tema,të meros)prapë je,pothuajse,i detyruar ta frekuentosh!thjeshtë se nuk ke asnjë alternativë TjetëëëëëR!nëse dikush do të thotë fjalën e tij,do të çfryjë inatin e tij!?është i detyruar të pranojë dhe një të keqe më të vogël se ajo e madhja!!bile dhe të komentojë shkrime të bëra nga autorë që ndoshta jo gjithnjë ka të njëjtin mendim!!

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje