“Shkrimtari është hero”, - shkruan Loer Kume në rrjetet sociale, në një reagim pas ndarjes nga jeta të Ismail Kadaresë, gjeniut të letrave shqipe. – “Me vdekjen e Kadaresë, bie mbi ne një përgjegjësi, dhe një seriozitet më i madh se më parë. Si pesha e një detyre që tashmë koha dhe vdekja na e ngarkuan. Ka në ajër grimca të seriozes dhe peshës që mbeten jetimë e do mbështeten mbi ne tashmë”, shprehet Loer Kume.
Loer Kume u shpall fituesi i madh i çmimit “Kadare”, për vitin 2019. Me librin “Amygdala Mandala”, botim i UET PRESS, autori Loer Kume, vlerësohet si përfaqësuesi i një gjenerate të re shkrimtarësh, i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare dhe larg komercializmit e të zakonshmes në letërsi, duke sjellë një përmbledhje me tregime e duke rrëmbyer trofeun, kësisoj.
“Shkrimtari është hero”
Nga Loer Kume
Kam shumë histori personale të këndshme me Kadarenë njeri dhe Helenen në aq herë sa jemi takuar. Ndoshta një ditë do ulem t’i shkruaj në kujtimet e mia.
Vdiq Kadare në moshë, jetoi si mbret, luftoi luftërat e tij, e vdiq si mbret. Të gjithë do vdesim.
Sot dua ti bëj homazhin një shkrimtari të madh. Një shkrimtari që më ka mbështjellë me mjegulla, me ankth, më ka ndikuar kur isha i vogël, e si rrallëkush shkrimtar shqiptar, më ka bërë të qesh me humorin e hollë letrar më pas.
Një shkrimtar është një hero. Ai bën një veprimtari që në thelb ka tregimin e përrallave. Krijon nga hiçi me një vullnet prej Don-Kishoti. Por, sa e kotë dhe fëmijnore duket një gjë e tillë, aq mban peshën dhe formon breza, dhe kombe vetë. Pikërisht në shpinën, mendjen dhe rropullitë krijuese të shkrimtarëve mbështetet gjithashtu esenca shpirtërore e vendit të tij dhe lexuesve të tij.
Shkrimtari, nga më i vogli dhe lokali, deri te më të njohurit e me ndikim, janë heronj të mëdhenj të kohës tonë moderne.
Ndaj veç njeriut, sot vdiq një hero.
Me vdekjen e Kadaresë, bie mbi ne një përgjegjësi, dhe një seriozitet më i madh se më parë. Si pesha e një detyre që tashmë koha dhe vdekja na e ngarkuan. Ka në ajër grimca të seriozes dhe peshës që mbeten jetimë e do mbështeten mbi ne tashmë.
Ajo që vdiq është shpresa për të lexuar gjë të re nga shkrimtari, dhe i shtohet veprës së tij, faqeve të tij, tashmë edhe nostalgjia.
Lini një Përgjigje