Valltarja e Tropojës, rrugëtimi i Bube Micit nga Cërnica në skenat shqiptare

13 Prill 2025, 19:21Kulturë TEMA
Valltarja e Tropojës, rrugëtimi i Bube Micit nga Cërnica në

Bube Mici është një nga valltaret e mirënjohura tropojane, e cila karrierën artistike e ka nisur që në moshën 14-vjeçare me kërcimin tradicional të Tropojës. Fillimisht, ajo mori pjesë në veprimtaritë lokale në grupet artistike të rrethit të Tropojës. Ajo tregon se gjatë gjithë rrugëtimit të saj ka qenë pjesë e konkurseve, ku është vlerësuar me çmime të ndryshme.

“Që në 1968 kam dalë në skenë dhe në çdo konkurrim që kam marrë pjesë kam pasur sukses. Kam qenë në Festivalin e Gjirokastrës ku kam fituar çmimin “Perla e festivalit”. Jam dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri””, u shpreh ajo.

Edhe pse në moshën 80-vjeçare, valltarja tropojane Bube Mici vazhdon të qëndrojë aktive dhe pranë talenteve të reja, duke u përcjellë të rinjve vallet popullore origjinale. Kërcimin e Tropojës ajo e veçon për harmoni, dinamizëm dhe veçanti që kjo valle përfaqëson.

Në fillim të viteve ’90, valltarja Bube Mici ishte organizatore e ansamblit “Lulet e Bjeshkës”, me nxënës të shkollës së mesme dhe të rinj nga fshati Cernicë. Me këtë grup ka krijuar mjaft valle dhe ka dhënë koncerte në Shqipëri dhe Kosovë, për festat e Nëntorit, ceremoni përkujtimore dhe aktivitete të tjera kulturore.

Bube Mici ka lindur në Cernicë të Tropojës. Vallja popullore tropojane e ka tërhequr që në moshë të vogël dhe ka qenë gjithmonë prirja e saj kryesore. Aktiviteti i saj artistik vazhdon prej katër dekadash. /rtsh/

     

Lini një Përgjigje