Shkrimtari, poeti dhe ish-diplomati Luan Rama, gjatë bisedës në Apostrof Podcast, u ndal edhe te letërsia dhe roli i shkrimtarit të sotëm përballë një bote gjithnjë e më të vrullshme e të zhurmshme.
I pyetur se çfarë këshille do t’u jepte shkrimtarëve të rinj, Rama thekson se “duhet ta jetosh aktualitetin për ta kuptuar”, sepse vetëm përmes përvojës dhe vëzhgimit të drejtpërdrejtë lind vepra e vërtetë letrare.
"Nëqoftëse është për aktualitetin, duhet ta jetojë aktualitetin dhe të gjejë ato këndet që janë në hije për t'i kapur dhe për ti trajtuar në vepër. Po të jetë temë historike, duhet patjetër të bëjë siç bëri Zola, për shembull me 'Zherminal', që shkoi në qytezën e minatorëve dhe jetoi me ta. Po kështu Floberi, për shembull, për të shkruar Salambon, u mbyll në Bibliotekën Kombëtare të Parisit dhe lexoi gjithë historitë që kishin ndodhur rreth historisë së Salambos."
Sipas Ramës, emocioni dhe imagjinata nuk mjaftojnë — letërsia kërkon njohje, hulumtim dhe përfshirje të thellë në realitetin njerëzor. Vetëm atëherë, thotë ai, “idetë bëhen më të fuqishme se historia vetë, por idetë kanë nevojë për historinë për të jetuar.”
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Luan Rama mes artit, letërsisë dhe diplomacisë | Apostrof #42