Në Qendrën për Hapje dhe dialog vazhdojnë dhe ekspozohen 123 piktura të piktorit Nazmi Hoxha.
Në një intervistë për “Report Tv” artisti rrëfeu për punën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgjatë 15 viteve, punë të cilat e rikthyen në Shqipëri me këtë ekspozitë.
Ekspozita titullohet « Ëndrra brenda një ëndrre ». Ekspozita ka një tematikë universale me peizazhe, nudo apo portrete në vaj.
« Ideja ka qenë një bashkëpunim me kryeministrin, ka kaq vite që jemi kolegë, piktorë domethënë, dhe ai e ndezi shkëndijën se unë pikturat i kisha në papafingo dhe u detyrova ti heq, ti sjell, ka qenë një vuajtje e madhe për të zgjedhë nga 500 e ca piktura këto që janë dhe i ringjalla. »
Në këtë ekspozitë autorit tregon ngacmimet e tij të përhershme që ka pasur nga bota e jashtme. Bashkë me të ndjerin Agim Rada dhe kryeministrin Edi Rama, të rinjtë e ruanin frymën e perëndimit dhe rebelizmit brenda vetes.
« Ajo periudhë krahasuar me këtë të sotmen është prishja e territoreve të ngushta dhe zgjerimin e idesë së globit tokësor pakufi. Kjo fjala « pakufi » ka dy kuptime sepse dhe liria pakufi të çon në krim, thotë Kamyja, nuk jam i asaj rruge, por në idenë e barazimit të shpirtrave, të komunikimit pa fjalë »
Më tej ai ka folur dhe si e ka gjetur mikun e tij kryeministër prej një dekade : « Ai pikturon, njerëzit nuk e kanë idenë, por e kanë mendjen si ta rrëzojmë nga pushteti, por pikturat i ka interesante, ai vazhdon. Në njëfarë kohe, kur vjen një kohë, Dante ka qenë politikan, politikan dhe vdiq si poet. Nuk i dihet si vjen jeta, cila është vlera e kushteve të jetës. »
Pikturat e Hoxhës ndahen në disa cikle si « Jeta », « Central Park » e të tjera dhe ekspozohen në të gjithë hapësirën e Qendrës për hapje dhe Dialog.
« Floriri është gjithkund por duhet ta gjesh » thotë ai për veprën e tij. Përpara se të punonte si piktor i lirë ai ka dhënë më para mësim dhe ka punuar në realizim filmash.
Kuratorja Eridana Çano ka përzgjedhur më shumë se 500 piktura që artisti i ruan me fanatizëm në shtëpinë e tij në New York dhe ka qëmtuar 123 prej tyre. Ekspozita do të rrijë e hapur deri 10 Maj. A.K./TemA
Lini një Përgjigje